top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: HESHTJA ËSHTË GËNJESHTËR

2 hours ago
5 min read

NË TRAGJEDINË E BOTËS SOT, HESHTJA ËSHTË GËNJESHTËR


Opinion


   “Nuk është e lehtë të rrish i heshtur atëherë kur heshtja është gënjeshtër”, thosh Viktor Hygo. Dhe si për ta çuar më tej këtë, Jevgeni Jevtushenko, i lindur gati gjysmë shekulli pasi shkrimtari gjenial francez kishte ndërruar jetë, përsëriste se “Kur e vërteta zëvendësohet me heshtjen, heshtja është gënjeshtër”. Ndofta sot më shumë se kurrë pas Luftës së Dytë Botërore, shoqëria njerëzore, dëshmitare e krimeve nga më mizoret, ka nevojë që të thuhet me zë të lartë dhe të qartë ajo ç`ka po ngjet me popujt e shumë vendeve të Botës. Nuk di nga ta nisësh më parë, por po përmend fillimisht gjenocidin ndaj popullit të Palestinës. Ushtria e Izraelit nën drejtimin e Kryeministrit Natanjau, po i tregon botës mbarë se përfytyrimi i Ferrit të Dante Alighierit, paska qenë krejt i gabuar. Lexojeni dhe një herë kryeveprën e këtij autori gjenial, dhe do të gjeni aty vetëm herezinë e Umbertit, ushtrimin e dhunës nga Bruneto, mashtrimin e Ulisit, tradhtinë e Ugolinit, dashurinë e ndaluar të Paolos me Françeskën, e të tilla histori që stigmatizojnë veset e njerëzve. Por askund nuk do të ndeshni llahtaret e kthimit të një shteti të tërë në gërmadhë, vrasjen e mijra e mijra fëmijëve jetimë, të leckosur, që grumbullohen me barkun bosh, për të marrë me duart e zgjatura që dridhen, një tas supë. Nuk keni për të parë bombardimet e çerdheve, kopshteve, spitaleve, ku gjymtohen njerëzit në masë. Nuk do të mësoni se një popull i tërë i braktisur dhe i tmerruar, ikën nga vendi i tij pa ditur se ku shkon dhe pa ditur se ku të gjejë mbështetje. Edhe dërgesat për ndihma humanitare, e deri uji nuk lejohen të mbërrijnë tek ato çadrat e mjera të kampeve, pa harruar se edhe personeli shoqërues kërcënohet nga grykat e automatikëve të ushtarëve izraelitë. Shumë nga personeli ndërkombëtar mjekësor dhe trupa e gazetarëve gjithashtu janë vrarë. Po ashtu, kujtoni atë që po ngjet në Ukrainë, ku shkuan vite dhe lufta me mizoritë e saj nuk ka të sosur. Vriten mijra djem nënash nga të dyja palët, bombardohen pallate, lagje e qytete të tëra dhe gjithë objektet ekonomike dhe social - kulturore, pa asnjë dallim dhe pa u qederosur se kujt i merret jeta, gjëja më e shtrenjtë që njeriu ka. Shihni luftimet për zotërimin e Gjirit të Hormuzit, ku si pa të keq, luftanijet e përbindëshme nga deti dhe raketat nga Irani, shkëmbejnë zjarr të llahtarshëm. Nuk po shtyhem më tej, por duke u ndalur vetëm në këto ngjarje që aktualisht kanë pushtuar ekranet e televizioneve, desha të shtoj pyetjen se ku po e çojnë botën burrat e rëndësishëm të shteteve. Natyrisht, ato që kanë ngjarë nuk kthehen më; të vdekurit nuk mund të ngjallen, dhimbja për ta nuk do të fashitet kurrë, fëmijët që kanë përjetuar pasojat e bombave dhe dronëve, do të mbesin përherë të traumatizuar. Institucionet ndërkombëtare, që e kanë detyrë të ngrenë zërin dhe të marrin masat e duhura për të risjellë paqen në Botë, kanë qepur gojën, ato janë pa autoritet, kanë mbetur formale, janë atrofizuar, për të mos thënë se janë shndërruar në organizma parazitare. Dhe e gjithë kjo përkthehet si bashkautorësi në krime. Nga ana tjetër, njerëzit e thjeshtë rrinë me shpresën se një ditë kjo çmenduri do të marrë fund. Por që të marrë fund, duhet të trumfojë arsyeja tek ata që udhëheqin, tek ata që vetë e shijojnë jetën mes lluksit e të mirave materiale, dhe as që ndiejnë as mëshirën më të vogël, dhe as keqardhje për tragjeditë që urdhërojnë në skena reale. Secili në mendjen e tij ngre shqetësimin: a kanë vetë fëmijë këta kriminelë që nuk u bën asnjë përshtypje, kur një djalë a vajzë e vogël, të shpërfytyruar ngaqë u kanë vrarë prindërit, motrat e vëllezërit dhe kanë mbetur jetimë në mes të katër rrugëve, dridhen të uritur nga llahtari i fatkeqsisë dhe apokalipsit që u kanë parë sytë? Por qenka ashtu sikurse e shihte këtë problem i mençuri Sokrat që thosh: “Nga të pushtetshmit dalin njerëzit më të liq”, dhe që më pas, Presidenti Xhejms Medison (nga 1809 deri 1817), e përforcoi duke thënë: “Kudo që është interesi dhe pushteti për të bërë gabimin, gabimi në përgjithësi do të bëhet”. Dhe gabimi çnjerëzor, vazhdon e vazhdon. Fillimisht, përplasen kërcënimet. Putini deklaron se është i gatshëm të përdorë armët bërthamore, Trampi nga ana e tij nuk e fsheh idenë se do të pushtojë vende të tjera, Natanjahu në tre vjetorin e masakrës të Hamasit, si duket i pangopur nga gjithë ajo hakmarrje, thotë se me ata do vijojmë të përballemi, Aleksandar Vuçiçi në fjalën e dorëheqjes nuk harroi të porosisë serbët se Kosovën duhet ta kemi në qendër të vëmendjes, dhe t`i tregojë dhëmbët edhe Luginës së Preshevës, Mojtaba Khamanei me mbështetjen e Asamblesë së Ekspertëve, kokëfortësisht ndjek rrugën e të atit, ndërsa Xi Jinpingu i Kinës, seç ka një heshtje të frikshme. Përse e gjithë kjo atmosferë droje e pasigurie, e mbarsur me rreziqe e të papritura, kur njerëzimi ka lindur për ta gëzuar e shijuar jetën me të gjithë bukuritë e mrekullitë e saj? Pasojat e luftrave lënë gjurmë edhe tek ata që nuk janë përfshirë në to.  Me teknologjinë e sotme, ku brenda minutit, çdo njeri sheh sesi hidhen në erë edhe gartaçelat apo sesi gjymtohen e gjakosen njerëzit nëpër rrugë, edhe pse janë mjaft tronditëse, po përsëriten çdo ditë. Shfaqen ushtarë që zgërdhihen, duke u krenuar si fitimtarë, para kufomave të pafajshme. Sa vjen e po shtohen profecitë se jemi në prag të Luftës së Tretë, pra në prag të zhdukjes së njerëzimt. Përse gjithë ky agresion psikologjik që të krijon një hije bezdie, mërzie, dyshimi e mosbesimi dhe motivon thënien e vjetër të Plautit (Maccius Plautus, 254-184 p.e.s), te komedia e tij “Asinaria”: “Homo hominis lupo”? I pafuqishëm që të ndryshojë situatën, njeriu i thjeshtë ndihet i turpëruar, dhe pse jo, edhe fajtor pa faj për gjithë këtë katrahurë, dhe mallkon ata që janë shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje. Mallkon ata që vënë nga buxheti i shtetit, pra nga paratë e tyre, miliarda e miliarda, vetëm për të prodhuar e perfeksionuar armë të reja, si e si të vrasin masivisht, akoma më shumë. Duke folur rreth kësaj teme, dikush ka thënë se “Nëse vret një njeri, je vrasës. Nëse vret dhjetë njerëz, je përbindësh. Nëse vret dhjetëmijë, je hero kombëtar”. Dhe belaja, si dhe pafytyrësia e këtyre “burrave të shtetit” është se jo vetëm që ndihen heronj kombëtarë, por kërkojnë edhe t`u akordohet çmimi Nobel për Paqe, pra t`i nderojë i gjithë planeti. Ai planet, që tekat e kapriçot e tyre e kthyen në hi, shkatërrim e varreza, shpesh për të nxjerrë fitime ata, të fuqishmit. Çfarë ironie e pështirë! Ronald Regani i cili në dhjetorin e vitit 1987 u ul në tryezë me Mihail Gorbaçovin e Rusisë dhe nënshkruan atë marrëveshjen për raketat me rreze të mesme veprimi, kishte mendimin se: “Paqja nuk është mungesë e konfliktit, është aftësi për të trajtuar konfliktin me mjete paqësore”. Me këtë veprim, ata nuk i qortoi askush, veçse u përshëndetën nga të gjithë popujt e Botës. Sa fisnike dhe e domosdoshme do të ishte thirrja për Paqe e Mirëkuptim, nga të gjithë ata që rasti u ka dhënë pushtet që të vendosin mbi fatet tona, mbi të ardhmen e sigurtë të fëmijëve tanë. Se jeta që na jepet vetëm një herë, është e bukur, dhe ata duhet ta vrasin mendjen se si të na e bëjnë sa më dinjitoze dhe të lumtur atë.         

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page