TIRANA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 25, 2020
- 2 min read

TIRANA
Konstandin Dhamo
Krahët gjigantë të vinçave,
Skica të sapohedhura
Në sfond të reve,
Përmasat e sakta përcaktojnë,
Në gjerësi dhe lartësi
Të kullave që po shfaqen
Dhunshëm
Ngjitur e ngjitur
Si mur mbyllës...
Do ta zënë diellin ato,
Kur të lindë
Dhe kur të perëndojë do ta zënë
Në horizontin tjetër…
Makinat shumërrotëshe,
Në barkun prej dinozauri
Bluajnë e bluajnë beton,
Tek shfryjnë e uturijnë
Rrugëve në kryeqytet.
Dridhet asfalti dhe dritaret,
Siç dridhen,
Kur bie tërmet…
Ku derdhet ky beton,
Ku rëndon ?
S’mbeti më një copë dhe i butë,
Humus i gjallë, ku të rriten pemët,
Lulet kur të çelin, e bari të blerojë,
S’ka më zogj,
Ikën e s’u kthyen !
Ka vetëm thatësirë djegëse,
Shira acidi ka, që djegin gjithashtu.
Por, lërini mënjanë
Shoqatat e mbrojtjes së mjedisit,
Debatet në televizione
Me nostalgjikët anakronikë
Të Tiranës tradicionale
Dhe protestuesit naivë
Që venë në krye
Ca kalamaj t’hutuar
Me slogane ndër duar,
Mënjanë lërini !
Të gjitha këto
Nuk ju lypsen,
Këshillojnë qortueshëm
Oligarkët e qeverisë.
Tirana e Re ,
Si gjithë metropolet modernë
Botës mbarë,
Do të globalizohet
Në shije, mentalitet, arkitekturë,
Proklamojnë programin e tyre
Oligarkët vendimarrës:
Të njëjtët ambalazhe përplot ngjyra
T’ushqime të gatshëm;
Mbi xhinse, mbi atlete dhe…
Mbi tutat sportive,
Të njëjtat etiketa do të shihni
Të brendeve shumëkombësh
Dhe, do të këndelleni që bota
Ju erdhi në përditshmërinë
E jetës suaj dinamike !
Ah, Milanoja dhe Parisi
Londra dhe Nju Jorku, ah !
Imazhet e tyre tashmë
Lehtësisht do t’ju përhihen !
Në daçi pyje dhe oksigjen,
Në male ngjituni, zotërinj.
Kur të përmalleni për diellin dhe jodin,
Rendni anëdetit…
Pushtetarë oligarkë
Të pandalshëm siç jeni dhe,
Të kriminalizuar,
Paratë tuaja peshojnë aq shumë
Sa mund të talleni
Haptazi dhe fyeshëm
Me këdo;
Me ligjin
Po se po !
Malet, nga ju janë kthyer
Në bogërima,
Detet në pellgje të pistë,
Ku pluskojnë plehrat e pambarimta.
Peshku që ta servirin në pjatancë
Përmban aq plastikë
Sa dhe karta e kreditit
Në xhepin tuaj…
Krahët gjigantë të vinçave,
Skicart e sapohedhura
Në sfond të reve,
Përmasat e sakta përcaktojnë
Në gjerësi dhe lartësi
Të kullave që po shfaqen
Dhunshëm
Për të zënë
Diellin në lindje
Dhe perëndim !
Por ku është vallë, ai vinç
Që do të na hedhë
Në një tjetër planet ?
Comments