Timo Mërkuri: ZOTI I VARGJEVE MODERNE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 4 min read

ZOTI I VARGJEVE MODERNE
Sprovë mbi një shkrim të Natasha Lakos
Nga Timo Mërkuri
Në shkrimin e saj të botuar më 25.11.2025, por shkruar në janar të vitit 2024, mbi arsyet e shtimit të përdorimit të fjalës “Zot” në poezinë e poeteshave të reja, Natasha Lako ndalet me një qetësi të thellë filozofike përballë kësaj dukurie që po rritet në heshtje brenda poezisë bashkëkohore. Ajo e nis vëzhgimin me një frazë të butë, thuajse të pëshpëritur, që tingëllon si një çelje meditimi: “Në poezinë e re, sidomos atë jashtëzakonisht femërore, gjej gjithnjë e më shumë fjalën Zot.”
Së pari, Lako kërkon të kuptojë përse kjo fjalë, e rëndë me histori, e mbushur me pluhur shekujsh, e lidhur ngushtë me tradita që vetë vajzat e reja kërkojnë t’i tejkalojnë, po rikthehet me energji të pazakontë në vargjet e tyre. Ajo sqaron se ky përdorim nuk vjen aspak prej kuptimeve të vjetra, nuk lidhet me shprehjen tradicionale “zoti im”, shprehje e dashurisë së drojtur apo e nënshtrimit bashkëshortor, që i përkiste strukturave patriarkale të së kaluarës: “Nuk është fjala për fjalën zoti im, një zgjidhje kjo brenda jetës tradicionale patriarkale bashkëshortore, ose shprehjes së dashurisë siç i drejtohej Ofelia Hamletit.”
Pikërisht këtu është thelbësore të sqarohet se fjala “Zot”, e përdorur nga poetet e reja, nuk ka asnjë lidhje me shprehjen e dikurshme të traditës familjare “Zoti im” apo “Im Zot”, që gruaja ia drejtonte burrit, si në këngën popullore “Laj fustanen e tim zot”. Aty “Zoti” është një person i përcaktuar, një figurë hierarkie brenda shtëpisë. Ndërsa “Zot”-i i vargjeve të sotme është i pakapshëm, i paadresë, i paprekur nga rituali shoqëror. Është një mërmëritje drejt së panjohurës, jo një thirrje ndaj një autoriteti intim.
Këtu Lako e kthen leximin drejt një horizonti më të hapur. Për vajzat e reja të sotme, fjala “Zot” nuk është lutje; është thirrje. Nuk është një përulje, por një dritare e ndërtuar dhe e hapur lart, që kërkon të kapë një fuqi të padukshme, të paarritshme, që nuk ndodhet as në qiellin fetar e as në librat e shenjtë, por në boshllëkun modern që ende nuk ka marrë formë. Ajo bëhet metaforë e mungesës, e ankthit, e përpjekjes për t’i dhënë emër një dhome të errët të shpirtit. Pikërisht këtu nis bukuria e këtij diskutimi: vajzat kërkojnë përmes një fjale të madhe t’i japin zë një boshllëku të madh.
Së dyti, Lako thekson me finesë se kjo fjalë, sado e rëndë tingëllon, nuk ka të bëjë me fenë, por me etjen. “Gjithë kjo etje kaq e rastësishme vjen si shprehje instinktive e ndjesive të pafuqisë, a si metaforë më e hapur, klithëse apo ndihmëse, drejt lirisë që nuk zotërohet dot.” Këtu fjala “etje” bëhet çelësi i interpretimit. Vajzat i drejtohen një entiteti të padukshëm jo për t’u shpëtuar, por për të pasur me kë të komunikojnë boshllëkun e tyre. Thirrja “Zot” bëhet një fije zëri që kërkon të kapet pas një hapësire të pamatshme, si në ato çaste të njeriut modern kur asgjë nuk mjafton, dhe asgjë nuk shpjegohet dot.
Së treti, Lako e vë në pah një paradoks të rëndësishëm: kjo shfaqje e dendur e fjalës “Zot” nuk ka ndodhur kurrë më parë në poezinë shqipe, madje as në vargjet e poetëve të shkolluar në teologji si Gjergj Fishta apo Ndre Mjeda. “Nuk ka ndodhur asnjëherë deri sot kjo në letërsinë shqipe, as me vargjet e Gjergj Fishtës, as të Ndre Mjedës…” Kjo dukuri, në pamje të parë e çuditshme, është një tregues i një etjeje të thellë të kohës sonë. Sa më shumë sekularizohet jeta, aq më shumë ndjehet mungesa e një fjale që e kapërcen njeriun. Bota është bërë e sheshtë, e tejdukshme, e pa mister. Dhe pikërisht kur magjia është zhdukur nga përditshmëria, njeriu fillon ta kërkojë në poezi.
Në këtë pikë, shkrimi i Lakos vetë hap një plagë të realitetit: rritja alarmante e dhunës ndaj grave në Shqipëri, të cilën ajo e shënon që në krye të botimit të saj të datës 25.11.2025. Ky fakt nuk është një informacion i ftohtë, por një gur i rëndë që bie në qendër të debatit. Kur një shoqëri nuk arrin t’i mbrojë zërat e saj më të brishtë, atëherë këta zëra kërkojnë diku tjetër strehë. Fjala “Zot” paraqitet kështu jo vetëm si metaforë e mungesës, por si një thirrje për dritë në një kohë të errët — një pikë ku poezia bëhet mbështetje, jo zbukurim.
Vajzat shqiptare të pas viteve ’90, siç vëren Lako, e përdorin këtë fjalë edhe si një mënyrë të re të vetë-ngritjes. Por “moda” këtu nuk nënkupton kurrsesi diçka të cekët; përkundrazi, nënkupton një gjest të vetëdijshëm për t’u lidhur me një energji të lashtë, me një peshë që nuk mund ta mbajë dot vetëm materiali i botës. Ato zgjedhin “Zotin” jo si figurë hyjnore, por si figurë të tensionit të brendshëm, si një shenjë poetike që zgjeron kufijtë e përvojës.
Ndaj edhe poezia erotike e vajzave të reja, nuk e shmang dot këtë thirrje. Përkundrazi, në gjirin e tyre shpërthen një përplasje e fortë mes tokësores dhe të pakapshmes. Erotika dhe hyjnorja nuk kundërshtohen më; ato shoqërojnë njëra-tjetrën si dy shtresa energjie që kërkojnë të flasin në të njëjtin varg.
Lako e mbyll fjalën me një pyetje të heshtur dhe therëse: “Duhen edhe shpjegime të vetë poeteve, vajza të reja, për të gjetur pse sot… nuk e lënë të lirë edhe vetë Zotin.” Kjo pyetje ka peshën e një reflektimi filozofik mbi kohën tonë: dikur Zoti ishte i lirë, i paarritshëm, një magmë e shenjtë që nuk mund ta thërrisje sa herë kishe nevojë. Sot njeriu e ul në nivelin e vargut, e merr me vete si dëshmitar të brendshëm, si një jehonë që i duhet në një kohë kur zërat zhduken shpejt. Në këtë kuptim, vajzat e reja nuk i drejtohen Zotit nga nënshtrimi; ato kërkojnë një dëshmitar të brendshëm. Një figurë që i mbështet në një botë ku gjithçka luhatet e zhduket me ritëm të frikshëm. Kështu, fjala “Zot” nuk bëhet objekt besimi, por pasqyrë e shpirtit të tyre të trazuar.
Në fund të shkrimit, bëhet e qartë se fenomeni që Lako përshkruan nuk është modë dhe as një dekor poetik. Është një thirrje njerëzore, një përpjekje për të kapërcyer frikën dhe boshllëkun. Vajzat nuk thërrasin Zotin për ta gjetur; thërrasin Zotin për t’u gjetur vetë. Dhe ndoshta pikërisht në këtë përpjekje, Zoti ecën nëpër vargje si një hije drite, si një rreze që s’ka nevojë për qiell që të ekzistojë.
Sarandë, nëntor 2025









Comments