top of page

Timo Mërkuri: Tri mënyra të lindjes së realizmit magjik në poezinë bashkëkohore shqipe

  • 1 day ago
  • 4 min read

 

Fragment nga Hyrja e librit të porsa përfunduar : "Realizmi magjik te tre poetë"


Nga Timo Mërkuri


Kur flitet për realizmin magjik, vëmendja ndalet zakonisht te prania e së jashtëzakonshmes: te miti që hyn në jetën e përditshme, te figurat që sfidojnë logjikën e zakonshme ose te bashkëjetesa e reales me të pabesueshmen. Por, sa më gjatë qëndron përballë një poezie, aq më shumë kjo pyetje fillon të duket e pamjaftueshme. Një lexim i kujdesshëm i poezisë së Sadik Bejkos, Natasha Lakos dhe Niko Kacalidhës të çon drejt një pyetjeje tjetër, ndoshta më themelore: jo ku shfaqet magjikja, por prej nga ajo lind. Pikërisht aty fillon të dallohet individualiteti i secilit poet dhe të marrë formë fizionomia e realizmit magjik në universin e tij krijues.

Nga kjo pikëpamje, ky studim nuk është ndërtuar mbi përpjekjen për të gjetur shembuj të realizmit magjik në poezinë bashkëkohore shqiptare. Prania e tij është tashmë e dukshme. Pyetja që shtrohet është një tjetër: a buron magjikja nga i njëjti burim te të gjithë poetët? Apo ajo ndryshon bashkë me mënyrën se si secili autor e sheh botën, kujtesën, historinë dhe njeriun? Në të vërtetë, pikërisht aty ku ndryshon burimi, ndryshon edhe vetë fytyra e realizmit magjik. Kërkimi i përgjigjes për këtë pyetje është bërë boshti mbi të cilin mbështeten analizat që pasojnë.

Për ta bërë të dukshme këtë ndryshim, poezitë nuk janë lexuar të izoluara. Ato janë vendosur në dialog me njëra-tjetrën. Vetëm kur tekstet fillojnë të lexohen përballë njëra-tjetrës bëhen të dukshme ato ndryshime që, të marra veçmas, mbeten pothuajse të padukshme. Atëherë kuptohet jo vetëm prania e realizmit magjik, por edhe mënyra se si ai transformohet nga një poetikë në tjetrën.

Në këtë rast, krahasimi nuk shërben për të gjetur ngjashmëri. Ai shërben për të zbuluar ndryshimin. Sepse pikërisht në ndryshim bëhet e dukshme fytyra e veçantë e secilit univers poetik.

Nga ky këndvështrim u formuan natyrshëm edhe dy bërthamat e këtij studimi. E para bashkon tri poezi që afrohen nga tema dhe simbolika biblike: “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë” të Sadik Bejkos, “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” të Niko Kacalidhës dhe “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël” të Natasha Lakos. Afërsia tematike krijon një terren të përbashkët krahasimi, ku dallimet estetike bëhen më të dukshme. Figura është e njëjtë (te dy poezi dhe e afërt te e treta), por universet poetike nuk janë. Pikërisht aty fillojnë të ndahen edhe rrugët e realizmit magjik, sepse mënyra se si Krishti ndërthuret me realitetin ndryshon nga një poetikë në tjetrën. Bashkë me të ndryshon edhe vetë natyra e magjikes.

Bërthama e dytë mbështetet mbi poezitë “Babai në mbrëmje”, “Unë dhe perandoria ime e vogël” dhe “Ati ynë që zbret në brigje”. Në këtë rast krahasimi nuk ndërtohet mbi një motiv të përbashkët, por mbi burimin e magjikes. Në secilën prej këtyre poezive ajo ndizet në një vatër tjetër të përvojës poetike. Pikërisht kjo e bën të mundur të shihet se realizmi magjik nuk është një formulë estetike që përsëritet, por një mënyrë e ndryshme e organizimit të përvojës poetike.

Nga ky lexim krahasues filloi të merrte formë edhe përfundimi kryesor i këtij libri. Ai nuk lindi si një tezë e vendosur paraprakisht, por si një përfundim që u formua nga vetë tekstet. Ato nuk propozuan një përgjigje të vetme. Përkundrazi, secila poezi hapi një shteg të ndryshëm drejt së magjishmes, duke zbuluar se rrugët që çojnë drejt saj nuk janë asnjëherë të njëjta. Te Sadik Bejko, magjikja buron nga kujtesa, nga përvoja ekzistenciale dhe nga drama e njeriut që përballet me historinë dhe me vetveten. Ajo nuk e mohon realitetin; lind prej plagëve të tij. Te Natasha Lako, magjikja lind nga lëvizja e ndërgjegjes poetike. Realja nuk thyhet, por transformohet përmes metaforës, asociacionit dhe vizionit modernist. Ndërsa te Niko Kacalidha, magjikja nuk është më një shtresë që i shtohet reales dhe as një pasojë e saj. Ajo është vetë mënyra se si ekziston bota poetike. Miti, natyra, historia, Bibla dhe kujtesa mesdhetare bashkëjetojnë në një realitet të vetëm, ku kufiri mes reales dhe magjikes pushon së qeni i dallueshëm.

Kjo do të thotë se realizmi magjik nuk mund të përcaktohet vetëm nga prania e magjikes. Më përcaktues është burimi prej nga ajo buron dhe mënyra se si bëhet pjesë e vetë realitetit poetik. Pikërisht ky burim i jep secilës poetikë fizionominë e saj dhe e dallon njërën nga tjetra. Te Sadik Bejko ai merr trajtën e një realizmi magjik ekzistencial; te Natasha Lako shndërrohet në realizëm magjik të ndërgjegjes poetike; ndërsa te Niko Kacalidha bëhet një realizëm magjik mitopoetik, ku magjikja nuk mbetet një element i poezisë,  por vetë parimi që organizon universin krijues.

\Kjo ndarje nuk nënkupton tri përdorime të ndryshme të një teknike letrare të gatshme, por tri mënyra të ndryshme të lindjes së magjikes poetike. Te Bejko ajo del nga përplasja e njeriut me historinë, kujtesën dhe dramën ekzistenciale; te Lako nga përthyerja subjektive e reales përmes ndërgjegjes poetike, asociacionit dhe imagjinatës moderniste; ndërsa te Kacalidha nga një botë ku miti, natyra, historia dhe e shenjta nuk qëndrojnë si shtresa të ndara, por bashkëjetojnë në të njëjtin univers poetik. Në këtë kuptim, realizmi magjik te Kacalidha nuk është vetëm një mënyrë për ta zgjeruar realitetin, por një nga mënyrat themelore përmes së cilës ai realitet poetik merr frymë dhe fiton kuptim.

Kjo është edhe arsyeja pse ky studim nuk synon të dëshmojë vetëm praninë e realizmit magjik në poezinë bashkëkohore shqipe. Ai përpiqet të ndjekë rrugën që përshkon magjikja deri sa bëhet poezi. Sepse vetëm duke kuptuar prej nga ajo lind, mund të kuptohet edhe pse merr forma të ndryshme në krijimtarinë e Bejkos, Lakos dhe Kacalidhës. Faqet që pasojnë janë përpjekja për ta ndjekur këtë rrugëtim hap pas hapi, deri në pikën ku realiteti nuk mbetet më vetëm një pasqyrim i botës, por fillon të marrë frymë si poezi.

Nga ky çast, teoria ia lë vendin leximit të poezisë. Gjithçka që është parashtruar deri këtu nuk synon të mbetet në nivel konceptesh, por të marrë provën e saj në vetë tekstin poetik. Poezitë që pasojnë nuk janë zgjedhur për të ilustruar një teori të gatshme; përkundrazi, janë ato që e kanë lindur këtë teori. Vetëm në dialogun mes tyre bëhen të dukshme jo vetëm prania e realizmit magjik, por edhe tri mënyrat e ndryshme se si ai lind, merr trajtë dhe organizon universin poetik të Sadik Bejkos, Natasha Lakos dhe Niko Kacalidhës. Pikërisht prej këtij dialogu kanë marrë formë edhe përfundimet që do të shpalosen në faqet që vijojnë.

Sarandë, janar - korrik  2026

1 Comment


F. Terziu
a day ago

Urime Timo Mërkuri për përfundimin e këtij libri, një kontribut i çmuar në leximin kritik të poezisë bashkëkohore shqipe. Me qartësi teorike dhe ndjeshmëri të hollë ndaj tekstit, studimi ndjek jo vetëm praninë e realizmit magjik, por burimet e ndryshme prej nga ai lind në poetikat e Sadik Bejkos, Natasha Lakos dhe Niko Kacalidhës. Kjo qasje krahasuese e bën veprën një ftesë të vyer për ta parë poezinë jo si ilustrim konceptesh, por si vendin ku teoria lind prej vetë fjalës poetike.

Ky libër dëshmon një lexim të përkushtuar, të matur dhe krijues, që vë në dialog kujtesën, historinë, mitin, të shenjtën dhe ndërgjegjen poetike. Uroj që ai të pritet me vëmendjen që meriton nga lexuesit, studiuesit dhe dashamirët e…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page