Timo Mërkuri: TOPOGRAFIA E NJË DASHURIE PA BUSULL
- 3 minutes ago
- 3 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia “Pingul”, e hasur në qarkullimin online, e Migel Flor, më tërhoqi vëmendjen për veçantinë e saj stilistike dhe për një lloj qasjeje eseistike që rrallë e ndesh në poezinë e sotme. Që në leximin e parë ndjehet se kemi të bëjmë me një zë që nuk e thotë ndjenjën drejtpërdrejt, por e mendon atë, e vendos në raport, sikur ta vizatonte në një hapësirë ku fjala takon mendimin.
Te “Pingul”, autori e zhvendos ligjërimin poetik në territorin e matematikës dhe gjeometrisë, jo për efekt, por për të gjetur një mënyrë tjetër të të kuptuarit të ndjenjës. Ajo nuk e thotë dashurinë me figurat e zakonshme, por e mat, e vizaton, e vendos në raport, si të ishte një figurë që kërkon provë dhe saktësi. Kjo mënyrë e të menduarit nuk mbetet në sipërfaqe, por bëhet vetë fryma e poezisë.
1.Në këtë poezi me ligjërim gjeometrik, matematika nuk është zbukurim. Është mënyra si mendon poeti. Dikur ajo “vizatonte me hark ylberi / dashurinë mbi çdo grimë”. Ishte një hapje e lirë, një përfshirje pa kufij. Sot kjo liri është ngushtuar në “kënd të drejtë”, në matje, në përpjekjen për ta futur ndjenjën në rend. Por pikërisht këtu nis drama: rendi nuk e shpëton dot ndjenjën, përkundrazi e nxjerr më të dukshme mungesën e saj.
“Pingulja s’prek më kulmin tim” është një varg që mban gjithë tensionin e poezisë. Pingulja, si vijë e drejtë dhe e sigurt, që duhet të të çojë drejt kulmit, këtu ndalet diku në mes, sikur edhe vetë shpirti të mos ketë më forcë të ngjitet. Gjeometria nuk është më vetëm hapësirë, por bëhet një hartë e brendshme e njeriut. Dhe menjëherë pas kësaj vjen zhvendosja:“ndjenja s’është më hipotenuzë / veç rreth i mbyllur pa qëllim”. Hipotenuza, që bashkon dhe krijon një tërësi, zhduket. Në vend të saj mbetet një rreth i mbyllur, një qark pa dalje, një ndjenjë që nuk të çon më askund, por të mban brenda vetes.
Figurat gjeometrike nuk e mbajnë kuptimin e tyre klasik. Ato deformohen nga përvoja e brendshme dhe e vërteta më e sigurt rrëzohet pa zhurmë:“S’ka më Teoremë Pitagore / katetet treten në dyshim”.Kjo thuhet me një ton të ulët, thuajse të pranuar. Kur ndjenja lëkundet, as e vërteta e provuar nuk të mban më.
Poeti shkon edhe më tej. Ai e çon dashurinë nga figura në pikë, nga hapësira në zhdukje: “dashuria zbret në një pikë / koordinatë pa emër e pa trajtë”.( Seç më kujton Musa Ramadanin me poezinë “Pika ime” dhe Edona Halilin me kozmizmin e saj).
Koordinata, që zakonisht të jep vendin dhe drejtimin, humbet kuptimin. Mbetet një pikë pa identitet, një humbje që prek jo vetëm dashurinë, por edhe vetë njeriun. Në fund, gjithçka tkurret dhe mblidhet: “rrethi mblidhet në një sumbull … / udhëtim i humbur pa busull”.
Nga një figurë e rregullt në një grumbull pa drejtim, nga një sistem që premtonte rend, në një shpërbërje të heshtur që nuk kërkon zë të lartë, kjo është rruga e poezisë së Lalura Laura.
2.Kjo poezi i përket një modernizmi refleksiv, ku ndjenja kalon nëpër mendim dhe figura bëhet mënyrë njohjeje. Në këtë kuptim, ajo të kujton kthjelltësinë e Ëisłaëa Szymborska, përqendrimin e Paul Celan dhe pastërtinë e imazhit te Tomas Tranströmer. Por mbetet e saj, sepse e kthen gjeometrinë në përvojë shpirtërore.
Dhe në fund merr me vete disa vargje të saj, që nuk të ndahen lehtë:“pingulja s’prek më kulmin tim” dhe“dashuria zbret në një pikë / koordinatë pa emër e pa trajtë”.Sikur do të të kujtojë se matematika nuk e shpjegon më botën, por vetëm dëshmon se edhe ndjenja ka kufijtë e saj.
Sarandë, prill 2026
Pingul
Dikur vizatoja me hark ylberi
dashurinë mbi çdo grimë
sot më kufizon mohimi
sipërfaqe pa thellim.
Nga kënd i drejtë i mas të gjitha,
por pingulja s’prek më kulmin tim
ndjenja s’është më hipotenuzë
veç rreth i mbyllur pa qëllim
S’ka më Teoremë Pitagore
katetet treten në dyshim
as rreth që ndahet në gjysmore
veç dredhore pa drejtim.
Kulmi mbetet i paarritshëm
segmenti tkurret në çdo skaj
dashuria zbret në një pikë
koordinatë pa emër e pa trajtë
S’njihet më deri në infinit
rrethi mblidhet në një sumbull
dashuria bëhet veç një pikë
udhëtim i humbur pa busull
Piketa hedhur në zbrazëti
topografi pa tokë në krah
perimetër plot me boshësi
zhivë e derdhur… pa “ah”.
Migel Flor








Comments