Timo Mërkuri: SHKRIMI DHE LIBRAT JANË TË SHENJTA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 3 min read
Nga Timo Mërkuri
I dashur Fatmir Terziu
Duke vijuar bashkbisedimin, me temen e zgjeruar prej teje mbi librat dhe fjalen, po ju them: Libri është i shenjtë. Që në zanafillë të njerëzimit, fjala nuk u shfaq thjesht si një mjet komunikimi, por si dritë që ndriçonte errësirën e kuptimit. Zoti, në aktin e parë të madh të shkrimit, gdhendi mbi tri pllaka guri ligjin e përjetshëm dhe ia dha Moisiut, që ky ta shpallte popullit të tij. Ishte ky libri i parë, libri i gdhendur në gur, libri i amshuar ku Fjala e Zotit u bë udhërrëfyes. Më pas, apostujt, të frymëzuar nga e njëjta shenjtëri, shkruan Ungjijtë dhe ua mëkuan besimtarëve, duke dëshmuar se fjala nuk ishte vetëm rrëfim, por mishërim i vetë Hyjnores. Dhe mos harrojmë: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.” Nga kjo kuptojmë se gërmat ishin së pari fryma e ngrohtë e Atit që u gdhend në gur, dhe si e tillë ato u dhuruan nga Ai për të shprehur e shpërndarë dashuri mes njerëzve dhe një nga format e shpërndarjes së kësaj dashurie është që ato të shkruhen në libër nëpërmjet fjalëve. Prapë rikujtojmë se “fjala është Perëndi” Kjo është arsyeja pse libri mbetet gjithmonë më shumë se një objekt; ai është një altar i vogël, një hapësirë ku fjala merr jetë dhe merr peshë. Shkrimtarët dhe poetët, me librat e tyre, ndjekin këtë linjë të shenjtë, këtë vijë të artë që vjen nga zanafilla. Fjalët e tyre nuk janë thjesht tinguj të radhitur, por gurë të vegjël të një tempulli shpirtëror.
Dhe çdo libër i vërtetë duhet të mbajë brenda vetes atë ndriçim fillestar, atë zjarr që dikur u shfaq mbi pllakat e Moisiut, atë dashuri që Zoti derdhi mbi ato gërma e ato fjalë. Poeti i brendshëm i çdo njeriu është një apostull i heshtur. Ai shkruan jo vetëm mbi letër, por mbi shpirtin e tjetrit, mbi kujtesën e përbashkët, mbi heshtjen që rri pezull ndërmjet nesh. Dashuria, dhembshuria, fjalët që vijnë si një përkëdhelje, janë ungjij të vegjël që i lëmë pas në botë. Një buzëqeshje është një varg i pavdekshëm; një përqafim është një faqe që nuk digjet kurrë. Shkrimtari i vërtetë nuk është thjesht krijues fjalësh, por dëshmitar i së Shenjtës dhe dhurues I dashurisë. Ashtu siç fjala hyjnore u bë mish dhe banoi mes njerëzve, fjala e poetit duhet të bëhet dritë që banon mes lexuesve. Ndaj dhe librat që ne shkruajmë nuk kanë vetëm një vlerë estetike apo artistike; ata janë një vazhdim i ligjit të parë, një vijimësi e Ungjillit, një dëshmi se fjala është ende Perëndi, edhe kur vjen në formën e një poezie apo të një romani.
Ekzistenca e njeriut është një libër i hapur, ku çdo ditë shkruhet një faqe. Ajo çka e bën këtë libër të vlefshëm nuk është vetëm sa gjera shkruhen në të, por nëse fjalët që mbeten kanë peshën dhe dashurinë e së Shenjtës. Nëse ato ngrohin shpirtin si dritë, nëse i japin jetës kuptim, atëherë ky libër nuk do të mbyllet kurrë. Siç thoshte Platoni, “shpirti gjithmonë kthehet tek ajo që ka dashur.” Nëse libri është shkruar me dashuri dhe me fjalë që mbajnë brenda vetes frymën e përjetshme, atëherë ai bëhet pjesë e asaj dashurie që nuk shuhet. Prandaj,ndëërsa libri i parë ishte i Zotit, mbi gur, librat që pasojnë janë të njerëzve, mbi letër. Por fjala është gjithmonë e njëjta: në fillim, në mes dhe në fund, fjala është Perëndi. Dhe çdo poet, çdo shkrimtar që e merr mbi vete aktin e shkrimit, duhet ta dijë se nuk është thjesht një mjeshtër i gjuhës, por një shërbestar i fjalës së shenjtë, një dëshmitar i amshimit që jeton brenda fjalës. Në këtë kontekst mendoj se edhe kritika shkruhet me dashuri. Kritikë nuk do të thotë ta godasësh tjetrin me faj e pa faj.
Kritika për mua është një formë e dashurisë së artit dhe njeriut, do të thotë ti vesh në dukje njeriut (lexuesit, poetit dhe shkrimtarit) arritjen më të mirë të tij dhe një ose dy shtigje për tu ngjitur më lart, sepse, siç thoshte Ricosi: “sado lart të jesh ngjitur, po nuk u ngjite dhe ca, ke rënë papritur”. Kritika që godet nuk është kritikë por është vrasje, kritika që të ve dorën në sup dhe të tregon dritën, ajo është e duhura.
Mendoj se dhe libri I Zotit, shkruar në tre pllaka guri që ja dha Moisiut, në fakt ishin ligjet për popullin e tij, por ishin ligje të tilla që nuk vrisnin, por drejtonin dhe orientonin. Kemi nevojë për libra të tilla, sepse kemi nevojë për dashuri në jetë.
Të përshendes.
Sarandë, më7-8 .9. 2025
Comments