Faruk Myrtaj: SECILI, EDENIN E VET
- 2 days ago
- 2 min read

-sprovë për sfidë globale-
Gjithnjë e më dendur vijmë dhe prapë i ikim atij përfytyrimi:
Njerëz të mërzitur me vendbanimet, ku janë shtuar të ardhurit. Nostalgjikë me hartat e vjetra, edhe pse ndonjëra prej tyre i kujton se i tërë planeti ka qenë një dhe pastaj janë ravijëzuar kontinentet.
Dikur ishte ndryshe: shkonin dhe i pajtonin (meqë janë bërë histori të vjetra s’themi se i merrnin bujkrobër a skllevër), për të ndërtuar qytetet e tyre. Thamë ‘Qytetet’ se ‘Qytetërimet’ janë tjetër gjë. Këto zhvendosen pa pushim, fiken diku e ndizen kund tjetër, si ato llambat në krishmat a vitet e rinj a në festat pagane.
Në të vërtetë, njerëzve nuk u zë vend vetja: tërë kohëve mbahen mend në udhë për në Toka të Premtuara edhe kur besojnë edhe kur s’besojnë në Zot! ‘Mbeç o njeri me trastë krahut!’
***
Sot, në këtë përfytyrim si makth pra, edhe pse s’bëhet dot pa të Ardhurit (të gjorëve në hall që edhe në ëndërr u duhet të punojnë shumë, të marrin përsipër punë që vendasit nuk i bëjnë me dëshirë, aq më pak në sy të të vetëve!) dëgjohen që ngrihen zëra:
“Na e keni bërë të huaj atdheun...!”
Pikërisht në këto momente, sado që tashmë është zor të thuash ‘atdheu i kujt, ku?...’
...vjen e shpifet përfytyrimi i rikthimit të të gjithëve në vendlindjet!
I kthimit të Njeriut në Origjinën e Tij?!
Mbase e vërtetë që secili ndjen nostalgji, rrëmbehet nga një përmallje e brendshme dhe niset për atje nga ku u nisë dikur ai vet ose para-ardhësit e tij!
Të parët në këtë ikje të përfytyruar janë ata që u sollën në pa dashje: ata që u pajtuan si bujkrobër, o u sollën skllevër...
Gjitnjë në këtë përfytyrim, sikur ikën, sikur u kthyen të gjithë në Luginat e Lotëve të Veta.
Perëndimi mbeti pa frymën e jetës, pa fuqinë e lirë të atyre që punonin...
Për ca minuta, o pak ditë përfytyrimi, morën frymë të lirë, ata që mbetën...
Të nesërmeve duhej punuar, por të Urdhërueshmit në Omonia s’ishin më aty!
Dukej se Ikja, Kthimi për në Dikur, ishte përfytyrim i ofruar për të Gjithë.
U mor vesh se edhe një Vespuç e një Columbus vendosën të kthehen, edhe ata, andej nga qenë nisur shekuj më herët. Ishte shumë më kollaj tashmë: udhëtimi bëhej komod, për pak orë, jo në muaj me avullore rraskapitëse!
Tërë evropianët, të mërziturit dikur nga mungesa e shanseve dikur në Evropë, ata që besuan se zbuluan Indinë Perëndimore, tokat e pyjet e pafundme në liri natyrore...do kthehen edhe ata!
Edhe ca të tjerë, ardhur së voni, ca si unë, që e patën mbushur mendjen vetëm dekadave të fundit, të gjorët, në rrekje se ende kishte mbetur për tu premtuar edhe për ne! Edhe këta do kthehen. Ndokush duke pretenduar si Laokoont, e kishte paralajmëruar, po i ishte marrë si nostalgji!
Ktheheshin se tashmë qe krijuar hapësirë në Evropë, prej ikjes së afro-aziatikëve dhe lindje-mesmëve me Hormuz të hapur me marrëveshje, për tu kthyer në mrekullinë e dikurshme...
***
Po ktheheshin të gjithë dhe në Amerikën e mbetur si Indi Perëndimore, gjithnjë në përfytyrim kjo, mbeten vetëm nativët.
Këta, të kujdesur rezervateve native, si veteranë luftërash botërore evropiane, shpallën kujën dhe nisën vajet për vetminë e tyre!








Comments