top of page

Timo Mërkuri: RISITË POETIKE TË  PUTHJES QË DIGJET NË VARGJE


RISITË POETIKE TË  PUTHJES QË DIGJET NË VARGJE


Nga Timo Mërkuri

 

Hyrje

 

Janë të shumtë poetët që kanë shkruar për puthjen. Puthja, falë kësaj që është shkruar, është bërë emblemë e ndjesisë. Kësisoj, është dhe ndjehet si varg i përhershëm i dashurisë. Perceptohet si një shenjë që lë gjurmë në kujtesën e zemrës. Por, jo të gjithë, ata që kanë shkruar për puthjen kanë sjellë risi poetike në vargjet e tyre.

Puthja, shpesh, është rrethuar nga një mjegull klisheje. Psi e tillë, puthja është zvetënuar nga zbukurime të zakonshme. Është bërë e mërzitshme nga një përsëritje që e zbraz kuptimin e saj të thellë. Por, kur shkruajnë të talentuarit, në leximin e vargjeve të tyre, puthja, fiton ndjesinë sikur e përjeton realisht atë. E famshme është poezia e Eseninit që shkruan:

“Puthjes emër djemtë s’i kanë gjetur,

Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë,

Por një lule e porsaçelur

Që mbi buzë lehtë-lehtë i ka shtrirë.”

Janë këto vargje që e bëjnë puthjen jo statujë, por lule që pulson mbi buzë. E bëjnë të gjallë, të ndjeshme, të re.

Në këtë vazhdë, por me një frymë dhe stil krejtësisht personal, vjen edhe Fatmir Terziu me poemën e tij “Poemë për puthjen”. Ai nuk e merr puthjen si metaforë të lodhur, as si shenjë të epërme të ndjenjës, që i këndohet nga larg. Jo! Ai e bën puthjen një akt të përditshëm dashurie, një fillim të butë të ditës, një urë mes trupit dhe shpirtit, një tekst që shkruhet me lëkurën e përbashkët.

 

Ndalesa tek “Poemë për puthjen

 

Në këtë analizë do të ndalemi vetëm te risitë që Fatmir Terziu sjell. Piërisht, tek risitë artistike, tematike dhe formale përmes kësaj poezie, që nuk flet për puthjen, por është vetë një puthje: e dhënë ngadalë, me ngrohtësi, me dëshirë për të lënë gjurmë. Po ndalem në disa pika për ta ndihmuar ndalesën time tek kjo poezi me këtë rast.

1. Në një kohë kur poezia shpesh struket pas hermetizmit dhe mesazhit të fshehur, Fatmir Terziu vjen me një poezi të çiltër, ku gjuha është aq e drejtpërdrejtë, pra me gjuhë shumë të ndjerë, dhe ku ndjenja mbetet, aq metafizike, sa dhe e thellë. Risia e parë, që bie në sy është trupëzimi i dashurisë, ajo që letërsia bashkëkohore e quan 'embodiment[1]' (mishërim). Në këtë poezi, puthja nuk është simbol i largët, apo metaforë e stilizuar, por një përvojë konkrete, e përditshme, që mishëron vetë dashurinë:

“Ti fle.

Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë

bëhet varg i pashkruar në poezi dhe mbush natën...”

Kjo është një dashuri që ndodh në gjumë, në zgjim, në prekje. Është një dashuri  e ngulitur, jo vetëm në ndjenjë, por në lëvizje, në trup, në frymë. Ajo bëhet gjuha e jetës së përbashkët, jo vetëm ushqim për gjuhën e poezisë.

2. Risia e dytë është momenti, çasti, aspektualiteti, ose më saktë hyjnia e rastësisë si burim frymëzimi, një kthesë poetike, që e çliron aktin e krijimit nga solemniteti klasik[2]. Puthja e rastësishme, ajo e mëngjesit, bëhet shkëndijë e një bote të tërë poetike, sepse vetë rasti është mit:

“Nuk është trill!

Rastësitë e tilla shkruajnë librat e mia,

Eh, rastësitë...”

Poeti i jep rastësisë një fuqi krijuese, e bën burim zjarri, zanafillë historie. Kjo është një mënyrë moderne për t’i thënë lexuesit, se poezia lind jo nga ngjarjet e mëdha, por nga çastet e vogla dhe të sinqerta.

3. Risia më vete është rivendosja e mitit[3] dhe historisë në shtratin e përditshmërisë intime. Terziu nuk përdor referencat mitike për të ngritur veten, apo për të lënë përshtypje, por për t’i shkrirë ato në dashurinë e zakonshme, duke e ngjitur kështu ndjenjën personale në një univers më të gjerë:

“Nuk ishte Jasoni që ndau detrat për të gjetur bashkën e artë?

E që e gjeti pastaj.”

Dashuria, në këtë poezi, është bashka e artë e jetës. Ajo gjendet, preket, jetohet. Këtu është risi: miti nuk është në librat e vjetër, por në ledhatimin e trupit të dashur.

5. Një risi tjetër është poetika e përbashkësisë[4], ku dashuria nuk mbyllet në dy vetë, por hapet në kohë, në jetë, në fëmijë:

“vetë vitet që ecin mes nesh bashkë me fëmijët,

ku ngritëm strehën më të bukur të jetës dashurinë.”

Dashuria është bërë strehë, stinë, jetë. Dhe poezia është gjuha që e ruan këtë strehë – pa frikë nga ndjeshmëria, pa distancë ironike, pa maska.

6. Një risi që meriton vëmendje është zhvendosja e vendit të shenjtë nga hapësirat tradicionale te intimiteti i përditshëm, sidomos në krevatin bashkëshortor, në mëngjesin e zgjimit, në heshtjen e trupit të dashur. Në vend të tempujve dhe altareve, poeti vendos puthjen dhe trupin e dashurës si hapësirë e shenjtë e dashurisë dhe frymëzimit:

“Unë frymëzohem dhe shënoj me ngut.

Ti fle.

Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë…”

Ky është një tempull i dashurisë së jetuar, jo ai i dashurisë së idealizuar. Poeti nuk i druhet eksplicititetit, por e përdor atë për të afirmuar shenjtërinë e ndjeshmërisë, sensualitetit, bashkëjetesës. Në këtë mënyrë, poezia fiton një ton konfesiv, të çliruar nga censura emocionale.

7. Risi më vete është poetizimi i zakonshmërisë, pa e shndërruar atë në banale. Çdo ditë kërkon puthjen, çdo mëngjes ka nevojë për ngrohtësinë, dhe këto nuk janë kërkesa fizike, por ritualë shpirtërorë të dashurisë që mbijetojnë ndaj kohës:

“Mos ma harro puthjen. Përditë e dua një të tillë.

Mos u skuq në faqe. Jeta ka një normë.”

Poeti flet për normën e jetës, por e normon me dashuri. Ai nuk krijon patetikë, por një etikë të dashurisë së qëndrueshme, që jeton përmes përsëritjes së ndjenjës, përmes një puthjeje që është një akt i përditshëm ringjalljeje. Kjo është një mënyrë moderne për të thënë se dashuria nuk është kulm, por vazhdimësi.

8. Risi është edhe zhvendosja e poetit nga roli i poetit që shkruan për dashurinë, në rolin e burrit që jeton dashurinë dhe e dokumenton. Ai nuk vështron nga larg, por është brenda aktit të dashurisë, brenda çastit që e frymëzon. Ai nuk po shpik një dashuri ideale, por po mbush me poezi një dashuri reale:

“Me dashurinë që na dhuroi jeta shkruajmë një libër,

jo thjesht për kohën e largët,

por për puthjet që çelin lule dhe në dimër.”

Kjo është poezi që lind nga përvoja, jo nga ëndrra, dhe që e bën edhe dimrin të lulëzojë – një metaforë e mrekullueshme për fuqinë e ndjenjës kur ajo është e vërtetë.

9. Së fundi, mund të përmendim edhe një risi formale: uniteti poetik mes vargut dhe prozës, ku ritmi është i brendshëm, dhe nuk qëndron mbi rimën apo strukturën klasike. Poema rrjedh si një rrëfim poetik, me një ton që herë përshpërit dhe herë rrëfen, herë lutet dhe herë kujton – një mozaik emocional që ka një frymë të vetme: dashurinë si akt, kujtim, thirrje, besim.

“Dhe vitet rrjedhin kristal sikurse lutjet

të lutem mos m’i kurse puthjet!”

Në këtë varg final, lutja dhe dashuria bëhen një. Poeti nuk ka nevojë për figura të mëdha,  mjafton një puthje që mos mungojë. Dhe pikërisht këtu qëndron risia më e heshtur: poezia nuk ngre zërin, por prek. Prek me buzë, me duar, me fjalë. Dhe kjo është një poezi që nuk kalon, por mbetet; si puthjet që s’duhet të kursehen dhe që nuk harrohen.

 

Konkluzion

 

Siç pamë më sipër, risitë e kësaj poezie janë të heshtura por të fuqishme: ndjeshmëria e trupëzuar, hyjnizimi i rastësisë, përthithja e mitit në përditshmëri, dhe shndërrimi i dashurisë në gjuhë të jetës. Në një kohë që kërkon forma të reja për të thënë të njëjtën ndjenjë, Terziu nuk fsheh, por zbulon. Ai e shkruan dashurinë jo si ide, por si përvojë të jetuar , prandaj ajo digjet në çdo stinë: “Dashuria mbetet zjarr në të gjitha stinët.” Kjo është risia më e vërtetë: dashuria që nuk dimërohet në varg.

 

Timo Mërkuri, Sarandë, më maj 2025

 

POEMË PËR PUTHJEN

Nga Fatmir Terziu

 

U ngrite në mëngjes e dremitur në dhomën e gjumit,

e trendur,

e çlirët më puthe sikur s'kishe puthur ndonjëherë buzët e mia,

kaq mirë,

një butësi e çbendur,

për ditën e re e ke, më the, e kam për detyrë!

 

Dëshira jote qe shkruar në sy dhe në vetull.

Do doja, më the, puthjet ti mblidhte zemra ime

dhe dashurinë, dhe dritën e tretur,

e të m'i bënte lule e unë të ti ktheja kundërmime

ta ktheja veç në jetë puthjen për vitet e mbetur.

 

Kam në gjoks një zemër që digjet dashurie

harroj e mërzitur edhe ditët,

se kur puthja të sjell në çdo moshë ditë lumturie,

dashuria mbetet zjarr në të gjitha stinët.

 

Mos ma harro puthjen. Përditë e dua një të tillë.

Mos u skuq në faqe. Jeta ka një normë.

Kaq kisha, për Ty e dashur, tashmë fill,

kjo është puthja e rastit që të sjell në formë.

 

Nuk është trill!

Rastësitë e tilla shkruajnë librat e mia,

Eh, rastësitë…

shporta e fjalëve

nuk ishin lulebajamet e trëndafilta që mbolli Julia?

Shën Valentini

i dedikuar nuk ishte mes petaleve?

 

Nuk ishin gonxhe të shkulura ku rojtarët shihnin shtrembër pa skaj,

nuk ishte Jasoni që ndau detrat për të gjetur bashkën e artë?

E që e gjeti pastaj.

 

Nuk ishte asgjë nga tej-thellësia

ishte një zjarr

e zjarri ishte Dashuria!

 

Nuk ishin feakasit që u grindën me Poseidonin në vetmi

sepse kthyen Uliksin në Atdhe,

ishin mbi trupin tënd gishtat e mi,

ledhatimi i ngjyrimeve në kanavacin intim,

vetë vitet që ecin mes nesh bashkë me fëmijët,

ku ngritëm strehën më të bukur të jetës dashurinë.

 

Unë frymëzohem dhe shënoj me ngut.

Ti fle.

Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë

bëhet varg i pashkruar në poezi dhe mbush natën,

bëhet këngë në korrin e brendshëm, ku struket,

trëndafili në harkun e buzëve ku flenë puthjet.

 

Flenë nëpër natë me qilima të zbukuruar mbi shpinë,

yjet që përplasen mbi xhamin e dritares,

puthjet u bëhen mantel i lehtë

e Ti?!

Ti zgjohesh, më thua ke fjetur e qetë

nga buzët trëndafil e kuptoj fare lehtë.

 

Bashkë me natën e gjatë, me shiun londinez, me ymër,

pena e qetë rendit vargjet,

me dashurinë që na dhuroi jeta shkruajmë një libër,

jo thjesht për kohën e largët,

por për puthjet që çelin lule dhe në dimër.

 

Nuk janë lulebajamet e trëndafilta që mbolli Julia.

Shën Valentini i dedikuar nuk është për hir të ikjes,

nuk janë gonxhe të shkulura ku rojtarët të shohin shtrembër

nuk është ballkoni ku shkundnim petalet,

as rruga e blirave atë kohë të largët,

janë duart e mia, të tuat,

dashuria e mjaltët,

ledhatojnë mes nesh kohëdashurinë, fëmijët,

rrugën ku bashkë projektojmë të ardhmen.

 

Se Ty të kam gjithnjë zemër që digjet dashurie

harroj çdo gjë edhe ditët,

se kur puthja të sjell në çdo moshë ditë lumturie,

dashuria mbetet zjarr në të gjitha stinët.

 

Dhe vitet rrjedhin kristal sikurse lutjet

të lutem mos m’i kurse puthjet!


REFERENCA SQARUESE:


[1] "Mishërim" është termi më i mirë "për të përshkruar se si një bashkim i të menduarit dhe ëndërrimit fiton një formë të jashtme".

[2] Në poezi, solemniteti klasik i referohet një toni dhe stili serioz, dinjitoz dhe shpesh nderues, që zakonisht shoqërohet me letërsinë klasike dhe veprat e Greqisë dhe Romës së lashtë.

[3] Miti përdoret në poezi për të eksploruar përvojat universale njerëzore, për të ofruar një shkurtim për ide komplekse dhe për të shtuar shtresa kuptimi dhe simbolizmi. Mitet ofrojnë një tapet të pasur personazhesh, ngjarjesh dhe temash mbi të cilat poetët mund të mbështeten për të shqyrtuar çështje si dashuria, humbja, identiteti dhe natyra e njerëzimit.

[4] "Poetika e përbashkësisë" në poezi i referohet mënyrës se si poezitë mund të eksplorojnë dhe të evokojnë një ndjenjë përvoje të përbashkët, komuniteti dhe lidhjeje, si midis poetit dhe audiencës së tij, ashtu edhe midis personazheve ose zërave brenda vetë poezisë. Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës dhe strukturave poetike për të krijuar një ndjenjë të të qenit "me" të tjerët, qoftë përmes emocioneve të përbashkëta, përvojave të ngjashme, apo aktit të leximit dhe interpretimit të poezisë së bashku.

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page