Timo Mërkuri: REALIZMI PSIKOLOGJIK NË ROMANIN “DRITË E BURGOSUR”
- 26 minutes ago
- 20 min read

Timo Mërkuri: REALIZMI PSIKOLOGJIK NË ROMANIN “DRITË E BURGOSUR”
Nga Timo Mërkuri
Romani “
” nuk ndërtohet mbi ngjarjen në kuptimin klasik të rrëfimit, por mbi lëvizjen e heshtur të shpirtit njerëzor. Në këtë vepër, dhimbja nuk shfaqet si episod kalimtar, por si gjendje që mbetet gjatë në vetëdije, si mjegull që nuk ndahet nga peizazhi i brendshëm i personazheve. Subjekti i romanit lidhet ngushtë me pasojat shpirtërore të dhunës dhe traumave të luftës së Kosovës, të cilat vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe ndërgjegjen e personazheve edhe shumë kohë pas mbarimit të saj. Pikërisht këtu nis realizmi psikologjik i romanit: jo te ajo që ndodh jashtë njeriut, por te mënyra si ngjarja vazhdon të jetojë brenda tij.
Realizmi psikologjik në thelb është depërtim në jetën e brendëshsme të personazhit, aty ku kujtesa, trauma, ankthi dhe heshtja bëhen më të forta se veprimi. Njeriu nuk shihet vetëm në atë që bën, por në atë që mban të ndrydhur, në atë që kujton natën dhe nuk arrin ta shqiptojë plotësisht. Kështu ndërtohet edhe figura e Dalinës. Tek ajo, e kaluara nuk mbetet pas; ajo ecën pranë saj si një hije e gjallë dhe i kthehet vazhdimisht në mendime, në ëndrra dhe në shpërthime të papritura shpirtërore.
Autorja nuk e rrëfen traumën si kronikë faktesh. Humbja e vëllait, vdekja e nënës, emigrimi dhe kujtesa e luftës shfaqen si plagë që vazhdojnë të marrin frymë brenda personazhit. Dalina jeton me to si me një barrë të padukshme që i rëndon ndërgjegjen. Ka çaste kur mendja e saj ngjan me një shtëpi të braktisur ku endet ende zëri i së kaluarës, ndërsa heshtja rri në qoshe si një qenie e lodhur që di gjithçka dhe nuk flet.

Një nga vlerat më të ndjeshme të romanit qëndron te mënyra si autorja e lë dhimbjen të rrjedhë natyrshëm, pa teprime dramatike. Personazhet nuk duken të ndërtuara për efekt letrar, por si qenie të gjalla që mbajnë mbi vete lodhjen e jetës. Për këtë arsye rrëfimi fiton një besueshmëri të qetë njerëzore madje dhe lexuesi nuk qëndron jashtë botës së tyre; ai hyn dalëngadalë në ankthin, vetminë dhe errësimin e shpirtit të tyre.
Në thelb, “Dritë e burgosur” është roman i kujtesës së plagosur. Ai e sheh njeriun në çastin kur mbetet vetëm përballë humbjes dhe vetes së tij. Dhe pikërisht aty realizmi psikologjik i veprës merr forcën e vet më të madhe artistike: në aftësinë për ta kthyer heshtjen në gjuhë dhe traumën në një dritë të zbehtë që vazhdon të digjet brenda errësirës njerëzore.
1.Struktura psikologjike e rrëfimit
Në romanin “Dritë e burgosur”, struktura e rrëfimit nuk ndërtohet mbi rendin klasik të ngjarjeve, por mbi lëvizjen e brendshme të ndërgjegjes. Ngjarja ecën ngadalë, herë-herë thuajse ndalet, sepse autorja nuk ka ngutjen për të treguar “çfarë ndodhi”, ajo synon të hyjë në zonën ku njeriu përballet me vetveten. Kjo është një nga shenjat më të dukshme të realizmit psikologjik në roman: rrëfimi nuk ecën sipas kronologjisë së jetës, por sipas ritmit të plagës së brendshme.
Dalina nuk rrëfen sikur kujton të kaluarën, ajo rrëfen si një qenie jeton brenda saj, sepse kujtesa te ky roman nuk është arkiv, por një dhomë e mbyllur ku ajri vazhdon të mbajë erën e dhimbjes. Prandaj rrëfimi shpesh merr trajtën e një monologu të brendshëm të trazuar. Herë një fjalë, herë një fytyrë, herë një ëndërr bëhen shkak që ndërgjegjja të hapë plagë të vjetra.
Kjo duket qartë kur Dalina, teksa qëndron me thikën në dorë, rrëshqet papritur drejt kujtesës së luftës, të vëllait dhe grave të dhunuara të lagjes. Mendja e saj nuk ndjek logjikën e zakonshme të rrëfimit, por logjikën e traumës, e cila lëviz si një lumë i turbullt nën tokë dhe papritur del në sipërfaqe. Pikërisht këtu realizmi psikologjik merr fuqi artistike, sepse autorja e ndërton rrëfimin sipas mënyrës se si punon kujtesa njerëzore e lënduar, në mënyrë fragmentare. Ajo nuk është lineare; digjet, kthehet pas dhe përsëritet në mënyrë fragmentare.
Në shumë pjesë të romanit duket sikur rrëfimi nuk del nga goja e personazhit, por nga vetë dhimbja. Ka fjali ku ankthi frymon si qenie e gjallë dhe heshtja shfaqet si hije që nuk largohet. Kjo e bën strukturën narrative të ketë tension të brendshëm të vazhdueshëm. Edhe në rastet kur nuk ka ndërhyrje nga jashtë, lexuesi ndien se brenda personazhit po zhvillohet një furtunë e tërë.
Një element i rëndësishëm i strukturës psikologjike është ritmi i ngadaltë meditativ. Autorja nuk nxiton. Ajo e lë personazhin të zbrazet dalëngadalë, sikur të kishte frikë se rrëfimi i shpejtë mund t’ia shqyente shpirtin. Për këtë arsye romani krijon ndjesinë e një dëshmie intime. Lexuesi nuk ndodhet përballë një tregimi, por përballë një procesi shpirtëror ku fjala ngjan me rrëfim terapeutik. Dalina nuk flet për t’u dëgjuar; ajo flet për të mbijetuar. Kjo ndjehet në mënyrë të veçantë te pasazhi: “Dalina po fliste, dhe unë qëndroja aty, në heshtje, duke dëgjuar. Nuk e ndërprisja asnjëherë, sepse më dukej sikur çdo fjalë e saj mbante një të vërtetë që duhej dëgjuar deri në fund, një barrë që ajo donte ta ndante me mua.” (fq. 29)
Këtu rrëfimi merr pothuajse funksion shërues; fjala shërben për të nxjerrë dhimbjen nga errësira shpirtërore. Ndërsa Brita, duke dëgjuar, shndërrohet dalëngadalë nga gazetare në dëshmitare shpirtërore. Pikërisht kjo marrëdhënie mes dy grave është një nyje qendrore e strukturës psikologjike të romanit; ku Dalina rrëfen për të mos u fundosur, ndërsa Brita dëgjon sikur mban mbi supe një shpirt të plagosur.
Në këtë pikë, rrëfimi zhvendoset nga historia personale drejt një ndjeshmërie që prek edhe figurën e dëgjuese. Dhimbja nuk mbetet individuale; ajo kalon nga një ndërgjegje te tjetra, si pasojë edhe Brita fillon të rëndohet nga pesha e historisë që dëgjon. Pas takimit me Dalinën, ajo largohet duke ndier se rrëfimi i saj “vazhdonte të rëndonte mbi mua” (fq. 34). Kjo tregon se struktura psikologjike e romanit nuk ndërtohet vetëm mbi atë që rrëfehet, por edhe mbi ndikimin që rrëfimi ushtron mbi tjetrin.
Në shumë romane subjekti i shtyn personazhet përpara. Këtu ndodh e kundërta: janë plagët që e shtyjnë rrëfimin. Për këtë arsye struktura narrative ngjan herë-herë me ecjen e një njeriu si nëpër mjegull, ku çdo hap nxjerr përpara një kujtim tjetër, një frikë tjetër, një copëz tjetër errësire. E pikërisht në këtë mënyrë rrëfimi bëhet pasqyrë e lëvizjeve të brendshme të psikikës njerëzore.
Një nga çastet më të fuqishme të kësaj strukture psikologjike është ai kur Dalina, e pushtuar nga dëshira për të vrarë gruan që fle pranë saj, përjeton një përçarje të vetëdijes. Aty mendimi, kujtesa, zemërimi dhe boshllëku përzihen në mënyrë të frikshme:
“Teksa shtrëngoja thikën me një forcë të egër që po ma mpinte krahun, papritmas më kaploi një frikë e madhe. Kjo ndjenjë s’kishte të bënte me atë grua të panjohur që flinte aty pranë, por me mua vetë.” (fq. 25)
Këtu realizmi psikologjik arrin një nga kulmet e veta artistike, sepse autorja nuk shfaq thjesht një impuls dhune, por ajo shfaq reagimin e dhimbjes së plagëve të luftës. Ajo depërton në çastin kur njeriu fillon të trembet nga vetja. Pikërisht aty romani hyn në territoret më të errëta të shpirtit njerëzor, aty ku ndërgjegjja fillon të dëgjojë krismën e heshtur të shpërbërjes së saj.
2.Trauma si bosht i realizmit psikologjik
Trauma nuk qëndron në sfond; ajo organizon gjithë botën e brendshme të personazheve. Çdo lëvizje e ndërgjegjes mban gjurmën e saj, duke e bërë jetën psikike të Dalinës të lëkundet vazhdimisht mes kujtesës dhe shpërthimit emocional. Këtu realizmi psikologjik fiton peshë, sepse vuajtja nuk tregohet, por ndodh brenda vetëdijes.
Te Dalina, trauma nuk paraqitet si një çast i vetëm tragjik. Ajo është një grumbullim goditjesh që bien njëra pas tjetrës mbi jetën e saj, derisa psikika fillon të çahet nga brenda. Vetëdija e saj ngjan me një shtëpi të vjetër ku çdo dhomë ruan jehonën e një humbjeje. Prandaj rrëfimi i saj nuk ka qetësi, madje edhe kur ajo hesht, ndjehet se brenda saj vazhdon një zhurmë e errët kujtimesh.
Një nga traumat më të rënda është vetëvrasja e vëllait. Ky moment nuk jepet vetëm si fatkeqësi familjare, por si tronditje që shemb themelet emocionale të personazhit. Lajmi bie mbi familjen “si gurë të rëndë” dhe që prej atij çasti gjithçka nis të rrënohet shpirtërisht. Dalina nuk arrin më ta shohë jetën me të njëjtin sy. Trauma nuk mbetet jashtë saj; ajo hyn në mendje dhe fillon ta brejë ngadalë.
Kjo ndjenjë jepet fuqishëm te pasazhi:“Ato fjalë na ranë mbi shpirtra si gurë të rëndë, duke thyer çdo copëz shprese që mund të kishin mbetur ende.” (fq. 21)
Realizmi psikologjik nuk qëndron te ngjarja, por në çarjet e vetëdijes. Shpresa nuk shuhet menjëherë; ajo “thyhet”, sikur të ishte një trup i brishtë njerëzor. Ky personifikim i jep traumës një prani të gjallë dhe e bën lexuesin të ndiejë peshën shpirtërore të humbjes.
Por tragjedia nuk ndalet këtu. Vdekja e nënës e thellon edhe më shumë zbrazëtinë psikike të Dalinës. Nëna nuk vdes thjesht nga sëmundja, por nga pesha e dhimbjes. Autorja e paraqet atë si një qenie që shuhet dalëngadalë, sikur jeta t’i ishte larguar pikë-pikë nga trupi. Ky është një nga çastet ku trauma familjare shndërrohet në traumë ekzistenciale. Dalina mbetet përballë një bote të rrënuar, ku familja nuk është më strehë, por kujtim i thyer.
“Gjashtë javë pas lajmit të kobshëm, zemra e saj u dorëzua. U duk sikur vuajtja e kishte shteruar plotësisht, si një qiri që digjet deri në fund.” (fq. 22)
Kjo metaforë e qiriut është shumë domethënëse për realizmin psikologjik të romanit. Nëna nuk shfaqet vetëm fizikisht; ajo shihet në procesin e shuarjes së saj të brendshme. Dhimbja këtu merr tiparet e një force të gjallë që ushqehet me qenien njerëzore derisa e lë bosh.
Nga kjo traumë lind një tjetër pasojë e rëndë psikike: impulsi i dhunës dhe dëshira për hakmarrje. Dalina arrin deri në kufirin ku mendon të vrasë gruan që fle pranë saj. Ky moment është jashtëzakonisht i rëndësishëm për realizmin psikologjik, sepse autorja depërton në atë çast kur njeriu humbet kontrollin mbi vetveten. Trauma nuk e bën vetëm të vuajë; ajo fillon ta transformojë shpirtërisht.
“Mora një thikë dhe e shtrëngova aq fort, sa gishtërinjtë filluan të më dridheshin.” (fq. 23)
Dora që dridhet nuk është vetëm shenjë zemërimi. Ajo është dridhja e ndërgjegjes së përçarë mes instinktit të dhunës dhe frikës nga vetja. Në këtë pikë trauma bëhet një errësirë që ecën brenda personazhit si kafshë nate dhe kërkon të shpërthejë.
Një tjetër shtresë e rëndësishme e traumës në roman lidhet me luftën dhe kujtesën kolektive të Kosovës. Kjo nuk paraqitet si sfond historik, por si plagë që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e personazheve edhe larg atdheut. Dalina nuk arrin të shkëputet prej saj, sepse kujtesa e luftës i është bërë pjesë e identitetit të brendshëm.
Kjo duket qartë kur ajo kujton gratë e dhunuara të lagjes:“I shikoja gjithmonë të heshtura, të përulura, me ato vështrime pas të cilave fshihnin ca plagë që nuk mund t’i tregoheshin botës.” (fq. 24)
Këtu trauma kalon nga individi te shoqëria. Heshtja e grave bëhet simbol i një dhimbjeje kolektive që nuk arrin të flasë. Realizmi psikologjik fiton kështu përmasë më të gjerë: ai nuk mbetet vetëm brenda shpirtit të Dalinës, por prek një brez të tërë njerëzish të lënduar nga historia.
Edhe Brita, ndonëse nuk ka kaluar të njëjtat tragjedi, fillon të preket psikologjikisht nga pesha e rrëfimit. Ajo nuk mbetet dëgjuese neutral, pse dalëngadalë historia e Dalinës hyn në ndërgjegjen e saj dhe fillon ta rëndojë shpirtërisht. Kjo shihet kur largohet nga klinika dhe ndien se “e gjithë pesha e bisedës me Dalinën vazhdonte të rëndonte mbi mua” (fq. 34). Trauma këtu sillet si një hije që kalon nga një shpirt te tjetri.
Në këtë roman, trauma nuk mbyllet kurrë. Ajo mbetet si një dritë e zbehtë që nuk shuhet, duke i ndjekur personazhet në çdo hap. Ajo është mënyra se si personazhet shohin botën, mënyra si kujtojnë, si dashurojnë dhe si jetojnë. Për këtë arsye, realizmi psikologjik i veprës nuk mbetet teknik, por bëhet përvojë e brendshme e dhimbjes. Autorja nuk na paraqet heronj të jashtëm, por qenie të lodhura që ecin nëpër errësirën e vetes duke kërkuar një grimë drite. Dhe ndonjëherë duket sikur vetë kujtesa u rri pranë si një rojtar i zymtë, që nuk i lejon të harrojnë asgjë.
3. Analiza psikologjike e personazhit të Dalinës
Dalina nuk është një personazh që shtyn ngjarjen përpara; ajo është një vetëdije e plagosur që e mban rrëfimin brenda vetes. E gjithë prania e saj letrare ndërtohet mbi tronditjen e brendshme, mbi ankthin, kujtesën dhe përplasjen e vazhdueshme me vetveten. Realizmi psikologjik fiton peshë pikërisht sepse autorja nuk e tregon vuajtjen, por e bën atë të jetojë brenda vetëdijes.
Që në çastet e para Dalina jep ndjesinë e një qenieje që jeton mes dy botësh: mes së tashmes dhe së kaluarës, mes dëshirës për të mbijetuar dhe tundimit për t’u zhdukur shpirtërisht. Ajo flet, por shpesh duket sikur fjalët dalin prej një humnere të errët brenda saj. Ka diçka të thyer në mënyrën si kujton, si hesht dhe si i përjeton gjërat. Shpirti i saj ngjan me një dritare të mbuluar nga avulli i dhimbjes, ku as drita nuk hyn plotësisht.
Humbja e vëllait bëhet një nga çarjet më të thella të psikikës së saj. Vetëvrasja e tij nuk mbetet thjesht kujtim tragjik familjar. Ajo bëhet nyje e errët e ndërgjegjes së Dalinës. Pas kësaj humbjeje ajo fillon ta shohë jetën me mosbesim, ndërsa vetmia fillon të rritet brenda saj si një bimë helmuese që ushqehet me kujtime.
Kjo ndjesi merr formë në fjalët: “Më dukej sikur pas vdekjes së tij shtëpia jonë kishte humbur frymën.” (fq. 20)
Shtëpia shndërrohet në një organizëm që merr frymë me dhimbjen e saj Në psikikën e Dalinës, humbja nuk prek vetëm njeriun, por gjithë botën përreth dhe pikërisht kjo është tipike për realizmin psikologjik: trauma ndryshon mënyrën si personazhi e percepton realitetin.
Dalina mbart edhe traumën e luftës dhe të emigrimit. Kjo traumë nuk shpërthen gjithmonë me zë të lartë; ajo jeton në heshtjet e saj, në pagjumësinë, në shpërthimet e papritura emocionale. Ka çaste kur kujtesa e saj sillet si një zog i zi që përplas krahët brenda kafazit të ndërgjegjes. Ajo nuk arrin të çlirohet prej saj. Edhe larg vendit të lindjes, lufta vazhdon të jetojë në mendjen e saj si një krismë që nuk shuhet.
Kjo shihet te ëndrra që rrëfen para Britës: “Mundohesha të ikja, por më vranë mu tek pragu i derës së shtëpisë ku isha lindur.” (fq. 40) Ëndrra këtu nuk është element dekorativ i rrëfimit ajo është rikthim i traumës në pavetëdije. Dalina nuk arrin të shpëtojë as në gjumë, pasi lufta e ndjek deri në territoret më të fshehta të mendjes dhe e detyron ta rijetojë frikën vazhdimisht. Pikërisht përmes këtyre gjendjeve autorja ndërton profilin psikologjik të personazhit.
Një shtresë tjetër e rëndësishme është përçarja e saj e brendshme. Dalina lëkundet vazhdimisht mes dëshirës për dashuri dhe shtytjes drejt dhunës. Në disa momente ajo duket e brishtë dhe e rrënuar, ndërsa në të tjera përfshihet nga impulse të errëta hakmarrjeje. Ky dualizëm e bën personazhin të besueshëm artistikisht, sepse psikika e traumatizuar nuk ecën në vijë të drejtë. Ajo thyhet, kthehet pas, shpërthen dhe rrëzohet sërish.
Një nga skenat më të forta psikologjike është ajo e thikës. Dalina ndodhet në kufirin mes instinktit të dhunës dhe frikës nga vetja. Autorja nuk e dramatizon artificialisht këtë moment; përkundrazi, hyn në dridhjen e ndërgjegjes së saj.
“Kjo ndjenjë s’kishte të bënte me atë grua të panjohur që flinte aty pranë, por me mua vetë.” (fq. 25)
Ky është një nga çastet ku realizmi psikologjik arrin nivel tw epwrm artistik. Dalina nuk trembet nga krimi, por nga errësira që zbulon brenda vetes. Ajo kupton se trauma ka filluar ta ndryshojë shpirtërisht dhe në këtë pikë ajo hyn në konflikt me ndërgjegjen e vet dhe kjo e bën figurën e saj thellësisht njerëzore.
Në anën tjetër qëndron Brita, e cila gradualisht bëhet pasqyrë emocionale e Dalinës. Sa më shumë dëgjon, aq më shumë rëndohet edhe ajo nga dhimbja e tjetrit. Marrëdhënia mes tyre nuk ndërtohet mbi dialog të zakonshëm, por mbi transferim emocional. Brita nuk e ndihmon Dalinën me fjalë të mëdha; shpesh mjafton heshtja e saj. Dhe pikërisht kjo heshtje krijon një afërsi të rrallë shpirtërore mes dy grave.
“Nuk e ndërprisja asnjëherë, sepse më dukej sikur çdo fjalë e saj mbante një barrë që duhej nxjerrë nga shpirti.” (fq. 29)
Dalina nuk ka nevojë vetëm të flasë; ajo ka nevojë të dëgjohet, sepse rrëfimi për të është mënyrë mbijetese. Trauma e saj kërkon dëshmitar, ndryshe rrezikon ta gërryejë plotësisht nga brenda.
Dalina nuk mbahet mend për veprimet, por për peshën e dhimbjes që lë pas. Ajo ecën nëpër roman si një qenie që kërkon dritë mes rrënojave të vetes. Nganjëherë duket sikur kujtesa i rri mbi supe si një shpend i lagur nga shiu, që nuk fluturon dot larg saj. Dhe pikërisht përmes kësaj figure të plagosur, romani arrin të depërtojë në ato territore të heshtura të shpirtit njerëzor ku realizmi psikologjik bëhet jo vetëm teknikë narrative, por e vërtetë e thellë njerëzore.
4. Brita si dëgjuese psikologjike
Në roman, Brita nuk është thjesht personazhi që dëgjon rrëfimin e Dalinës, ajo është hapësira shpirtërore ku derdhet dhimbja e tjetrit. Në fillim hyn si gazetare. Si dikush që mendon se po interviston. Në fillim duket sikur hyn në jetën e Dalinës vetëm përmes profesionit, me kureshtjen dhe detyrën e gazetares, por shumë shpejt marrëdhënia mes tyre e kapërcen kufirin e intervistës. Rrëfimi i Dalinës fillon të hyjë ngadalë në ndërgjegjen e Britës, si një shi i imët që lag pa zhurmë dhe mbetet gjatë mbi trupin e kujtesës.
Kjo është një nga shtresat më të ndjeshme të realizmit psikologjik të romanit. Autorja nuk ndërton vetëm dramën e atij që flet, por edhe tronditjen e atij që dëgjon. Trauma nuk mbetet e mbyllur brenda Dalinës; ajo kalon te Brita, rëndon mbi të dhe fillon ta ndryshojë nga brenda. Dhe pastaj nuk ka më kufi mes tyre.
Brita ka ndjeshmërinë e njerëzve që dinë të dëgjojnë pa ndërhyrë. Ajo nuk e ndërpret Dalinën, nuk përpiqet t’i japë shpjegime morale dhe as ta mbulojë dhimbjen me ngushëllime të gatshme. Heshtja e saj bëhet formë mirëkuptimi. Ka çaste kur duket sikur ajo mban mbi supe jo vetëm fjalët e Dalinës, por edhe gjithë lodhjen e shpirtit të saj. Dhe nuk reagon. Vetëm rri aty.
Kjo shihet te pasazhi: “Nuk e ndërprisja asnjëherë, sepse më dukej sikur çdo fjalë e saj mbante një të vërtetë që duhej dëgjuar deri në fund.” (fq. 29) Këtu dëgjimi nuk paraqitet si akt i zakonshëm komunikimi. Ai merr përmasë pothuaj terapeutike. Brita e kupton se Dalina nuk ka nevojë vetëm të flasë; ajo ka nevojë të zbrazë një barrë që e ka mbajtur prej vitesh në errësirën e vetes. Fjala te ky roman ngjan me një plagë që kërkon ajër për të mos u qelbë brenda shpirtit.
Dalina, e rrënuar nga vetëvrasja e vëllait, nga vdekja e nënës dhe nga kujtimet e luftës, fillon të krijojë besim te Brita pikërisht sepse ndien tek ajo një prani njerëzore dhe jo një kureshtje profesionale. Trauma kërkon një dëgjues që mund ta përballojë peshën e saj. Brita bëhet pikërisht kjo figurë: një dëshmitare e heshtur e rrënimit të Dalinës.
Por sa më shumë hyn në botën e saj, aq më tepër edhe vetë Brita fillon të ndryshojë nga brenda. Ngadalë. Pa e kuptuar. Kjo është pjesa më e rrezikshme. Rrëfimi i Dalinës nuk mbetet më jashtë saj. Ai fillon të ndikojë ritmin e mendimeve, gjumin dhe qetësinë e saj të përditshme. Në këtë pikë trauma kalon nga një ndërgjegje te tjetra. “Historia e jetës së saj po ndikonte aq shumë tek unë, sa po më ndryshonte edhe ritmin e gjumit.” (fq. 109)
Ky është një nga momentet më të fuqishme psikologjike të romanit. Brita nuk është më
thjesht dëgjuese; ajo fillon ta jetojë ankthin e Dalinës brenda vetes. Dhimbja e tjetrit hyn në jetën e saj si një hije që ecën pas saj edhe kur largohet nga klinika. Realizmi psikologjik këtu bëhet shumë i thellë, sepse autorja tregon se trauma nuk prek vetëm atë që e përjeton drejtpërdrejt. Ajo ka fuqinë të depërtojë edhe te njeriu që e dëgjon me shpirt të hapur.
Në mesin e romanit Brita fillon ta kuptojë se Dalina nuk po i rrëfen thjesht historinë e saj, por po i dorëzon pjesë të vetes. Për këtë arsye ajo e ndien rrëfimin si barrë morale dhe njerëzore. “Fjalët e Dalinës më prekën në thellësi - një rrëfim i dhimbshëm, i sinqertë, dhe plot shpresë qëndrese.” (fq. 132) Kjo fjali ka një ngarkesë të qetë emocionale. Brita nuk ndikohet vetëm nga tragjedia, por edhe nga forca e heshtur me të cilën Dalina përpiqet të mbijetojë. Këtu marrëdhënia e tyre nuk mbështetet më mbi profesionin apo detyrën; ajo bëhet lidhje shpirtërore mes dy grave që ndajnë barrën e kujtesës.
Në fund të romanit kjo marrëdhënie arrin kulmin e vet emocional. Dalina, e lodhur nga pesha e jetës dhe e vetmisë së saj, i drejtohet Britës me një lutje që tingëllon si amanet shpirtëror: “Zonja Brita, ju e dini tashmë kush jam. Ju lutem, tregojuni edhe të tjerëve.” (fq. 134) Kjo është një nga fjalitë më të dhimbshme të romanit. Dalina nuk kërkon shpëtim fizik, ajo kërkon të mos humbasë në harresë. Frika e saj më e madhe nuk është vdekja, por zhdukja e së vërtetës së saj njerëzore. Dhe Brita bëhet kështu bartëse e kujtesës së saj, ruajtëse e zërit të saj të plagosur.
Pas vetëvrasjes së Dalinës, ndikimi psikologjik mbi Britën bëhet i plotë. Ajo nuk arrin më të ruajë distancën e dikurshme emocionale. “Fjalët e tij ranë si një rrufe në heshtjen e dhomës. Zemra më ngriu, dhe mendja m’u mbush me boshllëk të pafund.” (fq. 135)
Këtu trauma e Dalinës e mbyll qarkun e saj tragjik; ajo fillon si plagë individuale dhe përfundon duke jetuar edhe brenda Britës. Heshtja në këtë skenë duket sikur rri pezull mbi dhomë si një zog i zi i lodhur nga fluturimi. Edhe Brita mbetet e rrënuar shpirtërisht, sepse tashmë ajo nuk mban vetëm kujtimin e Dalinës, por edhe fajin e heshtur të të mbijetuarit që nuk arriti ta shpëtonte.
Në fund, Brita mbetet një nga figurat më njerëzore të romanit. Ajo nuk kryen akte heroike dhe nuk shpëton askënd në mënyrë spektakolare, por bëhet vendi ku një shpirt i plagosur arrin të lërë dëshminë e vet. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e realizmit psikologjik të kësaj figure: në aftësinë për të treguar se ndonjëherë forma më e thellë e dhembshurisë nuk është të flasësh, por të kesh forcën të dëgjosh dhimbjen e tjetrit deri në fund.
5- Simbolika psikologjike
Simboli në këtë roman nuk zbukuron rrëfimin. Ai e mban peshën e tij. Shumë prej plagëve jetojnë më tepër në simbole sesa në fjalë. Pikërisht këtu realizmi psikologjik i romanit fiton një thellësi të veçantë, sepse autorja nuk e paraqet traumën vetëm përmes dialogut apo ngjarjes, por përmes sendeve, heshtjeve, ëndrrave dhe imazheve që mbajnë brenda një barrë të fshehtë shpirtërore.
Vetë titulli “Dritë e burgosur” është simboli më i madh psikologjik i romanit. Drita zakonisht lidhet me shpresën, jetën dhe çlirimin, por këtu ajo shfaqet e mbyllur, e pafuqishme për të dalë plotësisht nga errësira. Kjo dritë është vetë shpirti i Dalinës: ende i gjallë, por i rrethuar nga trauma, kujtesa dhe vetmia. Në shumë pjesë të romanit duket sikur personazhi jeton në kufirin mes dëshirës për të mbijetuar dhe lodhjes së thellë shpirtërore. Për këtë arsye simboli i dritës nuk merr kuptim romantik; ai bëhet shenjë e një shprese të plagosur që vazhdon të dridhet mes errësirës.
Një nga simbolet më të fuqishme psikologjike është heshtja. Në roman heshtja nuk është mungesë fjale. Ajo ka peshë, frymëmarrje dhe nganjëherë duket sikur ecën pranë personazheve si një qenie e padukshme. Dalina hesht jo sepse nuk ka ç’të thotë, por sepse trauma ka arritur në atë pikë ku fjala nuk mjafton më.
Në këtë moment, heshtja merr peshë tjetër:“Qëndruam për pak çaste pa folur. Heshtja mes nesh dukej më e rëndë se çdo bisedë”
Këtu heshtja merr funksion simbolik dhe psikologjik njëkohësisht. Ajo bëhet shprehje e barrës së brendshme që personazhet nuk arrijnë ta nxjerrin plotësisht në fjalë. Realizmi psikologjik i romanit shfaqet pikërisht në këtë aftësi për të treguar se ndonjëherë trauma rri ulur në heshtje brenda njeriut dhe e rëndon më shumë se vetë rrëfimi.
Në gjumë, Dalina nuk pushon; lufta, frika dhe humbjet vazhdojnë ta ndjekin, sikur kujtesa të mos pranonte ta linte të qetë as natën. “Mundohesha të ikja, por më vranë mu tek pragu i derës së shtëpisë ku isha lindur.” (fq. 40)
Pragu i shtëpisë në këtë ëndërr merr kuptim simbolik shumë të fortë. Ai është kufiri mes jetës dhe humbjes, mes kujtesës dhe frikës. Dalina nuk vritet diku larg; ajo bie pikërisht te dera e shtëpisë së lindjes, çka tregon se trauma e luftës është lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin e saj. Edhe vendi që duhet të simbolizonte strehë e siguri, në pavetëdijen e saj është kthyer në hapësirë ankthi.
Po aq domethënës është simboli i thikës. Në plan të parë ajo duket si objekt konkret, por në planin psikologjik bëhet shenjë e shpërthimit të dhunës së grumbulluar brenda Dalinës. Trauma e humbjeve, vetmia dhe kujtesa e luftës fillojnë të marrin formë agresive.
“Mora një thikë dhe e shtrëngova aq fort, sa gishtërinjtë filluan të më dridheshin.” (fq. 23)
Këtu thika nuk simbolizon vetëm rrezikun ndaj tjetrit. Ajo është shenjë e përçarjes së brendshme të vetë personazhit. Dora që dridhet tregon se Dalina po përballet me errësirën e vetes. Në këtë moment realizmi psikologjik depërton thellë në mekanizmat e shpirtit të traumatizuar, aty ku dhimbja mund të shndërrohet në impuls shkatërrues.
Edhe figura e Britës merr vlerë simbolike në roman, pasi ajo bëhet simbol i dëgjimit njerëzor, i pranisë së heshtur që nuk gjykon. Për Dalinën, Brita nuk është vetëm gazetare; ajo është mundësia e fundit për të mos mbetur e mbyllur brenda vetmisë së saj.
Kjo ndjehet sidomos në fund të romanit:“Zonja Brita, ju e dini tashmë kush jam. Ju lutem, tregojuni edhe të tjerëve.” (fq. 134) Kjo fjali e ngre Britën në nivel simbolik. Ajo bëhet bartëse e kujtesës së Dalinës, ruajtëse e së vërtetës së saj njerëzore. Frika më e madhe e personazhit nuk është vetëm vdekja, por zhdukja në harresë. Për këtë arsye Brita shndërrohet në një lloj ure mes dhimbjes individuale dhe kujtesës kolektive.
Në fund të romanit simbolika psikologjike lidhet ngushtë me atmosferën e errët të vetmisë. Dhoma, heshtja, netët pa gjumë dhe kujtimet krijojnë ndjesinë sikur personazhet jetojnë në një botë ku e kaluara nuk ikën kurrë plotësisht. Ka çaste kur kujtesa duket sikur endet nëpër korridoret e romanit si një grua e thinjur që hap ngadalë dyert e vjetra të shpirtit. Në këtë roman, simboli nuk shpjegon. Ai mbetet si një hije që nuk largohet nga dhoma e kujtesës.
6. Gjuha dhe stili i realizmit psikologjik në roman
Në romanin “Dritë e burgosur”, gjuha bëhet mënyrë për të zbuluar dridhjen e brendshme të personazheve. Fjalët ndjekin ritmin e shpirtit të trazuar, lëvizjen e kujtesës dhe përplasjen e mendimeve. Pikërisht për këtë arsye realizmi psikologjik i romanit nuk qëndron vetëm te temat e traumës apo vetmisë, por edhe te mënyra si gjuha arrin ta bëjë të ndjeshme këtë gjendje.
Autorja përdor një ligjërim të qetë, të përmbajtur dhe shpesh intim. Nuk ka zbukurime të tepërta retorike dhe as shpërthime artificiale emocionesh. Dhimbja nuk dramatizohet me forcë; ajo rrjedh ngadalë nëpër fjali, si ujë që depërton nëpër çarje të gurit. Kjo mënyrë e të shkruarit krijon ndjesinë sikur personazhet nuk flasin për t’u dëgjuar nga të tjerët, por për të mos u mbytur brenda vetes.
Kjo ndjehet në shumë prej rrëfimeve të Dalinës, ku fjalët kanë një thjeshtësi të lodhur njerëzore:“Nuk e di pse, por ndihesha bosh, sikur diçka brenda meje ishte shuar përgjithmonë.” (fq. 73) Kjo fjali nuk kërkon efekt stilistik, por pikërisht në thjeshtësinë e saj qëndron forca emocionale. Fjala “bosh” mbart më shumë peshë psikologjike sesa një përshkrim i gjatë dramatik. Trauma këtu ajo shfaqet si rraskapitje e ngadaltë shpirtërore.
Një nga tiparet më të rëndësishme të stilit është përdorimi i heshtjes dhe ndërprerjes së mendimit. Autorja lë boshllëqe emocionale mes fjalëve, duke krijuar ndjesinë se personazhet nuk arrijnë ta thonë plotësisht atë që ndiejnë. Kjo e afron shumë romanin me realizmin psikologjik modern, ku ajo që nuk thuhet ka po aq rëndësi sa ajo që rrëfehet. Kjo shihet edhe në marrëdhënien mes Dalinës dhe Britës. Bisedat e tyre nuk ndërtohen mbi dialogë të gjatë e të stërholluar. Shpesh një fjali e thjeshtë, një heshtje apo një gjest mbart më shumë dhimbje sesa vetë rrëfimi.
“Brita më pa gjatë, por nuk tha asgjë. Ndoshta e kishte kuptuar gjithçka.” (fq. 81)
Këtu stili fiton intensitet të brendshëm pikërisht përmes kursimit të fjalës. Heshtja bëhet gjuhë më vete. Autorja e kupton se trauma shpesh nuk mund të shpjegohet plotësisht; ajo vetëm mund të ndihet.
Edhe mënyra si ndërtohen kujtimet është pjesë e stilit psikologjik të romanit. Kujtesa nuk rrjedh në mënyrë lineare. Ajo rikthehet papritur, si valë që godasin bregun në çaste të papritura. Për këtë arsye rrëfimi ka shpesh lëvizje të brendshme, ku e tashmja ndërpritet nga kujtime, ëndrra apo shpërthime emocionale.
Kjo vërehet sidomos te kujtesa e luftës: “Netëve më zgjonin britmat që vetëm unë dukej se i dëgjoja ende.” (fq. 97)
Këtu gjuha bëhet pothuaj akustike. Britmat nuk janë vetëm kujtim; ato vazhdojnë të jetojnë në vetëdijen e personazhit. Trauma nuk ka kaluar. Ajo endet ende brenda mendjes së Dalinës si një zog nate që përplas krahët në errësirë.
Po ashtu, autorja përdor shpesh një stil introspektiv, ku personazhi duket sikur bisedon me vetveten. Kjo mënyrë rrëfimi e afron lexuesin me ankthin e brendshëm të figurave dhe krijon ndjesinë e një afërsie të dhimbshme njerëzore. “Ndonjëherë mendoja se po humbisja dalëngadalë brenda kujtimeve të mia.” (fq. 101)
Këtu kujtesa nuk paraqitet si proces normal mendimi, por si hapësirë ku personazhi rrezikon të tretet shpirtërisht. Kjo është një nga arritjet më të ndjeshme të stilit psikologjik të romanit: aftësia për ta kthyer mendimin në atmosferë emocionale.
Në disa pjesë gjuha bëhet e errët dhe e ngarkuar me ndjesi mbytjeje. Fjalitë marrin ritmin e ankthit dhe të lodhjes së brendshme, sidomos pas humbjes së nënës dhe vetëvrasjes së vëllait, kur Dalina fillon të flasë me një ton të brendshëm të copëzuar, sikur vetë shpirti i saj të ishte lodhur nga pesha e kujtesës. “Shtëpia më dukej bosh. Edhe muret sikur kishin filluar të heshtnin ndryshe.” (fq. 88)
Ky personifikim i mureve e bën atmosferën psikologjike edhe më të rëndë. Vetmia nuk mbetet vetëm gjendje e personazhit; ajo depërton në hapësirë dhe prek sendet përreth. Në këtë mënyrë stili i romanit arrin të krijojë jo vetëm analizë psikologjike, por edhe klimë emocionale.
Një nga vlerat më të bukura të gjuhës së romanit është se ajo ruan gjithnjë një thjeshtësi njerëzore. Autorja nuk kërkon të mahnisë me figuracion të tepërt. Edhe metaforat lindin natyrshëm nga gjendja shpirtërore e personazheve. Për këtë arsye rrëfimi tingëllon i besueshëm dhe i afërt, sikur dhimbja të mos ishte shkruar, por jetuar.
Në thelb, gjuha dhe stili i “Dritë e burgosur” janë ndërtuar për të hyrë në brendësi të shpirtit njerëzor. Ato nuk ecin drejt spektaklit të ngjarjes, por drejt errësirës së kujtesës, vetmisë dhe traumës. Dhe pikërisht aty realizmi psikologjik i romanit merr forcën e vet më të madhe: në aftësinë për ta bërë lexuesin të mos shohë vetëm plagën e personazhit, por ta ndiejë atë duke marrë frymë ngadalë nën lëkurën e fjalës.
Në përfundim mund të themi se në letërsinë shqipe, “Dritë e burgosur” krijon afërsi me traditën psikologjike të Ismail Kadare, sidomos në mënyrën si trauma dhe kujtesa vazhdojnë të jetojnë brenda ndërgjegjes së personazhit. Por megjithatë te Drita Ademi dhimbja është më intime, më e zhveshur dhe më e përqendruar te rrënimi i brendshëm i njeriut.
Ndërsa në rraport me letërsinë europiane, romani hyn në dialog të heshtur me Fjodor Dostoevsky dhe Virginia Ëoolf. Te Dostojevski gjen peshën e vuajtjes që kthehet në barrë të ndërgjegjes, ndërsa te Virginia Ëoolf lëvizjen e kujtesës dhe rrjedhën e brendshme të mendimit. Megjithatë edhe këtu, romani “Dritë e burgosur” ruan zërin e vet origjinal, sepse trauma këtu ka fytyrën konkrete të luftës, emigrimit dhe vetmisë shqiptare, çka e bën këtë vepër një roman me frymëmarrje të afërt me realizmin psikologjik europian, por me një ndjeshmëri thellësisht shqiptare, ku dhimbja nuk mbetet vetëm një përjetim individual, por bëhet kujtesë e një kohe dhe e një shoqërie të plagosur.
Sarandë, mars-maj 2026







