top of page

Timo Mërkuri: NJË KËMBANË QË BIE PËR LIBRIN

ree

 

Nga Timo Mërkuri

Një shkrim i Fatmir Terziut, me titullin “Kush po e ridjeg librin”, botuar më 4 nëntor 2025 në „Albanian Post“, ka trazuar ndjeshëm ujërat e qeta të mjediseve letrare e intelektuale shqiptare. Ai është bërë biseda e ditës mes krijuesve, kritikëve dhe lexuesve të ndjeshëm ndaj fatit të fjalës së shkruar. Nuk është hera e parë që preken çështjet që ngre Terziu, por është hera e parë që ato marrin trajtën e një kumti të plotë, të ndërgjegjshëm dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Në mënyrë të rrallë, autori i ka mbledhur e renditur plagët që prej kohësh prekin letërsinë shqiptare, duke treguar se ndikimi i tyre është aq i thellë, sa mund të krahasohet me tronditjen që solli dikur famëkeqi Plenum i Katërt.

Por ndryshe nga toni i ashpër  polemist, fjala e Terziut vjen e qetë dhe  dashamirëse, si një këmbanë që bie për të zgjuar, jo për të trembur. Ai na fton të kthejmë sytë drejt asaj që po humbasim ngadalë: drejt ndershmërisë krijuese, drejt meritës së vërtetë, drejt respektit për fjalën e mirë. Sepse fjala është si uji që gdhend gurin, e butë në dukje, por e fortë në përjetësi.

Ndaj krijuesit duhet të ndërgjegjësohen e të njohin meritat e kolegut më të mirë; institucionet duhet të lënë mënjanë partitë në krijimtari e të mbështesin atë që çon përpara, artin e lirë, progresiv, që ndriçon shoqërinë. Sepse lexuesi e njeh dhe e do krijimtarinë e arrirë: kemi parë madje edhe në ditët e monizmit se si një libër i mirë, i botuar në tirazh maksimal, shitej më shpejt se buka në dyqane. Kjo është arsyeja pse fjala e Terziut duhet dëgjuar si një thirrje për zgjim shpirtëror- një ftesë për të mos lejuar që mediokriteti të marrë vendin e talentit, dhe që libri i vërtetë të mos digjet më as me zjarr, as me heshtje.

 

I.               Problemet që ngre Terziu

 

Në shkrimin e tij, Fatmir Terziu flet me dhimbjen e një njeriu që sheh si heshtja po bëhet armë kundër fjalës së lirë. Ai ngre probleme të thella, që prekin vetë zemrën e kulturës shqiptare, dhe secili prej tyre ka peshë që shkon përtej botës së librit, në ndërgjegjen e një kombi. Kur shoqëria nuk e dëgjon më zërin e librit, ajo fillon të humbasë kujtesën e vet shpirtërore dhe atëherë harrimi bëhet forma më e re e vdekjes.

 

1. Terziu vëren e thotë se letërsia po mbytet nën një frymë autocensure dhe përzgje-dhjeje të kontrolluar. Librat nuk zgjidhen më për vlerën që mbartin, por për përputhjen e tyre me mendësitë apo bindjet e një grupi të caktuar, duke dëmtuar lirinë e fjalës dhe pavarësinë e mendimit. Por liria e mendimit është themeli i çdo kulture të gjallë. Kur ajo cungohet, humbet edhe e drejta për të kërkuar, për të pyetur, për të menduar ndryshe. Pa këtë liri, letërsia kthehet në një jehonë boshe, jo në zë të shpirtit njerëzor.

 

2. Një nga plagët më të dhimbshme që prek Terziu është ngritja e autorëve mediokër në piedestal, ndërsa zërat e talentuar heshten. Botuesit, mediat dhe institucionet shpesh përkrahin ata që janë afër pushtetit, jo ata që i afrohen së vërtetës. Kështu shkatërrohet ekuilibri shpirtëror i kulturës. Kur letërsia nuk udhëhiqet më nga drita e talentit, ajo humbet forcën ndriçuese që ka për njeriun dhe për shoqërinë. Ngjallja e vlerave të rreme është një djegie e heshtur e librit të vërtetë. Sepse kur e pavërteta ngrihet në fron, e vërteta bëhet mërgimtare në vendin e vet.

 

3. Terziu me kurajo denoncon mënyrën si politika dhe ideologjitë kanë hyrë në thelbin e botimeve dhe përzgjedhjeve kulturore. Jemi dëshmitarë të faktit se librat shpërndahen dhe promovohen në bazë të ngjyrave politike, duke krijuar një ndarje që i ngjan shumë asaj të kohëve të monizmit. Por kur letërsia përdoret për qëllime politike, ajo humbet misionin e saj fisnik, të jetë ura mes njerëzve, jo muri që i ndan. Kultura nuk mund të jetë shërbëtore e pushtetit, sepse atëherë ajo nuk frymon më për liri, por për bindje.

 

4. Në vend të debatit dhe leximit të lirë, Terziu sfidon klimën ku librat, idetë dhe autorët që “nuk përshtaten” thjesht harrohen. Heshtja është bërë forma e re e censurës. Por heshtja është më e rrezikshme se ndalimi. Ajo zhduk autorin pa zhurmë, pa gjurmë, dhe krijon iluzionin e një harmonie të rreme. Një shoqëri që hesht ndaj ideve ndryshe, në të vërtetë, po e varros shpirtin e saj krijues.

 

5. Edhe faktin se  sistem mbyll rrugën e lexuesit të pavarur nuk I ka shpëtuar shikimit të Terziut. Librat e vërtetë nuk  arrijnë në duart e njerëzve, për shumë arsye ndërsa propaganda mbush hapësirat publike me zhurmë për disa libra pa vlerë. Por pa një lexues të lire që të zgjedhë vetë librat, letërsia mbetet vetëm zbukurim. Lexuesi është zemra e librit; kur ai humbet aftësinë për të zgjedhur vetë, humbet edhe drita që libri ka për ta ndryshuar.

 

II. Rëndësia e problemit që shtron Terziu

 

Letërsia është fryma që e mban shpirtin njerëzor në lëvizje; pa të, njeriu mbetet trup që ecën, por nuk mendon. Ka çaste kur letërsia, ndjen ethet e një sëmundjeje të padu-kshme. Jo më flakët që dikur përpinin librat nëpër sheshe, por një zjarr i heshtur që djeg nga brenda, përmes shpërfilljes, interesave dhe përzgjedhjeve të fshehta. Pikërisht këtë rrezik e ngre Fatmir Terziu me ndjeshmëri dhe guxim: ai flet për një djegie pa tym, për një shuarje që nuk shihet, por që e ndien çdo njeri që beson te fjala e lirë.

Rëndësia e këtij problemi nuk qëndron vetëm në fatin e një libri apo të një autori, por në frymën që rrezikon të humbasë një kulturë e tërë. Sepse kur mediokriteti ngrihet në piedestal dhe vlera e vërtetë mbetet në hije, nuk dëmtohet vetëm letërsia, dëmtohet vetë ndërgjegjja e kombit. Aty ku ndalet zëri i lirë, fillon heshtja e rrezikshme e turmës.

Terziu na fton të shohim përtej politikës, përtej kampeve dhe bindjeve, drejt një të vërtete më të madhe: libri është pasqyra e shpirtit njerëzor. Dhe kur ajo pasqyrë thyhet, humbasim jo vetëm autorin, por edhe veten. Prandaj problemi që ai ngre nuk është një debat për pushtet, por një thirrje për dritë, për të mos lejuar që fjala e vërtetë të shuhet në pluhurin e harresës. E parë në këtë kuptim, shkrimi i Terziut është më shumë se kritikë: është ndërgjegje. Është një ftesë për t’u zgjuar, për të mos lejuar që letërsia të bëhet pre e interesit apo e servilizmit. Sepse nëse lejojmë që të digjet libri në heshtje, në fund digjemi vetë bashkë me të. Djegia e librit është vetëm hapi i parë; hapi i dytë është djegia e ndërgjegjes.

 

III-Ç’duhet të bëjmë për të shpoëtuar librat nga djegia?

 

Ka kohë që librat nuk digjen më me flakë, por me heshtje. Librat e mirë ndonjëherë nuk ndalohen, por thjesht nuk lexohen, nuk përmenden, nuk promovohen. Dhe kjo është një djegie më e dhimbshme, sepse nuk shkatërron vetëm letrën, por edhe kujtesën. Përballë këtij realiteti të zymtë, pyetja lind natyrshëm: çfarë mund të bëjnë vetë shkrimtarët dhe poetët që fjala e tyre të mos shuhet në pluhurin e harresës?

 

Së pari, ata duhet të mbrojnë fjalën e lirë jo vetëm në teori, por në çdo varg, në çdo rresht, në çdo heshtje të ndërgjegjshme. Të mos pranojnë autocensurën, të mos i përshtatin mendimet sipas frymës së ditës. Shkrimtari i vërtetë nuk shkruan për të kënaqur, por për të tronditur në emër të së vërtetës. Duhet të kujtojnë fjalët e Victor Hugo: “Mund t’i rezistosh pushtimit të ushtrive, por jo pushtimit të ideve.” Sepse një ide e ndershme, një varg i shkruar me shpirt, ka më shumë fuqi se çdo pushtet kalimtar. Shkrimtari që beson te e vërteta e fjalës, nuk mund të digjet, edhe kur libri i tij harrohet, ideja që ai mbart vazhdon të jetojë.

 

Së dyti, krijuesit duhet të jenë lexues të zjarrtë. Leximi nuk është vetëm ushqim shpirtëror, por edhe mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë flakën e kulturës. Siç ka thënë Umberto Eco: “Ai që nuk lexon, në moshën shtatëdhjetë vjeç, do të ketë jetuar vetëm një jetë. Ai që lexon, do të ketë jetuar pesë mijë vjet. Leximi është pavdekësi mbrapsht.” Duke lexuar, shkrimtari ushqehet nga brezat e mëparshëm dhe bëhet një urë për të ardhmen. Leximi i jep atij aftësinë të njohë veten dhe botën, të dallojë dritën nga hija, të shkruajë jo për të pëlqyer, por për të zgjuar. Një krijues që nuk lexon, pushon së qeni krijues.

 

Së treti, shkrimtari duhet të mbetet i qëndrueshëm përballë zhgënjimit. Në një kohë kur vlerat shpesh përmbysen dhe talenti mbetet në hije, është e lehtë të ndihesh i mundur. Por siç thotë Albert Camus në fund të Miti i Sizifit “Duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur.” Kjo është filozofia e qëndresës së brendshme. Të ngjitesh çdo ditë drejt majës me barrën e gurit të rëndë, me vargun, me mendimin, me shpresën, dhe ta bësh këtë jo nga detyrimi, por nga dashuria për jetën dhe për fjalën.

 

Së katërti, shkrimtarët duhet të mbrojnë e njëri-tjetrin me ndershmëri. Të vlerësojnë kolegun për meritë dhe të mos lejojnë që vlerat e vërteta të mbulohen nga zhurma. Sepse harrimi është një formë tjetër djegieje. Këtë e ka ndjerë bukur Ismail Kadare kur shkruante në Kamarja e turpit :“Kujtimet e ngjarjeve dhe të njerëzve zbehen me kalimin e viteve. Pluhuri i mbulon, balta i njollos, derisa fshihen fare, sikur të mos kenë ekzistuar kurrë.” Ky është rreziku më i madh që na kanoset: fshirja e kujtesës, humbja e trashëgimisë shpirtërore që përbën vetë identitetin tonë kulturor. Nën goditjen e Pleniumit të IV shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj të vendit i mbrojtën shkrimtarët dhe poetët më të rinj, madje edhe me kosto për ‘ta.

Duke iu referuar Terziut, kuptojmë se, më në fund, shkrimtarët duhet të besojnë te lexuesi. Autori i shkrimit shton se lexuesi i ndershëm është gjykatësi më i drejtë. Ai nuk ka nevojë për udhëzime, për propagandë, apo për reklama boshe. Ai e ndien fjalën e vërtetë dhe e ndjek. Mjafton që ajo fjalë të shkruhet me shpirt, jo për përfitim, apo me ide që e largojnë nga letërsia.

Terziu shton se, në fund të fundit, libri i mirë nuk mund të anashkalohet, nuk mund të memecërohet, nuk mund të digjet. Si në këtë shkrim, ashtu dhe në të tjerë, po ashtu dhe në bisedat tona Terziu shtron idenë se libri i mirë mund të vonojë fatin e tij nga këto skuta të errëta, mund të mbetet në raft, mund të kalojë në duar të pakta, por një ditë ai do të zgjohet sërish, si fara që pret shiun. Dhe atëherë do të dëshmojë se fjala e vërtetë nuk vdes. Siç mund të thuhet me frymë Hugoiane: mund të djegësh librin, por jo dritën që ai ndez në shpirtin e njeriut. Drita e librit nuk shuhet me shekuj, ajo vetëm ndërron duar, derisa të gjejë shpirtin që di ta lexojë.

 

Sarandë, Nëntor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page