Timo Mërkuri: LIBRI I NATASHA XHELILIT “PERDJA E MBRËMJES”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 26
- 6 min read

Nga Timo Mërkuri
Natasha Xhelili është dipllomuar në Gjuhë Letërsi dhe ka punuar për një kohë të gjatë dhe punon si mësuese në shkollën e Messme. Si e dipllomuar në Gjuhë Letërsi, por më tepër si mësuese i ka kushtuar një rëndësi të madhe kultivimit te nxënësit të mënyrës së shkruari me fjali me rrjedhshmëri llogjike e lineare, duke e pasuruar me elemente artristikë. Por Natasha Xhelili është një shkrimtare e talentuar e kohës së sotme e cila e shpreh krijimtarinë nëpërmjet një shumllojshmërie ligjëratash. Kjo pse përvoja e saj e punës dhe e krijimtarisë i kanë mësuar se ligjërata lineare , ndërsa shtjellon realitetin artistik, njëkohësisht është një pengesë në krijimin e një letërsie moderniste, që synon ligjëratën shumëkuptimore Vlen të kuptojmë se ligjërata letrare nuk kufizohet në një apo dy fjali; ajo mund të përbëhet nga një fjali, një paragraf apo edhe tërë teksti, në varësi të formës dhe funksionit të saj, pse ajo nënkupton mënyrën si strukturohet gjuha në një vepër letrare për të shprehur mendimet, ndjenjat dhe botëkuptimin artistik të autorit. Pra, është më shumë çështje stili, strukture dhe qëllimi, sesa çështje sasi fjalish. Ligjërata lineare të krijon një qiell “si tru idioti”, pa re, me një diell monoton që të përgjum, ndërkohë që ligjërata moderniste mbart me vete të “katër stinët” me më të bukurat e tyre. Ligjërata lineare e shprehur ndrysh mund të krahasohet me një spirancë anieje e hedhur, e cila e mban “anijen” letrare ne realizëm e tradicionalizëm, por në rastin e Natasha Xhelilit falë përvojës dhe talentit të saj , ajo shfaq një shkrim ku ndërthuren ligjërimi modernist me atë linear, duke dhënë një letërsi që nuk vuan nga monotonia, por që edhe modernizmin e ka shumë të kuptueshëm dhe nga lexuesi i zakonshëm. Unë me lejen tuaj do analizoj në këtë aspket dy tregime , për mos të zënë gjithë kohën e folësve të tjerë.
1.Tregimi “Kënga”nga Natasha Xhelili përdor dy mënyra të ndryshme të ligjëratës artistike: ligjëratën lineare tradicionale dhe ligjëratën moderniste. Këto dy forma në ndërthurje krijojnë kontraste artistike që thellojnë përjetimin emocional dhe psikologjik të personazhit kryesor. Le ti shohim secilën formë, me shembuj konkretë e shpjegimin e ndryshimeve artistike mes tyre:
a.Ligjërata lineare ndjek një rrjedhë të zakonshme, kronologjike, me rrëfim të jashtëm, objektiv të qartë për ngjarjet e përditshme. Përdoret në fillim dhe në disa pjesë të tjera të tregimit. Shembuj: "U zgjua nga disa të bërtitura që nuk dihej se nga vinin...","Hëngri diçka shpejt e shpejt dhe doli jashtë.","Hyri ngathët brenda dhe zuri vend pranë një oxhaku që kërciste nga drutë që digjeshin."
Karakteristikë e kësaj forme ligjërate është se: ajo ndjek rendin shkak-pasojë,ngjarjet rrëfehen në mënyrë realiste, përdoren fjali të drejta, me strukturë të qartë sintaksore, dhe fokusi është i jashtëm: veprimet dhe mjedisi.
b.Ligjërata moderniste është e brendshme, psikologjike, dhe përqendrohet në ndjesi, kujtimet dhe vetëdijen e personazhit. Kjo ndodh në ato raste kur tregimi hyn në botën e imagjinatës dhe kujtesës, duke përdorur shpesh teknikën e rrjedhës së ndërgjegjes dhe simbolikën.
Shembuj: "Në fakt ajo vinte nga brendësia e asaj bote bashkë me të. Ajo zgjaste dorën drejt tij duke e ftuar në vallëzim...","Dukeshin si krushq që krenoheshin dhe i thurnin lavde kësaj nuseje të adhuruar...","Aromë lirie ta pushtonte duke e futur thellë në këtë botë të njohur, po të fshehur në një cak të ndaluar prej tij."
Karakteristika e kësaj forme ligjërimi është se rrëfimi shpërndahet, kapërcen logjikën lineare. Përdoren metafora, simbole, personifikime, gjuhë poetike, ndërsa fokusi kalon brenda vetëdijes së personazhit dhe ndërthuren realiteti dhe imagjinata, zbulohet bota emocionale dhe mendimet intime.
Tregimi "Kënga" është një kombinim funksional i dy ligjëratave: ajo lineare i jep një strukturë rrëfimit, ndërsa ajo moderniste sjell thellim të ndjeshmërisë, përjetimit emocional e psikologjisë së personazhit. Kjo ndërthurje e bën tregimin më të thellë dhe artistikisht më të pasur.
2.Tregimi “Njollat e murrme” i Natasha Xhelili përdor ligjëratën e drejtpërdrejtë dhe ligjërata moderniste dhe konkretisht:
a. Në këtë tregim, përkundër prirjes së përgjithëshme moderniste dhe rrëfimit introspektiv, hasen segmente të qarta e të strukturuara në mënyrë lineare, me gjuhë të drejtpërdrejtë, pa dykuptimësi, që i shërbejnë shpjegimit të situatës dhe zhvillimit të ngjarjes në vijimësi logjike. Kjo formë e ligjëratës ndihmon për të vendosur lexuesin në një terren të kuptueshëm dhe konkret, para se tregimi të zhytet në thellësitë e psikikës apo në atmosferën simbolike. Këto ligjërata shfaqen në natyra të ndryshme si:
-Përshkrimi i ambientit konkret dhe vendimeve të personazhit: (Shembuj nga tregimi):
“I hodhi këmbët me vrull nga krevati dhe doli zbathur nga dhoma. Në fund të korridorit ishte një derë që të nxirrte në bodrum. Zbriti shkallët me nxitim.” Ky pasazh është ndërtuar me fjali të shkurtra, rend të zakonshëm sintaksor (kryefjalë-veprim-kundri-nor), pa figura stilistike. Përdorimi i foljeve të veprimit “hodhi”, “doli”, “ishte”, “zbriti” përforcon ndjenjën e realitetit konkret. Kjo është një ligjëratë rrëfimtare lineare që përcjell vetëm ngjarjen pa e mbushur me kuptime të fshehta.
-Përcaktimi i veprimeve të thjeshta dhe marrëdhënieve hapësinore: “Në ballë të bodrumit ishte një derë tjetër. E shtyu lehtë dhe hyri brenda.” Fjala “në ballë të bodrumit” është një tregues hapësinor i qartë. Veprimi “e shtyu derën dhe hyri” përshkruhet me një strukturë të zakonshme, të zakonshme për tregimin realist. Këto fjali nuk kërkojnë interpretim, s’janë metaforike, janë njëkuptimëshe dhe informuese.
-Reagimi i menjëhershëm dhe i shprehur hapur: “Martaaa!” – klithi me sa fuqi që kishte. Kjo është një ligjëratë e drejtpërdrejtë, në formë thirrjeje, që përfaqëson frikën dhe shqetësimin e menjëhershëm të personazhit. Lexuesi e kupton menjëherë situatën, nuk ka figurë stilistike, por një ndjenjë e ekspozuar drejtpërdrejt. Është një momenti dramatik i zbrazur në mënyrë të qartë dhe të pangatërrueshme.
-Veçoritë artistike të kësaj forme ligjërimi janë se i jep bazë të fortë realiste tregimit, i cili i paraprin kalimit në dimensionin e brendshëm apo simbolik, ndihmon për të orientuar lexuesin në hapësirë dhe kohë, ruhet një linearitet rrëfimor që e bën më të lehtë ndjekjen e ngjarjes dhe krijon një kontrast të qëllimshëm me pjesët introspektive apo surrealiste të tregimit, duke e theksuar ndarjen midis reales dhe të imagjinuarës.
Në përfundim, ligjërata lineare, e drejtpërdrejtë dhe njëkuptimëshe në tregim përbën bazën narrative klasike, mbi të cilën ngrihen pastaj shtresat e ndërgjegjegjësimit.
b.Ligjërata moderniste (ose e tërthortë subjektive) është e pranishmë në pjesën më të madhe të tregimit (dhe librit) ku zhvillohet përmes një forme moderniste të rrëfimit, një ligjëratë e tërthortë e subjektivizuar, që ndërthur mendimet, kujtimet dhe përjetimet e personazhit kryesor (Diana) me përshkrimin e ambientit dhe ngjarjeve. Kjo formë ligjërimi është karakteristike për letërsinë moderniste dhe shfaqet përmes:
-Ndërthurjes së realitetit dhe ëndrrës – “Diana zbrit në bodrum, por përfundon në një lëndinë me vajzën që qan”; kjo kalueshmëri e paqartë e përjetimeve shfaqet me një gjuhë introspektive dhe simbolike.
-Rrëfimit nga brenda mendjes së personazhit; Tregimi ndjek rrjedhën e ndërgjegjes së Dianës, përmes ndjesive, aromave, kujtimeve dhe lidhjes me të kaluarën.
-Elementeve të magjikes dhe simbolikes; vajza e vogël me të njëjtën shenjë në trup, xhuxhja me krahë zane, shpella e çuditshme me gjurmë prehistorike dhe mamuthi i zi, janë pjesë të një vizioni surreal që nuk kërkon shpjegim racional, por evokon përvoja të nënndërgjegjes.
-Veçori artistike të ligjëratës moderniste janë pse: rrëfimi është i fragmentarizuar dhe përshkuar nga ndjeshmëria individuale, përdor simbolikën e hapur për të shprehur ide universale (si kujtesa, trashëgimia, frika, e kaluara),nuk ka një ndarje të prerë midis reales dhe fantastikes, pasi ato rrjedhin bashkë për të shprehur psikologjinë e brendshme të personazhit dhe fryma retrospektive dhe kalimet kohore ndërtojnë një strukturë të lirë, jo lineare, që i shkon për shtat modernizmit.
Në përfundim, tregimi “Njollat e murrme” është një shembull ku ligjërata e drejtpër-drejtë dhe ligjërata moderniste ndërthuren për të krijuar një univers emocional, shpirtëror dhe simbolik. Nëse e para i jep ton (të lartë) dhe ngarkesë dramatike rrëfimit, e dyta e pasuron me thellësi përjetuese dhe hapësirë interpretimi. Dritat dhe hijet e realitetit zmadhohen përmes këtij rrëfimi që ngjason me një ëndërr të kujtimit.
Pa u zgjatur në tregime të tjera vlen të themi se Natasha ndërsa mjeshtërisht I ndërthurr dy format e ligjëratave, i kushton rëndësi më shumë ligjëratës moderniste, e cila në fakt i jep tonin librit të saj, por e veçantë e saj është natyrshmëria e ndërlidhjes së këtyre dy formave, sa që duhet të mendohesh pak më tepër për të parë kufijtë ndarrës të tyre. Kjo është falë talentit të saj, por ka ardhur koha që ta bëjë të plotë kapërcimin në modernizëm edhe në formën e të shkruarit. Ndërkohë përfitoj nga rasti ta uroj autoren për suksesin e arritur gjer më tani dhe shpreh besëimin se në vijim do shohim të ajo një shkrimtare moderniste që do flaës me fjalë shpirti.
Sarandë, 26.04.2025 në promovimin e librit “Perdja e mbrëmjes” nga Natasha Xhelili.
Comments