Timo Mërkuri: Dy poezi të një dhimbjeje
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 50 minutes ago
- 4 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia e Fatmir Terziut është një dritare e hapur mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme, mes dhembjes së atdheut dhe ftohtësisë së kohës moderne, mes kujtesës së rrënjëve dhe shkëputjes nga përditshmëria digjitale. Poezitë “Atdheun nga lajmet” dhe “Këputja nga ekrani” janë dy degë të së njëjtës pemë poetike: e para prek nostalgjinë dhe dhimbjen e rrënjëve, ndërsa e dyta sjell krizën e individit në një botë të virtualizuar, ku ekrani shndërrohet në kufi të shpirtit. Leximi i tyre na ofron një përjetim të thellë psikologjik, artistik e filozofik.
1. Dimensioni shpirtëror.
Në “Atdheun nga lajmet”, shpirti i poetit ndjen një dhimbje që buron nga largësia. Lajmet nuk janë thjesht fjalë të shkruara, por “tufë që pëshpërit në një gjuhë të tretë”, pra larg gjuhës së poetit dhe vendit të tij. Ky varg flet për shpirtin që nuk gjen dot më qartësi as në gjuhë, as në vend, sepse zëri i atdheut i vjen i huaj. Është një dhimbje që nuk shpërthen me britmë, por rrjedh si një pëshpëritje e zbehtë, si një vajtim së brendshmi, si një nisje logatje-je. Shpirti kërkon identitetin, por ndeshet me “njerëzit e zbehtë” e me “të huajt që kishin zëvendësuar në të huaj”. Kjo është plagë shpirtërore, që e bën poezinë një vajtim të heshtur për humbjen e rrënjëve. Kjo plagë është te emigrantët shqiptarë që nuk kërkojnë të kthehen në atdhe përsëri. Ndërsa ata flasin një gjuhë plot mall e dashuri, atdheu flitka një gjuhë tjetër, të ftohtë, si stalagmite akulli që të çpojnë në shpirt.
Në “Këputja nga ekrani”, shpirti i poetit është i mbërthyer nga ftohtësia moderne. Ftohtësia nuk është më e natyrës, por e ekraneve: “këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe”. Shpirti është bërë një gjethe e brishtë që bie pa tingull, pa aromë, vetëm nga pesha e boshësisë. Këtu shfaqet një përjetim i thellë i vetmisë së njeriut të sotëm, i cili e humbet lidhjen me ngrohtësinë njerëzore.
2. Dimensioni artistik.
Artistikisht, Terziu përdor një gjuhë të ngjeshur me figura, ku simboli bëhet udhëheqës. Në “Atdheun nga lajmet”, lajmet marrin formën e një libri të fshehtë: “lexonin skupe nga një libër i fshehtë”. Ky imazh poetik e kthen realitetin mediatik në një mister, një libër të mbyllur, që nuk i përket më njerëzve. Muret e fjalës që ngrihen në ajër dhe engjëlli i lodhur që mbledh meloditë e zogjve janë tablo poetike që përzihen mes reales e mistikes, duke dhënë një frymë simboliste.
Ndërsa “Këputja nga ekrani” mbështetet mbi kontrastin e thjeshtësisë dhe ironisë. Imaginata e frigoriferit në Gusht, për shembull, është një figurë absurde dhe groteske që e bën poezinë të mbajë nuanca postmoderniste. Por brenda këtij grotesku, ka një art të hollë të ironisë: ftohtësia që përjashton shpirtin dhe e redukton në “perceptime të kota të reve”. Poezia është një tablo e kohës digjitale, ku imazhet janë të ftohta dhe njerëzimi i humbur.
3. Dimensioni filozofik
Filozofia e “Atdheun nga lajmet” është filozofia e humbjes së rrënjëve. Njeriu që jeton larg atdheut e njeh vendin e tij vetëm përmes lajmeve, por ato lajme nuk sjellin dritë: ato janë të zbehta, të huaja, të largëta. Fjala që ndërton mure në hava është metafora e komunikimit që nuk bashkon, por ndan; është filozofia e një bote ku informacioni nuk afron, por e thellon hendekun mes njeriut dhe atdheut të tij.
“Këputja nga ekrani” ngre një pyetje filozofike mbi njeriun e kohës digjitale: a është ende i lirë, apo është thjesht një gjethe që këputet nga ekrani? Poezia flet për “dy gjendje, dy nivele, dy mendësi”, duke përshkruar krizën ekzistenciale të njeriut që nuk gjen dot më unitet. Kjo është filozofia e fragmentimit postmodern: njeriu nuk është më një i tërë, por i ndarë mes botës reale dhe asaj virtuale, mes trupit dhe shpirtit, mes sinqeritetit dhe ftohtësisë së teknologjisë.
4. Si konkluzion
Në fund, mund të themi se Fatmir Terziu, përmes “Atdheun nga lajmet” dhe “Këputja nga ekrani”, ngre një pasqyrë ku shfaqet dyfishtë drama e njeriut modern: drama e mërgimit dhe drama e shkëputjes nga vetja. Në njërën anë është dhimbja e mungesës së rrënjëve, ku lajmet e vendit kthehen në zëra të zbehtë që nuk e ushqejnë më shpirtin; në anën tjetër është ftohtësia e teknologjisë, ku ekrani kthehet në një mur të pakapërcyeshëm që e largon njeriun nga vetja dhe nga të tjerët.
“Atdheun nga lajmet” mund të lexohet si një poezi e frymëzuar nga modernizmi simbolik-ekspresionist, ndërsa “Këputja nga ekrani” i afrohet një postmodernizmi ironik dhe fragmentar.
Por pavarësisht dallimeve stilistike, të dyja bashkohen në një urë poetike që lidh dhimbjen e mërgimit me boshësinë e digjitalizimit, duke i dhënë lexuesit një përvojë shpirtërore, artistike dhe filozofike që mbetet gjatë në kujtesë.
Por unë dua t'i them Fatmir Terziut, mos u tremb nga kjo akullsi në mes të gushtit, kjo është një rrymë ajri e të foluri që erdhi nga larg. Atdheu flet vetëm me ngrohtësi shpirtërore, sepse, siç e di mirë t'i miku im, Atdheu është shpirti.
Sarandë, më 04. 09.2025
Do doja të kisha kulturën e dy zotërinjëve për t'u përgjigjur me komentin me fjalët e zgjedhura në lartësinë e duhur.
Krijimtarinë e Tij z.Fatmir Terziu e ka vënë në ndriçim të lexuesëve dhe lartësimin e Atdheut dhe bashkatdhetarëve të tij.
Urime Zotrinj!
E, natyrisht, pena e Timo Mërkurit prek majën dhe thelbin e Ajsbergut të diskursit analitik. Kjo, sepse, një analizë e mirë po aq natyrshëm nga pena e Mërkurit shkon, hulumton dhe kërkon të menduarit kritik, sintetizimin e ideve të ndryshme dhe gërshetimin e gjetjeve në një argument koherent, që e bën atë të jetë si i tillë në fakt. Ajo që shtron Timo Mërkuri, gjithnjë dhe prej disa kohësh tashmë, përfshin më shumë sesa përmbledhjen e hulumtimeve ekzistuese; është një përpjekje intelektuale për të zbuluar indin lidhës midis vargut të tërësisë, midis thelbit dhe aestetikës, midis ngjarjeve dhe për të eksploruar të vërtetën e rrëfimit poetik në shpirtin njerëzor dhe atë që shkon në thelbin e leximit apriori. Qëllimi i…