Timo Mërkuri: At’jon – kur biri bëhet at dhe dashuria përjetësi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 9 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia “At’jon” e Visar Zhitit është një faqe e ndritura e dhembshme e poezisë shqipe moderne. Ajo i kushtohet birit të poetit, ardhjes së tij në jetë, që e pagëzuan me emrin Atjon, që do të thotë në shqipen e vjetër Ati ynë, me idenë se fëmijët tanë janë dhe etërit tanë, e ardhmja jonë që do të na rritë dhe ne.
Kjo poezi në thelb është një himn për jetën, një lutje dhe një bekim. Në të vërtetë, çdo varg duket si një rrugëtim i shpirtit nga toka e të gjithëve me hirin e dhimbjes drejt dritës së përjetësisë, në lindjen e re të dashurisë.
Poezia nuk ka datë të saktë se kur është shkruar, pra duket sikur i takon çdo dite, por bazuar te fryma e saj kuptojmë një tis sado i lehtë hijeje trishtimi. Nga e ardhmja, nga e panjohura?
E përfshirë në librin e Zhitit “Thesaret e frikës”, botuar në Tiranë në 2005, dëshmon natyrën e Zhitit si poet që këndon jetës edhe në zgripin e saj, duke i kthyer jo vetëm gëzimet, por edhe dhimbjet në dritë dhe ikjet në përjetësi.
1.Nga pikëpamja estetike, kjo poezi i qaset simbolizmit modernist, për shkak të gjuhës së saj të mbushur me simbole; biri si at, fytyra si ikonë, heshtja si limfë ,që bartin kuptime të shumëfishta dhe i japin vargut një dimension metafizik. Po ashtu, në poezi ndihet edhe fryma e ekspresionizmit, sidomos në ngarkesën emocionale që përcillet në mënyrë të fuqishme. Por kjo poezia ka qasje dhe me realizmin magjik dhe të tri këto rryma i japin poezisë ngjyrimet e tyre. Ato nuk e përjashtojnë njera tjetërn, përkundrazi ato bashkpunojnë me njera tjetrën për të krijuar njuë poezi shumplanëshe dhe konkretisht:
a.Simbolizmi shfaqet te vargjet ku fjala ngrihet mbi realen dhe bëhet shenjë e së fshehtës, p.sh. “ikonën e gjallë të fytyrës tënde / mbaj me aureolën e shpirtit tim përreth.” Këtu dashuria nuk është thjesht ndjenjë, por simbol i sakralitetit dhe i përjetësisë.
b.Ekspresionizmi pulson te vargjet ku poeti shpërthen emocionalisht, ku fjala është e ngarkuar me dridhje të brendshme, si një britmë e shpirtit: “Biri im! Ati im!”Në këtë thirrje, e cila është njëkohësisht britmë dhe bekim, poeti shemb kufirin mes brezave dhe i jep dashurisë një përjetësi që nuk njeh as kohë, as hierarki. Ky ton i vrullshëm, shpesh i dhimbshëm e i tejngopur me ndjenja, është tipik i ekspresionizmit.
c.Realizmi magjik hyn aty ku imazhet e pamundura përmbysen e bëhen natyrshme: “Dita e parë buzëqeshi me sytë e tu” ose “Ati ynë që je në qiell / si zbrite ashtu në të kundërt / me moshën e reve dhe të lisave.” Këto skena magjike përshkruhen pa e humbur thjeshtësinë, sikur të ishin përditshmëri.Pra, në këtë poezi kemi një tridimensi-on poetik ku: simboli ngre kuptime të tjera; ekspresioni jep ngarkesën shpirtërore dhe magjikja e shkrin të pamundurën në natyrshmëri. Së bashku, ato krijojnë një poezi që është njëkohësisht e ndjerë, e thellë dhe e tejdukshme, ku dashuria at-bir sakralizohet, shen-drohet në shumë gjuhë njëherësh.
Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme: Visar Zhiti e ka parë gjithmonë poezinë si një urë për të kapërcyer kufijtë e dhimbjes, për ta kthyer jetën dhe humbjen në një hapësirë gëzimesh, ku arti bëhet lutje dhe ngushëllim. Ai e ka dëshmuar këtë jo vetëm në një poezi, por në një seri krijimesh ku fjala shndërrohet në dritë, edhe kur buron nga terri.
Në këtë dritë duhet parë dhe portreti i Zhitit: një poet që kaloi burgjet e diktaturës pa ia mbyllur dyert shpirtit; një njeri që di të shohë yje edhe kur qielli është i mbuluar; një baba që sheh nga e ardhmja dhe qielli, thërret lumturinë e lindjes dhe dhimbjen e kthen në bekim poetik. At’jon është pikërisht kjo; lutja e tij e dyfishtë, e lindur si britmë e zemrës dhe si këngë e shpirtit krijues, ku fjala merr trajtën e shenjtërimit dhe të përjetësisë.
2. Leximi artistik i poezisë.
Në leximin artistik, “At’jon” është një poezi që i ngjan një psalmi, një lutjeje të re, të krijuar nga një zemër njerëzore. Qysh në fillim, ajo fillon si një dialog me hyjnoren:
“Ati Ynë
që je në qiell
si zbrite ashtu në të kundër
me moshën e reve dhe të lisave…”
Vargu të befason me tingëllimin biblik, por përmes tij fëmija shfaqet si dhuratë e qiellit, i ardhur me “ylberë e kumtesh hyjnore.” Poezia ndërtohet mbi një vizion ku qiellorja zbret në tokë dhe e bën të qeshë ditën e parë të jetës. Metaforat janë të pastra, të mbushura me ngjyra dhe me muzikë të brendshme.
Figura qendrore e poezisë është dyfishimi: biri si at. Në vargjet:
“Biri im
dhe Ati im që më lind sërish
për të vazhduar përsosjen e botës…”
kemi një përmbysje të “hierarkive” të zakonshme. Poeti rilind shpirtërisht përmes të birit, i cili bëhet udhërrëfyes i tij, duke i dhënë kuptim të ri botës dhe jetës. Ky është momenti ku poezia merr një dimension mistik dhe metafizik.
Natyrës i jepet gjuhë poetike: “gjurmët,” “limfa,” “himnet e tokës” që ngjiten brenda poetit dhe e lidhin me universin përmes trupit të djalit. Në fund, biri shfaqet si ikonë e gjallë, i rrethuar me aureolën e shpirtit të të atit:
“Ikonën e gjallë të fytyrës tënde
mbaj me aureolën
e shpirtit tim përreth.”
Këtu shfaqet forca e artit të Zhitit: ai arrin ta bëjë fytyrën e të birit ikonë të përjetshme, një fytyrë që nuk shuhet, por ndriçon brenda shpirtit të babait.
3.Qasja me realizmin magjik.
Kemi thënë se Visar Zhiti është ndër të paktët poetë modernist shqiptarë që në krijimet e tij poetike sjell elemente apo qasje të realizmit magjik. Kështu m vargjet : “Ati Ynë/që je në qiell/si zbrite ashtu në të kundër/ me moshën e reve dhe të lisave…” mund të lexohen edhe në një qasje me realizmin magjik, jo në kuptimin klasik të tij siç e gjejmë te Márquez apo Borges, por në mënyrën se si ai e ndërthur realitetin e prekshëm me një dimension metafizik, duke i shkrirë të dyja në një frymë poetike që duket natyrshme.
Shprehja “Ati ynë/ që je në qiell” nis me thjeshtësinë e një lutjeje të njohur, e rrënjosur në përditshmërinë shpirtërore të njeriut. Por menjëherë pas saj, vargu merr kthesë: “si zbrite ashtu në të kundërt/ me moshën e reve dhe të lisave.” ku poeti shndërron ligjin natyror të moshës dhe të rritjes në një metaforë që i përket një bote tjetër, një bote ku Ati zbret në tokë dhe mosha i tij “llogaritet” jo me vitet njerëzore, por me kohën e reve dhe të lisave, me përjetësinë e natyrës. Kjo përmbysje e së zakonshmes është thelbi i realizmit magjik: të thuash gjëra të pamundura si të ishin të vetëkuptueshme, të shfaqësh mrekullinë brenda reales.
Në këtë fragment, Zhiti nuk i trajton jetët e tjera qiellore si një mister të largët, por si një përqafim të përditshëm, ku Ati dhe Biri takohen në një logjikë tjetër, të shpirtit, jo vetëm të trupit. Qielli dhe toka nuk janë më dy skaje të ndara, por komunikojnë natyrshëm, si dy dhoma të së njëjtës shtëpi. Ky natyralizim i së mbinatyrshmes, ky bashkim i reales me metafiziken, është pikërisht fryma e realizmit magjik.
Në të vërtetë, këtu nuk kemi thjesht një lojë poetike me simbole. Kemi një përpjekje për të dhënë një portret të jetës dhe të dashurisë që vazhdon përtej kufijve fizikë. Ati nuk matet me orën e njeriut, por me orën e lisit, nuk matet me rënien e flokëve, por me ecjen e reve. Dhe ky përfytyrim, i pabesueshëm në logjikën e zakonshme, bëhet i besueshëm për shkak të thjeshtësisë dhe pastërtisë me të cilën është thënë.
Poezia ka edhe vargje të tjera ku gjejmë frymë të dukshme që mund t’i qasemi me syrin e realizmit magjik, sepse Visar Zhiti i jep figurës së birit dhe të atit një jetë që tejkalon kufijtë e realitetit dhe hyn në një hapësirë të shenjtë, por e bën këtë në mënyrë krejt natyrshme, sikur të ishte gjëja më e zakonshme. Ja disa prej këtyre vargjeve:
a. Vargjet: “Dita e parë / buzëqeshi me sytë e tu / dhe i bëri buzë të saj.” ka qasje me realizmin magjik pse këtu, dita, një nocion abstrakt e kozmik, merr tipare njerëzore, fytyrë dhe buzëqeshje. Ajo hyn në marrëdhënie intime me foshnjën, duke u bërë si një nënë që gjen veten tek fëmija. Ky është një përshkrim tipik i realizmit magjik: e përditshmja (dita) merr frymë dhe bëhet pjesë e një loje njerëzore, por pa humbur madhështinë e saj kozmike.
b.Te vargjet: “Biri im / dhe Ati im që më lind sërish / për të vazhduar përsosjen e botës.”shfaqet njëpërmbysje e marrëdhënies biologjike; ku biri bëhet At dhe kjo është një lojë me ligjet e ekzistencës. Është një kthim në ciklin e jetës, ku lindja dhe rilindja nuk kanë drejtim të vetëm, por ndodhin në të dyja anët. Përshkruar në këtë mënyrë, duket e natyrshme, sikur rendi i gjërave ka qenë gjithmonë i tillë. Pikërisht kjo natyrshmëri e të pamundurës është shenjë e realizmit magjik.
c. “Burojnë himne nga toka, / ngjiten brenda meje / dhe unë hap udhën për tek yjet / nëpër kurmin tënd.”shkruan poeti dhe ne na duket sikur ecim në një botë magjike pse këtu toka është burim i muzikës së shenjtë, himnet ngjiten brenda trupit të poetit dhe udha për tek yjet hapet përmes trupit të të birit. Është një vizion i jashtëzako-nshëm ku bota, qielli dhe njeriu janë një organizëm i vetëm, dhe udhëtimi drejt yjeve bëhet përmes dashurisë at-bir. Ky bashkim i kozmosit me jetën njerëzore është një tjetër tipar i realizmit magjik.
ç. Me vargjet:“Ikonën e gjallë të fytyrës tënde / mbaj me aureolën / e shpirtit tim përreth.” Poetik na shpie në një botë magjish pse një ikonë, zakonisht është e pikturuar dhe statike, në një vend, e palëvizëshme,ndërsa këtu është e gjallë dhe rrethohet nga aureola e shpirtit të poetit. Pra ndjejmë sakralizimin e dashurisë at-bir, shndrimin e kësaj dashurie në një gjë të shenjtëqë kapërcen kufijtë e artit dhe religjiozes për të hyrë në jetën e përditshme. Një ikonë që merr frymë është një figurë e qartë me frymë magjike. Këtu shohim se gjithë poezia ka rrënjë të thella në realizmin magjik: zhvendos realitetin në një tjetër plan, ku qielli, toka, dita, yjet dhe njeriu flasin të njëjtën gjuhë, dhe kjo bëhet e besueshme falë zërit të thjeshtë, të qetë e të dashur të poetit.
4. Leximi filozofik.
Në rrafshin filozofik, poezia përthith pyetjet e mëdha mbi jetën, mosvdekjen, dashurinë dhe përjetësinë. Ajo ngre një ide thelbësore: jeta nuk është një vijë e drejtë që shkon nga prindi tek fëmija, por një qarkullim i ndërsjellë. Biri lind atin, po aq sa ati lind birin. Kjo marrëdhënie e kthyer është thelbi i përjetësisë njerëzore. Vargjet:
“Të ecësh pas gjurmëve të tjera -
nuk lë gjurmë. Të ëndërrosh - je Zoti,
kur të mësosh, je lypës.”
janë një formulim filozofik mbi ekzistencën. Në to ëndrra ngrihet mbi dijen si akt hyjnor, ndërsa kërkimi i mësimit shihet si përulje. Ky dualitet e shenjon jetën si një udhë ku njeriu është gjithmonë në kufirin mes Zotit dhe lypësit, mes dritës e përulësisë.
Një tjetër çelës filozofik është gjuha e heshtjes:
“Ta kuptojmë gjuhën e gjërave, heshtjen e tyre
si një limfë.”
Kjo është filozofia e poetit: kuptimi i jetës nuk qëndron vetëm në fjalë, por edhe në heshtje, në atë substancë të padukshme që rrjedh si limfë dhe mban gjallë gjithçka. Heshtja, në këtë poezi, nuk është mungesë fjale, por fjala e përmbajtur e universit, që i flet njeriut nëpër damarët e vetë jetës. Përmes heshtjes, biri flet më shumë se sa me fjalë.
Poezia mbyllet me një thirrje që është njëkohësisht lutje dhe besim:
“Jepma dorën, bekomë!
Biri im! Ati im!”
Ky varg është pika e kulmit filozofik: dorë që jep bekim, dorë që lidh botët, dorë që sjell kuptim, besim dhe forcë. Kushdo që e ka ndjerë këtë në lindjen e fëmijës së parë (jo vetëm djalë) e ndjen dhe përjeton magjishëm këtë moment të poezisë dhe kthen sytë nga fëmija i tij, duke buzëqeshur me miratim të vargut dhe duke ju gëzuar fëmijës.
5.Poezia“At’jon” është një himn i jetës dhe dashurisë që nuk shuhet, një poezi ku biri bëhet at, ku vazhdimësia shndërrohet në bekim, ku ikja mbetet përjetim i pashuar.
Visar Zhiti, si poet, na jep një shembull të rrallë në gjithë krijimtarinë e tij: ai nuk e lë dhimbjen ta pushtojë, por e kthen atë në poezi, në lutje, në art. Ai është poet i burgut dhe i lirisë, i dhimbjes dhe i dritës, poet i cili di të këndojë jetën edhe atëherë kur ajo i është gremisur në zemër. Ndaj themi se vargu i tij mbetet një testament poetik dhe njerëzor: “Biri im! Ati im!” pse në këtë thirrje është përjetësia e dashurisë njerëzore.
Ndaj themi se ‘At’jon’ nuk është thjesht një poezi për birin, por një ungjill i vogël për dashurinë njerëzore, ku Ati bëhet Biri dhe Biri bëhet Ati, duke e kthyer jetën në një rreth të shenjtë që s’ka fillim e as mbarim.
Sarandë, më 3 shtator 2025

AT’JON
Ati Ynë
që je në qiell
si zbrite ashtu në të kundër
me moshën e reve dhe të lisave
dhe erdhe këtu gjithë shi ngazëllimesh,
yjesh dhe ylberësh dhe kumtesh hyjnore
për t’u bërë foshnjë prapë?
Dita e parë
buzëqeshi me sytë e tu
dhe i bëri buzë të saj. (Vështron
me gojën tënde jeta ime tani. Dhe
sytë prandaj flasin.)
Biri im
dhe Ati im që më lind sërish
për të vazhduar përsosjen e botës,
zbutjen e bukur të kafshëve të saj,
që nuk bëhet më me kamxhik,
që edhe ne
pastaj të jemi sa ato të natyrshëm
me veten dhe botën.
Të ecësh pas gjurmëve të tjera -
nuk lë gjurmë. Të ëndërrosh - je Zoti,
kur të mësosh, je lypës.
Ta kuptojmë gjuhën e gjërave, heshtjen e tyre
si një limfë.
Burojnë himne nga toka,
ngjiten brenda meje
dhe unë hap udhën për tek yjet
nëpër kurmin tënd.
Ikonën e gjallë të fytyrës tënde
mbaj me aureolën
e shpirtit tim përreth.
Jepma dorën, bekomë!
Biri im! Ati im!
Visar Zhiti.
Nga libri “Thesaret e frikës”, Tiranë 2005
Comments