top of page

Timo Mërkuri: AMAZONË PREJ REJE E ARMELA HYSIT



Nga Timo Mërkuri

Feminiteti i vërtetë nuk shuhet me moshën. Ai nuk varet nga vitet, nga fuqia trupore apo nga rolet që jeta i ngarkon gruas. Ai mbetet i ngulitur në shpirt si një ndjeshmëri e përhershme, aftësi për të ndier më thellë se sa për të mbijetuar. Femra që duket e fortë fizikisht shpesh ruan brishtësinë në thelb të saj; sa më shumë që qëndron përballë jetës, aq më e hollë bëhet nga brenda – dhe pikërisht kjo e bën të vërtetë.

Poezitë e vëllimit Amazonë prej reje pasqyrojnë këtë feminitet të pandryshueshëm nga çiltërsia. Ato burojnë nga një shpirt i hapur, pothuaj fëmijëror, që i beson botës edhe kur ajo lëndon. Poetja e përshkruan ekzistencën si një lojë amazonash: të reja, të shkathta, të bukura, luftëtare që fitojnë, por fitoret e tyre nuk janë kurrë të papërkulura; ato dhembin. Këto amazona jetojnë në një shoqëri femrash ku mungesa e mashkullit nuk është triumf, por zbrazëti. Në poezinë e Armelës, forca trupore nuk mbron nga plagët e shpirtit: ato nuk bien nga shpatat apo shigjetat, por nga fjala, gjesti i munguar ose zhgënjimi i vogël që prek thellë.

Janë “prej reje”: të dukshme e të fuqishme nga larg, por të ndjeshme ndaj çdo prekje, çdo moskuptimi. Dhe pikërisht në këtë shpërbërje qëndron bukuria e poezisë – jo si dobësi, por si sinqeritet; si dëshmi e një gruaje që nuk heq dorë nga ndjeshmëria, edhe kur ajo dhemb.

I- Kështu, “Amazonë prej reje” nuk është vetëm titull libri. Është një gjendje shpirtërore, një mënyrë të qenuri grua: e fortë në ecje, e brishtë në ndjenjë, me shpirt të çiltër e të pastër si fëmijë, që ende beson se loja ia vlen, edhe kur plagët nuk vijnë nga armët, por nga fjala njerëzore.

1. Amazonë prej reje – forca që pranon brishtësinë


Në titullin “Amazonë prej reje”, Armela Hysi vendos përballë dy nocione që zakonisht përjashtojnë njëri-tjetrin. Amazonia është figurë force, vendosmërie dhe qëndrese. Reja, përkundrazi, është e paqëndrueshme, e përkohshme, e prekshme nga çdo erë. Ky bashkim nuk krijon kontradiktë, por një identitet të ri poetik: forcën që e di se mund të shpërbëhet. Kjo vetëdije shfaqet në disa poezi, ku subjekti lirik e përkufizon veten si gjendje, jo si trup i fortë:

Jam veç ajër i ngjeshur me impulse idesh,

në një lëkurë të mrekullueshme

e flokë kurorë.

Shpërbëhem, të më prekësh me dorë.”

(Njeriu që jam më sheh me sy prej shiu, f. 16)

E njëjta ide e shpërbërjes rikthehet në një poezi tjetër, më e dhunshme dhe më trupore, ku brishtësia shndërrohet në frikë ekzistenciale sit e poezia Mankth, (f. 40). Amazona nuk bie në betejë, por përballet me kufijtë e vetvetes, me ndjesinë se trupi dhe mendja nuk janë më një e tërë dhe reja nuk është metaforë zbukurimi, por gjendje ontologjike.

2. Fëmijëria dhe shkathtësia e hershme si burim i Amazonës

Amazonia prej reje nuk lind në moshë madhore. Ajo formohet që në fëmijëri, në lojë, në imagjinatë, në një energji që nuk njeh ende frikën. Kjo fazë shfaqet në libër si një kohë e lirë, e lëvizshme, e hapur ndaj botës, ku reja bëhet dëshirë:

“Të isha re…

…Jeta ime, kjo dasëm shtëllunge.

Të isha re!”

(Retë…, f. 9)

Reja këtu është ëndërr fëmije, por edhe mënyrë për t’u larguar nga pesha e tokës. E njëjta gjendje naive, por e shkathtë, shfaqet edhe në poezi ku kujtesa e fëmijërisë ruhet si territor i paprekur:

“Turiçkat e fëmijës me perlëza të ndritshme

qumështore, lagen.”

(Mëkim, f. 37)

Kjo është Amazona para se të ndeshet me zhgënjimin: e pastër, e gjallë, instinktive. Një forcë që ende nuk e di sa e brishtë është.

3. Femërorja si ndjeshmëri e skajshme

Në këtë vëllim, femërorja nuk paraqitet si rol shoqëror, por si përjetim i brendshëm. Amazona prej reje është grua që ndjen shumë, që beson, që hapet ndaj tjetrit. Pikërisht kjo e bën të pambrojtur, dhe kjo hollësi e lëndon edhe nga goditja e fjalëve.

Në një poezi ku dashuria dhe humbja ndërthuren, subjekti lirik e pranon këtë ekspozim emocional: “Mbi trupin tënd të brishtë, në çastet intime

 

                        të dhimbjes vajzërore.”

                         (Një të panjohure të njohur, f. 34)

Në këto dy vargje, ndjenjat shpalosen si tela kitare të këputura, që tingëllojnë dhimbjen e sinqertë dhe të pakuptueshme pse ndodhi. Në një tjetër poezi, brishtësia lidhet drejtpërdrejt me besimin tek tjetri dhe njerëzillëku:

“Njeriu, me mish e me gjak, është i krijuar

nga një univers i tërë dashurie.”

(Epilog, f. 42)

Amazona prej reje nuk mbijeton duke u mbyllur, por duke besuar. Humbja ndodh pikërisht aty ku besimi thyhet.

4. Poezia e pashkruar ose reja që humbet

Fakti që shprehja “amazonë prej reje” shfaqet në poezinë e fundit të librit është thelbësor. Ajo nuk i përket vetëm autores, por edhe vetë poezisë, duke i dhënë vëllimit një nuancë postmoderniste. Frymëzimi vjen si re, mbush qiellin e brendshëm, por jo gjithnjë arrin të ngjizet në varg:

U vërtit si amazonë prej reje

në ngjyrë dheu të sapopluguar.”

(Poezi për poezinë e pashkruar, f. 67)

Diku më herët, kjo humbje e magjisë paralajmërohet: “Magjia nuk bën më efekt.” (Rreshta të mëparshëm, f. 44) Reja këtu është frymëzim që ikën, poezi që nuk shkruhet, por lë pas një zbrazëti fisnike.

Titulli “Amazonë prej reje” përkufizon thellësisht subjektin poetik të Armelës Hysi: një grua e fortë në impulse, por e brishtë në shpirt; një vajzë që vrapoi si djemtë, por ndjehet më fort se ata; një poete që beson te magjia e fjalës, edhe kur ajo shpërbëhet. Ashtu si retë që fëmijët shohin në qiell dhe i parafytyrojnë si forma njerëzish, kafshësh apo anijesh, edhe kjo Amazonë ndryshon vazhdimisht trajtë, por për sa kohë mbetet në lëvizje, ajo është e gjallë.

II. Delikatesa e figurave artistike ose forca që nuk rëndon

Në poezitë e “Amazonë prej reje”, figurat artistike nuk ndërtohen për të impresionuar, por për të marrë frymë. Ato nuk janë të rënda, nuk kanë konture të mprehta, nuk imponohen me zë të lartë. Janë figura që vijnë si re të ulëta, që kalojnë ngadalë mbi mendimin dhe e lagin atë me ndjeshmëri. Kjo delikatesë nuk është zgjedhje estetike e rastësishme, por mënyra se si subjekti poetik ekziston në botë. Amazonat e Armelës nuk mbajnë armë prej hekuri. Ato mbajnë figura të buta: ajër, frymë, shpërbërje, ndjesi. Metaforat nuk ngrihen si mure, por si perde të holla që dridhen nga era e brendshme. Në këtë poezi, forca nuk qëndron te qëndrueshmëria, por te pranimi i paqëndrueshmërisë.

Një nga figurat më domethënëse është reja, e cila nuk është thjesht element natyre, por simbol i një identiteti që nuk pranon të ngurtësohet. Reja nuk ka formë të përhershme, por ka prani. Ashtu si subjekti lirik: i dukshëm, i ndjeshëm, por i pambrojtur ndaj prekjes.

Kjo ide shprehet qartë në vargje ku trupi nuk përkufizohet si masë, por si gjendje ajri te poezia “Njeriu që jam më sheh me sy prej shiu”( f. 16)ku subjekti poetik nuk e përjeton trupin si masë apo si mburojë, por si ndjeshmëri të kondensuar, ku edhe prekja, akt zakonisht afrues, kthehet në rrezik shpërbërjeje. Amazonia prej reje nuk thyhet nga dhuna, por nga kontakti.

E njëjta delikatesë merr përmasa më të errëta në poezi të tjera, ku shpërbërja nuk është më vetëm figurë e bukur, por frikë ekzistenciale. Trupi fillon të copëtohet jo nga jashtë, por nga brenda, si të ishte vetë mendimi ai që e gërryen:“Shpërbëhem: pas dhëmbëve /radha i vjen gishtave./Dhe gjoksit. Dhe veshëve.” (Mankth, f. 40) Këtu figura artistike nuk ka asgjë dekorative. Ajo është e zhveshur, gati e dhimbshme. Shpërbërja bëhet proces, jo metaforë e largët. Amazonia nuk bie në betejë, por në vetvete. Reja nuk është më ëndërr, por mënyrë për të treguar se sa i brishtë është kufiri mes qenies dhe humbjes së saj.

Delikatesa e figurave shfaqet edhe në mënyrën si poezia i afrohet fëmijërisë. Ajo nuk idealizohet, por ruhet si hapësirë e pastër, ku ndjeshmëria nuk është ende e plagosur. Edhe këtu reja mbetet simbol i lirisë dhe lojës: “Të isha re…/…Jeta ime, kjo dasëm shtëllunge./Të isha re!”(Retë…, f. 9) Kjo është Amazona para betejës, para zhgënjimit. Një qenie që lëviz, që fluturon, që nuk e njeh ende peshën e tokës. Figura është e thjeshtë, por e hapur, si një dritare nga e cila hyn ajër i freskët.

Në këtë mënyrë, figurat artistike në “Amazonë prej reje” nuk shërbejnë për të ndërtuar një botë të fortë, por për të ruajtur një botë të ndjeshme. Ato janë delikate sepse edhe vetë subjekti është i tillë. Dhe kjo delikatesë nuk është dobësi, por zgjedhje etike: të mos ngurtësohesh, të mos bëhesh gur, edhe kur jeta kërkon armaturë.

Në thelb, ndjejmë dhe përjetojmë se delikatesa e figurave artistike është themelore për figurën e Amazonës prej reje. Ajo nuk lufton duke u fortifikuar, por duke mbetur e hapur, pa pancir të veshur e pa mburojë hekuri në dorë. Metaforat e ajrit, resë dhe shpërbërjes e bëjnë poezinë të duket e lehtë, por e mbajnë të ngarkuar me peshë emocionale. Si një re që duket e butë, por mbart brenda saj shiun.

III. Amazonat prej reje ose forca që e di se do të plagoset

Në këtë vëllim, Amazonat nuk janë thjesht trashëgimi mitike. Ato janë mënyrë e qenuri në botë. Janë gra që ecin përpara me bindjen se forca ekziston, por edhe me vetëdijen se ajo nuk i mbron nga gjithçka. Amazona prej reje nuk jeton në iluzion. Ajo e di që çdo hap përpara e afron edhe me plagën.

Këtu qëndron dimensioni filozofik i librit. Subjekti poetik nuk kërkon të shmangë dhimbjen. Ai nuk ndërton mburoja morale, as distancë ironike. Përkundrazi, zgjedh të qëndrojë i hapur. Të besojë. Dhe kjo zgjedhje është akt i vetëdijshëm, jo naivitet.

Në shumë poezi, jeta përjetohet si përballje e vazhdueshme me tjetrin. Jo me armë, por me ndjenja. Fjala, heshtja, mungesa bëhen forma të dhunës së padukshme. Amazona nuk bie sepse është e dobët, por sepse është e ndjeshme. Kjo ndjeshmëri shfaqet si ekspozim i plotë emocional, sidomos në raportin me dashurinë. Trupi femëror nuk mbrohet, por dorëzohet, duke e ditur se dorëzimi ka kosto:“Mbi trupin tënd të brishtë, në çastet intime/të dhimbjes vajzërore.”(Një të panjohure të njohur, f. 34) Këtu nuk kemi erotikë, por cenueshmëri. Dhimbja nuk është aksident, por pjesë e përjetimit. Amazona nuk kërkon të dalë fitimtare nga marrëdhënia. Ajo kërkon të jetë e vërtetë.

Filozofia e këtij vëllimi nuk ndërtohet mbi idenë e triumfit. Përkundrazi, ajo pranon humbjen si pjesë të jetës. Amazonat prej reje janë qenie që jetojnë në kufi: mes shpresës dhe zhgënjimit, mes besimit dhe thyerjes së tij. Dhe ky kufi nuk është vend i dobët, por vend i vetëdijes. Kjo qasje bëhet edhe më e qartë në vargje ku njeriu shihet si qenie e ndërtuar mbi dashurinë, jo mbi forcën: “Njeriu, me mish e me gjak, është i krijuar/nga një univers i tërë dashurie.”(Epilog, f. 42) Ky varg është pothuaj një deklaratë filozofike. Ai e përmbys idenë klasike të forcës. Njeriu nuk është i fortë sepse duron, por sepse ndjen. Dhe pikërisht këtu “Amazona prej reje” e gjen kuptimin e saj më të thellë: si figurë e një ekzistence që nuk heq dorë nga ndjeshmëria, edhe kur ajo dhemb.

Amazonat e këtij libri nuk vriten në betejë. Ato lodhen, plagosen nga mosmirënjohja, nga ftohtësia, nga fjala që mungon ose që vjen gabimisht. Armët që i rrëzojnë nuk janë shigjetat, por zhgënjimet e vogla, të përsëritura, ato që gërryejnë ngadalë.

Si figurë filozofike, “Amazona prej reje” përfaqëson njeriun që zgjedh të besojë, edhe pse e di ose e ndjen se do të lëndohet. Është forca që nuk e mohon brishtësinë, por e pranon si pjesë të qenies. Në këtë vëllim, të jesh i fortë nuk do të thotë të mos thyhesh, por të mos mbyllesh. Dhe kjo është një nga idetë më të heshtura, por edhe më të thella të poezisë së Armela Hysi.

IV. Qasja moderniste; subjekti që shpërndahet si re

Modernizmi i “Amazonë prej reje” nuk është shpallje estetike, as thyerje e zhurmshme e formës. Ai është i brendshëm, i heshtur, pothuaj i padukshëm. Si reja që nuk bën zhurmë kur lëviz, por ndryshon qiellin. Poezia këtu nuk ndërtohet si rrëfim i plotë, por si fragment ndjenje, si copëz mendimi që nuk kërkon të mbyllet.

Subjekti lirik nuk ka një identitet të qëndrueshëm. Ai shpërndahet nga poezi në poezi, ndryshon formë, zëra, gjendje. Nuk ka një “unë” dominues, por shumë “unë” të vegjël, të përkohshëm, që shfaqen dhe treten. Kjo është thelbësisht moderniste: identiteti nuk është një, por i shumëfishtë dhe i lëvizshëm.

“Amazonia prej reje” është figurë moderne sepse nuk ka heroizëm klasik. Nuk ka fitore përfundimtare, nuk ka mbyllje morale. Edhe kur duket se poezia gjen një përfundim, ai mbetet i hapur, si një fjali e lënë pezull.

Kjo shpërndarje e subjektit shihet qartë në poezi ku trupi dhe mendimi nuk përkojnë më, ku vetja nuk është një e tërë, por një seri ndjesish të copëzuara: “Shpërbëhem: pas dhëmbëve/radha i vjen gishtave.” (Mankth, f. 40) Kjo shpërndarje e vetes, kjo pamundësi për ta përjetuar identitetin si një njësi e qëndrueshme, është një tipar thelbësisht modernist i këtij vëllimi Amazona nuk qëndron e ngritur mbi veten, por e vëzhgon veten duke u shpërbërë (si reja). Dhe ky vëzhgim është akt vetëdijeje.

Një tjetër tipar modernist është poezia që flet për pamundësinë e poezisë. Në këtë vëllim, fjala nuk është gjithmonë e sigurt për veten. Ajo mund të dështojë, të humbasë, të mos arrijë të kapë frymën e frymëzimit. Kjo ide kulmon te poezia e fundit, ku Amazonia shfaqet si figurë e frymëzimit që nuk mbahet dot: “U vërtit si amazonë prej reje/në ngjyrë dheu të sapopluguar.”(Poezi për poezinë e pashkruar, f. 67) Këtu Amazona nuk është më grua, as mit. Ajo është vetë poezia. Vjen, rrotullohet, mbush hapësirën me premtim, por nuk ngulitet. Është frymëzim që prek tokën, por nuk rrënjoset. Një figurë thellësisht moderniste, sepse pranon humbjen si pjesë të krijimit.

Edhe më herët, kjo humbje paralajmërohet me një fjali të thjeshtë, thuajse të ftohtë, që e zhvesh poezinë nga iluzioni i saj: “Magjia nuk bën më efekt.”(Rrjeshta të mëparshme në një poezi të re, f. 44) Nuk ka dramë këtu, ka vetëm pranim. Dhe ky pranim është modernizëm i pastër: poezia e di kufirin e vet.

“Amazonat prej reje”, në këtë kontekst, janë subjekte që jetojnë në fragment, në përkohshmëri, në ndarje të brendshme. Ato nuk kërkojnë unitet, por e pranojnë shpërndarjen si mënyrë ekzistence. Dhe pikërisht kjo e bën poezinë të hapur, bashkëkohore dhe të sinqertë.

IV. Trupi femëror dhe fjala ose plaga që nuk vjen nga arma

Në “Amazonë prej reje”, trupi femëror nuk është hapësirë triumfi, as objekt vështrimi. Ai është vend përjetimi. Një territor i hapur, ku fjala hyn dhe lë gjurmë. Amazonat e këtij libri nuk bien nga shigjetat, por nga fjala e thënë gabim, nga heshtja që rëndon, nga gjesti i vogël që vjen i ftohtë. Këtu poezia zhvendos betejën: nuk është më jashtë, por brenda trupit. Fjala bëhet armë e padukshme. Dhe pikërisht sepse është e padukshme, ajo plagos më thellë.

Trupi femëror paraqitet si i brishtë jo sepse është i dobët, por sepse është i ndjeshëm. Ai ndien gjithçka, nuk mbyllet. Dhe kjo hapje e vazhdueshme e bën të cenueshëm. Në një nga poezitë më të qeta, por edhe më të dhimbshme, kjo brishtësi shfaqet pa zhurmë: “Mbi trupin tënd të brishtë, në çastet intime/të dhimbjes vajzërore.” (Një të panjohure të njohur, f. 34)Këtu nuk ka as revoltë, as ankesë, ka vetëm pranim. Dhimbja është pjesë e intimitetit. Amazona nuk largohet nga ndjenja për t’u mbrojtur. Ajo qëndron aty, edhe kur dhemb.

Në këtë vëllim, fjala nuk është gjithmonë shpëtim, shpesh ajo është provë. Një provë që tregon se sa e pambrojtur është ndjeshmëria përballë botës. Megjithatë, poezia nuk e refuzon fjalën. Ajo vazhdon t’i besojë asaj, edhe kur ajo zhgënjen. Kjo besnikëri ndaj fjalës lidhet me një ide të thellë humane: njeriu nuk ndërtohet mbi forcën, por mbi dashurinë. Dhe dashuria është gjithmonë e rrezikuar. Në Epilog, kjo ide merr formën e një pohimi të thjeshtë, gati biblik: “Njeriu, me mish e me gjak, është i krijuar/nga një univers i tërë dashurie.”(Epilog, f. 42) Kjo fjali është si një dritë e butë në fund të librit. Ajo nuk mohon plagën, por i jep asaj kuptim. Amazonat prej reje plagosen sepse janë ndërtuar nga dashuria. Dhe kjo nuk është dobësi, por thelb.

Trupi femëror, në këtë poezi, është hapësirë ku fjala provohet. Ajo ose shëron, ose lëndon. Nuk ka neutralitet. Dhe pikërisht ky rrezik i vazhdueshëm e bën poezinë të sinqertë, larg çdo pozimi. “Amazona prej reje” është grua që nuk e mbyll trupin dhe shpirtin për t’u mbrojtur. Ajo zgjedh të ndiejë, edhe kur ndjenja lëndon. Dhe kjo zgjedhje është akt i thellë human dhe poetik.

Poezia e Armela Hysit mbetet e gjallë sepse flet nga një hapësirë sinqeriteti dhe çiltërsie fillestare, e ngjashme me ndjeshmërinë e adoleshencës së parë, ku fjala është ende e lirë. Në këtë hapësirë, subjekti poetik nuk e fsheh ndjenjën dhe nuk e ngurtëson përvojën. Ai zgjedh të mbetet i hapur, edhe kur hapja dhemb.

Kjo është arsyeja pse “Amazonë prej reje” nuk lexohet si poezi force të imponuar, por si poezi e një force që pranon brishtësinë. Një poezi moderniste në ndërtimin e saj të fragmentuar, në shpërndarjen e subjektit dhe në mosmbylljen e kuptimit, por edhe me ngjyrime postmoderniste, kur fjala dyshon te vetvetja dhe poezia flet për pamundësinë e saj.

Ashtu si reja, Amazona e Armelës Hysi ndryshon trajtë, shpërndahet, rikthehet dhe nuk kërkon të ngurtësohet në një figurë të vetme. Ajo mbetet në lëvizje, e lehtë dhe e ndjeshme, duke dëshmuar se forca më e qëndrueshme është ajo që nuk heq dorë nga sinqeriteti. Dhe pikërisht kjo çiltërsi, herë-herë e afërt me naivitetin, e bën këtë poezi të besueshme, njerëzore dhe të gjallë.


Sarandë,   shkurt 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page