Shpendi Topollaj: PËR VENDNDODHJEN E TEMPULLIT TË DODONËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 5 min read

NJË STUDIM INTERESANT I JOSIF RISTOS PËR VENDNDODHJEN E TEMPULLIT TË DODONËS
Hyrje
Historia njerëzore, shpesh herë është ndriçuar dhe ka arritur në zbulime të mëdha, edhe falë largpamësisë, guximit dhe këmbënguljes të disa personaliteteve të shquara. Mjafton të sjellim shembullin e arkeologut gjerman Henrih Shliman (Heinrich Schliemann 1822 - 1890), i cili pas një pune disa vjeçare, duke u mbështetur te vepra e Homerit, zbuloi muret e Trojës. Natyrisht, që popujt e ndryshëm, me fantazinë e tyre na kanë dhënë perla mitologjike apo letrare, ku shquhen sidomos, autorët e vjetër grekë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm, se shumica e personazheve, por edhe ngjarjeve të përshkruara prej tyre, janë pjellë e imagjinatës, por kurrsesi vendet ku ata personazhe kanë vepruar dhe ato ngjarje janë zhvilluar. Janë lehtësisht të përcaktuara trevat e vendndodhjet për të cilat kanë dëshmuar historianët me emër në punimet e tyre serioze. Kështu që askush nuk mund të verë në dyshim, faktin se tempulli i Delfit, ndodhej në Fokidë, rrëzë malit Parnas, ku poetët frymëzoheshin, pasi mendohej se ishte vendi ku qëndronin muzat, Apoloni e Dionizi. Po kështu, dihet se Termopilet ku u zhvillua beteja heroike e Leonidës me njëmijë ushtarët e tij, kundër persëve, ndodhet në një Grykë në Thesali.
Mirëpo, ka disa gjëra që ende ngjallin dyshime dhe nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare. Kjo mund të thuhet edhe për përcaktimin e vendit ku gjendej Tempulli i Dodonës, që po t`i referohesh enciklopedive, rezulton se ai ndodhej njëzetedy kilometra në jugperëndim të Janinës, në qytetin me të njëjtin emër, që u përkishte fiseve ilire të Thesprotëve apo Molosëve dhe konsiderohej si qendra e Pellazgëve. Por në vazhdim, ndesh përcaktimin se Dodona ishte një orakull i lashtë, kushtuar Perëndive Zeus dhe Nënës së Perëndive.
Çfarë thotë Herodoti
Herodoti thotë se ai qe krijuar qysh nga mijëvjeçari i dytë para e. r. Për rëndësinë e tij, pasi aty merreshin përgjigjet e Zeusit nga priftërinjtë, ka folur Euripidi te “Melanippe”, dhe dihet se tempulli gëzonte reputacion përtej Epirit dhe Greqisë, dhe në shek. III - të para. e. r. Pirro i Epirit ngriti tempullin madhështor të Zeusit, kur kishte shekuj që ai quhej “Zeusi i Molosëve”. Madje edhe teatri që Pirro ndërtoi, ekziston edhe sot e kësaj dite. Në pamje të parë, duket se këtu nuk ka vend për diskutime. Por ja që profesor Josif J. Risto nuk është i këtij mendimi dhe për këtë, ai jep faktet, argumentet, referencat dhe deduksionet e veta të mbështetura në studimet e tij dhe ato çka dalin nga Homeri në letërsi, Herodoti në histori, Straboni, dhe Ptolemeu në gjeografi etj. të cilat të çojnë te mbrojtja e tezës se “Tempulli i Dodonës, mund të ketë qenë më në veri, ndoshta në territore që sot ndodhen në Jugun e Shqipërisë (në Thesproti, Molosi ose afër Kolonjës)”. Për këto mendime, ose sikurse i quan ai vetë, hipoteza, prof. Josifi gjen rastin të bisedojë me një shkencëtar francez, zotin Lemer, njohës i thellë i historisë tonë dhe dashamirës i madh i shqiptarëve. Bisedën që bëri me të, ai të riprodhuar e boton te libri i tij “Identifikimi i faltoreve të lashta në Shqipërinë Juglindore”. Libri nuk ka shumë faqe, por me ato që autori parashtron, të fut në mendime. Kuptohet që ai e njeh shumë mirë mitologjinë dhe di ta zbërthejë dhe interpretojë atë në funksion të ideve që ka. Dhe është interesante, se edhe zoti Lemer, në dialogun pyetje - përgjigje, ia miraton të gjitha ato çka Josifi kumton, e për më tepër e nxit që ta thellojë studimin e tij, qoftë edhe në konsultim me specialistë të fushës, apo qarqet akademike. Dhe të mos thyhet nga një farë indiferentizmi që rëndom bije në sy në raste të tilla, jo nga keqdashja, sesa nga ajo që nuk kemi pse i futemi këtyre historive, se pak a shumë e kemi thënë fjalën tonë. Por në shkencë, debati duhet mbajtur gjithmonë i ndezur dhe nuk ka asgjë të keqe kur shkëmbehen mendimet, pasi vetëm kështu shkohet tek e vërteta. Vetë Josifi shprehet se i jam futur kësaj pune kërkimore për zbardhjen e të vërtetave historike edhe nga dashuria për vendlindjen time.
Po ku mbështetet bindja e Josifit?

Ato janë plot njëmbëdhjetë pika të cilat i gjen të arsyetuara edhe profesori Lemer. Ai i rreshton kështu ato: E para: Gjeografi, Straboni dhe Pindari citojnë se Dodona, ndodhet larg, në kufijtë e fundit të Epirit (Toskërisë). Aty ndodhen malësitë e Kolonjës (Gramozi, Radomi, Malet e Barmashit), me pamje të mrekullueshme (tërheqëse në pamje) dhe për të ftohtin e dimrit (dimërashpër). E dyta: Dodona ndodhet afër qytetit Ella ose Sella. Në malësitë e Barmashit ndodhet një vendbanim i vjetër: Maja e Sellarëve ose Sellarë. E treta: Dodona ndodhet pranë një lumi në një faqe mali. Në vendin e quajtur Shkëmbi i Manit ka burime të shumta dhe moçale, ku kalon dhe një lumë, që buron nga malet e Barmashit, degë e Vjosës, që përligj ngricat (Langricat). E katërta: Mali i Gradishtës dominohet nga Lisi e dushku (kujtoni Lisin e shenjtë të Dodonës, dhe fëshfëritjen e gjetheve, ku udhëtari Pausania në shek, II - të të e.s. pa se kishte mbetur vetëm njëri Lis, të cilin e prenë të krishterët aty nga viti 391).
Pastaj, emri i malit afër Dodonës, ishte Tomaros, por ja që dushqet kanë mbetur vetëm në Gradishtë. Së pesti: ka shumë domethënie ajo që Varri i Lames (i lartë, sikurse është vërtetë) është në formë tume dhe po të vërtetohej kjo nga specialistët, do të ishte diçka me shumë vlerë. E gjashta: Përfund malit të Gradishtës, deri në Grykën e Lumit te Shkëmbi i Manit, shtrihet në njëqind hektare fusha e Barmashit (aty ku u goditën gjermanët më 6 korrik 1943) që sipas Eustathit sigurohej edhe mbijetesa. E shtata: Nga të vjetrit ka dëshmi se ajo fushë ishte shumë pjellore dhe plot livadhe të mira për kullotë. E tillë është kjo trevë me livadhet e Radomit, Shelegurit dhe Gramozit. Dodona nga ana e saj kishte tufa të mëdha dhensh, dhe sellarët janë të njohur si popull blegtor. E teta: Pindari flet për pamjen e mrekullueshme që përftohej nga larg Pindit, afër Peoneve, ku ndodhen malet Dodonianë. Kjo askund tjetër më mirë se në malet e Kolonjës, Barmashit nuk gjendet. Pra, të gjitha gjasat janë që aty të jenë këta male. E nënta: Sipas gjeografit Klaudi Ptolemeu (Claudius Ptolemaeus) i Aleksandrisë, që kishte folut para Kopernikut për lëvizjen e planeteve, mali Tomar i bije të jetë në kufirin verior të Epirit, në territorin e Molosisë Pelazgjike, ku ndodhet lugina e Osumit (Apsus) dhe ajo e Vjosës (Aos) dhe pikërisht Tomari duhet të jetë Gradishta ose Radomi. E dhjeta: Ajo për çka flet Homeri se pas Enianëve vijnë Perrebetë që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe, kuptohet se ata ishin banorë rreth malësisë së Barmashit, pra Dodonës dimërkeqe.
E njëmbëdhjeta: Ne e kemi mësuar fatin tragjik të Orestit nga krijimtaria e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Rasinit e Gëtes. Por Josif Risto në interes të librit të tij studimor, na tregon se kur ai vrau nënën e tij Klitemnestrën për t`u hakmarrë ndaj asaj që bashkë me të dashurin e saj Egjistin i vranë të atin, Agamemnonin që ishte kthyer nga Troja, ngaqë nuk gjeti qetësi në Delf, shkoi në Dodonë për t`u çliruar nga mëkati, pra në vendin e të parëve të tij.
Konkluzion
Prof. Josifi me gjithë parashtresat e tij është i vetëdijshëm se puna studimore duhet thelluar e shpënë më tej, gjë që kërkon shpenzime jo të vogla. Se nuk është e kollajtë të kryesh gërmime arkeologjike për të gjetur gjurmë të hershme qytetërimi apo qoftë edhe artefakte. Kuptohet që kjo i takon të adhmes, por duhet përshëndetur puna e bërë nga zoti Josif J. Risto i cili duke qënë edhe kryetar i shoqatës atdhetare - kulturore “Kolonja”, nuk ngurron ta thotë fjalën e tij si intelektual erudit dhe adhetar, pasi historia jonë ka ende shumë momente që duhen ndriçuar me guxim.









Comments