Thoma Nika: "SIRENA" E JONIT NUK I NDAHET NOTIT

Ajo është sot një 75-vjeçare dhe thjesht një pensioniste. Por pikërisht këto të dyja nuk qëndrojnë besueshëm tek Anthulla Ikonomidhi. Arësyeja është se ajo duket aq energjike dhe mbetet e pandarë nga Saranda dhe nga deti, që i kanë dhënë rini të përjetshme dhe e bënë të famshme.
Pensionistja e sotme, më shumë se moshën, ka në lëkurë kripën e Jonit dhe njihet si ikona e notit femëror.
Anthulla Ikonomidhi Gjika ka vite që e ndan jetën midis Sarandës dhe Tiranës. Këtë vjeshtë erdhi enkas në qytetin e zemrës, për të marrë pjesë si Veterane noti në Maratonën, që iu kushtua Notarit Idriz Muço. Një tjetër ikonë e këtij sporti, që bëri histori në Sarandë, në gjithë vendin dhe në sa e sa kampionate ndërkombëtare.
- E kisha detyrim të vija e të merrja pjesë në Kupën Idriz Muço,- thotë ajo- pasi ai ka qenë shoku im më i ngushtë.
Pastaj kujtesa e saj shkon thellë ndër vite garash dhe emocionesh të mëdha, kur ajo notonte si një sirenë e Jonit. Nga stërvitja në këtë xadër noti, që mbart histori, nga Kampionate e Maratona dhe nga titujt që vinin pas garave.

Pjesëmarrja e saj në Maratonën e sivjetme për Kupën "Idriz Muço" e bëri të zhytet jo vetëm në ujë, por edhe në nostalgjinë e viteve që kanë fluturuar, por kujtimet kanë mbetur.
Anthulla notoi si Veterane e sportit të notit. E kështu edhe u nderua. Jo me Medalje, si dikur, por me Medaljonin "Veterane e Aktivitetit". Edhe në ato momente e shoqëruan thirrjet e ardhura nga publiku "Kampione, Kampione".
Me kostumin e notares, që në trupin e saj jep të njëjtën hijeshi si atëherë, kur ishte e re, i kërkuam të thotë dy fjalë, kur sapo kishte dalë nga uji dhe nga korsitë e xadrës së Sarandës.
Thotë se ndjehet pak si në faj, që nuk është në formën e saj më të mirë, pasi kishte dy muaj pa u futur në ujë. Nuk mundet ta pranojë dot këtë, pasi është ajo që, për muaj me radhë, bën më e pakta 3 km not në ditë. Dhe premton se vitin do të përgatitet seriozisht.
Ky kompleks noti, që mban emrin e trajnerit Esat Mamaca, i dha Anthullës startin e parë në sportin e notit, për t'i dhënë, në sa e sa gara, edhe fashën e kampiones dhe për ta bërë notaren simbol të historisë dhe shkëlqimit të notit sarandiot.
Me karrierë të admirueshme në këtë sport, me shumë kupa e trofe për dekada të tëra.








Comments