top of page

Kadri Tarelli: TAKIM ME POETEN MIRELA DUKA XOXE

2 hours ago
6 min read

 

 

“Vjersha është një vërshim spontan i ndjenjave të fuqishme që burojnë nga emocionet e rimbledhura në qetësi.”

                                                      Uilliam Uordzuorth, poet anglez:

 

Dikur nxënëse në Shkollën e Mesme në Katund të Ri.

Një “cërre” telefoni, siç thoshte dikur aktori Jovan Bregu. Arjola Kondakciu më kërkoi në bisedë. Po e jap të plotë:

Përshëndetje! Uroj që të jeni mirë!

Ju telefonova pak më parë, sepse isha me një mikeshën time Mirela Duka Xoxi, e cila jeton në Zvicër, dhe pasi tërhoqëm librin e saj me poezi nga shtëpia botuese (pjesë e së cilit jam edhe unë e Merita me recensione) e pyeta nëse të njihte ty si shkrimtar këtu.

U çudita kur Mirela më tha, që të kishte patur mësues, prandaj e nxita që patjetër të të takonte, për të të dhuruar edhe librin. Nëse do mundesh nesër nga ora 9.00, për një kafe, më njofto, që të takohemi të tre dhe të bisedojmë.

         Përgjigja: Përshëndetje poete dhe redaktore Arjola! Të faleminderit që më shkunde nga kujtimet e 30 e kusur, viteve më parë. Nuk jam në dijeni për krijimtarinë  e saj, por më vjen mirë që nxënësja ime shkruan poezi. Do të vij patjetër. Kafen zgjidheni ju. “Oslo” është serioze. 10/1/2026.

         Për një kohë të gjatë shtrydha kujtimet e shumë viteve më parë, kur unë isha mësues në Shkollën e Mesme të Katundit të Ri, që sot mban emrin “Jusuf Hoti”, ku jepja lëndën e historisë dhe filozofisë. Nuk e përfytyroja dot, madje nuk bëja as lidhjen familjare të saj, pasi mbiemri “Duka” me të cilët njihesha shumë mirë, është shumë i përhapur. Ka në fshatin Qerret, Komuna Katundi i Ri, ka në Shijak, etj, etj. E pa mundur të bëja lidhjen.

         Në kafe shkova para kohe. Nuk më mbante vendi. Arjola erdhi me dy motrat Mirelën dhe Eglantina Duka Sota, (Egla). E mora me mend se kush është Mirela, por desha të njoh rrënjët dhe vitet kur ka qenë në shkollën e mesme, jo vetëm për kureshtje, por më shumë për të qartësuar kujtesën.

Mirela është bija e mësuesit Nikoll Duka, nga ShënVlashi i Durrësit, mik dhe koleg në arsim, në shkollën 8-vjeçare të Qerretit, të dy mësues në shkollat e Komunës Katundi i Ri. Mirela, sa përfundoi vitin e parë, të gjimnazit, 1991-1992, dhe u largua për të ndjekur mësimet në Durrës. Ndërkohë, pas 20 vjetësh, po në shtator 1992, u largova edhe unë, në Durrës, si drejtor në shkollën 8-vjeçare “B, Curri”, në Plazh.

Siç mësoj nga jetëshkrimi në faqet e librit, Mirela mbaroi shkollën e mesme, më pas edhe Universitetin e Shkodrës, për mësuesi. Më tej punoi pak vite si mësuese në shkollat e Durrësit dhe më pas emigroi në Itali, por nuk u shkëput nga studimet. Këmbënguli që të bëhej dikush edhe në atë vend të madh. Pas disa kohësh transferohet në Zvicër ku gjen vend të punoj në “zanatin e shenjtë”, si mësuese.

Jam plotësisht i mendimit, që e kam shprehur edhe më parë: “Jeta është konkurencë, fiton ai që është më i zoti, më këmbëngulës, më punëtor, më i ndershëm dhe më serioz në vendimet e veprimet që ndërmerr”. Jeta dhe veprimtaria e Mirelës, mund të shërbejë si model i njeriut që arrin të bëhet dikush, me forcat e veta të bëjë vend në atë botë të egër të tregut të punës, për mbijetesë, dhe më pas mirëqenie. Pikërisht aty ku nuk e njeh kurkush dhe nuk e ndihmon askush. Por ajo nuk mjaftohet me kaq, fillon të merret me shkrime, me poezi. Një mënyrë për të përmbushur vetveten, ashtu siç ndjen shpirti, i gëzuar apo i trishtuar. Por librat e saj na thonë: - “Unë jam Mirela, që di të bëj dhe po bëj poezi. Kumtin dhe cilësinë e vargut gjykojeni ju. o njerëzit e mi...!”

Shkëmbyem libra. Unë i dhurova librin me tregime “Filxhani me buzë të kafshuar”, dhe librin me poezi “Vjeshta në vargje”, ndërsa Mirela më dhuroi dy librat e saj: “365 ditë Autiste”, tregime, me copëza jete të rrëfyera bukur letrarisht, njëkohësisht edhe librin me poezi “Drithërima shpirti”. Një titull si kambanë hyjnore, që fton të rinjtë ta jetojnë moshën.

Si fillim i hodhëm një sy autografit, duke vlerësuar shkrimin dhe kujdesin për fjalën shqipe. Por vetëm kaq, pasi biseda rrodhi natyrshëm për vitet e shkollës, shokë dhe shoqet e klasës, të cilët Mirela i mbante mend aq mirë: Besoj se më takonte mua të bëj një përmbledhje të shkurtër, të ish nxënësve tanë, që kanë guxuar të merren me letërsi.

Së pari, nxënësi ynë Dom Gjergj Meta, shok klase me Mirelën, tashmë Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë – Durrës dhe Peshkop i Rrëshenit, të cilin unë e quaj thjesht “Shërbestar i Zotit”, në kishat e besimit Katolik të Mirditës. Pa hyrë në jetën akademike të tij, Dom Gjergji është botues i disa librave me përmbajtje problemore e shoqërore. Pjesëmarrës në shumë emisione televizive, ku shpreh dhe mbron aq mirë pikëpamjet e tij, me mençuri, urtësi dhe filozofi.

Mjaftoi vetëm kaq, që biseda jonë të kalojë në një plan më të gjerë. U detyrova të bëj një përmbledhje të atyre ish nxënësve tanë, që filluan të merren me art dhe letërsi.

. Kështu, Para disa vjetësh tetor 2014, në Durrës, në sallën  “Odeon” të Pallatit të Kulturës, “A. Moisiu”, përuruam librin “Fli të bëhet natë”, të ish nxënëses sonë, poetes Mimoza Berisha, e cila jeton në Selanik të Greqisë. Për një kohë të gjatë e kam ndjekur krijimtarinë e saj. Kishte frymëzim dhe vjershërim plot ndjenjë dhe muzikë. Ishte një libër “serenatë” që e lexova shpejt, ku i këndon dashurisë dhe mallit. Unë përjetimet e mia i hodha në një shkrim që u publikua: “Fjala e lirë”. Londër, gazeta “Dielli” në SHBA, Gazeta “Muzgu”, Zemra shqiptare. Botimet: 8 Gusht, 2014.

. Më tej, kujtova Arben Çejku, ish ambasador në Maqedoni,  politikan, botues i disa librave. Me këtë rast i them Mirelës: - E di ç’më tha Arbeni kur ishim në Korçë, pak muaj më parë, dhjetor 2025, në një konkurs të librave humoristik: - “Profesor, të kujtohet kur të solla një fletore të mbushur me tregime dhe vjersha, për t’i parë, a vlejnë apo jo.....? - U ktheva në kujtimet e dyzet viteve më parë.

– Po më kujtohet...., dhe çuditem pse shkrimet dhe poezitë, t’i shikoja unë dhe jo mësuesi i letërsisë......?

- As unë nuk e di pse, po kisha besim se nuk do më përçmoje dhe i bindur se do më vlerësoje sinqerisht pa mëdyshje, mirë apo keq. Po a e di se ç’ bëra me atë fletoren me vjersha...? Si mbaruam maturën, shkoj e takoj të madhin Dritero Agolli, në Tiranë. Nuk u çudit, pasi si unë kushedi sa të tjerë kishin shkuar para meje. I hodhi një sy të shpejtë. E shikoja në fytyrë ç’ përshtypje i bënin vargjet e mia. Herë buzëqeshte dhe herë egërsohej. Nuk më foli. Mori një fletë letre dhe shkroi: “Të pranohet të vazhdojë studimet për gjuhë Letërsi”. E palosi dhe më porositi ku ta çoj. I jam borxhli për gjithë jetën. E përshëndes aty ku rri, tek yjet në përjetësi.

Mos u çudit..... Mirela!: Para pak kohësh, njoha një tjetër poete. Ësht Shkurte Berisha, nga Qerreti, ish nxënësja jonë, e cila po ndriçon në letrat shqipe, duke marrë çmime e vlerësime në konkurset të zhvilluara këtu dhe veçanërisht në Dardani. Ajo ka botuar disa libra me poezi: "E padukshmja", "Krahët e besimit" dhe "Rrënjët e qiellit". Çuditërisht edhe Shkurten e takova tani vonë, në moshë të pjekur.

Së pesti, jeni ju e nderuar poete Mirela, që vini nga Zvicra, me dy libra në dorë, njëri prozë dhe tjetri me poezi.

Unë e di, po ashtu edhe gjithë poetët e dinë, se poet nuk të bën shkolla, por shpirti i gjithsecilit. Mësuesit zbulojnë dhe ndihmojnë të shprehin bukur atë që ndjejnë. Mësuesi e “Ushqen” talentin.

Më pëlqen citati me të cilin hapet libri “Drithërima shpirti”. “Shkon një herë dhe lë gjurmë. Shkon dy a tri herë dhe gjurma bëhet udhë”. Ka shumë mençuri populli dhe po ashtu edhe shumë filozofi jete.

Nuk kam ndërmend të hyj në analizë të hollësishme të poezive, pasi nuk mund të konkurroj poeten Merita Kuçi Thartori, e cila ka bërë hyrjen e librit, po ashtu nuk përballem me tjetër poete, Arjola Kondakçiu, e cila ka bërë recensë. Por po veçoj disa vargje që më pëlqejnë, pasi kanë mendim, rimë dhe muzikë.

....................

. “Je vendi ku prehet shpirti,/ Trualli që shuan çdo mallkim,/ Rrita shtatin vit pas viti,/ dhe pres zgjuar çdo agim.” Poezia “Shënavlashi”. Faqe 30.

. “Kam shumë mall për atë bregdet,/ Ku një nënë gjithmonë më pret./ Ah... mor mall, ç’ paske qenë ti!?/ më mbush shpesh me nostalgji”. Poezia “Mall”. Faqe 31.

. “Nënë o nënë, E shtrenjta nënë,/ Sa shumë kam për të thënë./ Ti je jeta, ti je shpresa,/ Si rrjedh lumi pa pengesa”. Poezia “Nënës Shqiptare”. Faqe 19.

. “Njeri./ Nëse jeta të bëhet ferr,/ Mos u brengos dhe dëshpëro,/ Një bubullimë nga qielli merr,/ Me të në dorë ferrin lufto......!”. Poezia “Njeri”. Faqe 54.

. Cikli 3. “Poezi me motive romantike”, hapet me citatin: “I dua ëndrrat, pasi në to nuk ka kufi, ka shpresë, dashuri e magji.......”

Besoj se janë mjaft këto vargje, për të kuptuar nervin poetik të Mirelës. Jam i bindur se kumti letrar do t’u bëjë që librin ta shfletoni deri në fund, për kënaqësi dhe dashuri.......”

Urime dhe suksese Mirela! Hapat u bënë udhë në vjershërimin e frymëzimit poetik.

 

Kadri Tarelli

Vjeshta e dytë, 2026.

 

1 Comment


Guest
31 minutes ago

Mirënjohje për publikimin e këtij shkrimi, ku përvetësohen emrat e letrarëve që kanë ulur në bangat e shkollës së mesme të Katundit të Ri, shkollë që sot mban emrin Jusuf Hoti.

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page