Thoma Nika: POLIGLOTI I PROVOKUAR…

- Personazh -
Nuk fliste me njeri. I fliste vetëm heshtja. Dukej sikur fjalët ishin shtëllungat e tymit që dilnin nga thithja e çibukut, të cilin e hiqte nga buza vetëm kur flinte. As donte të shikonte njeri. Kokën e futur nën një kashqetë prej meshini, e mbante përherë poshtë.
Fliste tërë kohën me veten. Rrallë i dëgjohej zëri. Një jetë të tërë iu dëgjua vetëm çekiçi i gurgdhëndësit për muret dhe shkallaret me gurë të skalitur të Sarandës.
Nuk bëhej fjalë të kishte një mik a të besuar, që të mund të merrte vesh çfarë bluante me atë mendjen e vet. Ishte një gojë e kyçur “me tutius”, siç thuhej asokohe, referuar një prej markave më të përdorshme për çelësa të sigurisë së lartë.
Ishte pa gojë. Por kokën e kishte plot. E kishte plot, se jeta i kishte mësuar shumë. Edhe më shumë, se lexonte shumë. Çanta e meshintë që i varej supit, kishte vetëm duhan për çibukun që nuk shuhej dhe libra, për mendjen me uri të pashuar për të lexuar. Libra në shqip dhe në frëngjishten, që, pasi ia kishte pëlqyer veshi, i qe futur si autodidakt dhe e kishte mësuar. Dhe shijonte në origjinal Lavoisierin, Camynë, Hygoin, Molierin, Zhorzh Sandin, Zolanë e të tjerë. Librat greqisht i mungonin “bibliotekës” së tij të lëvizshme. Nuk donte t’i hapte vetes telashe me libra në gjuhën e mëmës. Nuk donte të gjendej i survejuar, por i qetë në atë çfarë lexonte.
Zinte qoshkun e tij në kafen buzë detit, pagëzuar me emrin “Leningrad” (tani. “Riviera”). Dhe zgjidhte e nxirrte mbi tavolinë librin e radhës, që do ta rrufiste bashkë me kafen e bashkë me duhanin e dredhur, që mbushte çibukun e tij. Kjo ishte mënyra e tij e “arratisjes” nga realiteti, me të cilin ishte bërë gjer në grykë…

Një ditë prej ditësh, dikush, një njeri që dinte të thoshte “një urra për Partinë”, që në jetën e tij rrallë kishte çuar leximin e ndonjë libri deri në fund, ishte i vendosur që njeriun enigmatik ta bënte të fliste, të nxehej e të shante. Po e bënte Aristidhi këtë?! Ai kishte një jetë që e hante me vete, çfarëdo që të ndodhte përreth dhe me atë vetë.
Dikushi, duke ditur që Aristidhi fliste vetëm me veten dhe me librat, i vajti pranë dhe ia mbylli librin e ia hoqi mënjanë.
Aristidhi nuk e prishi terezinë. Nga çanta afër këmbëve mori librin tjetër. Edhe këtë ia hoqi. Ai nxorri të tretin, të katërtin…
Ai që dështoi, ishte provokatori. Aristidhi as nuk i ngriti sytë ta shikonte kush ishte që ia bënte këtë. Për atë të gjithë provokatorët një emër dhe një fytyrë kishin. E ai nuk donte t’ia dinte për ata. Përderisa çanta e tij kishte plot libra të tjerë, që prisnin t’i lexonte.
Kishte një tufë me vajza dhe një djalë të vetëm midis tyre. Një djalë truplidhur, të lindur buzë detit dhe për det. Dhe të rritur me guximin për t’i hyrë detit më këmbë, kur i thonë fjalës. Më shumë qëndronte në ujë, se sa në tokë. Me mjete peshkimi, me maska artizanale, me pushkë deti. Me trupin tërë muskuj e me gjoksin që i dilte hovshëm përpara, ngjashëm me garuesit e sotëm në bodybilding. Me shpirtin e piratit të detit.
Ishte i heshtur si i ati dhe me ëndrra djaloshare, që donin të thoshnin se i duhej hapësirë lirie si ajo e detit ku zhytej. Imagjinonte hapësira për të punuar për vete, mundësi për jetë pa përgjues e kontrollues të privatësisë deri më dhomën e gjumit, jetë pa tollona ushqimesh, jetë ku të mos mungonte vaji i ullirit, siç nuk mungonin ullinjtë, ku të mos ishte privilegj televizori color; ku të mos ishte “mollë e ndaluar” një frigorifer, një lavatriçe e deri dhe makina personale.
Këto diferenca të jetës këtu dhe asaj që dihej se bëhej në Korfuzin përballë, që ishte vetëm 17 milje detare larg, ia kishin trazuar mendjen Spiros. Sidomos brigjet e Sidarit, përballë Sarandës, gjenden fare afër. Vetëm 3 milje detare not duhej dhe i prekje ato brigje. Por llogaria bëhej me kokë, me internim të familjes, që lihej në këto “brigjet e mallkuara”.
Spirua e vendosi dhe një darkë, pa e bërë llaf me njeri, u zhyt si delfin në vendin ku ishte i sigurtë se nuk do të ndiqej. Dhe u dha këmbëve e duarve. Por një fashë drite, e ardhur nga prozhektori i kontrollit të përnatshëm të ujërave, e bëri natën ditë, në vendin ku ai notonte drejt ëndrrës. Ishte “zbardhur” se kishte një rast të “shkeljes së kufirit”. Nuk vonoi dhe kateri silurues u gjend pranë tij. I gjëmoi në vesh fjala “tradhtar” dhe sharje pa fund nga “shokët vigjilentë”. E plasën në burg. I bënë gjyq nga ata që quheshin “shembullor”. Dënimi ekstrem: 25 vjet burg!!!
Kjo e kishte bërë edhe më të mbyllur në vetvete, edhe më të heshtur Aristidhin. Përtypte shikimet që e shoqëronin, të cilat ishin sikur të gjithë t’i thoshnin: E shikoni këtë? Është babai i atij tradhtarit të fundit…E dinte. E përtypte. Sikur të përtypte duhanin farmak të çibukut të tij.
…Ecte buzë detit në “tym” të tij. Si gjithmonë, pa i folur askujt. Kujt t’i fliste? Kush t’i fliste? Ai ishte babai i një të dënuari për “tentativë arratisje”. Por ja që dikush i foli. Apo i bënë veshët? Jo, jo. Dy të rinj po i flisnin, po e pyesnin:
- Xhaje, sa mban Korfuzi që këtu?
Në çast mendoi mos kishte të bënte me një provokim të ri, nga njerëz të vënë për ta futur në kllapë. Dialekti si prej Shkodre që flisnin djemtë e rinj, ia hoqi shpejt nga mendja dyshimin e parë.
Po si mund t’u përgjigjej? Po sikur ata të kishin në mendje arratisjen, ashtu si Spirua i tij? Të bëhej bashkëfajtor në krim? T’i merrte më qafë djemtë e rinj? Prapë i vetëtiu mendimi se edhe “jabanxhinjtë” mund të ishin të vënë për ta futur në një kurth.
I thirri mendjes. Dhe fjala që doli nga goja e tij ishte:
- Çfarë t’ju them, more djem? Korfuzi që këtej është 25 vjet larg!!!
Me kaq vite burg ishte dënuar Spirua i tij, që tentoi Korfuzin. Shpirti i tij e dinte. Por goja nuk e thoshte.
Ky ishte i dijshmi i heshtur Aristidh Nasho.
- Xhaje, sa mban Korfuzi që këtu?
Në çast mendoi mos kishte të bënte me një provokim të ri, nga njerëz të vënë për ta futur në kllapë. Dialekti si prej Shkodre që flisnin djemtë e rinj, ia hoqi shpejt nga mendja dyshimin e parë.
Po si mund t’u përgjigjej? Po sikur ata të kishin në mendje arratisjen, ashtu si Spirua i tij? Të bëhej bashkëfajtor në krim? T’i merrte më qafë djemtë e rinj? Prapë i vetëtiu mendimi se edhe “jabanxhinjtë” mund të ishin të vënë për ta futur në një kurth.
I thirri mendjes. Dhe fjala që doli nga goja e tij ishte:
- Çfarë t’ju them, more djem? Korfuzi që këtej është 25 vjet larg!!!
Me kaq vite burg ishte dënuar Spirua i tij, që tentoi Korfuzin. Shpirti i tij e dinte. Por goja nuk e thoshte.
Ky ishte i dijshmi i heshtur Aristidh Nasho.








Comments