Vangjush Saro
TAKIMI
Tregim
Katundari Mezan Dëllinja po rrinte ngjitas me derën e zyrës së z. Esheref. Dhe prej një copë here, po mendohej si t’ia fillonte bisedës. Ai kishte kërkuar një takim. Dhe donte t’ia numëronte të gjitha, një e nga një. Mirëdita, z. Sheref, do të fillonte ai. Kam ardhur disa herë, por ju ishit në Itali; më vonë në Turqi. Për seminar, na thanë. Pastaj në Greqi... Kam ardhur të të them se punët po shkojnë keq. Djalin e vëllait e kemi në burg. E mbajnë kot, o z. Sherif. Duan para. Për atë Zot!…
Ej! Mos e kishte filluar keq? S’mund të përplasej me tjetrin kaq haptazi. Le të zbriste një marsh më poshtë. I dashur z. Sheraf. Punët nuk janë edhe aq mirë… Komshiu m’i lëviz pa reshtur sinoret. Ë? Ç’janë sinoret? Po gardhet, o zotëri…
Papritur, i mendueshmi Mezan ndjeu ca si ofshama. Ato vinin nga brenda. Të këpusnin shpirtin. Sidoqoftë, do t’ia tregonte atij të gjitha hallet. Mirë këto, z. Shuref, po çmimi i naftës pse vate një djall e gjysmë?!…
Tani ofshamat po përzieshin edhe me ca zhurma të tjera, të çuditshme… Të bëhej sikur hiqej zvarrë ndonjë tavolinë. Sikur dikush nuk arrinte ta sistemonte atë… Kam ardhur në këtë takim të të flas edhe për dritat dhe ujin. Si, çfarë? Vijnë, ikin. Vijnë, ikin. Edhe ofshamat nga brenda vinin dhe iknin. Dikur, pati madje një si krismë. Mbase ishte thyer ndonjë send. Pra, z. Sharaf, na janë shpifur ca telashe. Ka shkuar në të s’ëmës kostoja për një qipi… Hë? Bari, mo. Qipi bari. Si do të vejë halli ynë? Se ju kemi dhënë edhe votën. O o! T’ia thoshte këtë të fundit?
Mezani Dëllinja, edhe pse burrë i turpshëm e sedërli, e afroi edhe më veshin. Dëgjoheshin ende ato ofshamat. Madje tani, edhe ca si kukurisje. Pastaj, sërish ajo zhurma e çuditshme. Takim i gjatë. Edhe asaj dreq tavoline s’po ia gjenin dot vendin. Ai prapë po mendonte se duhej t’ia fillonte me të butë, por duke i thënë të gjitha. Rruga është filluar dy herë, o z. Shyref. Jo! Tre herë. Dhe materialet janë vjedhur. Vjeshta po vjen…
Në këto e sipër, kaloi andej një sekretare e pispillosur. Ajo i kërcëlliti dhëmbët Mezanit. “Këput qafën!” Ky përsëriti refrenin; pra, që kishte një takim me… Por edhe ajo e lyera e kishte në majë të gjuhës përgjigjen. Ai ka një takim tjetër me…
Ani. Duhej të hiqej nga kjo gurgule. Jo, jo! Jo nga kërkesat. More, do t’ia përmblidhte të gjitha, si një e një që bëjnë dy. Doli për dere; pothuaj rrëshkitazi e çalë-çalë, sikur të ishte lagur në vete. U gjend në rrugë përballë një dielli të çmendur. Dhe mendoi se mund të flitej diçka edhe për hedhjen e qershive në lumë… Papritur ndjeu t’i njomeshin sytë. Ej! S’bën burri kështu, i tha vetes. E ndoshta s’i kishte lotë; ia kishte vrarë sytë dielli. Por herën tjetër, mendoi në mënyrë urdhëruese, plase bombën. S’ka më! Po, po, përsëriti pastaj në mënyrë premtuese. Herën tjetër do t’ia zbraz të gjitha…
Bënte një zagushi e paparë. Shkurret anës rrugës ishin të pluhurosura. Asnjë gjeth nuk tundej. Gjinkallat këndonin si në përralla. Do t’ia them, përsëriti teksa hiqte këmbët zvarrë. Duke fshirë lotët. E mo mirë, lotë ishin. Por do t’ia thoshte…
Fatmir Terziu: Vangjush Saro di të bëjë atë që e bëjnë pak vetë në fushën e letrave. Di të bëjë mushtin e mushtit të rrëfimit. Me pak fjalë ai ngre një vepër të madhe nga një gërmadhë. E kështu dhe në këtë tregim që i ka të gjitha brenda mbetet jo vetëm ëndja, por dhe vetë zemra. Është magjia e gjuhës dhe stilit që të tejçon drejt realitetit, larg trillit.
Shkurt, bukur, stil mjaft elegant, humor tejet i holle. Kam qesh me lot. Sa te verteta ka brenda? Aq sa nuk numerohen.
Rrofsh i nderuar z. Saro! Na leshove nje rreze dielli ne kete dite te mbushur me shi. Dhe ku? Ne plazh.
P. S. Nese me lejohet dua t’i dergoj te falat e mia gjithe familjes se respektuar Saro, Ides ne veçanti.
Sefulla Kata