Takim me mua
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 20, 2020
- 2 min read

Një korridor më çon drejt një vajze. Ajo rri në këmbë me fytyrë kundruall dritës. Me dikë më ngjet. Afrohem. Më merren pak këmbët. Gati rrëzohem. Si insekt i vogël nëpër lëkurë më kalon frika. - Kush je ti? - e pyes. - Unë jam ti, - më përgjigjet me të qeshur. - Si je unë?! Unë vetë jam unë. - Afrohu dhe bindu atëherë. Pulis sytë e tromaksur, vështroj sytë e mi si më shohin mua. Mbetem e shtangur. Po, jam unë. Unë jam. E veshur me një këmishë që më varej lirshëm. Fytyrën e këqyr me vëmendje, deri në hollësitë më të vogla. Lehtësim dhe paqe shoh, asnjë blanë e errët, as shenja të dukshme. Mbyll sytë dhe mendoj për veten. Unë e njoh më mirë se askush gjendjen time. Trembem. - Jemi të sigurta kështu? - e pyes. - Më të sigurta se përherë, - më thotë. Më duket sikur jam kthyer në të shkuarën. Pamja ime përballë është ajo para njëzet vjetësh. Trupi joshës dhe shkëlqimi i syve, po më tregojnë gjendjen e tanishme. Çfarë shfrimi gulçues! Arsyen, që më shfaqet vetja ime e re, mund ta hamendësojmë. Punët kanë javë të tëra që janë pezulluar. Gjithçka është bërë për arsye sigurie. Më duhet të qendroj vetëm. I drejtohem e nervozuar: - Ti doje të takoje gjithë botën. Ta shkelje të gjithën, ta vije përfund. Tani më pret mua në këtë korridor të ngushtë sa të merret fryma. Kjo është ajo që deshe aq shumë?! Ë, kjo është?! - Ti je shumë serioze, - ma kthen. Mallkuar qoftë vesi i të kuptuarit! Qesh pak, mos bëj kështu. Do ta kalojmë shkëlqyeshëm vetëm të dyja. Ca shenja e gjeste intime më shfaqen kokëforta. Bindem! Shanset janë një në shumë. E marr për dore, dua ta ndiej të shtrirë përbri meje.
Comments