top of page

Tahir Bezhani: MOS!

  • Sep 9, 2025
  • 2 min read

Updated: Sep 10, 2025


Mos!

 

Mos e trazoni shpirtin tim të lodhur

Ju mashtrues, gënjeshtarë

Barkdhjamosur, halldupë e zagarë

Lërmëni në qetësinë e dëshiruar

Ju, përgojues, shpifës e tradhtarë

Jeta është  lodhur, shkurtuar këmbësh

Nuk duron ecje të tilla shpirti i ganduar

Shikojeni sa e keni ndotur hapësirën

Tani hapni rrugë,  ikni!...

Lëreni të lirë frymëmarrjen njerëzore

Të gjejë  pa dhunë rrugëtimet e veta

Dëshiroj të thith avullimet e mia të valëta

Mos e trazoni shpirtin tim

Krejt nata si zjarr i ndezur  pafund

Në mëngjes lëpij djersë të kripura

Lodhjeve  të natës....

Dita rebelohet zallinave të shkrifëta

Kullojnë  helm dhimbjet

Në vallen e çmendur  të kohës....

 

                      EDHE KJO VERË PO IKËN

                      Edhe kjo  verë në ikje po le gjurmë

                      Zjarrmia çan tokën në thellësi

                      Në lojën e zjarrit qiellin  rrok flaka

                      Në ndërrime motesh....

                      Piskamë treni të ngadaltë ofrohet

                      Qetësia ime në dhomën e vetmisë

                      Sa larg dëgjohet zëri i ndrydhur i saj

                      Stacioneve të humbura  të botës

                      Do hyj në tren pa biletë kthyese

                      Në  një rrugëtim tjetër do shkoj

                      Verën tjetër vapa nuk më shkrin shpirtin

                      Nën hijen e pemëve do rri i buzëqeshur

                      Do ju shikoj ëmbël nga ajo hije e bukur

                      Nga muri i lotëve lexoj kujtimet

                      Ngadalë tërheq e numëroj goglat

                      Thurë në penjët  e jetës

                      Edhe kjo verë po ikën përmallshëm

                      Si  shkarravina në letër të djegur.....

 

 

                       ËNDËR...

 

                       Mbrëmë

                       Ëndërr me  babën

                      Në oden e burrave  si dikur

                      Në kullën e rrënuar

                      Babi im

                      Mbulonte gacat  në tangar

                      Kur rreshkej buka n ‘saxhak

                          

                      Me tre palë këmisha  hini

                      E kishte mbështjellë zjarrin

                      Lahej në djersët e veta

                      E unë nga këndi e shihja

                      Digjesha  flakë nga malli

                      

                      Para alveolës baba ishte  tretur

                      Ditën luaja me hirin e zjarrit

                      Vrapova ta puth vatrën

                      Akoma i del tym, kishte zjarr brenda

                      Po ngrij nga malli

                      Sot e gjithë jetën...

 


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page