Urim për ditëlindje.
Sot, më 25 dhjetor, Prof. dr. Eshref Ymeri ka përvjetorin e ditëlindjes së tij. I urojmë dhe 100 vite të tjera, njeriut të shquar që gjithë jetën punoi për të lartësuar vlerat e Atdheut tonë. Si njeri me njohuri të thelluara shkencore në fushë të gjuhësisë dhe historisë, dy nga fushat që janë shtylla kurrizore e identitetit tonë kombëtar, prof. dr. Eshref Ymeri ka dhënë një kontribut të çmuar, të papërsëritshëm, që do të mbetet në kurorën e vlerave që janë krijuar dhe do të krijohen edhe në të ardhmen. Dhjetra librave të tij studimorë, vitin e kaluar iu shtua ’’Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe’’ me 19.300 shprehje frazeologjike, e strukturuar në 1204 faqe, një pasuri që do të jetë themeli mbi të cilin do të ngrihen studimet e tjera të mëtejshme. Një vepër ka vlera, kur interesin për të e kanë jo vetëm bashkëkohësit e tij, por kur pasardhësit i drejtohen asaj. Të evidentosh vlerat e gjuhës shqipe, do të thotë të evidentosh vlerat e kombit tënd, që ai ka krijuar në rrjedhë të historisë. Prof. dr. Eshref Ymeri gjendet në rreshtin e parë. Nuk e kanë mposhtur vitet, edhe pse sivjet feston 85-vjetorin e ditëlindjes së tij. Ka një shpirt luftarak që do t`i shkonte moshës rinore, një kthjelltësi mendimi si atëhere, kur ishte i ri dhe me mijëra studentë të tij e dëgjonin me kureshtje dhe vëmendje. Prof. dr. Eshref Ymeri përfaqëson mençurinë dhe guximin e trevës së Labërisë, bir i së cilës është dhe e ka përfaqësuar vendlindjen e tij me dinjitetin e një atdhetari dhe shkencëtari të përkushtuar.
Vitin e kaluar krahas veprës së tij madhore në fushë të gjuhësisë, ka botuar dhe studimin tjetër në fushë të historisë : ’’Shqiptarët Përballë Politikës Rusomadhe’’, ku qartësohet politika e Kremlinit si një politikë antishqiptare në këta dy shekujt e fundit, që e parë në një plan më të gjerë është një politikë antievropiane. Analiza të tilla në fushë të gjuhësisë dhe atë të historisë, e lartësojnë profesorin e nderuar si një shkencëtar i përmasave evropiane. Ne krenohemi me profesorin e nderuar Eshref Ymeri, krenohemi me kombin tonë që ka nxjerrë dijetarë të krahasueshëm me ata të kombeve të tjerë.
E festofsh ditëlindjen dhe 100 vite të tjera dhe kurrë mos pushoftë së shkruari dora jote e artë.
Kujtim Mateli, Tiranë, 25 dhjetor 2023
Opmerkingen