top of page

SIKUR TË KISHA LINDUR ÇALAMAN



Tregim nga Luan Çipi


          Në kohën kur nga Partia e Punës, që udhëhiqte gjithë jetën politike dhe ekonomike, u hodh një tezë e re për revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit tonë, kur kërkohej popullimi i fshatit dhe largimi nga qyteti, në drejtim të tij, veçanërisht i nëpunësve, nisën dhe demonstrata në rrugët e qyteteve me thirrjen e çuditshme “Lini zyrat, burokratë! Hajdeni me ne në fshat!” 

          Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë, ku, aso kohe unë punoja në administratë, si te të gjitha ndërmarrjet e tjera, erdhi një grup “veprimtarësh revolucionarë”, të dërguar nga Komiteti i Partisë së Punës të Rrethit, kryesuar nga shoqja Sanije, anëtare e Plenumit të Komitetit të Partisë, punëtore e dalluar e Kombinatit të Konservave “Ernest Telman” Vlorë. Ajo, për fat të keq, çalonte shumë nga këmba e djathtë.

          Na mblodhën në zyrën e madhe të financës. Ata të komisionit, ulur në një stol të gjatë, nëpunësit e financës në karriget e tyre dhe ne të tjerët në këmbë. Rrinim të shqetësuar në pritje, se me ta nuk bëhej shaka. Të çonin vërtet në fshat ata, siç kishin dërguar dhe dhjetëra nëpunës të tjerë. Unë nuk e kisha të lehtë punën në fshat, se kisha filluar, ç’është e vërteta, edhe të shfryja: veshkat i kisha të sëmura dhe ndieja, aty-këtu, ndonjë dhembje herë në gju, herë në mes. Isha bërë me tre fëmijë, me gruan pa punë. Në mbrëmje jepja leksione në Filialin e Fakultetit Ekonomik. Më erdhi radha edhe mua për t’u pyetur:

          - Ku mund të shkosh për të punuar ti, shoku Luan?

          - Unë, asgjëkund. Mirë jam këtu, se unë fshatin as që e njoh fare!

          - Jo, jo. Ky s’është argument. Aq më mirë. Do ta njohësh edhe fshatin, siç njeh qytetin. Pse, kujt do t’ia lëmë ne fshatin tonë socialist?

          - Nuk e kam fjalën aty, por unë kam këtu në qytet edhe ca detyrime të tjera, ju i dini.

          - Po, po, i dimë, - ndërhyri kryetare Sanija. Unë jam e mendimit që shoku Luan të shkojë në prodhim. Ka edhe nevojë për t’u kalitur. Dhe si kryekompetentja fuqiplote vazhdoi vetë me pyetje:

          - Si mendon, ti, në ç’vend pune prodhimi mund të japësh ndihmesë më shumë?

           E, dreq o punë, e hëngra më keq, mendova.

          - Po qe se është e domosdoshme, atëherë, më çoni te “pompat fyler”.

          - Pompat fyler?! Ç’janë këto?

          - Është një vend pune në prodhim, nga më të vështirët, pesë metra nën dhe shpjegon kryeinxhinieri.

           - Të lutem, mos bëj shaka, mos u tall me direktivën e Partisë, - më qortoi Sanija.

- Jo, jo, nuk tallem. E kam me gjithë shpirt, përgënjeshtrova unë me shpejtësi, nga frika mos më futnin në ndonjë kallëp politik. E kush mund të shkojë atje veç meje, mjeshtrit të sportit, të përgatitur kaq mirë fizikisht? 

 Në atë çast ndërhyri kryeinxhinieri, Bexhet Gani, një burrë me garanci të plota politike, që ishte miku dhe dashamirësi im:

          - Jo, e keni gabim. Luani atë vend pune mund ta bëjë shumë mirë, se e njeh, ngaqë ka kryer atje punën prodhuese.

          - Mirë, jemi dakord. Po në vendin tënd, si shef plani, kush mund të vijë dhe të të zëvendësojë, pa prishur punë, më kupton?

          - Kush mund të vijë?! Fare e lehtë: mund të vijë, menjëherë, çdo punëtor që ka mbaruar, si puna ime, Shkollën e Lartë Ekonomike. Të ketë edhe pak përvojë administrative. Ju jap fjalën se do ta ndihmoj pa rezerva.

          Dukej si shaka, si shfaqje komedie, por nuk kaluan veçse dy muaj dhe mua më erdhi transferimi, me të njëjtën detyrë, si shef plani në Fermën Bujqësore Llakatund.

          Po komedia nuk e kishte pjesën kulmore te ngjarja ime, por më poshtë, kur i erdhi radha shefit të llogarisë, edhe ai çalaman, po në krahun e majtë, në të kundërtën e Sanijes, kryetares së komisionit punëtor.

          Nuk e di sepse, ndoshta nga veshja dhe paraqitja e jashtme e tij, Sanija e nisi ndryshe seancën e pyetjeve:

          - Po ti, nga je? Më dukesh si nga fshati.

          - Po, po, me origjinë nga fshati jam, nga Mavrova.

          - Atje të vesh, - i tha prerë Sanija, me frikën e ndonjë debati të papëlqyer, që mund të zgjaste dhe t’i merrte kohë. Ndërkohë, e nervozuar Sanija filloi të lëvizte çalë-çalë përgjatë zyrës së madhe, para nesh.

          - Dale, moj motër, dale, mos e merr me ngut. Prit njëherë të më shohësh edhe mua fatkeqin. Ku do më shpiesh, moj, ku? Dhe, fët, ngrihet me vrull nga karrigia e fillon të lëvizë, po duke çaluar, përkrah Sanijes. Kërruset edhe më shumë se zakonisht, gati të rrëzohet në shesh, në krahun e kundërt të Sanijes. Ndërkaq dhe ajo ik e kthe kokën nga Elhami, se kështu e quanin hallexhiun. Ai ik e fol:

- Mirë do  të më çosh në fshat, po ti e sheh, unë mezi rri më këmbë. Si do të shkoj nëpër sektorët e bujqësisë dhe në brigadat e kooperativistëve, që janë me qindra metra larg njëra-tjetrës dhe në zona kodrinore? Të paktën të porositësh të më vënë në dispozicion ndonjë gomar e ndonjë shoqërues ta tërheqë kafshën nga kapistalli.

          - O, o! Lumëmadhi ti. Ti qenke ku e ku më keq se unë. Ik, ulu, se po këpute në kërbythje. Rri aty ku je. Nuk bën për në fshat ti. Për atje i duam si Luani.

          - O zot i madh! Pse nuk na linde çalamanë!

Nga Libri: “Për të qarë e për të qeshur”

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page