top of page

SHQIPËRIA NË DY KOHË


“SHQIPËRIA NË DY KOHË”,

i shkrimtarit Vangjush Saro - një esse për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ‘90


Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë, publikoi këto ditë librin “Shqipëria në dy kohë” të shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro. Libri është një esse për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ’90. Bëhet fjalë për një përballje mes dy tablove, ndërkohë që ndërroi sistemin politik, teksa vendi hyri në një tranzicion të zgjatur e që vazhdon të mbajë ndezur një sërë pyetjesh për të shkuarën dhe për të tashmen.

Kalimi nga një rend në një tjetër, nga një epokë historike në një tjetër, natyrshëm sjell ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve, shpesh edhe moskuptime të thella. Ato reflektohen dukshëm edhe në përparimin e mëtejshëm apo në zvarritjen e një vendi a të një komuniteti drejt destinacionit të ri. Kjo esse, thotë autori, i përqas dy kohët jo për të gjeneruar edhe më tej antagonizëm e mëri, por për të shënuar ndonjë të vërtetë nga ato që shumëkush përpiqet t’i mbulojë, si dhe për të ikur nga përplasjet ideologjike, aq të pranishme në probleme të artit, historisë, ekonomisë dhe në vetë jetën civile shqiptare.

Në libër, e shkuara vjen bardh’ e zi: pa e shmangur sfondin historik, vlerësohen shndërrimet në shoqërinë e prapambetur shqiptare të mes-shekullit 20, puna ndërtuese, krijimi i vlerave materiale dhe kulturore, arritjet në Arsim e Shëndetësi, etj. Por në të njëjtën kohë, vihet në dukje se në aspektin human, në atë të të drejtave dhe lirive, ajo kohë, ai rend, arriti shumë pak, që të mos themi dështoi.


Duke iu referuar botimeve të kohës, disa institucioneve si ish-Kinostudio, si dhe mediave në tërësi, shkrimtari përpiqet të sjellë tablo sa më realiste. Libri mbështetet mbi fakte reale, fragmente nga jeta artistike dhe letrare në ato vite, si dhe probleme shoqërore e të praktikës së luftës së klasave, që cënoi rëndë karakterin e njerëzve dhe zhvillimin real të artit dhe kulturës. Në libër nuk mungojnë edhe përvoja e të dhëna vetjake, episode nga jeta e autorit në disa qytete e shtete. Një vend të veçantë zë vendlindja e autorit, Korça, qyteti me tradita kulturore dhe dukuri të spikatura në letërsi e arte, si dhe qyteti i Gramshit, ku shkrimtari ka jetuar e punuar për një kohë të gjatë në vitet ‘70 e ‘80.

“Shqipëria në dy kohë” është njëlloj ndihmese në një ballafaqim që shoqëria shqiptare e mbiluan gjer në tepri. Shkrimtari beson se ky libër nuk është as për nostalgjikët, as për ekstremistët; është një tregim i përmbajtur, një histori reale, që më shumë ndjehet sesa mund të shpjegohet.

Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro është autor i një sërë librave me tregime e novela, fabula, romane, skenare filmash, etj. Ndër to mund të përmenden kinokomedia “Shkëlqim i përkohshëm”, novela “Një ditë pa mamin”, libri me fabula “E dashur Dhelpër!”, romani “Misioni”, etj. Një pjesë e krijimtarisë së tij është botuar edhe në gjuhë të huaja.

Prej disa kohësh, Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada).


………………………………………………………….


Pak fjalë për shkrimtarin Vangjush Saro


Vangjush Saro ka lindur më 1952 në qytetin e Korçës. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues e gazetar. Ndër librat e tij, veçohen: vëllimet me tregime “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”; novelat “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”, “Djali që u bë tullumbace”, si dhe romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”. Ndër zhanret e prefuara nga autori, është fabula; disa nga botimet në këtë fushë, janë: “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” dhe “E dashur Dhelpër!”

Vangjush Saro është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar gjithashtu skenarë për filma dokumentarë e vizatimorë, kritikë letrare, si dhe publicistikë. Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht e greqisht: “L’ÂNE ET LE CHEVREUIL” (“Gomari dhe Kaprolli”) “DEAR FOX!” (“E dashur Dhelpër!”) “THE BOY WHO BECAME A BALLOON” (Djali që u bë tullumbace,) etj.

Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro, Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin ‘Naim Frashëri’, klasi III. Është fitues i Çmimit të Karierës dhënë nga gazeta “Telegraf”; ka fituar gjithashtu çmime kombëtare për vëllimin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe novelën “Polic Këmbëvogli”.

Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada).


Nga krijimtaria e autorit


LETËRSI


-Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1975

-Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satirike/ “Naim Frashëri”, 1979

-Një copëz jetë/ Pjesë teatrale, 1983

-Miku i vogël / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1983

-Biri i ambasadorit/ Tregime satirike/ “Naim Frashëri”, 1988

-Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ “Toena”, 1993

-Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/ “Toena”, 1994

-Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ “Reklama”, 1995

-Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

-Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri / Novelë/ ASD, 2003

-Rrëfime nga shkolla ime/ Tregime për fëmijë/ ASD, 2004

-Shqipëria, Porta e Ballkanit/ Film dokumentar, 2006

-Dhelpra shpërblen Lepurin/ Fabula/ ERIK Botime, 2012

-Trumcaku ftillon Ferrën/ Fabula / ERIK Botime, 2014

-“Kurora e Ballkanit”/ Roman / Amazon, 2016

-Djali që u bë tullumbace/ Novelë (shqip dhe anglisht)

-Misioni/ Roman/ Amazon 2018

-E dashur Dhelpër!/ Fabula/ ERIK Botime 2019

-Dear Fox!/ Përmbledhje me fabula në anglisht 2020

-L’Âne et le Chevreuil/ Përmbledhje me fabula në frëngjisht 2021



FILMA NË ZHANRE TË NDRYSHME


-Shkëlqim i përkohshëm/ Kinokomedi/ Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Mikesha/ Film vizatimor/ Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Albania more than a gateway/Dokumentar me subtitrim në disa gjuhë/ Net Vision Studio 2001





91 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page