top of page

SHQIPJA E LEONIDHES


Nga Fatmir Minguli

Tregim


Kujtimi edhe pse sot është në pension kujton me nostalgji vitet e ushtrisë. Edhe pse kish mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm, edhe pse u bë inxhiner duke përfunduar filialin e inxhinerisë mekanike të Durrësit aty nga vitet ’70, vitet e ushtrisë qenë për të një lloj shkolle shpirtërore...

Në reparin ushtarak N. ai krejt i ri në moshë dhe rrinte më shumë me dy djem të tjerë që ishin nga Himara, Leonidhën dhe Apostolin. Duke qenë edhe vetë nga jugu, e pikërisht nga Fushbardha e Gjirokastrës, ia kishte qejfi të rrinte me këta dy djem bregdetas jugorë. Edhe pse ata të dy himariotët ishin të ndryshëm njeri nga tjetri në temperament apo në sjelljet e zakonshme, ata kishin atë lloj ngjashmërie që vetëm njerëzit e bregdetit e kanë. Por ajo që i dallonte më shumë ishte e folura. Apostoli fliste shqipen e tij, një shqipe me aksent grek por që ishte shqipe e pastër, ndërsa Leonidha flist greqisht dhe shumë rallë shqip. Kujtimi edhe e pëlqente edhe nuk e pëlqente këtë lloj të folure të Leonidhës dhe shpesh tallej lehtas duke iu përgjigjur atij me një greqishte të çalë që më shume e kishte mësuar nga vetë Leonidha kur debatonin për çështje të ndryshme.

Eh, një nga debatet që bënin ata, ishte se kush mish ishte më i mirë, mishi i kecit apo i qingjit, mishi i pjekur në hell apo në furrë. Ishte një debat që përfundonte në një lloj basti mes Kujtimit dhe të dy himariotëve. Për punë lekësh nuk mund të qaheshin që të dy palët e bastaxhinjeve. Kujtimit i sillte gjyshi herë pas here lekë dhe jo vetëm lekë por dhe mish të pjekur të mbështjellë me napa të bardha nga ato që kullonin djathin në baxhon e Fushbarshës. Ndërsa Apostoli dhe Leonidha ishin gjithmonë me lekë si himariotë që ishin, himariotët gjithmonë me lekë kanë qenë... Bastin e fundit e fitoi Kujtimi dhe që të tre u nisën te bufeja e Sandrit, që ndodhej aty rrëzë kodrës e që nuk ishte larg repartit të tyre.

Leje nga reparti? As që bëhej fjalë për të marrë leje te oficeri i rojes se racioni me mish i shkonte atij bashkë me një pagure raki, pagure nga ato metaliket të ushtarit, ngjyrë jeshile dhe me kapakun të lidhur me gjalmë mbas trupit të pagures. Te baraka e Sandrit tek ata pinin nga një apo më shumë teke me raki, Kujtimi këndonte për qejf të vet këngët që i kishte mësuar gjyshi, kënga të Fushbardhës, këngë labe patjetër. Kujtimin ata e dëgjonin me vëmendje dhe mundojeshin që ta ndiqnin në refren dhe refreni ishte me ison e famshme. Eh, kjo iso sa probleme solli kohë më vonë. Isoja e këngës polifonike ishte një magji brenda vargjeve të këngës si për marrësin ashtu dhe për hedhësin por isoja ishte mbretëresha e këngës. Kujtimi më kish shkruar një letër ku më tregonte për një debat të viteve të tanishme se si disa grupe jugorë donin të hiqnin fjalën “iso” nga bashkësia “iso polifoni”. Po ky ishte një problem më vete që s’kishte lidhje me bastet e Kujtimit me Apostolin dhe Leonidhën. Ky ishte një problem më vete që ndoshta do shkruhej më vonë, por le të kthehemi te treshja e ushtarëve, Kujtim, Leoniodha, Apostol.

Edhe kur fliste me Kujtimin apo me ushtarë të tjerë Leonidha fliste greqisht jo se e bënte kastile por e kishte ashtu si ndoshta dhe shumë himariotë të tjere, ndërsa Apostoli fliste vazhdimisht shqip. Edhe kur këndonin së bashku në lokalin e Sandrit, Leonidha mundohej te ndiqte Kujtimin në këngën labçe po thjeshtë me ndjekeje sysh, ndoshta dhe me ndjekje zemre por nuk e bënte veten...

E Leonidha ishte tjetër gjë! Ishte pak i çuditshëm në mënyrat e sjelljes së tij, ndërsa Apostoli ishte më i drejtë për drejtë, në çdo lloj komunikimi si me kapterët dhe oficerët ashtu dhe me shokët e tjerë ushtarë të trepartit, ishte si të thuash njeri pa djallëzi por jo humbameno. Leonidha dukej në çdo lloj komunikimi me të tjerët krejt ndryshe nga Apostoli, edhe pse dikush thonte se binin dhe kushërinj. Kishte një lloj stopimi në të folur, edhe pse greqishten e fliste rrjedhshëm, ndërsa shqipen mundohej ta germëzonte . Dukej haptazi sikur e bënte artificialisht këtë veprim. Kujtimi më tha një ditë, kur me tregonte për here të dytë këtë histori se ai ngjante me ca shqiptarë që rrinë jashte shtetit si emigrante dhe kur vinë në Shqipëri me pushime, flasin me një shqipe të çuditshme, gjysmën e kanë harruar dhe fusin në mes të fjalisë shume fjalë të gjuhës se huaj.

-Kohe dhe zakone- i thoja Kujtimit.

-Mirë mor mirë, po ky Leonoidha as që e kishte parë Greqinë e ku e ku me këta shqiptare të këtyre viteve - ma kthente Kujtimi.

Ditët kalonin, e ata të tre shtynin ditët e ushtrisë me atë qetësine që ta jep vetë reparti ushtarak kudo që të jetë. Jo më kot edhe ngjyra ushtarake është jeshilja, e jo vetëm te rrobat. Edhe mendimet bëhen jeshile.

-Por ajo që ndodhi atë ditë - tregon Kujtimi më ka lënë mbresa të thella, mbresa që edhe tani i riprodhoj si në një film me ngjyra e me muzikë. Ishte nje ditë e bukur plot me diell dhe unë po kërkoja të dy himariotët sepse më kish hipur një lloj delli të bëja sherr me Leonidhën e ta ngacmoja për atë greqishte që na fliste. Por as Apostolin nuk po e shihja. Befas më shkoi mendja se ata do të kishin shkuar te barakja e Sandrit dhe u nisa ngadalë e ngadalë. Por sapo u afrova nja dy apo tre metra barakës, dëgjoj një këngë të njohur për mua.

Kush është lule e vilajetit

I kanë bota sevdanë

Himara në breg të detit

Shtatë fshatrta që janë…

M’u duk edhe zëri i njohur. Hyj brenda e ç’të shoh. Leonidha po këndonte me nje shqipe të kulluar. Apostoli kishte mbështetur kokën në njerën pëllembë e po e shihet Leonidhen drejt e ne sy duke i mbajtur një lloj isoje të pa zëshme. Unë ngriva në mes asaj hapësire të vogël dhe me qetësi u ula pranë të dyve.Cuditërisht Leonidha nuk e ndërperu këngën ...shtatë fshatara që janë.... Pak çaste më vonë ai pushoi dhe porositi raki për mua dhe rrinte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Unë që isha gatitur për atë sherrin e greqishtes së tij, u mahnita nga bukuria e fjalëve shqip të asaj kënge magjepsese dhe i thashë.

-Po ti këndoke kaq bukur shqip!

Ai ishte si në jerm dhe po shihja se ai nuk po e kuptonte ndërhyrjen time. Ishte krejt i vetdijshem që kish kënduar shqip. I trondituri isha unë por dhe Apostoli nuk po ma kuptonte atë lloj emocioni që kisha une. Kohë më vonë ishte Leonidha që më thonte se ai nuk dinte këngë greke, dhe këngët e Himarës ai i donte me gjithë shpirt. Por, edhe disa kohë më vonë ai më justifikohej se greqishten e fliste për inerci pa e vrarë mendjen, se shqipen e fliste dhe ai shumë bukur, më bukur se Apostoli- qeshte Leonidha.

Unë nga gëzimi i asaj dite i qerasa nga xhepi im me çfarë kishte barakja e Sandrit, po, po kishte kukurec atë ditë...- thoshte Kujtimi i emocionuar sikur të ishte një studjues i folklorit të bregdetit.

Prill 2023

74 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page