Dy shkrime
- Jul 2, 2023
- 6 min read

Shpikje dhe zbulime
Astrit Lulushi Mijëra vjet më parë, njeriu bënte zbulime të rëndësishme dhe krijonte ndërtime të jashtëzakonshme. Shumë zbulime kanë ndodhur më shumë se një herë në të kaluarën, duke dëshmuar se qytetërimi i përparuar është rrjedha natyrore e specieve njerëzore, diçka e pashmangshme dhe jo mrekulli. Puna teknike më e lashtë deri më sot është ndërtuar 23.000 vjet më parë në shpellën prehistorike të Theopetrës, pak kilometra larg qytetit Kalampaka në Greqi. Atje, njerëzit primitivë vendosën të ndërtojnë një mur guri për të ngushtuar hyrjen e shpellës. Mosha e ndërtimit përkon me periudhën më të ftohtë të epokës së fundit të akullit, gjë që dëshmon se muri u ndërtua për mbrojtje nga të ftohtit ekstrem. Pra, njeriu modern kishte gjithmonë aftësitë e nevojshme për të punuar në grup. Shpella në fjalë është me interes për shumë arsye, një ndër të cilat; aty janë gjurmët e fëmijëve, që dëshmon se 130.000 më parë, njerëzit përdornin këpucë. Shumica e njerëzve nuk e dinë se Heroni i Aleksandrisë shpiku motorin e parë me avull rreth 2000 vjet më parë, ndërsa ndërtoi një sferë e cila rrotullohej duke përdorur fuqinë e avullit. Me të njëjtën teknologji me avull, Archytas i Tarentum, rreth shekullit V p.e.s., ndërtoi objektin e parë me aftësi fluturimi, të ashtuquajturin pëllumb fluturues. Falë presionit të avullit dhe formës së tij aerodinamike, zogu artificial mund të fluturonte një distancë prej 200 metrash. Shumë shkencëtarë spekulojnë se nëse nuk do të kishin ndërhyrë romakët, të cilët e ndërprenë dinamikën e kohës, revolucioni industrial mund të kishte ndodhur 1500 vjet më herët, pra rreth shekullit III të erës sonë. Ka edhe shpikje të tjera të rëndësishme që kanë ndodhur në të kaluarën, por ato përfundimisht humbën dhe u rizbuluan shumë vonë, në kohët moderne. Një shembull i tillë është energjia elektrike, të cilën njerëzit e lashtë e kishin vëzhguar. Edhe pse energjia elektrike nuk ishte shfrytëzuar, ata e dinin se peshku elektrik mund të shkaktonte elektroshok te njeriu, ndërkohë që ka tekste egjiptiane të vitit 2750 p.e.s. ku peshqit e Nilit quheshim "vetëtima e Nilit". Është mbresëlënëse që njerëzit e asaj kohe e kishin kuptuar se energjia e vetëtimës është e të njëjtit lloj. Disa shkrimtarë të lashtë tregojnë se këto goditje elektrike mund të kalonin nëpër objekte të ndryshme përçues dhe përdoreshin për sëmundje si artriti dhe dhimbja e kokës. Thales i Miletit bëri një seri vëzhgimesh mbi elektricitetin statik rreth vitit 600 p.e.s., pasi kishte parë fillimisht se një copë elektroni (qelibar) i fërkuar në një leckë të thatë tërhiqte copa të vogla kashte. Ka tregues se njeriu kishte arritur të prodhonte energji elektrike me tension të ulët, pasi vetëm pak larg Bagdadit, është gjetur një bateri primitive. Një shembull tjetër i një shpikjeje që humbi me kalimin e kohës është tipografia, me diskun e famshëm të Phaistos, i cili datohet në mijëvjeçarin II p.e.s. Disku është një mostër e hershme e tipografisë, më e vjetra në botë, pasi dizenjot në të ishin shtypur në argjilë të butë përpara se të vendoseshin në zjarr për t'u ngurtësuar. Tipografia është një shpikje shumë e rëndësishme, pasi është parakusht për shpërndarjen e gjerë të njohurive. Mekanizmi Antikythera, i cili datohet në shekullin 2 p.e.s., dhe u zbulua thjesht rastësisht, është kompjuteri i parë i ndërtuar ndonjëherë. Shkencëtarët që studiuan mekanizmin u habitëm, pasi ai funksiononte me ingranazhe dhe është mjaft i ndërlikuar, duke pasur aftësinë për të llogaritur dhe përshkruar lëvizjet e trupave qiellorë, si Hëna, duke lokalizuar me saktësi pozicionin, megjithëse orbita eliptike e bën hënën të lëvizë me një shpejtësi të ndryshueshme (më shpejt kur është më afër tokës dhe më ngadalë kur është larg saj). Teknologjia e ingranazheve u transferua në Evropën e Rilindjes (nëpërmjet bizantinëve dhe arabëve), duke bërë që një nga shkencëtarët të deklarojë se Mekanizmi i Antikitherës është djepi i teknologjisë moderne. Në fakt, pjesët e mekanizmit janë bërë nga aliazhe metalesh të ndryshme, në varësi të funksionit që ka pasur secila pjesë. Mendoni nëse dikush të na thoshte se 2000 vjet më parë njerëzit kishin kompjuterë, çfarë do të mendonim? - se ai dikush ishte i çmendur, dhe shkencëtarët do të deklaronin se një gjë e tillë ishte e pamundur. Gjithashtu, merrni parasysh sa e mundur është që të ketë patur shpikje të tjera të rëndësishme, njohuritë e të cilave kanë humbur.
Fat apo sukses?
Astrit Lulushi
Nuk mund të ketë krijim nga asgjëja. Mrekullia nuk i dha njerëzimit Demokracinë, por, rruga e gjatë dhe e vështirë, si në lashtësi, edhe sot. Që nga Homeri (vitet 700 pes), ne vërejmë se perënditë dhe njerëzit merrnin vendime duke u mbledhur e kuvenduar në vende të caktuara, kuvende në shesh a në sallë. Por koncepti i parlamentit nuk shfaqet për herë të parë tek Homeri. por ekzistonte që në epokën e Trojës, dhe nga Troja, edhe më larg.
Ekzistojnë gjurmë të zjarrit 700.000 deri 1.000.000 vjet më parë në shpellën e Petralonës, ku u gjet edhe kafka 700.000 vjeçare e Arkantropit. Ka tregues të përdorimit të zjarrit nga njeriu para 1.7 milion vjetësh. Nuk është çudi që njeriu e kishte zbuluar atë, që kur zjarri u shfaq në natyrë. E mundshme është që zjarri të ishte zbuluar edhe më herët, kur njeriu rrëmbeu nga kurioziteti një degë që po digjej. Nëse pranojmë se zjarri ka qenë në shërbim të njeriut për gjithmonë, sa kohë do të duhej që shpikjet si qeramika, apo epokat e metaleve të fillonin?
Gjithashtu. 50.000 vjet më parë, Neandertalët mund të ndiznin një zjarr duke goditur gurin me gur për të krijuar shkëndija, fakt që i habit shkencëtarët, të cilët i kanë nënvlerësuar vazhdimisht njerëzit primitivë. Diodorus Siculus tregon për priftërinjtë egjiptianë:
"Kur një herë në mal bubullima goditi një pemë dhe pyllit aty pranë iu vu zjarri, Hephaestus gjatë dimrit u afrua dhe e shijoi shumë nxehtësinë. Dhe kur zjarri ishte gati të shuhej, ai e mbante atë duke i hedhur vazhdimisht dru, pastaj ftoi njerëz të tjerë të shijonin përfitimet që vinin prej tij". Meqenëse ajo që shkaktoi zjarrin ishte bubullima, nuk mund të konsiderohet rastësi që në mitologji ishte Zeusi, perëndia, arma e të cilit ishte bubullima, ai që e ndëshkoi Prometeun që ua solli zjarrin njerëzve. Me sa duket, miti antik kodon një incident aktual, i cili përshkruhet i deshifruar në historinë e priftërinjve egjiptianë.
Fat apo sukses? Ashtu si shpikjet më të rëndësishme në historinë e njeriut, metalurgjia duket se ka ndodhur krejt rastësisht. Sipas pikëpamjeve mbizotëruese, shpikja e metaleve lidhet me zjarret e mëdha të pyjeve, konkretisht në vende me mineral bakri sipërfaqësor. Pas zjarreve në këto zona u formuan masa të forta bakri. Këtë pikëpamje e mbështet edhe Straboni. Pra, metalet dhe përpunimi i tyre mund të ishin zbuluar shumë më herët se krijimi i epokave.
A jemi vërtet më të zgjuar se njerëzit primitivë? Shkencëtarët besojnë se paraardhësit tanë gjuetarë-mbledhës kishin një tru më të madh se fermeri dhe rrjedhimisht më të madh se njeriu modern. Kjo është për shkak se ata duhej të bënin shumicën e gjërave vetë, të kishin një kujtesë të mirë dhe të ishin gjithmonë vigjilentë. Më vonë njerëzit, edhe për shkak të specializimit, bënë jetë më të thjeshtë. Kjo sjell në mendje ndryshimin midis njeriut në fshat dhe atij në qytet: fshatari merret vetëm me punët e bujqësisë dhe nuk interesohet për tema të tjera, ndërsa njeriu i qytetit ka një shpirt më të shqetësuar.
Edhe Cro Magnon, forma e hershme e njeriut modern gjatë periudhës 46.000 – 13.000 pes, kishte një tru më të madh se njeriu i sotëm; 1.514 centimetra kub krahasuar me 1.350 cm3 të njeriut. Kjo do të thotë që ose Cro-Magnon ishte më i zgjuar se ne, ose madhësia e trurit nuk është proporcional me inteligjencën.
Të gjithë janë të vetëdijshëm për Teorinë e Përzgjedhjes Natyrore të Darvinit. Por nëse e kombinojmë këtë teori me faktin se katastrofat natyrore gjatë rrjedhës së historisë njerëzore prekën kryesisht grupet që kishin zhvilluar qytetërimin - siç shkruan Platoni te Critias -
"Njerëzit që mbijetuan pas çdo katastrofe ishin analfabetët dhe më pak të zhvilliar".
Pra, ka shumë të ngjarë që ne të mos jemi njerëzit më të zgjuar që kanë ecur ndonjëherë në tokë.
Në jetë, faktori më i rëndësishëm është fati. Fati është ai që i bëri kushtet të favorshme në mënyrë që kërcimi teknologjik i tre shekujve të kaluar të ishte i realizueshëm. Me një paqëndrueshmëri klimatike ose gjeologjike në kohë të gabuar, ne mund të kishim qenë ende në Mesjetën feudale.








Comments