top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: TË MENDOJMË SERIOZISHT PËR MBROJTJEN E VENDIT ME FORCAT TONA   

  • Apr 25
  • 4 min read

Opinion

   Ashtu dhe kështu se si kanë rrjedhur dhe po rrjedhin ngjarjet qysh kurse historia e njerëzimit mban mend, duhet pranuar se utopia më e madhe në këtë botë qenka vendosja e paqes. Kuptohet, që kjo e vërtetë është dhe arsyeja që nuk ka vend, i madh apo i vogël qoftë, neutral apo i përfshirë në aleanca, që të mos ketë menduar për garantimin e mbrojtjes dhe të mos ketë ushtrinë e tij të pajisur me armatimet më moderne të kohës. Për fatin tonë të keq, këtë të vërtetë, pas ardhjes së demokracisë, nuk e kuptuan vetëm politikanët tanë, të cilët të ngazëllyer nga futja e Shqipërisë në NATO, çka natyrisht që duhet përshëndetur, pandehën se ushtria ishte e panevojshme dhe pranuan verbërisht eliminimin e saj. Si pasojë e kësaj, bëmë atë më të papërfytyrueshmen; shitëm e çuam për skrap tanke, topa, avionë, anije e municione pa hesap, reduktuam gati në asgjë numrin e efektivave të ushtrisë, i vumë kazmën objekteve fortifikuese, mbyllëm shkollat ushtarake dhe shpallëm se do të na mbrojnë të tjerët. Mirëpo, harruam se si çdo gjë, edhe politikat apo marrëdhëniet mes shteteve marrin kthesa krejt të papritura, madje edhe aleancat apo vetë traktatet e firmosura dhe vulosura me aq solemnitet, zbehen dhe shpesh e humbasin jo vetëm qëllimin për të cilin u krijuan, por edhe hedhin pas krahëve detyrimet e ndërsjellta. Fjala vjen, kujt do t`i shkonte ndërmend se midis vendeve të Aleancës Atllantike, do të lindnin mosmarrëveshje e deri kërcënime nga më të pabesueshmet, që presidenti i shtetit më të fuqishëm, do të bënte deklarata të paimagjinueshme, duke thënë hapur se mund të shkëputeshin prej saj, pasi ajo tashmë nuk i duhet kujt, ngaqë paska ardhur koha për një rend të ri. Kjo dukuri, aspak e favorshme për ne shqiptarët, mori përmasa serioze, pas futjes në luftë, së bashku me Izraelin edhe të SHBA, kur vendet pjesëtare të NATO - s me të drejtë, nuk iu bashkuan atyre. Mirëpo, nga ky qëndrim, u vumë në pozitë të vështirë edhe ne shqiptarët. Dhe ja pse. Politikisht, SHBA i kemi aleatët tanë strategjikë, kurse synimi ynë është plotësimi i kushteve dhe pranimi në BE. Qeveria jonë me deklarata dhe veprime të tjera, deri dhe vizita aspak të nevojshme, ka mbështetur agresionin e Izraelit dhe atë të SHBA, si në Palestinë ashtu edhe ndaj Iranit, sipas motos se edhe sikur gabim ta ketë Amerika, ne do t`i japim të drejtë asaj. Pa tjetër që ne kemi detyrime, qoftë dhe morale, për atë që ky vend ka bërë për kombin tonë e sidomos pas asaj që ngjau në vitet 1998 - 99 në Kosovë, ku vandalizmi serb bëri krime të përbindëshme ndaj popullsisë paqësore të atij vendi. Por, kjo nuk do të thotë që ne të demonstrojmë solidaritet edhe kur në Gaza shkretohet e rrafshohet gjithçka dhe vriten deri mbi 20.000 fëmijë e pafund civilë, dhe realizohet një gjenocid si ai që hitlerianët sllavë bënë në Ballkan, e sidomos ndaj popullsisë shqiptare në Dardani, apo bombardohen shkolla në Iran. Kushdo e di mirë se regjimi i ajatollahëve është nga më antipopullorët dhe përmbysja e tij do të ishte mëse e mirëpritur nga kushdo, por dalja në skenë jashtë skenarit e qeverisë tonë, në një kohë që këtu kemi strehuar 3.000 kundërshtarë politikë të atij regjimi apo shpallja gati qesharake e Iranit që drejtohet nga e ashtuquajtura Garda Revolucionare, si shtet terrorist, kur as ta kërkon kush dhe as ke ndonjë peshë, por vetëm e vetëm për servilizëm ndaj SHBA, mund të sjellë edhe ndonjë pasojë të padëshiruar, ose më e pakta, të përhapë panik mes popullsisë tonë. Në planin ushtarak, kushdo e ka të qartë se ajo luftë do të zgjasë dhe askush nuk do të dalë i fituar, se po të ishte aq e lehtë, së pari duhej sulmuar Koreja e Veriut e dinastisë së Kimëve që vringëllijnë pa drojë armët bërthamore, por ç`taksirat kemi ne shqiptarët që çdo natë të na shpjegojnë gazetarët efektet e raketave hibride iraniane 358, me rreze mbi 4.000 km. Kjo mund të jetë më shumë një fantazi sesa mundësi, por nga ana tjetër duhet ditur se nuk është aspak fantazi armatosja e Serbisë së Vuçiçit me raketa e drone të sofistikuar, të blera nga Kina, si dhe nxitja e përkrahja që i bën atij vendi cari i Kremlinit V. V. Putin që sikur po e merr me të mirë vetë zoti Trump. Asnjë rrezik nuk ekziston në gadishullin tonë për Serbinë. Pra, del se ajo armatoset, që duke përfituar nga situatat ndërkombëtare, të rimarrë Kosovën. Tani, po kujtoj se presidenti Trump në mandatin e tij të parë pati deklaruar se ne nuk jemi budallenj që të çojmë djemtë tanë të vriten për ca kokëshkretë në Shqipëri e Mal të Zi. Po pse, Gebelsi i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi, nuk e mban mend këtë? Nga ana tjetër, Greqia a nuk e mban ende ligjin e luftës me ne edhe pse jemi të dy vendet anëtarë të NATO - s, dhe askush nuk i thotë se ky qëndrim është sa i turpshëm, aq edhe i dëmshëm. Kështu që rreziku i përballjes me situata luftarake, edhe për ne ekziston. Por këtë nuk duan ta shohin ata politikanë që na lanë pa ushtri dhe që kuptohet, pa dashje, bënë një akt që nuk gabojmë sikur ta quajmë tradhti. Them nuk duan ta shohin, se nga mëngjesi në darkë merren me akuza, sharje, e fyerje që s`i duhen kujt dhe nuk marrin mundimin të mblidhen e të diskutojnë për mbrojtjen e vendit sot e në perspektivë. Pra, çfarë do të bëjmë për fuqizimin e ushtrisë tonë dhe përgatitjen e popullsisë për t`i dalë vetë së pari Atdheut për zot. Shqipëria ka nevojë për burra dhe jo burracakë e mburracakë!

1 Comment


kadri tarelli
Apr 26

Shkrim i bukur dhe me shumë vlera njohëse mbi të vërtetat që na sillen nëpër këmbë. Jo se nuk i dinë njerëzit tanë, por janë tulatur duke heshtur.

Prishja e e ushtrisë ishte dhe mbetet "tradhëti kombëtare", (Nuk ka fjalë që e mbulon këtë të vërtetë), pavarësisht se dikujt nuk i pëlqen.

Të përgëzoj që po e risjell në vëmëndje këtë temë që djeg e përvëlon ndjenjat atdhetare të gjithkujt që e quan veten Shqiptar. Urime dhe falëndrim.

Kadri Tarelli

Durrës

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page