top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: TALENTI I PAKRAHASUESHËM ...




GËTE, TALENTI I PAKRAHASUESHËM ARTISTIK DHE VULLKANI I

                                  DIJES NJERËZORE


Nuk e di pse më ka ndjekur pas tërë jetën një thënie e Johan Volfgang Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe): “Çdo ditë shiko një pikturë të bukur, lexo një poemë të bukur, dëgjo ca muzikë të bukur dhe po munde thuaj ndonjë gjë të mençur”. Vetëm se jam çuditur, pse ai kësaj thënieje të zgjuar, nuk i ka shtuar diçka për dashurinë. Ka harruar, apo këtë ndjenjë të shenjtë ka dashur ta mbajë si pronë të vetën. Se asnjë nga Perënditë e Olimpit, nuk ja ka falur dashurinë e tij, ndokujt tjetër. Sidoqoftë, vetë ai, gjersa mbylli sytë në moshën tetëdhjetëetre vjeçare, i ulur mbi një kolltuk, nuk reshti së kujtuari diçka nga poezia e tij (Prit dhe pak, do të prehesh dhe ti), dhe nuk kërkoi tjetër, veçse t`i sillnin pranë disa libra. Pastaj, me sytë nga dritarja, pa natyrën plot dritë dhe dëgjoi melodinë e cicërimave të zogjve, veprën e papërsëritshme të natyrës, piktorit me talentin më të magjishëm dhe penel të padukshëm. Edhe vetë njëherë kishte pohuar se “Edhe në ëndërrimet më të bukura, njeriu nuk mund t`ia kalojë natyrës”. E deshi natyrën, se e deshi shumë jetën. E deshi jetën me të gjitha gëzimet e saj. Pati dhe fatin e madh që të tërhiqte vëmendjen e Karl Augustit, princit tetëmbëdhjetë vjeçar të Vajmarit (kryeqyteti i dukatit që nga shekulli i XVI - të, pasi Paqja Vesfalike e copëtoi Gjermaninë në 300 shtete të vegjël), i cili e mori pranë. Këtu kishte një jetë të gjallë kulturore, në rrjedhat e së cilës u miqësua me një grua të mençur, Sharlota fon Shtajnin, e cila i krijoi mundësi takimesh e lidhje miqësore me njerëz të shquar të artit e kulturës. Dhe le ta themi; të cilën dhe e dashuroi marrëzisht. Po nga vinte ky autor kaq i dashur jo vetëm për Gjermaninë. Ai ishte lindur në 28 gusht 1749 në Frankfurt mbi Majn (Frankfurt am Mein), aso kohe me nja 6.000 banorë dhe ku sot ndodhet shtëpia muze e tij, dhe ku organizohet çdo vit panairi i librit. Familja e tij ishte ajo e Johan Caspar Goethe, një këshilltari pranë oborrit të perandorit dhe e ëma, Catharine Elizabeth Textor dallohej për zgjuarsi e kulturë, pra me tradita të vyera qytetare. Kishte vetëm një motër, Cornelia Schlosser dhe u rrit mes librave dhe haresë, ku pak a shumë nuk u mungonte gjë dhe vetë i ati iu përkushtua edukimit dhe arsimimit të tyre. Pa mbushur dhjetë vjeç, Gëtja njihte mirë disa gjuhë, madje edhe hartimet i shkruante në gjuhën latine dhe i binte violonçelit. Qysh tani shfaqi adhurimin për natyrën dhe përrallat që i nxisnin imagjinatën e shfrenuar. Nën ndikimin e disa pjesëve të teatrit francez që pa në moshë të re, kur gjatë luftës shtatë vjeçare ja nxiti kureshtjen një oficer francez, provoi dhe vetë të shkruante, por babai deshi ta dërgonte në universitetin e Laipcigut që të bëhj jurist. Pati një ndërprerje për arsye shëndetsore dhe pasi shkoi për ca kohë në shtëpi, u rikthye sërish për ta mbaruar shkollën, dhe në 6 gusht 1771 mbrojti diplomën, por profesionin e juristit e ushtroi si avokat vetëm për katër vjet. Gjatë ndërprerjes së studimeve, ishte vetarsimuar, kishte lexuar pafund dhe kishte shfaqur interes të veçantë për shkencat e natyrës, filozofinë, alkiminë e deri astrologjinë. Në vitin 1769 provoi kënaqësinë e botimit të përmbledhjes poetike me titullin “Këngët e reja”. Në Strasburg ku shkoi, u bashkua me djem të tjerë me prirje dhe interesa kulturore, të cilët ishin të ndikuar nga idetë e iluminizmit që e lindur në Angli, kishte marrë zhvillim në Francë, Itali e më gjerë. Po ashtu, këtu diskutohet me zjarr edhe për rëndësinë e kulturës popullore dhe dëshirën për liri, dhe nisi ajo lëvizja që quhet Stuhi dhe Sulm (Sturm und Drang), ku një rol të dukshëm luante kritiku Johan Gotfrid Herder (Johann Gottfried Herder), që ishte nja pesë vjet më i madh se Gëtja. I influencuar nga synimet e lëvizjes “Stuhi dhe Sulm” Gëtja në vitin 1771, shkroi dramën “Gëci i Berlihingenit”, ku për protagonist merr heroin e vërtetë të lëvizjes fshatare të shekullit të XVI - të që nisi shtatë vjet pas botimi të tezave të teologut rebel Martin Luterit, i cili kundërshtonte hapur Papa Leonin e X - të. Me këtë dramë Gëtja bëhet i njohur anë e kënd vendit, dhe kur shkon në Veclar, dashurohet marrëzisht me bukuroshen Sharlota Buf, që ishte e fejuara e kolegut të zyrës, Kestnerit, dhe nga refuzimi i së cilës, i dëshpëruar largohet nga ai qytet. Nga zhgënjimi i dashurisë me këtë bukuroshe, një punonjës ambasade, mik i tij, vrau veten, ç`ka bëri që Gëtja të shkruante brenda një kohe mjaft të shkurtër romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter” i cili e bëri tashmë të njohur edhe jashtë Gjermanisë. Mirëpo aq përshtypje bëri kjo vepër, ku del se ndjenja nuk e përfill shpesh herë arësyen, sa jo vetëm u shtua dëshira për të ardhur e takuar shkrimtarin, por dhe shumë nga ata që kishin pasur fatin e heroit të librit, të kryenin suicid. Kjo qe e papritur për Gëten, i cili u detyrua që më pas, botimin e romanit ta shoqëronte me shënimin e njohur “Dëgjojeni se ç`thotë nga varri: T`ju vijë keq për mua, por mbahuni burra!” Pra, ai e konsideronte tërësisht gabim aktin e vetëvrasjes nga zhgënjimi. Ja kjo është edhe koha, kur shkrimtari tani i lexuar dhe i pëlqyer ngado, thirret në oborrin e princit në Vajmar. Në këtë periudhë ai kishte arritur pjekurinë e plotë intelektuale, ndaj punonte sipas parimit të shpallur po prej tij se “Mendja e fuqishme që ndjek qëllime praktike, është mendja më e mirë mbi tokë”. Dhe ai e arriti këtë, i frymëzuar dhe përkrahur sikurse thamë edhe nga Sharlota. Veprimtaria e tij qe e gjithanëshme, deri edhe si administrator në oborrin e princit, i cili i dha pushtet shumë të madh, pasi vetë prirej më shumë nga një farë hedonizmi. Edhe në shkencë, sidomos në morfologjinë e bimëve, u mor mendjendrituri Gëte, i cili polemizonte me sukses edhe me shkencëtarë me famë botërore. Po ta shohësh me vëmendje, gjenia e tij të kujton atë të Leonardo da Vinçit, se ashtu si ai që veç artit, për të studiuar anatominë e njeriut, hapte kufomat, apo merrej me studimin e kafkës së njeriut për tablonë e tij kushtuar Shën Jeronimit, edhe Gëtja studioi dhe vërtetoi se ashtu si te kafshët, edhe te njeriu ekziston kocka ndërmjet nofullave. Edhe vetë merrej qysh herët me pikturë. Asnjëherë nuk i ktheu krahët krijimtarisë letrare; shkruan dhe boton “Egmondin” dhe “Efigjenia në Tauridë” (1779), drama që u pëlqyen nga masa e gjerë, dhe shumë poezi. Po ashtu, ai kalonte kohë të gjatë me “Faustin”, punë me të cilën u mor edhe në Itali, ku nga 3 shtatori i vitit 1786, shkoi pas refuzimit të Sharlotës. Tani të gjithë e dinë famën që ai fitoi me këtë kryevepër, ku gjetën shprehjet e veta edhe prirjet e dëshirat e vetë poetit. Është bërë emblematike kundërvënia e shpirtit të bukur e liridashës të Faustit, ndaj mohuesit të gjithçkaje, Mefistofelit. Fausti deklaron: “Për ç`ka përtej s`më bëhet vonë. / Në u rropostë bota jonë, / nuk pyes ç`botë vjen pas saj.” Gëten, interesat  filozofike dhe shkencore e çuan në ballafaqim pikëpamjesh edhe me njerëz mjaft të shquar si miku i tij Artur Shopenhaueri (Arthur Schopenhauer), që mbronte moralin e bazuar te mëshira, apo edhe Isak Njutoni (Isaak Newton), i shumë viteve më parë, për shembull; ku bindjet e tij që dikur i kishte bazuar vetëm tek ajo që sheh vetë, tani kishin evoluar dhe mbështeteshin te teoria e ekzistencës së dritës, e cila është, edhe pse ne nuk e shohim. Kishte si devizë sentencën e tij “Dyshimi rritet sa më shumë që të dimë”. Si u kthye nga Italia ku qëndroi dy vjet, princi në Vajmar e çliroi nga angazhimet burokratike dhe i la hapësirë vetëm për krijimtari, Por ai gjeti kohë dhe zemra i rrahu fort për Kristina Vulpiusin, një luleshitëse kaçurrele, faqekuqe dhe tepër nazelie, e cila e takoi duke u interesuar për krijimet e të vëllait. Ishte njëzetetre vjeçe dhe poeti i krijoi kushte për të banuar pranë oborrit. Thonë se një herë kur shkoi tek ajo dhe e gjeti duke fjetur, u turbullua aq shumë sa nuk e trazoi fare, vetëm u mjaftua duke i lënë te koka tufën e luleve. Ja, këtu ai më kujton Serovin me tablonë e tij “Vajza me pjeshkë”, kushtuar princeshës Vera, që në eufori apo ekstazë dashurie, u ul e përflakur përballë tij. E dashuroi atë për shtatëmbëdhjetë vjet, aq sa edhe Balzaku (Honore de Balzac), konteshën polake Evelina d`Hanskaja, dhe pasi duroi qortimet e atyre që e rrethonin, dhe pasi ajo lindi një djalë, në vitin 1806, pra kur djali u bë shtatë vjeç, vunë kurorë. E donte, por Gëtja, si gjithmonë ishte i çuditshëm; ashtu sikurse merrte flakë në dashuri, ashtu edhe fikej shpejt. Me kalimin e viteve, Kristina që dikur ai e konsideronte si statujë antikiteti, u deformua dhe zuri shtratin. Ndaj ata thuajse jetonin të ndarë, gjersa ajo vdiq dhe ai u mbyll në vetminë e tij. Pas vitit 1799 ndër ata që i shkonin, dallonte kryesisht Frederik Shileri (Fredrich von Schiller), që mesa duket i kishte mbyllur ato që quhen “vitet e shtegtimit” pas përzënies nga Shtutgardi, ku duka Eugjen nuk po e duronte më autorin e dramës “Cubat”. Miqësia me të e ngushëllonte Gëten, shkëmbimet intelektuale i frymëzonin të dy, dhe këto janë vitet kur ata shkruan mjaft vepra të mëdha. Kishin pikëpamje të ndryshme, pasi Shileri ishte më radikal dhe Gëtja më i përmbajtur, por kjo nuk e vuri kurrë në dyshim respektin e pashoq për njëri - tjetrin. Rreth kësaj kohe Gëtja shkruan kujtmet e tij, dhe “Metamorfoza e bimëve” në 1789 e pas një viti “Metamorfoza e planeteve”. U dëshpërua pa masë kur më 9 maj 1805 Shileri vdiq në moshën dyetegjashtë vjeçare, duke lënë të pambaruar “Dmitri i Rremë”. Pesë vjet më pas, Gëtja botoi librin e tij “Teoria e ngjyrave” dhe në vitin 1819 vëllimin “Dinvani Lindor - Perëndimor” që është një përmbledhje poezish të ngjashme me ato arabo - persianet. Po ashtu, në harkun kohor të gati tridhjetë vjetëve botoi edhe romanin “Vitet e mësimit të Vilhelm Maisterit” në dy volume. Ka shkruar mbi njëzet drama, ka përkthyer “Mohamed” - in e Volterit (Voltaire), dhe shumë artikuj shkencorë apo në mbrojtje të Xh. G. Bajronit, A.S. Pushkinit, A. Mickieviçit dhe shumë poezi brilante. Dhe ndodhi diçka që tregoi se ndjenjat nuk njohin moshë, kur ai u dashurua pas tetëmbëdhjetë vjeçares Ulrika fon Livencov, kur vetë ishte… shtatëdhjetëepesë vjeç. Përmendet shpesh kjo histori, dhe si e tillë thuajse është e njohur nga lexuesit, ndaj nuk po e përshkruaj me hollësi, veç po ndalem te qëndrimi i vetë vajzës së re e cila deri në fund të jetës së saj, refuzoi çdo propozim martese pas vdekjes së Gëtes dhe mjaftohej duke kujtuar elegjitë e mrekullueshme si ajo e Marienbrandit, që ai i kushtonte asaj. Ulrika jetoi deri në moshën nëntëdhjetëegjashtë vjeçare dhe e ruajti deri në fund respektin e madh për të dhe në reminishenca kujtonte kur ai e ngrinte në krahë. Dhe duke qenë se pak më sipër përmenda zemrën e zjarrtë dashurore të këtij gjeniu, po rendis disa nga të dashurat që lanë mbresa dhe patën ndikim në shpirtin e tij. Ato ishin: Gretça, Ketçen Skenkopfi, shitëse vere dhe për të cilën shkroi “Anetë” (Annette), bija e veteranit të urdhrit teuton, Lote, vajza e priftit Frederika Brian (poezitë që shkroi për të i përmblodhi te “Këngët e Sezenheimit”), Lili Sheneman me të cilën edhe u fejua, por që ajo iu bind dëshirës së të atit dhe lidhi jetën me një bankier, Sharlota fon Shtajn, Faustina nga Roma, aktorja fon Vilemer, Mariana, Korona, ledi Hamilton, Betina, Madalena, dhe ato që i di vetëm ai. Kur janë përpjekur të mësojnë sekretin e gjithë këtij interesimi e adhurimi të femrave për të, i kanë dhënë karar, duke cituar portretizimin që i ka bërë atij bashkëkohasi, poeti dhe dramaturgu nga Dyseldorfi H. Hajne, i cili ndër të tjera e ka quajtur njeri të mrekullueshëm, ku pamja dhe shpirti ishin në harmoni të plotë. Kur rasti e solli që në vitin 1808 (vit kur i vdiq dhe e ëma), të takohej me Napoleon Bonapartin, ky iu drejtua të pranishmëve, duke u thënë afërsisht: “Ja njeriu! Ju jeni burrë zoti Gëte!” Dhe i tillë qe ai që gjithë jetën këshillonte “E ardhmja i takon vetëm atij që harron urrejtjen dhe mbjell dashurinë”, ai, porosia e mençur e të cilit edhe mua nuk m`u nda asnjëherë dhe për të cilin me të drejtë u tha se ishte “njeriu i fundit në botë që di çdo gjë”.            

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page