top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: PËRGJAKJA E DËSHIRAVE TË BITËLLSAVE SHQIPTARË

16 hours ago
6 min read


(Rreth romanit të Mira Meksit “Bitëllsat i vranë para mesnatës”)


   Sapo nis të lexosh romanin e ri të Mira Meksit “Bitëllsat i vranë para mesnate”, të krijohet përshtypja se pas gjithë atyre romaneve të saj të mëparshëm, ku lehtësisht kuptohet puna e stërmundimshme dhe koha e gjatë që i kanë marrë, dhe që janë pritur me aq interes, kjo autore nga më të shquarat që ne kemi, ka dashur të çlodhet disi. Por jo; si e përfundon këtë libër, bindesh se shkrimtari i kulturuar dhe serioz, në gjithçka që nxjerr nga dora, do ta tregojë talentin e tij, pavarësisht temës dhe volumit të faqeve që i ka kushtuar. Vërtetë ajo nuk ka pasur nevojë të humbasë arkivave, të rëmojë në të fshehtat e bodrumeve të kishave të Evropës, në ato çka ka fiksuar historia ndër shekuj, dhe t`i gërshetojë ngjarjet me një harmoni të mahnitëshme, duke u kujdesur për çdo fjalë të gjuhës tonë apo për ta bashkuar të vërtetën historike me fantazinë gati të pabesueshme, por nuk ka sesi të mos ndiesh se te kjo autore dallon një kujtesë e rrallë dhe vëmendje e habitshme për çdo detaj, sado i vogël të duket ai. Mira, sikur të jetë nisur nga porosia e Robert Brault që thosh: “Shijoi gjërat e vogla, sepse një ditë mund të kthehesh pas dhe të kuptosh se ato ishin gjërat e mëdha”, për të na futur në mendësinë e kohës që përshkruan, me kufizimet e ndalimet paradoksale të saj, nuk shfrytëzon slloganet tipike dhe sot qesharake të komunizmit. Ajo as që merret me shpjegime të rëndomta politike. Duke treguar pasojat, lexuesi i nxjerr vetë përfundimet. Për të kanë rëndësi detaje, vende, sjellje, ndikime, kënaqësi, ndëshkime, aspirata, fate njerëzorë brenda telave me gjemba të të vetmit vend “socialist” e “demokratik” në botë, të cilat sikur po harrohen nga ata që i jetuan apo nuk njihen nga brezi i ri. Për më tepër, Mira ndalet te një moment kur diktatura lëshon pe, çka duket si një tërheqje shpresëdhënëse, si një sinjal vetkorrigjimi nëpërmjet liberalizimit të jetës, si një farë çlirimi nga vargonjtë dhe shabllonet që flisnin dhe synonin, krijimin e njeriut të ri. Njeriut që rezultoi hipokrit, pa identitet dhe pa mundur të reagonte ndaj varfërisë dhe padrejtësisë si pasojë e trembjes nga kurthi që diktatura me djallëzi i kishte ngritur. Personazhet e saj janë; bukuroshja Ganimete që shkëlqente qysh herëi në Tiranë, dhe katër të rinj, pas liceut, studentë tek Artet, që sapo nuhatën se Radio Tirana kishte nisur të jepte muzikë perëndimore, me disa vegla, më shumë të improvizuara, krijuan një grup muzikor që e quajtën “Beatles”. U bënë vëllezër gjaku dhe muzike. Ishte koha kur djemtë e Liverpulit kishin pushtuar botën dhe këngët e tyre po bënin epokë, sidomos mes të rinjve. Edhe emrat e tyre, ata i zëvendësuan: Adi në John, Mondi në Xhorxhi, Beni në Poli dhe Dikja në Ringo. Beatles - at tanë, shkojnë nga shkojnë dhe vërtiten në rrugën që nuk dihet se kush e quajti Broduej, në shëtitoren e përnatshme përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” apo rreth hotel “Breshka” gjatë verës, kur ishte koha e plazhit, dhe ku ata në pistën e famshme, japin koncerte për të rinjtë që tani imitonin Steve Reeves e Brigitte Bardot që nga filmat ishin në modë. Syrit të Mirës nuk i ka shpëtuar asgjë; ajo ka fiksuar gjithçka dhe duke na folur për shumë imtësi, jo vetëm gdhënd realitetin, por edhe na ngjall një nostalgji të këndshme. Në këtë mjedis, djemtë e kompleksit, nuk ankohen se u mungon e ngrëna dhe e pira. Atyre u mungon diçka më e shtrenjtë; liria. Ajo liri që ishte disi më e dukshme para çlirimit, ku vetë mbreti shkonte te “Kursali” me balerinën Tatiana Stronovskayan e “Folies Bergere” dhe koketonte hapur me një tjetër. Prandaj ata, sapo e ndiejnë veten të çpenguar, krijojnë muzikë shpirti, deri tek ajo hyjnorja “Let It Be”. Edhe ata si te  Beatles - at donin që muzika të mbante brenda saj “Dashuri, paqe dhe mirëkuptim”. Por në këtë entuziazëm, del një problem; Johni që i vogël, kur merrte mësime anglishteje te Ganimetja, ishte dashuruar marrëzisht me të edhe pse ajo ishte disa vjet më e madhe dhe kishte një histori të trishtueshme. Një histori nga e cila e kishte pësuar, duke bërë edhe burg, pas ndëshkimit të njerëzve të saj të afërt. Dhe pse? Vetëm se vinte nga një familje intelektuale dhe dashuroj Davidin, oficerin e misionit anglez në vendin tonë, që komunistët e përzunë. Jeta e saj është një dramë më vete; e lindur për princeshë, ajo internohet, ku në një stallë me akrepa, tek e cila e kishin degdisur si të përdalë, përfundon e vetëvarur në tra së bashku me të ëmën. Pasi e kishin gjetur, e kishin flakur në një kanal, që të mos i dihej as varri. Kjo ishte e mjaftueshme që Johni, djali i një piloti, ta urrente atë regjim dhe të mendonte që të arratisej së bashku me shokun e tij, djalin e një funksionari të lartë të partisë. Kishin dhe një arsye madhore: të nxirrnin në perëndim, pra ta shpëtonin, këngën e tyre e cila ashtu sikurse muzika që kishin kompozuar në përgjithësi, këtu nuk kishte të ardhme, pasi mjaftonte vigjilenca e një punëtori operativ apo e sekretarit të Rinisë Genci Çeliku që ta pësoje. Plaka Sarë, një tip profeteje, kishte folur dikur për Portën e Fshehtë të Kohës, dhe pikërisht këtë portë donin të kapërcenin djemtë për të shpëtuar atë këngë, që ishte sipas autores “…një baladë, një këngë elegjiake që nuk ngjante me asnjë këngë tjetër të Beatles - ave, përveç se në tokën pa Zot që përgjërohej për të shenjtën me dritë, Nënën Mari”. Dhe duke folur për plakën e shtëpisë elbasanese pranë Dervish Hatixhesë, Mira na fut mjeshtërisht në botën e mistikës hebraike dhe themeluesit të “kabalës profetike” Abraham Ben Samuel Abulafia, dhe më tej, si për t`i dhënë hapësirë kësaj, na shfaq murgun Herman Vetmitarin, të dënuar nga sivëllezërit e tij benediktinë me murim për së gjalli, që e njeh John - in me VULGATA - n në faqen e parë të librit të madh që po shkruante. Herman Vetmitari i thotë John - it se aty veç të tjerave bëhet fjalë edhe për ekzorcizmin, praktikën që përdorej për dëbimin e demonëve. Duhej ikona e Shën Mërisë që dikur i kishte dhënë Ganimetja, për të kuptuar djallëzinë e murgut. Është një nga ato lojrat e bukura të Mira Meksit që me kulturën e saj sipërore, që së bashku me figurat mitologjike, del atje ku do ajo. Po ku shkonin këtu të tilla teori? Këtu gjithçka është nën vëzhgim, aq sa edhe turistëve u marrin librat, disqet, revistat dhe i mbajnë dy orë në aeroport, duke i ndjekur pas si pullë poste. Në këto kushte, John e ndan mendjen për të ikur së bashku me Polin të cilit i thotë se “Plaka Sarë më porositi të mos e vë në rrezik jetën, sepse te mua jeton kujtimi i Ganimetes”. Por fati nuk deshi të shpëtonin: duke u arratisur me anën e detit për në Korfuz, me pentagramin e këngës së tyre në gji, atë këngë që këtu nuk mund ta shihte dritën e diellit dhe për të cilën mund të të shpinte, sikurse thosh Poli, nja njëzet vjet pas hekurave, rojat e kufirit i pikasin me anën e prozhektorit dhe i vrasin. John vetë arriti të thosh fjalët e John Lenonit të vërtetë: “Më qëlluan”. Doli kështu oguri i keq i Hënës së Përgjakur. Por ndërkohë këtu kishte ndodhur një çudi. Teksa ktheheshin nga Himalaja, ku kishin shkuar te guruja Marahishi për meditimin transhendental, si dhe për të mos dëgjuar më shprehjet “Të famshëm sa vetë Krishti” etj. bitëllsat e vërtetë John dhe Zhorzh, të detyruar nga stuhia, zbresin me çarterin e tyre “Boing 707” në aeroportin e Tiranës. Qarkullon prej kohe një version i tillë, që Mira mjaft bukur e ka ndërthurur me romanin e saj. Ata qëndrojnë te Hotel “Adriatiku” dhe krahas kënaqësisë se në Shqipëri njihen këngët e tyre, dhe se ka një grup muzikor me emrat e tyre, shprehin keqardhje të madhe për vdekjen e dy të rinjve të atij kompleksi. Kur u nisën drejt vendit të tyre, John hodhi vështrimin nga dritarja dhe për shiun që krijonte përbindësha në xham (shihni çfarë figure), tha: “Mbi Tiranë bie shi i përgjakur”. Dhe kishte plotësisht të drejtë. “Në vendin pa Zot, shpirti nuk i duhej shitur Djallit, por vetë Zotit” - kishte thënë murgu Herman Vetmitari. Ja kështu zhvillohen ngjarjet e këtij romani mjaft tërheqës, ku falë aftësive të veçanta të autores, nuk e vendos dot kufirin midis trillit dhe realitetit. Veç të gjithë e dimë se në letërsi, askush nuk do t`ia dijë për këtë. Me vlerë është se sa e ka respektuar ajo porosinë e Samuel Butler, novelistit dhe kritikut anglez, i cili kishte mendimin se “Për të gjetur rrugën e duhur në shkrim, pyet veten se si do të lexohet teksti yt pas një shekulli”. Dhe natyrisht që shkrimtarja Mira Meksi, si gjithmonë edhe këtu, ka punuar me përgjegjësi e pasion, por edhe me bindjen se si gjithçka që ka shkruar, do të mbesë i freskët dhe i bukur edhe pas më shumë se një shekulli. Jo më kot një anglez e John (Keats) tjetër shkruante vargjet: “A thing of beauty is a joy for ever:… i will never Pass into nothingness”.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page