top of page

IRENA DRAGOTI: Nga  histori dashurie te metafizika e pengesave.

11 minutes ago
6 min read

 

Mbi romanin” Muri midis dy zemrave” i Xhevat Mustafës

 

Nga IRENA DRAGOTI

 

Romani “Muri mes dy zemrave” i Xhevat Mustafës në pamje të parë, duket si një histori dashurie e vendosur midis Shqipërisë dhe Italisë, midis së tashmes dhe një të kaluare të mbushur me plagë, ndarë nga 50 vjet kohë. Gjatë leximit të tij ti kupton se në thelb nuk flet veç për dy njerëz që duan të afrohen, por për pengesën që qëndron midis tyre, midis njeriut dhe lirisë së vet, midis së tashmes dhe së kaluarës, midis dëshirës dhe realitetit.

Po çfarë është muri, lind pyetja…

Është kufi politik? Deti? Distanca? Morali? Varfëria? Kujtesa ? Paragjykimi? Apo është vetë njeriu?

Pikërisht këtu fillon dimensioni filozofik i romanit.

Muri nuk është vetëm pengesa jashtë personazheve, por realiteti që gradualisht hyn brenda tyre. Personazhet jetojnë me mure të brendshme, Albana, e detyruar të mbijetojë në një shtëpi publike e nën kërcënimin me jetë të bosit shqiptar që e ka trafikuar në Bari të Italisë, me murin e turpit dhe të robërisë! Alessandro me murin e boshllëkut, Mario me murin e kujtesës dhe fajit, ndërsa Liria me murin e një dashurie që nuk u shua, edhe pse koha e detyroi të heshtë.

Kjo bën që ta lexosh si metafizikë ndarjeje.

Muri si metaforë, kur pengesa bëhet mënyrë ekzistence zgjerohet vazhdimisht.

Në fillim është muri gjeografik. Shqipëria dhe Italia ndahen nga deti.

Vazhdon  me murin historik, ku e tashmja ndahet nga Lufta e Dytë Botërore.

Pastaj vjen ai shoqëror, ku individi përballet me varfërinë, mafien, trafikimin, paragjykimin dhe pushtetin e parasë.

Arrihet te muri psikologjik te pjesa ku personazhet mbartin kujtime, faje, frikëra dhe humbje.

Më i larti është muri i përkatësisë ku njeriut i ndarë nga ajo që dëshiron të jetë i thuhet:"Mos e kalo!”

Dashuria thotë: “Duhet të kaloj.” Muri kërkon të ruajë distancën. Dashuria kërkon ta zhdukë atë. Këtu lind konflikti ndarje dhe bashkim.

Një nga kthesat më të rëndësishme të romanit ndodh në takimin e parë të Alessandros me Albanën, në dhomën e shtëpisë publike, ndërsa nuk e dinin se ishin nip e mbesë nga një gjysh. Këtu autori vendos përballë njëri-tjetrit  shikimin si objekt me atë njerëzor.

Alessandro thotë:

“E di se duhet të paguaj..., por më parë dëshiroj të njihemi!”

Këtu ndodh një ndryshim i plotë i marrëdhënies. Të zotërosh dikë do të thotë ta kthesh në objekt.

Ta njohësh do të thotë ta pranosh si subjekt. Në këtë kuptim, Alessandro e shpëton Albanën duke i rikthyer asaj atë që bota përreth ia ka marrë, identitetin. Ajo nuk është më “trup”, por  histori. Nuk është më “mall”, por person. Ndaj Alessandron do ta emërtoja si një lloj ndërgjegjeje e romanit kur thotë :

“Albana nuk është prostitutë!… As mall tregu!”

Këtu fillon filozofia morale e romanit.

Pyetja nuk është më “Çfarë ka bërë Albana, por çfarë i ka bërë bota Albanës?”

Romancieri Xhevat Mustafa e zhvendos përgjegjësinë nga individi te rrethanat shoqërore, që e kanë prodhuar tragjedinë e tij.

Albana si paradoks lirie shtë një nga figurat më tragjike të romanit me historinë e saj të ngritur mbi një paradoks, rendja në kërkim të lirisë për të përfunduar në robëri.

Ajo largohet nga Shqipëria, por a mund të quhet zgjedhje një vendim që merret nën detyrimin e rrethanave?

Varfëria zgjedh për të, familja, mungesa e perspektivës, sistemi kriminal zgjedhin për të. Liria është formale, kur nuk kontrollon dot fatin.

Prandaj tragjedia e saj nuk është thjesht individuale, por edhe sociale.  Autori kujdeset ta përkufizojë dashurinë jo si zotërim, por njohje e lirisë së tjetrit, pra jo “Ti je e imja!”, por “Ti je ti.”

Aty ku pranohet  autonomia e tjetrit lind dinjiteti me gjithë papërsosmërinë, historinë e plagët e tij.

Shohim një dashuri përtej individit, por me historinë e tij  dhe dashurinë mes Marios e  Lirisë si një kujtesë e mbijetuar. Kjo është një nga kontrastet që autori ka strukturuar narrativën.  E kaluara sipas Xhevat Mustafës nuk është arkiv, por prani në shpirt.

Fjalia “Sa më shumë përpiqesha të të harroja, aq më tepër të dashuroja…” bind se njeriu mund  ta shtypë, ta fshehë, mund të jetojë sikur kujtesa nuk ekziston, por nuk e bën dot forcë pasive.

Një nga simbolet më të fuqishme të romanit është deti si kufi, por edhe urë. Ky simbol vjen më kompleks se muri. Muri është pengesë vertikale kurse deti hapësirë lëvizjeje. Muri thotë “ndalu”. Deti thotë “mund të kalosh, por duhet të rrezikosh”. Deti  lidhet natyrshëm me emigracionin masiv të viteve 90 të shqiptarëve. Prandaj dëshira e Lirisë që “të zhdukej deti ” e shndërron detin në dëshmitar historik të një kombi

 Retorika që më shoqëroi gjatë leximit të këtij romani ishte:

-A shëron vërtet koha kur janë dy të tilla  kronologjike dhe  emocionale.

Koha kalon mbi trupin, por jo domosdoshmërisht mbi kujtesën. Këtu merr kuptim mendimi, “Ndryshe nga të trupit, plagët e zemrës nuk shërohen gjithë jetën.”

Kjo fjali si çelës filozofik i romanit na tregon se ka plagë që nuk kërkojnë kohë, por vetëm të vërtetën, faljen, përballjen. Dhe mbi të gjitha kërkojnë që ajo që ka ndodhur të mos mohohet.

Një nga gjetjet më interesante narrative të Xhevat Mustafës është mënyra se si e kaluara e një brezi hyn në jetën e brezit tjetër.Historia e Marios nuk mbetet vetëm historia e Marios, por prek nipin.

Një dashuri e vjetër bëhet pjesë e fatit të njerëzve që vijnë më vonë duke i trashëguar heshtje, sekrete, trauma,  faje që nuk i kanë kryer vetë. Pastaj vjen  historia jo si dekor, por mekanizëm fati.

Lufta e Dytë Botërore, marrëdhëniet shqiptaro-italiane, emigracioni, varfëria dhe realiteti i viteve pas ’90 prodhojnë rrethana e rrethanat prodhojnë fate. Këtu romani ngre një pyetje të rëndësishme:

Sa nga ajo që quajmë “fat personal” është në të vërtetë produkt i historisë?

 Liria na bind autori kërkon institucione, drejtësi, arsim, punë, dinjitet dhe mundësi reale, jo ikje ndaj Muri mes dy zemrave përveçse sentimental ka një nerv të dukshëm social.

Ai duket sikur pyet “Çfarë ndodh me njeriun kur shoqëria pushon së parë atë si njeri?

Autori përdor bukur dialogun në roman me një funksion që shkon përtej komunikimit.

Personazhet përpos informacionit rrëfejnë veten si një formë çlirimi.

Ky roman me strukturë spiraleje na lë të kuptojmë se historitë personale  përsonifikojnë një shoqëri të tërë. E kaluara kthehet, por çdo herë në një tjetër nivel  kur dashuria, ndarja, kujtesa rikthehen në breza të ndryshëm.

 Personazhet janë si katër forma dashurie:

-Alessandro me dashurinë si zbulim.

-Albana me dashurinë si çlirim.

-Mario me dashurinë si faj dhe kujtesë.

-Liria me dashurinë si plagë e përhershme, tregojnë se dashuria në të gjitha format e saj mbetet një forcë që refuzon të zhduket e shpesh akt rezistence morale.

Por për të kaluar nga dashuria te falja qëndron pajtimi me të kaluarën pa nënkuptuar harrimin

Forca e romanit buron edhe nga kontrastet.

-Deti dhe toka.

-Italia dhe Shqipëria.

-E tashmja dhe e kaluara.

-Trupi dhe shpirti.

-Liria dhe robëria.

-Dashuria dhe faji.

-Kujtesa dhe harresa.

-Individi dhe sistemi, të cilat nuk janë vetëm mjete rrëfimi por aftësi për të përcjellë filozofinë e veprës.

Romani do thoja me plot bindjen ekziston pikërisht në hapësirën midis këtyre dy poleve.

 

Dhe në fund të romanit më lindi pyetja:                                                                                                                       -Çfarë mbetet nga njeriu pasi kalon koha?

Romani më valëvit si flamur paqeje kujtesën.

Kur mbetet kujtesa, atëherë edhe dashuria mund të vazhdojë të ekzistojë në një formë tjetër.

Kjo është arsyeja pse romani nuk më erdhi si një histori me fund të dhimbshëm, por si një histori për pamundësinë e plotë të ndarjes.

Ka mure që dashuria nuk i pranon. Historia e Alessandros dhe Albanës është vetëm sipërfaqja e parë e romanit.Poshtë saj ekziston historia e një shoqërie. Ca më poshtë shoqërisë ekziston historia e një kombi.Akoma më poshtë historisë ekziston problemi i fatit si të arrijë te tjetri kur gjithçka duket se e ndan prej tij? Titulli si çelës i gjithë romanit është kufiri, frika, deti, koha, historia, paragjykimi, varfëria, faji, është ajo që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit dhe vetes, dëshira për të mos mbetur të ndara zemrat.

Alessandro dhe Albana ishin  përpjekja deri në vetmohim për ta kapërcyer murin në të tashmen.

Mario dhe Liria janë dëshmia e asaj që ndodh, kur muri nuk rrëzohet në kohë.

Dashuria thotë autori nuk është gjithmonë fitore. Herë është kujtim, herë plagë, herë faj e herë-herë një mundësi e humbur. Edhe kur nuk arrin ta ndryshojë të kaluarën, ajo ndryshon mënyrën se si e kuptojmë atë.

Romani i Xhevat Mustafës na kujton se njeriu nuk jeton vetëm në hapësirën ku ndodhet fizikisht, por edhe  në kujtesën e atyre që ka dashur.

“Muri” i titullit nuk është vetëm muri që ndan dy zemra. Është muri midis asaj që kemi dashur dhe asaj që kemi mundur të kemi. Ndoshta ky është muri më tragjik i ekzistencës njerëzore.

Muret midis qyteteve e ato politike mund të zhduken apo kapërcehen, por muri i kohës nuk rrëzohet. Ai vetëm përshkohet nga kujtesa.

Dhe pikërisht këtë bën romani duke përshkruar kohën me kujtesë, e përshkon historinë me dashuri dhe e përshkon ndarjen me rrëfim.

“Muri mes dy zemrave” nuk na thotë se njeriu mund t’i fitojë të gjitha betejat por diçka akoma më njerëzore se edhe kur humbim njëri-tjetrin, ajo që kemi dashur vërtet nuk zhduket. Mund të mbetet si kujtim, si plagë, si faj, si shpresë dhe si një e vërtetë që koha nuk ka arritur ta vrasë.

Dhe kështu, muri mbetet, kurse zemra vazhdon të kërkojë një derë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page