SHPENDI TOPOLLAJ: POEZITË E JAHO MARGJEKËS, HIMNE PËR DASHURINË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 18, 2025
- 5 min read

(Rreth vëllimit poetik “Lutje në kohën e Sizifit)
Jaho Margjeka, nuk është thjesht poet e prozator i njohur; ai për rreth tridhjetë vjet me radhë, ka fituar statusin e nderuar të kalorësit fisnik të përhapësit të krijimtarisë letrare të autorëve tanë te masa e gjerë e dëgjuesve dhe shikuesve. Janë të pafundme intervistat e tij me shkrimtarë e poetë nga më seriozët apo edhe nga ata fillestarët, dhe ndofta pikërisht për këtë, pra si gazetar i kulturës në RTSH i detyrohemi shumë atij. Këtë detyrë ai e ka kryer me përkushtim, me dashuri për të tjerët, me moton se shoqëria pa kulturë nuk mund të shkojë përpara, dhe ka parë gjithçka, më shumë me shpirtin e tij të ndjeshëm, pasi ashtu sikurse thosh amerikani Horac Jackson Brown, Jr. “Ndonjëherë shpirti sheh atë që është e padukshme për syrin”. Kjo dallohet menjëherë edhe te libri i tij “Lutje në kohën e Sizifit”, botim i SHB Nacional. Vetiu të lind pyetje: Përse ka zgjedhur Sizifin e mitologjisë, birin e Eolit, dhe burrin e plejadës Meropi që në yjësi kishte dritën më të zbehtë, ngaqë i vinte turp se qe martuar me një vdekatar, ndërsa motrat e saj, me perëndi.
Epo vetë koha, apo më mirë të themi situatat që po kalojmë, janë të mbushura me veset e Sizifit i cili vuante ndëshkimin pikërisht për veset e tij. Poetët e antikitetit e konsideronin njëzëri si hajdut, dinak e mashtrues. Por në poezitë e Jahos, nuk do të gjeni asgjë nga këto. Madje, krijon bindjen se ai e vendos në sfond Sizifin, për të kontrastuar me virtytin, me të mirën dhe me të bukurën. Jaho Margjeka është lindur e rritur në bjeshkët e Tropojës dhe Luginën e Valbonës, atje ku magjia e natyrës së virgjër, të bën poet. Provo të udhëtosh një herë të vetme me traget nëpër Drin dhe do të shohësh se çfarë ndjenjash të pushtojnë. Prandaj edhe ai, herë si me drojë, e herë si me të fshehur, i këndon dashurisë. Por i këndon me gjithë zemër, duke e quajtur atë më të mrekullueshmen mundësi për të zdrituar çdo udhë (Ode). Te poezia “Statujë memece”, ai shkruan: “Të desha me shpirt, me fuqinë e zemrës, / Por “të dua”, dot s`të thashë kurrë. / Kisha frikë se pas asaj fjale, do t`rrëzohej, / Një kështjellë, a bota do të bëhej ujë”. Si e tillë, shpesh dashuria për të mbetet veç një ëndërr mikluese.
A nuk ndodh kjo në shekuj me poetët? A nuk thosh Rumiu i famshëm: “Zgjodha të të dua në heshtje / Sepse në heshtje nuk gjej asnjë pengesë / …Zgjodha të të mbaj në ëndrra / Sepse atje ti je e pafundme”. Poeti, shetit vetëm me mendimet e tija, beson se “mbrëmë unë isha aty” - i drejtohet ai vajzës që i ka turbulluar mendjen. Edhe kur bije shi, ai e di se shiu “…tëhollon tjegullat e kësaj çatie, / Të kësaj çatie, poshtë së cilës / bleron një mendim dashurie…”. Pra, edhe kur ajo nuk është aty, ai edhe pse gjithçka e ka gdhendur në gurë, nuk e ndien mungesën e saj, pohon se “Veç dashurinë e kam nxjerrë prej gurit…/ Dhe e kam mbjellë bash në zemër”. (E shkruar në gurë). Poeti ka aftësinë që të shohë edhe kur mbyll sytë, ndaj ai thotë: “Sytë mbyll një çast e shoh: / Po vjen ajo. Po vjen ajo”. Ajo, e cila vetë i ka sytë e saj të afta të rrezojnë diell, aq dhe të duken si det i trazuar, një ekuacion i pazgjidhshëm, kur edhe galaktikat ende të paeksploruara, “t`padepërtueshme s`janë” (Galaktikat). Jeta kështu qenka; edhe “Drurët”: “Në pamundësi / Për t`u përqafuar / Drejt njëri - tjetrit / Zgjasin degët - duar”. Por ai nuk dorëzohet: te “Kjo betejë” shprehet: “Të vij rrotull si pushtues / Ti qëndron si kështjellë / Një buzëqeshje herë më zmbraps / Herë fitore se ç`më ndjell…” dhe vijon: “Si pushtues vij e vij rrotull / Kjo betejë s`paska të sosur”.
Dashuria, qoftë dhe ajo platonikja, ka tallazet e veta, herë të qeta e herë inatçore, prandaj në poezitë e Jahos ka çaste kur ai kërkon t`i japë karar, duke thënë se fundja do të mbesim miq (Ca ditë të bukura), por edhe kur lodhet duke i rënë botës qark për ta gjetur vajzën e dëshiruar, duket se e humbet durimin: “Qiejve prapë shpirtpalgosur, / Kaluar në shpinë të një reje, / Çastin e lig, larg për ta varrosur, / Sa më larg teje, sa më larg meje”. Se ndodh ndonjëherë që “Dimri i gjatë” vjen edhe për një fjalë goje: “Ne u grindëm bashkë veç për një fjalë, / Nuk di ajo fjalë, nuk di ç`dreqin qe, / Le të kish ca dimër, dimra pa do ketë, / Po kaq i gjatë dimri, kaq i gjatë, pse…”. Por, duhet ditur se poeti nuk vajton, ai i këndon dashurisë me gjithë forcën e tij, e hyjnizon atë, aq sa edhe asaj vajzës së lodrave të fëmijërisë se dikurshme, kur i dëgjon emrin Bardha, sepse e kthen kokën. Apo kur i vinë të falat e asaj mikes së largët, ai skuqet dhe i dridhet zëri, por edhe i hedh krahëve një mendim të ri. Jaho Margjeka e di se njerëzit ndjekin fatin e tyre në jetë, dhe kjo histori është e vjetër sa vetë bota.
Edhe Jevtushenkos i ka ngjarë, ndaj vargëzonte: “Dhe ikin njerëzit, njërëzit, ikin larg / Asgjë s`mund të kthesh nga ky largim / Ndaj dua të bërtas në çdo varg / Me dhimbje për këtë moskthim”. Fola pak më lart për drojën e kuptueshme të poetit, për fshehjen e rafinuar të tij, kur bëhet fjalë për dashurinë. Por ja që ai nuk duron gjatë dhe shpërthen: “U puthëm dikur, diku njëherë / Me afsh, me zjarr, me dashuri / Në shpirt, në zemër, kishim pranverë / E gaz shumë, shumë gaz në sy”. A nuk mjaftojnë vetëm këto katër vargje për t`i thënë të gjitha të vërtetat. Kaq iu desh edhe atij poetit famëmadh, kur shkruante vargjet brilante: “Të desha fort, i heshtur, shpresëshuar / Me drojtje, me zili, pa hapur gojë / Me ç`afsh e zjarr të pata dashuruar / Një tjetër, dhëntë zoti, të të dojë”. Duke iu kthyer titullit të kësaj përmbledheje me poezi, duhet thënë se vetë Sizifit mitologjik, nuk kemi sesi t`ia lehtësojmë vuajtjet që i shkakton ai guri që mban mbi shpinë, se atë histori e kanë mbyllur me kohë Eskili, Euripidi e Sofokliu, por këtyre Sizifëve tanë, kemi të drejtë t`u themi të kujtojnë vargjet e Jaho Margjekës: “Drejt majës / Rruga plot lakadredha / Në majë të majës / Humnera”.









Urime Shpendi! Një anaëizë e bukur dhe plët vlera artistike dheletrare. Të jap të drejtë në mendimet dhe vlerësimet e tua, tani që u njoha me krijimtarinë e poetit Jaho Martgjerka. Stili dhe vjershërimi i tij i veçantç meriton një vëmendje më të madhe.
Kadri Tarelli
Durrës, më: 25. vjeshta e tretë, 2025.