SHPENDI TOPOLLAJ: NJË LEGJENDË E GAZETARISË SPORTIVE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 4 min read

Nënkryetar i Parë i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, “Nderi i Kombit”
U SHUA ISMET BELLOVA, NJË LEGJENDË E GAZETARISË SPORTIVE
Ditën shtunë, datë 20 Dhjetor, pushoi së rrahuri zemra e madhe e emblemës së gazetarisë sportive, profesor Ismet Bellovës, atij që për dekada të tëra, e bëri mikrofonin të këndojë dhe qëndisi së bashku me të paharruarin Anton Mazrreku, magjinë e asaj që ndodhte në Fushat e Blerta. Sot që ai ka mbyllur sytë përgjithmonë, pra tani që do të na mungojë ai shikimi i tij aq dashamirës, më erdhën ndër mend fjalët e Viktor Hygoit se “Ekziston një pamje më madhështore se Qielli; kjo pamje është thellësia e shpirtit”. Dhe Ismet Bellova, para së gjithash ishte një shpirt i njeriut të pastër dhe të pamëkate, ashtu sikurse e thotë edhe emri tij nga arabishtja. Ishte i tillë, se ai para së gjithash ndihej edukator, misionar i përgjegjshëm, dhe përçues i vlerave tona sportive te masa e gjerë, që i priste transmetimet e tij futbollistike për dekada të tëra, me atë elokuencën e rrallë, komentin artistik dhe zërin vibrues që të ngrinte peshë, me emocione të jashtëzakonshme. Intelektual me kulturë e me dinjitet, i cili e thosh pa drojë fjalën e tij të ndershme, mik besnik me të gjithë, njeri i thjeshtë si askush, ai nderohej e respektohej në të katër anët e Shqipërisë, ku e njihte i madh dhe i vogël. Për vlerat e tij të të njohura, e kanë quajtur me të drejtë, Fenomeni Bellova, Shkolla Bellova, Institucioni Bellova, Enciklopedia Bellova, Legjenda e mikrofonit sportiv. Dhe ky njeri polivalent, është lindur në një familje të njohur për atdhedashuri në 1 Qershor të vitit 1934, pra jetoi plot 91 vjet. Por, nëqoftë se jeta, ashtu sikurse shprehet dikush, nuk matet me vite, por me jetën në vite, pa frikë mund të themi se Ismet Bellova jetoi qindra vjet dhe la pas një vepër jo vetëm të pavdekshme, por edhe të papërsëritshme. Në qoftë se i ndjeri Jup Kastrati ka thënë për Anton Mazrrekun se ishte një poet i vërtetë, po kaq poet është në prozën e tij plot metafora dhe figura të spikatura letrare, si ato radiofonike, ashtu edhe në librat e artikujt e shumtë që shkroi, edhe profesor Ismeti, i cili nga ana e tij, kishte nderimin më të madh për çka bëri Mazrreku. Kushdo që e ka dëgjuar, nuk ka sesi të mos kujtojë, sesi është drithëruar nga bukuria e zërit të tij dhe është ndier krenar deri në përlotje, sa herë ai brohoriste suksesin e ekipit tonë kombëtar. E nisi punën si mësues i gjimnazit “Qemal Stafa”, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike në Qarkun e Dibrës, e më pas si mësues në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, për të vijuar në Politeknikumin “7 Nëntori”. Dallohet si organizator veprimtarishë sportive në Spartakiadat Kombëtare dhe emërohet kryetrajnier i ekipeve të atletikës së “Partizanit”, që e kurorëzon me fitimin e një sërë kupash dhe vendosjen e shumë rekordeve. Puna e tij me skënderbegasit ishte mbresëlënëse, dhe ata u lidhën me të me një dashuri prindërore. Mbaj mend se citoi njëherë diçka nga Babëfi se “Në shoqërinë e ardhshme, personaliteti kryesor do të jetë mësuesi, jo gjenerali”. Ishte autoriteti dhe personaliteti i tij i padiskutueshëm, që gjeneralët e Ministrisë së Mbrojtjes ia plotësonin të gjitha kërkesat për bazë materiale dhe qytete sportive, aq sa aty stërviteshin ekipet përfaqsuese të ushtrisë në futboll, basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë, boks, mundje etj. Nëqoftë se nga ajo shkollë kanë dalë qindra sportistë të të gjitha disiplinave, me rezultate tepër të larta, 110 nga të cilët janë “Mjeshtra Sporti” dhe “Mjeshtra të Mëdhenj Sporti”, duhet ditur se një meritë të veçantë ka profesor Bellova. Ai edhe pas largimit nga ajo shkollë e lavdishme, mbeti miku i madh i kuadrove që dolën nga bangat e saj, pasi ai “ka ditur që t`i lidhë kaq bukur brigjet e sportit me brigjet e shpirtrave njerëzorë”. E gjithë puna e tij është vlerësuar me një sërë titujsh e dekoratash plotësisht të merituara, ku bije në sy ajo e “Mësuesit të Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Naim Frashëri i Artë”, “Urdhëri Olimpik”, “Urdhëri i Punës Klasi i Parë”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi” etj. Nga familja shembullore e profesor Bellovës, janë disa emra të shquar në sport, si ajo e bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Bukuroshes, basketbollistes së famshme të Kombëtares, djemtë Sokoli dhe Enisi që kanë kryer studimet në IKF, dhe bashkë me Edisonin, Arminin dhe tri mbesat, janë dalluar në disa lloje sporti. Për këtë njeri, mik, kuadër, bashkëshort e baba të rrallë, pata shkruar disa vargje, ku ndër të tjera thosha: “Zëri yt i ëmbël, hyn në çdo shtëpi, / Duke mrekulluar, gjith` sa të dëgjojnë, / Ti në shpirtin tonë, solle poezi, / Ndaj dhe njerëzit ty, kurrë s`të harrojnë. / Ti erdhe te ne, i freskët përherë, / Si muzik` hyjnore, me hare e paqe, / Ti ishe piktor që vetëm pranverë / Kishe në album, nga faqja në faqe. / Me fjalët e tua që s`shterrojnë kurrë, / E bëre futbollin, art edhe magji, / Ti elektrizove çdo djal` e çdo burrë, / Dhe e bëre plakun, për ca orë të ri”. Ismet Bellova iku në Parajsë, atje ku edhe vetë Qielli hygojan e kishte zili, por la këtu një emër të pavdekshëm dhe i ngriti vetes një monument, që bën thirrje për dashuri, mirëkuptim, e vëllazërim dhe mbi të gjitha, për të qënë gjithmonë krenar për Atdheun tonë!









Comments