SHPENDI TOPOLLAJ: IKONA E LETRAVE TONA MIRA MEKSI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 16 hours ago
- 8 min read

“IKONA E PLAGOSUR” DHE IKONA E LETRAVE TONA MIRA MEKSI
Hyrje
Teksa bisedonim me Mira Meksin rreth një novele të saj, ajo më pohoi se: “Kam shkuar shpesh aso kohe në Venecia sepse mblidhja materiale për novelën “Hakmarrja e Kazanovës”. Kam lexuar mbi të gjitha, legjendat dhe mitet e vjetra të qytetit të ujit, disa prej të cilave përmendnin jo vetëm rrugët me emrin Albanesi por edhe një shkollë shqipe të çelur shumë shekuj më parë dhe plot gjëra interesante.
Mira Meksi sqaron:
Më mrekullonin lidhjet historike të tejvjetra, që shpjegoheshin me Albania Venetican, rrënjët e përziera mes dy popujve. S`kam lënë rrugë e rrugicë pa shkelur, duke i vajtur pas miteve. Është koha, kur e kthyer nga Meksika botoja novelën “Pa zemër në kraharor” me kafkën prej sheqeri të Carlos Fuentesit që ishte shuar para pak kohe, në Natën e të Vdekurve. Unë, ndonëse jam qepur fort pas realizmit magjik, nuk shkruaj dot pa i parë vetë vendet për të cilat shkruaj. Siç thoshte i madhi Borges: “Mos shkruani për gjëra që nuk i njihni”.
Dhe një herë tjetër, teksa punonte për romanin “Ikona e Plagosur” më shkruante: “Do ta shoh (një shkrimin tim), nesër me kujdes, sepse ndodhem në Valencia, në Manastirin ku është varrosur Donika Kastrioti, duke ngrënë tonelata pluhuri në arkivin e tyre”. Kushdo e ka të qartë se çdo shkrimtar, ashtu siç ka stilin e vet, ka dhe një mënyrë të të shkruarit, që zakonisht është ajo e uljes para kompjuterit në një dhomë të rehatshme.
Koha dhe kërkimet
Por a mund të gjendet qoftë dhe një rast i vetëm që ai, e sidomos një femër, të bredhë qytet më qytet, shtet më shtet, institucion më institucion, arkivë më arkivë, bibliotekë më bibliotekë, duke humbur kohë, humor e para, dhe duke u përballur me një pafundësi pengesash, vështirësishë e kokëçarjesh, sikurse bën shkrimtarja Mira Meksi në të gjitha romanet e saj, çka duket qartazi edhe te ky i fundit.
Romanet e Mirës, nuk janë limonadë që krijohen thjesht falë talentit që autori ka. Ato, duke rrokur tema të një rëndësie të madhe, kryesisht të marra nga historia e populli tonë, kërkojnë seriozitet, erudicion, përkushtim, vullnet, këmbëngulje, durim e përgjegjësi qytetare, të cilat kjo shkrimtare, për fatin e letërsisë tonë, i ka si rrallëkush. E tillë është edhe ajo çka shtjellohet në këtë roman, që thuajse në çdo faqe merr karakter studimor, për të mos thënë edhe historik. Vetë historia jonë i detyrohet shumë periudhës postskënderbejane, dhe tek e fundit pas pesë shkujsh ajo asnjëherë nuk mund të jetë katërcipërisht e saktë. Do të ketë pa tjetër edhe pasaktësira apo subjektivizma, për arsye të kuptueshme.
Prandaj, një libër si ky, që i qëndron më afër të vërtetës edhe pse i alternuar me veshje letrare, e mbush disi këtë boshllëk dhe për lexuesin tonë e krijon fizionominë e atyre ngjarjeve, i nxjerr nga anonimati personazhet e asaj kohe dhe na e sjell afër atmosferën sunduese, pa lënë mënjanë marrëdhëniet e tyre apo aleancat me oborret e mëdha evropiane. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të re, pasi subjektivizma ka edhe kur janë shkruar historitë e popujve të tjerë. Aleksandër Duma ati, kishte mendimin se historia duhet parë si sfond për aksionet dhe aventurat e personazheve. Madje, kur ai pyeste “Ç`është historia?”, përgjigjej vetë “Është gozhdë ku unë var romanet”. Te popujt e ndryshëm, janë glorifikuar heronjtë, janë mitizuar mbretër e perandorë dhe janë dhënë përfundime kontradiktore për të njëjtën çështje. Kështu, fjala vjen, vetëm për betejën e Borodinos e 7 shtatorit të vitit 1912 ndeshim dy fitues: Napoleonin nga ushtria franceze dhe Kutuzovin nga ajo ruse. Dhe këtë nuk e gjeti as Leon Tolstoi vetë.

Hajde merre vesh sesa e vërtetë është qëndresa e 300 spartanëve në Termopile, tradhtia e Anopeas, ose ato jetëshkrimet e Plutarkut te “Jetët paralele”. Na jep Salusti një histori sipas të cilës Tit Man Torkuati në vitin 340 p.e.r. ekzekutoi të birin, pasi ai theu urdhrin e tij, duke dalë nga radhët, për t`u ndeshur me një luftëtar armik, por sa e vërtetë është kjo, kur ky autor ishte i kohës së Çezarit, pra tre shekuj më pas. Ose ai Milosh (Mirash) Kopili që vrau sulltan Muratin në betejën e Fush Kosovës (Fusha e mëllenjave), në vitin 1389 në kohën e Lidhjes së Llazar Hrebeljanoviçit, edhe pse ishte shqiptar, pretendohet se ishte serb, e kështu me radhë. Kujtoni se çfarë ndikimi negativ me gënjeshtra ka luajtur letërsia në kurriz të historisë për popullin tonë.
Justin Godarti te “Ditarët shqiptarë” shkruan: “Letërsia e ka shtrembëruar të vërtetën… Ajo na ka gënjyer për shqiptarët, duke na i paraqitur ata si cuba dhe njerëz të egër. Na ka gënjyer për grekët duke i pasqyruar ata si burra trima dhe të ndershëm”. Këtë ka bërë shpesh dhe letërsia serbe, gjë që nxit urrejtje mes popujve. Kurse Mira Meksi, absolutisht nuk ecën në këtë linjë; ajo për aq sa merret në romanin e saj me intrigat e fqinjëve tanë për të penguar misionin e Arbërit dhe Norës, na njeh edhe me personazhe të drejtë, të ndershëm dhe objektivë të atyre vendeve.
Po cili është ky mision që ky çift historianësh relativisht të rinj, ka ndërmarrë?
Ka një thënie të bukur Seneka i Ri: “Kujtimi për njerëzit e mëdhenj, ka për ne një rëndësi jo më të vogël, se sa prezenca e tyre e gjallë”. Dhe ata sikur të ishin frymëzuar nga kjo thënie, nisen në kërkim të gjurmëve të një njeriu më shumë se të madh, Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, me bindjen e artikuluar nga Nora se “Mendoj se njëlloj si e ardhmja, edhe e shkuara, në të vërtetë, është një masë e errët që ndoshta mund të ndriçohet nga vështrimi ynë”. Autorja, qysh në hyrje na thotë se “Kur historia s`ka zë, letërsia i huan zërin e saj, shpesh të fuqishëm”. Vetë ajo është frymëzuar nga një studim i historianit valencian Daniel Benito Goerlich, kurse çifti shqiptar i romanit nga një gjetje në baulen e vjetër të gjyshit të Arbrit, At Isaisë, vdekur në internim nga gjermanët dhe të mbiquajtur “prifti me kobure”, ngaqë kishte luftuar me armë pushuesit. Kjo ishte një miniaturë, dhe sipas të shkruarës poshtë saj; “Ikona bizantine e Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve”, e cila mund të fshehë brenda trupit të saj, ndonjë kumt, simbol, dokument apo diçka materiale tepër të rëndësishme. Dhe misterin e saj e shtonte edhe një e prerë në formë V - je, shkaktuar sipas hamendjeve ose nga armiqtë e Zotit ose nga ikonoklastët (kundërshtarë të kultit të ikonës). Mirëpo rrethanat e kishin sjellë që ashkla nga Kryqi i Shenjtë të mbetej në zotërim të Skënderbeut në lidhjen për mbrojtjen e katoliçizmit, e pas vdekjes së tij në duart e të shoqes Donika Kastriotit Arianiti së bashku me ikonën. Dhe kur kjo, zonja e parë historike - siç e quan autorja e romanit, me gjithë shpurën e saj, shkon në Itali, ku te Ferrante i Parë i Napolit, e quajnë Scanalibeca, e merr me vete ikonën reliktmbajtëse të Kastriotëve si diçka tepër të shenjtë.
Fantazia e saj
Tani autorja, duke vënë në veprim fantazinë e saj, e nis çiftin në ndjekje të kësaj zonje historike, që kishte fituar besimin dhe dashurinë e dona Juanës së III - të, bashkëshortes së Ferrantes, djalit të saj Gjonit, nipit Alfonsi të cilin gjyshja e kishte caktuar si “rojtarin e Ikonës së Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve” e cila nga ana e saj përfaqësonte vetë shpirtin e Kastriotëve. Për ta bërë sa më të lehtë, pse jo, edhe më të besueshëm udhëtimin e tyre, Mira shpesh i bashkon kohët dhe personazhet. Ky bashkim bëhet aq natyrshëm, sa lexuesi jo vetëm që s`para e ndien, por edhe sepse i duket se është vetë ai që merr pjesë në vizitat e Napolit, Valencias dhe Athosit, me të cilat lidhet si fati i Donikës, ashtu dhe i vetë Ikonës. Romani, me informacionet e pafundme që jep, për historinë, traditat, zakonet, fetë, manastiret, kulturën, bibliotekat, artet, arkitekturën, urbanistikën e deri kulinarinë, për të mos thënë edhe për lugët e pironjtë, shpesh të sugjestionon, aq sa kapërcimet në kohë e deri dashuritë e personazheve që nuk janë takuar ndonjëherë, duken mëse normale.

Mira me gojën e personazheve kryesore thërret në ndihmë edhe filozofët, siç bën me Cassirer dhe Bergson të cilët me “…teoritë e tyre japin shumë hipoteza mbi dimensionet e ndryshme të kësaj marrëdhënieje. Filozofë të sotëm flasin për mundësinë e ekzistencës së të çarave apo krisjeve në rrjedhën e kohës dhe mundësinë relative për të udhëtuar në të shkuarën apo në të ardhmen”. Dhe të gjitha këto janë në funksion të qëllimit kryesor i cili të mban në tension gjatë gjithë romanit. Mirëpo, ngjarjet janë aq të ngërthyera, sa për të mos i ngatërruar, duhet të jesh shumë i vëmendshëm, pasi aty ka personazhe, vende dhe data të shumta.
Mendoni pastaj, sesa përpjekje dhe mund i është dashur vetë autores Mira Meksi për t`i hedhur në letër ato, pa asnjë pasaktësi. Kjo mesa duket është dhe arsyeja që e bëri dikë të shprehet se “Përfytyrimi lind romancierë, mungesa e tij - lexues”. Veçse, për të qenë plotësisht të drejtë, duhet theksuar se ky roman nuk është i destinuar për çdo lloj lexuesi. Ai duhet të jetë patjetër një lexues - elitar që ta shijojë atë dhe të kuptojë se çfarë Everesti ka kapërcyer pa bombola oksigjeni, kjo autore kaq dinjitoze.
Gjithmonë në kërkim, çifti i historianëve shqiptarë, arrijnë në përfundimin se edhe harta me vendndodhjen e varrit të Skënderbeut mund të jetë fshehur në Ikonën e plagosur, pra ai qenkej çvarrosur nga Lezha që të mos binin eshtrat e tij në dorën e ushtarëve turq. Gjithashtu, ata mendojnë se kishte të drejtë profesor Castelnuovo se sipas gojëdhanës, e çara në fytyrën e Shën Mërisë do të zhdukej vetiu vetëm kur në Arbëri të ktheheshin bijtë e Krishtit. U munduan pasuesit e Skënderbeut, por nuk ia dolën, pasi egërsia e turqve në Ballkan (Haemus), qe e pashembullt. Ja sesi e përshkruan atë monarku bullgar Isai Svjatagorec: “Disa masakroheshin, të tjerët ktheheshin në skllevër, ndërsa me ata që qëndronin në atdheun e tyre, bënte kërdinë vdekja nga uria. U shkretua toka, njerëzit ishin privuar nga çdo pasuri, vriteshin të pafajshmit, grabiteshin bagëtia, zhdukeshin njerëzit. Në të vërtetë, atëherë, të gjallët i kishin zili ata që kishin vdekur qyshkur”. Vizita e Arbërit vijon deri atje ku ishte bërë Ikona që kërkonin, pra në malin Athos, në Manastirin serb të Hilandarit, ku tentativa e një murgu arbëror për ta nxjerrë, nuk i kishte shpëtuar syrit të ushtarit të sertë turk i cili e kishte dhunuar me një thikë.
Por ndjekja e përndjekja vazhdon edhe pas pesë shekujve nga ana e dy serbëve, Darko Nikoliç dhe Bojan Dordeviç, që kërkonin të dështonte misioni dhe që na kujton misionarët jugosllavë Popoviç e Mugosha. Ata nuk mund të pajtoheshin me gjenialitetin e heroit që nxorri nga gjiri i tij populli ynë dhe të cilin Papa Nikolla i V - të e dekoroi me titullin “Luftëtar i Parë i Krishtit” dhe të cilit Papa Kalisti i III - të i shkruante: “Nuk do të ketë njeri në botë i cili të mos ngrejë në Qiell, madhështinë e meritave Tuaja dhe nuk mund të shprehte fjalët më të mira për fisnikërinë Tuaj, në çështjen e mbrojtes së qytetërimit të krishterë”. Atij Skënderbeu të cilit Papa Pali II, pasi e priti me të gjitha nderimet që i takonin, i dhuroi krahas shpatës dhe përkrenares edhe relikten e drurit, ashklën nga Kryqi i shenjtë. Arbëri, me ndihmë e dashamirësve saktësoi varret e Reposhit dhe Gjon Kastriotit, por aty u sakrifikua murgu Sava, dhe e gjithë kjo se serbët tentoni ta shpallnin si Vojsavën dhe të shoqin, ashtu dhe vetë Gjergj Kastriotin, serbë.
Por ishin bërë plot zbulime që nga Napoli, Valencia e deri në Athos, ku njëkohësisht një murg i besuar, Cirili u tha se varri i Skënderbeut dhe i Gjonit nuk ndodhen më në Kishën e Pirgut të Arbrit, por në sarkofagun e Stefan Nemanjës në Hilandar.
Konkluzion
Sa pista hap ndonjëherë, qoftë edhe një vepër e vetme si kjo e të mençurës Mira Meksi që ka zbatuar si askush më parë atë postulatin e nismëtarit të teatrit absurd, Eugjen Jonesko se “Letërsia është një deshifrim i të pa thënave”.









Comments