top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: ARBEN KRISTANI ...

11 hours ago
2 min read

SHPENDI TOPOLLAJ: ARBEN KRISTANI ME EKSPOZITËN “KRONOSI ËSHTË RINGJALLUR”

   Në vazhdën e disa paraqitjeve të suksesshme në qytete të ndryshme, miku ynë Arben Kristani, vjen sot për shikuesit durrsakë, me ekspozitën e re të titulluar “Kronosi është ringjallur”. Kronosi, kjo figurë mitologjike, që në kohët tona ka bashkuar në një, qeverisësin e gjithësisë që kishte vrarë babanë dhe nga frika e humbjes së pushtetit gëlltiste fëmijët e tij, me personifikimin e kohës, nuk e ka humbur asnjëherë aktualitetin. I përjetësuar nga peneli i Francisco Goyas te tablloja e famshme “Saturni duke gllabëruar birin e tij”, ndofta është një personazh emblematik dhe mjaft kuptimplotë edhe për ne shqiptarët. Pikërisht këtu, te qartësia e nënkuptuar e mesazhit, shfaqet forca e talentit të artistit me shpirt të lirë. Dhe Beni duket se nuk është mjaftuar me kaq, por ka kërkuar ngado të bukurën, atë që ngjall paqe, dashuri e harmoni, kryesisht mbështetur te peizazhi i natyrës tonë të magjishme. Ndaj ka bredhur me kavaletin, penelat dhe tubetat e bojrave, ngado, pa u lodhur: në veri e në jugë, në male, fusha, pyje, lumenj, det e liqenj, fshatrave dhe rrugicave të qytetit. Shumë nga pikturat e tij ai i ka publikuar në Face Book, si për ta përçuar kënaqësinë estetike dhe optimizmin që ato shpërndajnë, te të tjerët. Arbeni asnjëherë nuk rri duarlidhur; ai përherë është në lëvizje, në kërkim, qoftë në vetminë e tij, qoftë me ato shëtitjet e Kolonisë së Piktorëve që aq mirë organizohen. Përfaqësuesi i ekspresionizmit abstrakt Jackson Pollock, ai fatkeqi jetëshkurtër, dikur ka thënë: “Të pikturosh nuk përbën asnjë problem. Problemi është se çfarë të bësh kur nuk po pikturon”. Dhe Beni nuk njeh pushim; edhe kur kemi shkuar diku për ndonjë drekë shoqërore, ai shkëputet dhe pas nja dy orësh, vjen me një tabllo ende të patharë. Disa herë kam qenë i pranishëm gjatë kohës që ai pikturon, dhe më ka habitur shpejtësia me të cilën punon. E rrok natyrën pa e lënë t`i fshihet impresionit të çastit. Një piktor i shquar, kur e pyetën se cilën nga pikturat e tij e konsideron më të bukurën, aty për aty u përgjigj: Atë që e kam pikturuar më shpejt. Profesionalisht, Arben Kristani ka arritur atë që dëshiron çdo piktor: ai ka krijuar individualitetin e tij artistik, aq sa e dallon lehtësisht atë që ka dalë nga dora e tij, për të mos thënë nga shpirti i tij. Dhe ai ka një shpirt sa të ndjeshëm, aq edhe të pastër. Ashtu sikurse i do me bujari të pashoqe miqtë e shokët, ashtu i ka edhe pikturat; rezatuese e të vërteta, joshëse e mbresëlënëse në thjeshtësinë e tyre. Dhe urimi im për Benin, nënkryetarin e FPU të rajonit është që ekspozitën pasardhëse, ta titullojë ashtu si Aristofani dikur, “Triumfi i Irenës”, pra jo me emrin e babait të Zeusit, por të bijës së tij, duke na e paraqitur atë me bririn e bollëkut dhe degën e ullirit ndër duar.   

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page