top of page

Dr Kristo Papa klinikë private në Londër

Updated: Apr 23





Shkencëtari Kristo Papa, mjeku që i jep vlerë shkencës mjekësore


Prof Dr Fatmir Terziu


Tashmë vetëm bulat e djersës janë dëshmia e një operacioni të gjatë. Shenjat e tjera shkojnë kah buzëqeshjes, emocioneve të gjallëruara nga gëzimi i suksesit të operacionit, dashurisë për jetën e ridhënë Njeriut. Kështu është pamja e parë e Dr Kristo Papa, ndërsa shfaqet me maskën mbrojtëse në kahun tjetër të spitalit. Dhe kjo është për të disatën herë. Hera e fundit ishte para dy ditësh ku ai bashkë me një ekip shkencëtarësh bënë që të jenë kryelajmi i shëndetësisë britanike.

Para disa muajsh Dr Kristo Papa, kardiologu shqiptar realizoi një operacion të rrallë në Londër. Ky operacion bëri paradën e lajmeve jo thjesht se zgjati plot 17 orë, por se ishte ndër të paktët e këtij lloji të realizuar me mjeshtëri dhe sukses. Ndërsa dihej se operacione të tilla janë të vështira dhe të rralla për rrezikun që kanë dhe shumë prej tyre janë me pasojë vdekjen, ky sukses natyrshëm i jep Dr Kristo Papas një emocion tejet të ndjeshëm. Ai ishte një nga operacionet më të vështira në jetën e tij si kardiokirurg, që në fakt u realizua me sukses me ekipin e drejtuar prej tij. Kirurgjia e Aorte 35 Cm Arcu aortic Bypass Carotid succlavia ishte pra 17 orë operacion dhe sukses Royal Brompton Hospital të Londrës.

Për këto dhe mjaft të tjera, Dr Kristo Papa, është nga folësit kyç të Konferences së Parë Shkencore të Diasporës Shqiptare, në ALSS, që do të zhvillohet në Zoom më datat më 26 dhe 27 mars të këtij viti. Tema e kësaj Konference, që përfshin disa emra të njohur të Botës Shkencore shqiptare nëpër Botë, përfshin një oportunitet të gjerë. Ajo do të trajtojë thelbin ku “Shkencëtarët e Disaporës Shqiptare i shërbejnë botës dhe rrënjëve të veta!”, gjë për të cilën Papa ka shumë për të thënë, e të tjerët me siguri kanë shumë për të dëgjuar e për të mësuar. Po kush është shkencëtari shqiptar i mjekësisë botërore Dr Kristo Papa?


Shkencëtari shqiptar Dr Kristo Papa



Dr. Kristo Papa është kirurg kardiolog dhe ka klinikën e tij në Londër. Më saktë një nga kirurgët tashmë me emër, jo thjesht në atë që ai gëzon falë eksperiencës dhe profesionalizmit të tij, por me të gjithë atë që ai ka realizuar konkretisht edhe në kushtet e kësaj pandemie. Shkencëtari shqiptar i mjekësisë, që punon dhe jeton së fundmi në Londër aktualisht shërben në “Royal Brompton Hospital”, por ai ka qenë dhe vazhdon të mbetete dhe një angazhim profesional edhe tek “Italian Doctors Holborn”. Dr Papa trajton sëmundjet e zemrës dhe çështjet e mushkërive dhe toraksit, duke kryer procedura mjekësore si transplantet e zemrës dhe mushkërive, ndërhyrje të aneurizmës së aortës dhe operacionin artificial të valvulës në zemër. Dr Kristo Papa ka kryer masterin profesional dhe shkencor në mjekësi në Universitetin me emër të kësaj fushe të Gjenevës në Zvicër dhe më tej ka ndjekur dhe përfunduar doktoratën shkencore në mjekësi në Universitetin, po aq me famë të „L’Aquila“ në Itali.

Por në të gjitha rastet shkencëtari shqiptar, që tashmë ka emrin e vet në disa vende të Europës, dhe më gjerë, mbetet një emër që simbolizon Njeriun Human, shkencëtarin mjaft profesional e të përkushtuar e mbi të gjitha dhe vetë humanistin e kalibrit tejet njerëzr.


Pse themi human?


Mjeku shqiptar në Angli, Dr Kristo Papa ka ndihmuar në situatën e Covid-19 dhe vazhdon të ndihmojë pacientët online edhe më shumë gjatë pandemisë. Ai ka ngritur prej kohësh një platformë dixhitale për këtë dhe mjaft arsye të tjera humane. Sipas njoftimit në faqen zyrtare, kjo platformë dixhitale u vjen në ndihmë pacientëve gjatë kësaj kohe të pandemisë, përfshirë dhe mbështetjen psikologjike. Ai ka ngritur dhe Klinikën e tij, ku për vizita dhe konsultime të mëtejshme të gjithë pa dallim janë të mirëpritur në klinikën Papa Medical Clinic në adresën e mëposhtme: 132A Myddleton Rd, Boëes Park, London N22 8NQ.

Por jo vetëm kaq telefoni i tij është gjithnjë i disponueshëm. Nuk njeh madje as dhe gjeografi, pasi me të mund të flasësh me teknologjinë e re nga të gjitha anët e Globit dhe natyrisht prapa kësaj është dhe mbetet humanizmi i tij. Ai u gjendet në ndihmë pacientëve dhe i ndjek deri në shërrim të plotë.

Kohë më parë doktori shqiptar në Londër dërgoi dhe disa dhurata për Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Dhe këto u siguruan pasi Doktor Kristo Papa kishte organizuar një aktivitet për vogëlushët e shtëpisë së Fëmijës në Vlorë. Kristo Papa, i renditur si një prej doktorëve më human në ndihmë të shqiptarëve, këtë herë kishte realizuar ndihmë mjekësore, por u ka bërë disa dhurata fëmijëve jetim. Kjo u realizua përmes Fondacionit të tij “Papa” në një aktivitet bamirësie për fëmijët e shtëpisë së Fëmijës në Vlorë. Aty është mësuar nga mediat se përmes animacioneve fëmijët kanë luajtur e kërcyer. Por jo vetëm kaq, më tej, Dr. Kristo ka premtuar se do të jetë më afër tyre në mbështetje të kërkesave mjekësore të institucionit. Papa është shprehur se nëpërmjet fondacionit të tij do të përpiqet që t’i gjendet pranë fëmijëve shqiptarë me probleme shëndetësore apo ekonomike, gjë që vazhdon ta bëjë pa u ndjerë, thjesht me qetësinë e humanizmit të tij të përkushtuar.

Tashmë prej kohësh, doktori shqiptar, Kristo Papa, vazhdon të jetë thuajse 24 orë në ndihmë të bashkatdhetarëve në Londër. Përgjatë viteve të karrierës, dihet tashmë publikisht, se Dr Papa sa herë bëhej fjalë për shqiptarë në vështirësi ka dhënë ndihma në forma të ndryshme, ku shumë prej pacientëve kanë qënë fëmijë.

Duhet theksuar se doktori shqiptar tashmë ka nisur të krijojë një rrjet mjekësh shqiptarë në botë për të ndihmuar pacientë të ndryshëm shqiptarë, pa asnjë përfitim. Sipas tij, kjo iniciativë do të jetë një ndihmë shumë e madhe për shumë qytetarë, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë të specializuar në spitale të ndryshme.


Kur do ta ketë këtë shkencëtar Atdheu


Duket sikur për këtë ka vetëm zhurmë, dhe heshtje. Heshtja është institucionale. Por kjo heshtje ka bërë zhurmën e duhur me zërin e nevojshëm në këtë kohë të pandemisë, ku shumë mjekë të Diasporës shqiptare po iu vijnë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre përmes telemjekësisë. Një prej tyre, skurse ciituam më lart, është Dr. Kristo Papa, kardiokirurgu shqiptar në Spitalin “Royal Brompton Chelsea,” Londër. Nëpërmjet klinikës digjitale “TeleHealth”, ai ofron konsultime mjekësore në rrugë virtuale për sëmundjet e zemrës, mushkërive dhe gjoksit në përgjithësi.

Dr. Kristo Papa, doktor shkencash në Londër, ka rrëfyer arsyet që e çuan drejt largimit nga Shqipëria, ku thotë se në Atdhe nuk të jepet mundësia që të gjesh një vend specializimi, por edhe tregon se nuk ishte e lehtë të pranohej si një mjek i huaj në Angli. Kishte rezistencë nga ana kompleksit që e kuptojnë vetëm ata që janë në këtë fushë dhe që kanë eksperiencë të tillë në Britani. Tani Dr Papa është në vijën e parë dhe gëzon me profesionalizmin e tij, me bulën e djersës së tij.

Por Dr Papa i mban lidhjet me kolegët e tij nga Shqipëria, të cilët për fat të keq kërkojnë vazhdimisht një farë ndërmjetësimi për të gjetur punë në spitalet e huaja. Sipas tij, janë rreth 800 mijë deri në 900 mijë mjekë që janë larguar nga Shqipëria. Ai pohon se ka menduar dhe kthimin në Shqipëri por se për këtë “duhet të krijohen kushte” duke përmendur kushtet higjienike dhe teknologjitë e duhura për ta kryer sa më mirë profesionin e tij. E pra, atëherë ky shkencëtar do të jetë pranë asaj që duhet, aty pra ku ai mendon se është Atdheu dhe shqiptarët ata që duan më shumë vlerën dhe profesionalizmin, humanizmin dhe shkencëtarin e duhur e të merituar. Koha duhet të rrjedhë më shpejt, që Dr Papa të jetë në vendin meritor në Atdhe.


Në vend të falenderimit publik


Në anën tjetër është nëna ime. E lodhur. Me një mori sëmundjesh në shtratin e saj ku përkujdeset një familje e tërë e vëllait në Atdhe. Bruna, vajza e madhe e vëllait tim, infermiere e re, që ndjek dhe një kurs tjetër specializimi, është më shumë se gjithshka në kryet e shtratit të nënës sime. Dhe në ekranin e vogël me ditë të tëra me orë të tëra mbetet tashmë portreti i Njeriut me veshjen tipike e të dukshme të doktorëve të spitaleve britanike. Ai është djali tjetër, që i dhëntë Zoti shëndet, thotë nëna ime nëpër dhimbje e sipër. Dhe lotët i dyfishohen. Prej dy ditësh ajo është në gjendje të marë frymë lirisht. Është rikthyer në jetë. Dhe kjo falë Dr Kristo Papas, doktorit që nëna ime i jep urata e urata. Por sa nëna të tilla i kanë dhënë dhe i japin urata këtij shkencëtari të merituar? Sa shqiptarë e duan dhe e kërkojnë me ngulm nga të gjitha pikat ku ata janë?

Një falenderim publik mendova se është mbyllja më e mirë në këtë zanafillë shkrimi për shkencëtarin shqiptar të mjekësisë. E them me bindje se ishte ndërhyrja mjaft profesionale që e bëri nënën time të jetë në jetë, se mjaft mjekë të tjerë e thoshin shkurt, kjo … nuk dua ta them më atë fjalë.




455 views36 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page