Shefqet Meko: STERJO SPASSE-SHKRIMTARI QË RINGJALLI NJË EPOKË

– Në kuadrin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë shqiptare –
Një shekull e 14 vjet më parë, pra gati sa gjysma e kohës që ka kaluar nga Pavarësia Amerikane, shqiptarët shënuan kulmin e historisë së tyre: realizuan Mëvetësinë Kombëtare. Kjo mbetet në historinë tonë një nga ditët më solemne, kur kombi, me të gjallët e vet, nderon dhe përulet para jetës dhe sakrificave të brezave që bënë të mundur shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman, duke i dhënë shansin e madh të vetëqeverisjes dhe prosperitetit. Ne ende ëndërrojmë që kjo e fundit të bëhet realitet.
Duke menduar për përmasat dhe largpamësinë e atyre heronjve dhe mendimtarëve që bënë të mundur një nga kapërcimet më të shkëlqyera të ekzistencës shqiptare, kujtesa sjell përleshjet e njerëzve të asaj kohe, rrymat që përplaseshin në hapësirën shqiptare dhe ujërat e turbullta të historisë. Pikërisht duke nderuar atë epokë lavdie dhe triumfi kombëtar, këtu në Minneapolis, më shkoi mendja jo thjesht te rilindasit, por te shkrimtari nga “anët e mia”, Sterjo Spasse.
Për brezin e ri, që mbase e kujton këtë shkrimtar vetëm nga romani “Pse?!”, dëshiroj të nënvizoj se Spasse është shkrimtari-arkitekt që risolli në letërsinë shqiptare epokën e Rilindjes Kombëtare në mënyrën më të plotë e monumentale. Koha që iku, heronjtë që vdiqën, brezat që ëndërruan dhe sakrifikuan, “u ngjallën” nga pena e pashoqe e Sterjo Spasses në ciklin e romaneve historike “Rilindasit”: “Zgjimi”, “Pishtarë”, “Ja vdekje, ja liri”, “Kryengritësit” dhe “O sot, o kurrë!”.
Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka investuar aq shumë në këtë drejtim sa prozatori mendjendritur Sterjo Spasse. Cikli i romaneve të tij për Rilindjen shqiptare është një margaritar letrar, një tablo shumëngjyrëshe ku pasqyrohen betejat, përleshjet, humbjet dhe fitoret e një epoke historike që nuk do të përsëritet më, por do të kujtohet në pafundësinë e kohës dhe të ekzistencës shqiptare. Brezi im jetoi me emocionet e bukura që ngjallnin romanet e Sterjo Spasses. Ne i lexuam me kujdes, deri natën vonë, duke mbajtur shënime nëpër fletë, ku fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX vinin plot ngjyra atdhedashurie dhe sakrifice, jo vetëm përmes heronjve të njohur, por edhe përmes “të thjeshtëve e të panjohurve”, si Gjok Shqiptari e të tjerë.
Cikli i Sterjo Spasses, me “penelin” e fjalës shqipe, të ngjyer në dashurinë e shkrimtarit për Shqipërinë, përbën një kulm të dallueshëm të kontributit që mund të sjellë një autor e mendimtar. Cikli “Rilidasit” është një “kurorë” letrare për zgjimin kombëtar shqiptar, përpjekjet e jashtëzakonshme për gjuhën shqipe, arsimin, lirinë dhe pavarësinë e një kombi aq gjatë të robëruar. “Zgjimi”, romani i parë i ciklit, sjell mjeshtërisht fillesat e vetëdijes kombëtare shqiptare në kushtet e sundimit osman. Në faqet e këtij romani lexuesi “shëtit” me shqiptarin e thjeshtë, të vuajtur, por ëndërr-zgjuar, dhe figura si Naum Veqilharxhi, me përpjekjet e tij për gjuhën dhe dritërimin e kombit. Te “Pishtarë”, figurat e rilindasve të mëdhenj, vëllezërve Frashëri, Jani Vretos e Konstandin Kristoforidhit, së bashku me “motin e kohës” dhe plot zëra të thjeshtë e të heshtur, vijnë përmes fjalës së Spasses si një uragan drite dhe shprese përparimi.“Ja vdekje, ja liri” pasqyron përshkallëzimin e përpjekjeve për çlirimin kombëtar, kur vetëdija shqiptare kërkonte të shndërrohej në veprim dhe sakrificë. Ndërsa te “Kryengritësit” vjen revolta e armatosur shqiptare kundër sundimit osman, në rrugën drejt çlirimit kombëtar. Edhe në këtë roman, siluetat e figurave trimërore shqiptare, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi etj., vijnë në rreshta e të duken si “ushtarë të panjohur” të Shqipërisë së lirë dhe të pavarur. Sipari i këtij cikli historiko-letrar mbyllet, por nuk përfundon me “O sot, o kurrë!”, si ultimatumi shqiptar që çoi te dita e madhe e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912.
Natyrisht, Sterjo Spasse ka marrë vëmendjen e kritikës letrare në kohën e vet. Në këto radhë nuk mëtoj të bëj kritikën apo analizën e këtyre veprave, por thjesht kujtoj një shkrimtar të madh, që kam pasur fatin ta njoh në rininë time të hershme, duke i bërë dy vizita në shtëpinë plot lule: herën e parë me Jorgji Kriston nga Gollomboçi, më 1976, dhe më vonë me Spasse Thanasin nga Zaroshka, më 1985, që të dy nipër të Sterjo Spasses. Më ka mbetur në mendje qetësia dhe veçantia e vështrimit të shkrimtarit që adhuroja. Emocionet e moshës sime sikur reflektoheshin në fytyrën e tij fisnike. Përballë shkrimtarit ndihesha “i rëndësishëm”, sepse kështu “lexoja” në sytë që lëshonin dritë e mikrpitje prespare. Ishte i pari njeri i letrave shqipe që guxoja ta vizitoja në shtëpinë e tij, te Rruga e Kavajës, një shëtitje larg Lidhjes së Shkrimtarëve të asaj kohe.
Sterjo Spasse ishte shkrimtar i lirë në profesion, që i dhuroi aq shumë letërsisë shqipe. Ai nuk u mjaftua me fantazinë letrare, por ciklin “Rilindasit” e ndërtoi me mund, duke gërmuar dhe hulumtuar në analet e historisë, arkiva e dokumente, mbi fakte dhe të vërteta. Në këtë mënyrë, ai mbetet shkrimtari më i madh i “ringjalljes letrare” të luftës epike shqiptare për liri, pavarësi, dritë e përparim. Ndërsa Ismail Kadare, në ato vite, “zhvarroste” legjendat e harruara (të grabitura nga fqinjët) të botës shqiptare dhe i risillte mjeshtërisht në letërsi, Sterjo Spasse, si një shkrimtar i spikatur dygjuhësh, me një dashuri të jashtëzakonshme krijuesi dhe mendjendrituri, “rilindi” rilindasit në ciklin me pesë vëllime, si pesë yje të letërsisë shqiptare të shekullit të shkuar.
Të gjithë vijmë dhe ikim, por jo secili ikën. Sterjo Spasse mbetet një shkrimtar i piedestalit të prozës shqiptare. Ai jo vetëm mbetet talenti që “nuk ka adash”, por, sipas meje, me të gjitha veprat e tij, veçmas me ciklin prej pesë vëllimesh, është “Princi prespian” i letërsisë shqiptare të shekullit XX, një vlerë e madhe shqiptare që meriton nderim, respekt dhe analizë të vijueshme.
Koha kur bashkëjetuam me Sterjo Spassen, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin e shumë shkrimtarë të tjerë, kishte parashtesën “shoku”. Në shënimet e mia, me duar që më dridhen, lexoj shprehje si “shoku Sterjo”, “shoku Dritëro” apo “shoku Ismail”. Në blloqe të vogla ne hidhnim momentin me fjalë. “Shoku” ishte diktat i kohës, kur trysnia ndaj individualiteteve të spikatura ishte e jashtëzakonshme, por talenti i tyre shpërtheu. Sot emrat e tyre mbeten fosforeshentë në librat dhe veprat që u përcillen brezave.
I tillë mbetet Sterjo Spasse, një emër i dritës letrare shqiptare, që do të kujtohet në nëntorët e çdo viti dhe në vazhdimësi. Ai mbetet në majat e letërsisë historike shqiptare dhe vetëdija e kombit nuk do të mund ta harrojë kurrë.
Brezi im dhe unë patëm fatin të lexonim mendje të plota dhe të qarta, që kurrë nuk i turbulluan ëndrrat tona, por i prushëzuan me mendimin e tyre krijues.
Shefqet Meko
Minneapolis, Minnesota
20 Nentor 2026








Comments