top of page

Shakaxhiu i panjohur ende ekziston


Shakaxhiu i panjohur ende ekziston

Nga Fatmir Terziu


Një nga mitet popullore të regjimit komunist në Shqipëri, që thuhet se kishte transformuar një të tillë që eksistonte në Evropën Lindore, ishte se ekzistonte një departament i policisë sekrete, funksioni i të cilit ishte (jo mbledhja), por të sajonte dhe të vinte në qarkullim shakatë politike kundër regjimit dhe përfaqësuesve të tij. Kjo bëhej në formën e shakave. Këto shaka bëheshin në dasma, gëzime familjare, në biseda klubesh, në takime të ndryshme e në disa raste në forma të mistershme. Thelbi dhe Roli i këtyre shakave ishte në kapjen e armiqve të Partisë dhe të Popullit. Ata që e bënin këtë organizim ishin të vetëdijshëm për funksionin stabilizues „pozitiv“ të shakave. Shakatë kishin karakterin politik në më të shumtin e rasteve. Shakatë e tilla politike u ofronin njerëzve të zakonshëm një mënyrë të lehtë dhe të tolerueshme për të shuar mjaft kuriozitete, ose edhe për të lehtësuar frustrimet e tyre.

Sidoqoftë shakatë edhe pse në formë miti kishin një platformë. Përshembull, njëra ishte për ish Anëtarin e Byrosë Politike, në atë kohë Ministër i Brendshëm, që kishte zbritur në Përparim të Peqinit, për një inspektim të quajtur „sekret“ dhe kur ai ishte i maskuar me një synim për të vërtetuar se si punojnë policët dhe që sipas këtij miti kishte realizuar këtë dialog vetë polici që ndodhej me shërbim në rrugë dhe vetë Ministri i maskuar si tillë, në këtë mision pra sekret…

-Polici: duke iu afruar makinës së panjohur që kishte frenuar me zor, pasi ishte me shpejtësi. Në timon thuhej se ishte vetë Hekuran Isai. „E buçko kryetar kooperative qenke më duket. Sa qingja i paske dhënë këtij tollumbacit? I shkurtër në trup, por barkun e paske fort të fryrë“. Dhe kjo e treguar nga pautorësi, me anonimitet të plotë, si dhjetëra e dhjetëra të tjera pastaj transmetohej anekënd. Thuhej se dikush e kishte dëgjuar vetë. E besoje? Ja që ishte një shaka me një mision të tillë. Kush e pa? Kush e dëgjoi? A ishte tërheqës ky mit?

Sado tërheqës të ishte, ky mit injoronte një veçori të batutave që përmendeshin rrallë, por gjithsesi vendimtare: ato nuk duket se kishin kurrë një autor, sikur pyetja „kush është autori i kësaj shakaje?“, ishin të pamundura të autorësoheshin. Shakatë fillimisht „tregoheshin", ato ishin gjithmonë dhe në një kohë të tashme „të dëgjuara“ (kujtoni proverbialin „A e dëgjuat atë shaka për ...?“).

Për këtë filozofi i kohëve moderne, slloveni, Slavoj Žižek, që është quajtur Lacani i kohëve tona, ka shkruar mjaft. Në një libër të tij me titullin „Shakatë e Žižek“ gjendet një rregullim kompakt i shakave të nxjerra nga monizmi.

Slavoj Žižek sqaron se „Aty qëndron misteri i tyre: ata janë idiosinkratikë, ata mbrojnë krijimtarinë unike të gjuhës, por megjithatë janë „kolektivë“, anonimë, pa autor, krejt papritur këtu nga askund.“ Ideja se duhet të ketë një autor të një shakaje është me të vërtetë paranojake: do të thotë se duhet të ketë një lidhje me „Tjetri i Tjetrit“, i rendit simbolik anonim, sikur duhet të jetë fuqia gjeneruese, kontigjente, shumë e pakuptueshme e gjuhës. I personalizuar, i vendosur në një agjent që e kontrollon atë dhe i tërheq fshehurazi fijet miti e realizonte lehtësisht qëllimin e tij. Sa vetë janë akuzuar me të tilla sajesa? Sa vetë provuan Spaçin e torturat mizore në forma dhe formate të tilla? Mjafton që dikush nga kjo strukturë sekrete të sajonte një plan, të rrëfente një mit, dhe ai, pra personi që ishte piketuar si armik, përfundonte në pranga sa të hapësh e mbyllësh sytë. A ishte shaka një gjë e tillë? Kush ishte shakaxhiu? Shakaxhiu…?!

Kjo sipas Slavoj Žižek është arsyeja pse, nga këndvështrimi teologjik, Zoti është shakaxhiu i fundit. Kjo është teza e tregimit simpatik të Isaac AsimovShakaxhiu“, për një grup historianësh të gjuhës, të cilët, për të mbështetur hipotezën se Zoti e krijoi njeriun nga majmunët, duke u treguar atyre një shaka. Zoti u tha majmunëve këtë shaka, të cilët deri në atë moment ishin thjesht vetëm tek shkëmbimi i shenjave të kafshëve, dhe kjo ishte shakaja e parë, ajo që lindi shpirtin, përpiquni të rindërtoni këtë shaka, „nëna e të gjitha shakave“. Rastësisht, për një pjesëtar të traditës judeo-kristiane, kjo punë është e tepërt, pasi të gjithë e dimë se çfarë ishte kjo shaka: „Mos hani nga pema e dijes!“ - ndalimi i parë që është qartazi një shaka, një hutues, tundim, pika e të cilit nuk është e qartë se përse duhej të rrëfehej, sqaron Slavoj Žižek.

Në një shaka të vjetër nga Republika Demokratike Gjermane e zhdukur, një punëtor gjerman gjen një punë në Siberi, i vetëdijshëm se si do të lexohen të gjitha postat nga sigurimsat, ai u thotë miqve të tij: “Le të vendosim një kod: nëse një letër që do të merrni nga unë është e shkruar me bojë të zakonshme blu, është e vërtetë; nëse është shkruar me bojë të kuqe, është e rreme.” Pas një muaji, miqtë e tij marrin letrën e parë, të shkruar me bojë blu: „Gjithçka është e mrekullueshme këtu: dyqanet janë plot, ushqimi është i bollshëm, apartamentet janë të mëdha dhe të ngrohura siç duhet, kinematë shfaqin filma nga perëndimi, ka shumë vajza të bukura. Jemi gati për një lidhje, e vetmja gjë që nuk është e disponueshme është boja e kuqe.“

Kjo na shpie në disa fshatra ku atëherë ishin zona kufitare. Kishte pak mundësi komunikimi. Dhe ato pak ishin ose me ndonjë letër ose me telefonin e Rojes Operative. Por të dyja dihej se ishin nën kontrollin e Sigurimit. Dhe ata që shkruanin e komunikonin pyesnin: „A do të kemi viç këtë vit?“ Kjo nënkuptonte që a ishte shtazënë ndonjëra nga gratë e shtëpisë. Ose a u korr livalli? Ishte siguria nëse burri duhej të vinte apo jo, se mos gruaja ishte në kohë të pesëditëshit të përmuajshëm… e mjaft të tjera. Por kur kishte ndonjë pakënaqësi kishte dhe forma më të thukëta. Gjithëandej ishte e frikshme të flitej hapur…, boja e kuqe duhej për të shkruar parrullat revolucionare dhe kapakët e trashë të librave…Por kushdoqoftë shakaxhiu, ai mbetej thjesht shakaxhiu i panjohur. Edhe kur dihej se kush fliste. Kjo ishte gjendja edhe kur shakaxhiu ishte nga strukturat e fshehta.

Dhe a nuk është kjo gjendja jonë edhe tani? Ne kemi të gjitha liritë që dikush dëshiron, e vetmja gjë që mungon është „boja e kuqe“: Ne „ndihemi të lirë“ sepse na mungon vetë gjuha për të artikuluar palirinë tonë. Çfarë do të thotë kjo mungesë e bojës së kuqe është se, sot, të gjithë termat kryesorë që përdorim për të përcaktuar realitetin e sotëm janë me të zeza. A nuk u shkrua me të zeza vrasja e shtatëvjeçares nga skafi i drejtuesit të Policisë së Shtetit? Mjaft të tjera nuk shkruhen pa bojën e kuqe? Detyra sot është t'u japim protestuesve bojë të kuqe.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page