top of page

Shërbimet në fshat




Kur ishta zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Pogradecit në fshatra shkoja shpesh me shërbim. Na caktonin nëpër baza. Këto ishin në numur të kufizuar dhe përfaqësoheshin vetëm nga familje me „biografi të pastër”. Të gjithë, duke filluar nga sekretarët e partisë të rrethit e deri tek instruktorët e oficerët e sigurimit apo të policisë, bujtnin pak a shumë në të njëjtat shtëpi. Ky „nder” përbënte në të vërtetë një barrë të rëndë për mikpritësit. Lufta, pra, vazhdonte. Ashtu siç mbanin me bukë partizanët dje, fshatarëve u duhej të gostisnin tani pjellat e çlirimtarëve! A nuk quheshin edhe atëhere pó baza? Asgjë s’kish ndryshuar: as në përmbajtje e as në formë!

E kisha bërë zakon që, sapo shkelja pragun e bazës përkatëse, t’u jepja të gjithë vocrrakëve, - jo të paktë, - nga një monedhë. Kësisoj shlyeja, në njëfarë mënyre, ato që haja e pija. Përveç kësaj, besoj se nuk më ka mbetur as edhe një pjesëtar nga familjet që u kam ngrënë bukën, pa e ftuar në shtëpi apo, të paktën, pa i dhënë një kafe, në Pogradec ose në Tiranë, madje edhe në Bukuresht, ndonjë pinjolli të tyre, që vjen për studime, me shërbim apo për t’u kuruar.

Më kujtohet një natë dimri, kur hyra në bazën e katundit Trebinjë, në Mokrën e Sipërme[1]. Pasi bëra të gjitha adetet, fillova të kapërdija kafshatën e parë, e cila m’u bë lëmsh në grykë. Nuk ishte vetëm lodhja nga punët e ditës shkaku që dollitë e ngritura për Partinë e për Komandantin më përlotën e ma drithëruan buzën, por pikërisht përsëritja aq dëndur e të njëjtit refren - therja herë e deles e herë e pulave, me të cilat mbanin shpirtin gjallë të mitur e të rritur.

Më i moshuari, që ndodhej përballë, - se në krye të vendit, pranë meje, kish dy persona të tjerë me përgjegjësi: komandantin e brigadës dhe kryetarin e Degës së Brendshme, - e nuhati emocionin tim, m’u afrua e më pëshpëriti në vesh: „Mos ki dert, o bir, se me këtë rast kanë kësmet edhe fëmijët: hanë si njerëz”.

Frekuentuesit e bazave nuk i linin as shakatë. Njëri, bie fjala, thosh se rakinë e vlerësonte, ngaqë, pasi e pinte, në mesnatë ndjente etje dhe i shijonte uji. Tjetri, me të vënë re se, për shkak të dyshemesë së pjerrur, gjalpi i tretur në tepsinë e mirësive nuk anonte nga duhej, shprehej: „Mor po cili është i ftuari kryesor këtu?” „Ju, shoku…”. „E po verini një kleçkë përposh tepsisë!”

Duke bluajtur shumë gjëra, mbarë e prapë, edhe u habita, edhe jo kur në fillimvitet `90 shumë drejtorë ndërmarrjesh, kryetarë kooperativash bujqësore, shefa policie, sekretarë organizatash partie, apo aktivistë të Bashkimeve Profesionale, e kështu me radhë, u gdhinë brenda natës milionerë.

[1] Rrënjët i kam pikërisht në Mokër (prandaj pamfletet e fejtonet e mia shpeshherë i kam botuar me pseudonimet Kastriot Mokrari dhe Kapllan Kaçaku). Sipas dokumenteve, dy shekuj më parë, pararendësit e mi ikën nga katundi Rodokal i Poshtëm për të mos e ndrruar fenë dhe bashkëthemeluan qytetin e Pogradecit. Atëkohë e kishin mbiemrin Neka. Trysnia vazhdoi dhe stërstërgjyshi im e gjeti formulën e duhur që „mishi të piqet e helli të mos digjet”: nuk e ndrroi fenë, por vetëm mbiemrin, duke e bërë „Kyçyk” (turqisht: „i vogël”). Kyçyk, nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas shkruhet e lexohet njëlloj. Pra, fisi mbeti edhe paskëtaj „më këmbë”, nuk „u gjunjëzua”. Këmbëngulja për të mos u islamizuar, nuk kish të bënte me fanatizmin, por thjesht me respektimin e besimit që u mbeti trashëgim nga të parët. Kjo dëshmohet më së miri nga fakti që Kyçykët kanë pasur miqësi të ngushtë dhe kanë bërë krushqi që herët e në vazhdimësi me myslimanët. Ndër miqtë më besnikë të Kyçykëve jashtë qytetit kanë mbetur edhe sot e kësaj dite pasardhësit e Xhet Haxhihasan Dimnit nga Kavaja.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page