top of page

Bashkim Saliasi: VËSHTRIME RRETH LIBRIT “MODERNËT E KOHËS”, TË AUTORIT SEJDO HARKA




Më është bërë zakon, sa herë lexoj një libër, dëshiroj që mbresat e mia t`i ndaj me lexuesit, por në rastin e leximit të librit “Modernët e kohës”, të autorit Sejdo Harka, nuk lexova vetëm veprën e tij, por u takova me shumë shkrimtar e krijues të tjerë, të cilët i kisha lexuar më parë, dhe leximi i këtij libri më ringjalli shumë kujtime. Pas leximit të librit në mendje më mbeti paragrafi i parathënies i shkruar nga shkrimtari Bardhyl Xhama.

“Kultura e gjerë letrare dhe gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe e pedagogjisë, e ka bërë Sejdon të jetë vullnetfortë dhe gjurmues pasionant, në fushën e krijimtarisë letrare”.

Kam vite që njihem me Sejdon, që në takimin e organizuar në një lokal pranë MASH nga miku ynë i përbashkët Viron Kona me shkrimtarët kosovarë me banim në Suedi, z Sokol Demaku, Bahtir Latifi etj. Që në takimin e parë u miqësuam shpejtë dhe të dy në atë takim qëndruam të heshtur dhe dëgjonim më të vjetrit. Nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri u takuam te gazeta “Mësuesi”, kohë kur Vironi  punonte në MASH, në redaksinë e gazetës “Mësuesi”.

Vironi më kishte folur shumë për Sejdon si njeri punëtor dhe i qetë, fjalëpak e punë shumë si i thonë fjalës. Në biseda, ai të dëgjon me vëmendje e respekt dhe, kur është për të shprehur mendimin e tij nuk ngutet, por e argumenton qetësisht problemin për të cilën diskutohet. Ishte mesi i muajit nëntor dhe së bashku me Vironin dhe Sejdon shkuam deri në Durrës te miku ynë Kadri Tarelli për ta ngushëlluar për ndarjen nga jeta të të vëllait, Hytbi Tarellit. Në kthim Sejdoja më pyeti nëse ma kishte dhuruar librin e tij të fundit. Jo, ishte përgjigja ime.

Në fund të javës kur ora shënonte 8 e mëngjesit mora një telefonat nga Vironi. Pas përshëndetjes ai  më bëri me dije se me Sejdon e kemi lënë të takohemi nga ora 10. Ai të ka ftuar edhe ty që të të dhurojë librin e tij.

-Me kënaqësi, iu përgjigja Vironit.

Në orarin e caktuar u takuam dhe u ulëm në një kafe. Në dorë Sejdoja mbante librin e tij “Modernët e kohës”.

Biseda rrodhi e ngrohtë sepse ne, si nga hera vetëm për letërsinë dhe artin diskutojmë. Sejdoja më dhurojë me dashamirësi librin e tij.

Në autobus fillova të lexoj dhe si me magji faqe pas faqeje libri po më tërhiqte.  Kur zbrita në stacionin e fundit te Lapidari i kisha lexuar 20 faqe. Me të mbërritur në shtëpi u ula në tryezën e punës dhe vazhdova të lexoj. Leximi nuk më lëshonte dhe pothuajse gjithë atë pasdite deri natën vonë e mbarova gjysmën e librit. Në çdo faqe që lexoja gjeja zjarr që ruante prushin që të ndizej dhe të përhapte flakët e të ndriçonte mendjen. Kultura e gjerë letrare që zotëron shkrimtari tregon për një punë shembullore të analizave letrare që i bënë veprave, për  të cilat ka përshkruar kritikën jo vetëm për autorë  pak të njohur, por  edhe shumë të njohur. Me një gjuhë të kuptueshme dhe me plotë figura letrare, Sejdoja analizon me penën e tij të mprehtë kritikën dhe vlerat që kanë veprat që ai ka analizuar. Në nivelin shkencor të mendimit pedagogjik dhe psikologjik, duke hulumtuar në veprat që merr në analizë, ai  jep një ndihmesë të jashtëzakonshme në fushën e kritikës, e cila mendoj se iu shërben jo vetëm studentëve të gjuhë-letërsisë, por edhe mësuesve që punojnë në ciklin 9- vjeçar dhe të mesëm.

Sejdo Harka, me një klimë të ngrohtë dhe me magjinë e përdorimit të fjalës, hap horizonte të reja në fushën e krijimtarisë në vetëbesim dhe guxim për të trajtuar problemet që bartin veprat nga ana profesionale. Të edukosh te lexuesi ndjenjën e kritikës do të thotë që vepra të ketë vlera të arrira dhe libri i Sejdos është si një “minierë ari”, që sa më thellë të gërmosh aq më shumë ke se çfarë mëson. Me mendimin e tij profesional të spikatur në fushën e krijimtarisë shkencore e pedagogjike ai sjell para lexuesit një pasuri me vlera kombëtare në fushën e krijimtarisë letrare, në fushën e kritikës.

Janë të rrallë kritikët në këtë periudhë tranzicioni që lëvrojnë fushën e letërsisë kritike, por Sejdo Harka, duke qenë vet dëshmitar i këtyre ndryshimeve guxon dhe i përshkruan dukuritë qofshin pozitive apo edhe ato negative. Botimi i Sejdos zë një vend të rëndësishëm në historinë e mendimit pedagogjik të trajtimit të problemeve kritike të veprave letrare që jo gjithkush guxon dhe trajton këtë fushë të letërsisë. Përmes këtij botimi autori hap portat e kalasë që për këto 30 vjet rrallë po i  shohim dhe i lexojmë. Libri është një laborator në krijimtarinë artistike të autorit, ku nëpërmjet analizës dhe sintezës hap horizontet e mbyllura. Libri përcjell te lexuesi mesazhe me një profesionalizëm të lartë dhe përkushtim shkencor nga ana gjuhësore dhe letrare me një informacion të freskët si flladi në pranverës. Nëpërmjet kësaj vepre Sejdoja na jep një pasqyrim  real në këndvështrimin e njeriut të ditur dhe me përvojë. Përmes faqeve të këtij libri, autori edukon te lexuesi kritik dashurinë për t’u marrë me letërsi, ku nëpërmjet figurave letrare të di të mbrohet nga e keqja dhe të jetojë me të mirën. Libri ”Modernët e kohës” për mendimin tim  është një thesar që kushdo që do vendosi ta lexojë dhe ta ruaj në bibliotekën e tij do të ketë mundësinë që hera-herës të këshillohet me të.

Po kush është Sejdo Harka? U lind më 31 janar të vitit 1949, në Përmet. Në vitin 1974 mbaroj studimet në UT Tiranë, dega gjuhë shqipe dhe letrës. Më pas kreu kursin pasuniversitar për kritikë letrar. Për një periudhë 30 vjeçare ka punuar në rrethin e Përmetit dhe Tiranës mësues dhe drejtues shkollash. Ka punuar kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”.  Është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”. Ka një krijimtari të gjerë në fushën e publicistikës, studimeve kritike,  që zë fill që nga viti 1970.

Ka shkruar dhe botuar artikuj në gazeta dhe revista më të njohura të kohës që publikohen brenda dhe jashtë vendit, qindra shkrime problemore, studime letrare, recenca, ese, skica, reportazhe, monografi,  etj. Dy botimet e tij janë, “ Figuracioni në këngët e popullit”,  “Në ndihmë të mësuesve të letërsisë. Botimi “Modernët e kohës është libri i tretë i tij.

E përshëndes mikun tim Sejdo Harka dhe e falënderoj për vlera dhe kënaqësinë që na dhuroi me librin e tij “Modernët e kohës”. 


ReplyForward


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page