top of page

Sepse të dua shumë!


Sepse të dua shumë!

(nyja e hershme, e lidhjeve të përjetshme)

Nga Fatmir Terziu

 

Unë të dua shumë. Të dua, se buroj në burimin tënd. Kristal. I paqtë. Burim natyral…Por burimi si burim, thonë nuk e ndjek kurë dashurinë. Dashuria e rrënjëve të tij lëvrin. Zien. Lëviz. Shtohet. Ndaj, nuk ke kohë ta dish kurrë këtë. Sepse unë jam në rrjedhën tënde, dhe ndaj po kaloj dhe ti, ti je rrënja, ndaj do të mbetesh sa të jetë jeta. Unë jam një grimcë pluhuri. Ti je një smerald në një shkëmb. Njëherë e një kohë, shumë kohë më parë, u shkëputa prej teje. E bëra këtë. U futa në rrjedha të reja, rrjedha të tjera dhe u shtriva fjalë për fjalë me horizontin e gjatë ku u largova. E quanin integrim. U përpoqa të të harroj, por ti më dilje edhe në ëndra, madje dhe ëndrrat ishin nga burimi yt, nga gurra jote. Gjithçka që më lidhte me ty u tendos, u zbërthye si një fije pafund, në një skedë shuarjeje, rrufeje që fërshëllen, që kërkon të djeg, kujtime, ëndrra dhe të të vërë në gjumë. Ngjyrat e tua mu duk, se u zbehën dhe mbuluan me kujdes tingujt e tjerë, por kur u shkunda, vura re se kishin mbetur më të fortë si gurë stralli. Nuk e kuptoja nëse më sulmonin me ta për të më lënduar rrugës, apo thjesht donin të më zvenisnin dashurisht dashurive. Por kështu është ndonjëherë dashuria. Ajo nuk kërkon asgjë dhe të merr gjithçka. Jep universe, në këmbim të momentit më të çmuar. Por ç'i do nëse nuk e ke këtë moment, nuk ke asgjë.

Unë u largova pikërisht atëherë, në momentin që po më tregonit një histori me gojën e nënës sime të shtrenjtë e të paharuar. Në oborr, përballë shtëpisë së lindjes sime, lulëzoi një dardhë. Ajo bëri bashkë me moshën time dymbëdhjetëvjeçare një kokërr ndryshe nga të tjerat. Unë si fëmijë i përkëdhelur më tha nëna isha i dashuruar pas saj, por ama nga dashuria e tepërt, e tunda aq shumë dardhën sa kokrra e saj fluturoi drejt e në krahët e Diellit. Ajo, më tha nëna, u bë Nusja e Diellit. Dardha, pra, Nusja e Diellit, shkëlqeu lart në qiell dhe atje u dogj nga pikëllimi dhe u bë pluhur.

U largova i mërzitur nga fjalët e nënës. Nuk doja të dija se çfarë ndodhi më pas. Doja të vazhdoja pa e ditur se si do ta kishte fatin, jetën. Për ta ndjerë. Për ta formuar në kallëpin tim, për të vendosur masën time ndaj saj. Sepse dashuria është edhe egoizëm, e kërkon veten te tjetri dhe nëse ai është më i madh se shpirti yt, më mirë thoshte nëna ik. Është e pamundur që një i vogël të akomodojë një të madh. Ne kemi nevojë për barazi. Pak nga pak edhe për ëndrrat. Shumë, ndoshta për më shumë.

Vetëm një gjë nuk e kuptova atëherë. Pse të dua kaq shumë? Asnjë efekt i plotë nuk mund të përfshijë shkakun e tij të pazbuluar. Asnjë rrugë nuk numëron shtigjet që e përbëjnë atë.

Unë bëra një rrugë të gjatë. U enda i shtrembëruar monopateve dhe kalova nëpër shkëmbinj të heshtjes. Mbi mua u ndezën vetëtima, ranë shira. Kishte edhe rrëke nga përrenjtë indiferentë. U ndala në arna të thekura simpatie. Vazhdova. Largimi po bëhej më i mençur. Vetëm atëherë e kuptova se çfarë kisha zgjedhur të humbisja, sa shumë isha i gatshëm të jepja dhe si të mbetesha vetëm me një barrë dashurie që do të mbaja për pjesën tjetër të ditëve. Është dhimbje. Më mësove këtë fjalë nga burimi yt Hyjnor.

Pastaj takova të huajin. Ai nuk tregoi histori. Ai foli fraza të sakta me kuptime të qarta. Ai e dinte vendin e përsosur për pauzat, pasthirrmat me intonacion, pikat. Ai pretendoi se më respektonte, sepse isha i denjë dhe i zgjuar. Ai kurrë nuk pyeti nëse e doja edhe unë. A kishte rëndësi? E rëndësishme ishte që unë isha i edukuar, i dedikuar të përshtatem. Nuk ma tha kurrë këtë. Sapo më mbështillej lëmshi i inateve, kaloja në skaje të tjera, vetëm me libra e për librat. Më depërtoi një anë tjetër, lajkatare, dhe e butë. Më lindi gumëzhitja dhe pëshpëritja. U bëra më i fortë për dashuri dhe më i dobët për urrejtje.

I panjohuri më shpjegoi se ekstremet janë të rrezikshme. Se fusha është më e sigurt se maja. Se horizontet janë iluzione. Se shkelja në një vend e mban njeriun në formë të mirë në jetë, dhe ecja e paplanikuar për një kohë të gjatë të çon vetëm në vdekje.

Më prezantoi mirësjelljen. Disa fjalë nga ai, kundrejt disa fjalëve nga unë. Ndërruam me punën në grup, tingujt me një theks elegant. Mendimet e mia nuk kishin rëndësi, por ata i çmonin shumë. Ata jehonin natën në gjumë dhe më largonin çdo zemërim dhe hidhërim. Heshtje. Dhe unë të puthja e të dashuroja ty, se me ty erdha në jetë, me ty fola, me ty u edukova… Ti më mësove këto fjalë. Por si mund t'i shkëmbej ato me ju, në një llojësi tjetër? Ishte si një kostum i dhuruar. Si një send i tillë. Dhe unë e kuptova, ndaj të mbaja fort në gji e në mendje. I dhuruari nuk këmbehet.

Dhe i huaji këmbënguli për më shumë shkëmbime. Mirënjohjet kundrejt rregullave. E tija për të tijën. E imja mbeti e imja.

Unë vazhdova të të dua fshehurazi. Ai nuk kujdesej për këtë. Unë përparova në hapat e shkelur atë që nuk të bënte pis ty. Dhe i fola me gërmat e tua. Ditën e mirë, kalofshi mirë, mirupafshim, mirëmëngjes, Tungjatjeta. Kohë, papasion, kompliment. Një përpjekje e matur, më pas një fundjavë. Ishte e lehtë për mua me të huajin. Ai kërkoi pak nga unë. Ai më donte deri këtu. Unë ktheja sytë tek Sofra. Sofra kishte bukë e kripë e zemër…

Nuk e pyeta kurrë pse ishte kaq e mjaftueshme. Pse nuk fillonte të më mbyste në emocione vullkanike, pasthirrma melodike me urtësi të djegur nga malli? I huaji. E huaja. Dhe pyesja veten në ëndrra. Pse nuk më duan vazhdimisht dhe me lakmi ashtu siç më do ti? Pse kjo ndonjëherë më lë të qetë, dhe ju më ndiqni në ëndrra dhe në jetën e zgjuar, të nxehtë, pasionante, të pangopur, por dhe ringjallëse? Pse i huaji është përditësia dhe ju jeni pafundësia?

Nuk e kisha idenë se sa i pafuqishëm ishte në të vërtetë i huaji. Kam jetuar me të për vite dhe më është dashur një moment për ta kuptuar këtë.

Një ditë erdhi dhe më tha se aty, në fund të shtëpive të bukura me oborre të rregullta, ishte një kopësht i egër. Pemë të paprerë, të shtrembër, me bar. Mbi të, shirat vërshonin dhe bubullimat gjëmonin, ndërsa damllat binin në tokën e pazbutur dhe dielli digjej në vend që të shkëlqente. Aty jetonte një Zonjë flokëbardhë e panjohur, të cilën askush nuk e kuptonte. Por në fund të fundit, duhej të dije se çfarë donte ajo në këmbim? Shkurt. Ajo nuk e kuptonte gjuhën e huaj. As ai nuk e fliste. Prandaj më pyeti, a ka mbetur ndonjë gjë tek unë nga ju? Diçka e fshehur, e pandryshuar dhe e pazëvendësuar? Diçka që nuk është dhënë. Për t'ia dhënë për ta përdorur në këtë histori të pakëndshme.

Unë shkova tek ajo grua. Hyra në gjelbërimin e oborrit të saj dhe më pas lëviza thekët prej ari që zbrisnin drejt e nga kanavacja e thellë e qiellit binin mbi flokët e asaj Zonje. Më ngjau sikur Dielli e kishte lënë nusen e tij të vdekshme të plakur, poshtë në fund, në kujtesën e nëpërkëmbur të pluhurit. Dhe u shkunda e të falenderova. Të thashë me sy e me gjuhë trupi: Ti më mësove të shoh kështu. Dhe unë e shkrepa një memorje me ty. Tjetri, ai i huaji, më cilësoi atë shkrepje në memorje, si një realitet të shëmtuar. Ai kurë nuk kishte njohur një realitet të atillë!

U përkula mbi Flokëbardhën dhe e pyeta nëse donte ndonjë gjë nga unë. E pyeta si të huaj. Dhe ajo u përgjigj se donte të sajën.

Ju? - ngriti vetullat. Nëse të njoh, sigurisht. Nëse të kujtoj akoma. Nëse nuk kam dëshirë të të mbaj. Sepse ajo më donte shumë, por nuk mund të më kthente vetë.

Unë qëndrova pranë saj dhe fillova të pëshpëris: „Gjuha jonë sa e mirë,/sa e ëmbël, sa e dlirë…“. E gjitha ishte dashuri e dashurisë. Faleminderit o gjuha ime, Gjuha e jetës dhe mirësisë!

U shkunda. E pashë. E ndoqa. Fjala ndiqte Fjalën. Mbi kokën time lulëzoi enkas një dardhë, kësaj radhe dardhë pranverore. Një shakullimë u ngrit në degët e saj dhe shpërtheu një aromë e bardhë. Më dukej sikur shpirti im u tret dhe fluturoi në mënyrë të padukshme. Dhe unë mbeta poshtë, në tokë, për të ngjizur farën, duke marrë me vete barën, për të mbajtur të sigurtë qoftë dhe një fjalë nën gjethe, për ta mbrojtur Fjalën. Ndërsa qëndroja në majë të gishtave, shikoja, … doja të të  shikoja moj Dardhë, që tashmë ishe bërë e bardhë. Të pashë ashtu të bardhë shkumë… dhe e di pse? Sepse të dua shumë!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page