Sakip Cami: Përse Lidhja Shqiptare e Prizrenit e spostoi veprimtarinë e saj në Dibër
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 7, 2025
- 7 min read

HISTORI
Kuvendi i jashtëzakonshëm i Dibrës më 1 nëntor 1878 dhe Iljaz Pashë Dibra
Nga Sakip Cami
Iljaz Pashë Dibra më 10 qershor 1878 kryesoi mbledhjen e parë të Lidhjes së Prizrenit në xhaminë Bajraklie të qytetit. Me takimin që u mbajt më 18 qershor ishte firma e parë e Lidhjes si përfaqësues i Dibrës, me gradën më të lartë. Lidhja formoi një komitet qendror në krye të të cilit ishte vetë Iljaz Pasha. Kryesoi gjithashtu Kuvendin e Dibrës më 1 nëntor 1878 dhe ishte një nga 14 anëtarët e delegacionit që do t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë.
Në betejën e madhe kundër Hajredin pashës në vitin 1844 Iljas Pasha ishte organizatori kryesor, truri i kësaj beteje. Iljaz Pashë Dibra në vitin 1861 udhëhoqi forcat dibrane kundër përpjekjeve malaziase për të shtënë në dorë viset shqiptare të Shkodrës. Është i njohur aktiviteti i tij për mbrojtjen e viseve shqiptare nga invadorët sllavë, por edhe përpjekja për ta krijuar shtetin shqiptar të Katër Vilajeve që përfshinin territoret shqiptare në Ballkan. Iljaz Pashë Dibra, së bashku me Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin e të tjerë ishin ndër nismëtarët e parë për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Më pas Iljas pashë Dibra u tërhoq në Dibër dhe atje kryesoi Kuvendin e Jashtwzakonshwm tw Dibrës të 1 nëntorit të vitit 1878. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u detyrua të spostohej në Dibër sepse kjo lidhje (apo itifak që e quanin oamanët) nuk veproi sic kishte parashikuar dhe sic dëshironte Porta e Lartë dhe Sulltan Hamiti II. Ajo shpalli autonominë e shqiptarëve në një vilajet të vetëm, pa miratimin e Portës së Lartë, ndaj krerët e saj Iljas pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni u vunë në ndjekje. Por Iljas pashë Dibra kishte autoritet të madh dhe e vazhdoi veprimtarinë në Dibër, duke patur gjithmonë në krah ideologun e Lidhjes Abdyl bej Frashërin.
Kuvend kombëtar i shqiptarëve i 1 nwntorit 1878 nw Dibwr miratoi rezolutën në të cilën kërkohej krijimi i vilajetit autonom shqiptar.
Iljaz Dibra ishte njëri nga të 14 anëtarët e delegacionit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët kishin paraparë t’i drejtoheshin Sulltanit me kërkesë për autonominë e Shqipërisë. Programi i Komitetit Shqiptar të Stambollit u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes Shqiptare për Dibrën, me nismën e se cilës u mbajt në Dibër, me 14 tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën pjesë krerët e qytetit të Malësisë dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan një rezolutë, të hartuar mbi parimet e programit të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit dhe pasi flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, në rezolutë vihej në dukje se për të larguar këtë rrezik është e domosdoshme që të gjithë sanxhakët shqiptare të bashkohen në një vilajet të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë). Vilajeti i Shqipërisë do të kishte kryeqytetin e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative, nëpunës shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin e tij etj. Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut. Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh me 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, të hartuar nga dora e Abdyl Frashërit. Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa, që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u përfshinë haptas në rezolutë vetëm parimet demokratike të strukturës shtetërore të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre këtu e kishte zënë e drejta që do të kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar “reforma të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Në fund në rezolut thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda një muaji në emër të gjithë popullit shqiptar, Portës së Lartë, me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë. Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër, delegacioni që do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën para Portës së Lartë do të përbëhej nga 14 veta, midis të cilëve ishin: Iljaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Sheh Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa pashë Vlora, Abedin bej Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri Gjirokastra, Mihal Kristo, etj.Detyrën për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej nga përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve shqiptarë, rezoluta dhe mandatet e përbërjes së delegacionit, e morën përsipër Iljaz pashë Dibra për krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri për krahinat jugore. Misionin e vet të vështirë e të lodhshëm Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi la Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi në Berat, në Fier e në Vlorë, pastaj në Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe, pasi përshkoi Çamërinë deri në Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej ai e njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë e përfaqësuesve të popullit shqiptar për të nënshkruar mandatet e përfaqësimit. Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe të pjestarëve të delegacionit Iljaz pashë Dibra i përfundoi aty nga mesi i janarit 1879. Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit të pjesës jugore të Çamërisë nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e kufijve jugore dhe ta linin për më vonë paraqitjen e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në Portën e Larte (Vikipedia).
Përvec Iljas pashë Dibrës (Qokut), Dibra kishte shumë delegatë, të cilët për fatin e keq nuk janë evidentuar plotësisht, ose janë evidentuar subjektivisht. Uikipedia evidenton 47 delegatë nga të gjitha viset shqiptare, ku eviedentohet Iljas Pashë Dibra, përfaqësues i Dibrës dhe Ali Mena, përfaqësues i Lurës.
Dimë që mbledhja vazhdoi deri me 18 tetor dhe numri i delegatëve arriti deri në 300. Historia e popullit shqiptar, vol 2, Tiranë, 2002, f.154 nënvizon se “nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve dhe numri i saktë i atyre që ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit. Njihen vetëm 110 emra, kryesisht kosovarë.”
Historiani vendor Metush Skeja në librin dhe studimin e tij bazuar në intervista dhe objekte, vë në dukje se nga Luma dhe Kalaja e Dodës që me datën 5 qershor 1878 për mbrojtjen dhe mbarëvajtjene punimeve të LSHP, u formua një gardë prëj 5000 luftëtarësh. Skeja thotë se nga kjo zonë ka patur edhe delegatë, por jo nënshkrues.
Sipas të dhënave historike, Dibra u përfaqësua në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit me delegatë mbi bazën e Nandë Maleve dhe krahinave, nga Iljaz pashë Dibra, Sadik Pashë Hoxholli, Mehmet Reshit Beu, Ismail Aga, Bajram bej Dibra, Jonuz Zydiu (myftiu i Dibrës së madhe) , Sheh Sulë Zerqani, Bajram Doda, Zenel Dema, Sheh Hysen Kuçi, Bajram Dull Shehu.
Edhe Reka u përfaqësua në këtë kuvend të rëndësishëm me haxhi Iljaz Rustem Hoxhën, nga fshati Trebisht i Rekës. Nga të dhënat del që ky personalitet është zgjedhur anëtar i Komisionit Kombëtar.
Sulë Shehu i Zerqanit ishte përfaqësuesi i Grykës së Madhe, Hoxhë Moglica, përfaqësues i Okshtunit dhe i Gollobordës Perëndimore, Hoxhë Buci qe përfaqësues i Katër-Grykëve, Ahmet e Sabri Karahasani ishin përfaqësues të oxhakut të Karahasanit në Brezhdan, Bajram e Isuf Doda qenë përfaqësues i familjes trimërore të Dodajve të Reçit etj. Hysen Daci, Merë Sufa dhe Mustafë Lita ishin përfaqësues të Kalisit.
(Gazeta “Ushtima e Maleve” , qershor 1988)
Në Prizren shkuan edhe Bajram Bardulla nga Peshkopia, Mazar Nuredini, Ismail Marku, Mahmut Muja, Xhemal Pashë Qoku (i biri i Iljas Pashë Dibrës) etj. Nga Dibra e Poshtme pjesëmarrës të Lidhjes së Prizrenit ishin edhe Llan Kaloshi, Halil Cani etj. Nga Lura ishin Staf Ajazi, Ali Mena (delegat me të drejtë vote), Hasan Kaci.
Nga Dibra dhe Luma përveç delegatve kishte edhe shumë forca të armatosura për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve. Sulejman Daci nga Kalisi, u vu në krye të 100 forcave patriotike në mbrojtje të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Nuk përmenden personat shoqërues të Abdyl Frashërit dhe të Iljas Pashë Dibrës, të cilët megjithse nuk ishin delegatë, kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punimeve të LSHP .
Në dokumentacionin e Ulemave të Shkupit del se Hoxhë Hasan Moglica dhe Sheh Hysen Kuci kanë qenë përfaqësues të Ulemave të Dibrës.
Po kështu ka patur edhe 47 firmëtarë myslimanë në Kararnamenë (Marrëveshjen) e Lidhjes, ku nga Dibra janë:
Iljas Pasha, përfaqësues i Dibrës së Epërme, Mehmet Sadik Hoxholli, përfaqësues i Dibrës së Epërme, Ahmet e Sabri Karahasani, përfaqësuesi i Dibrës së poshtme, Mehmet ..., përfaqësues i Dibrës, Bajram Mashar Nuredini, përfaqësues i Dibrës, Enver Ismaili, përfaqësues i Dibrës, Molla Iljazi, përfaqësues i Dibrës (Rekës). Pra dalin 7 nënshkrues.
Haki Stërmilli në dorëshkrimin e tij të vitit 1940, dorëshkrim që u botua në vitin 2023 nga ShB M&B në faqen 60 shkruan:”Nga krahina e Dibrës në këtë mbledhje u dërguan shumë delegatë, por këtu do të shënojmë emrat e atyre më të rëndësishmit: Iljas pashë Dibra, Mehmet Sadik pashë Hoxholli, (hoxholli i Dibrës), Mehmet Reshit Beu, Ahmet Sabri Karahasani, Ismail Et’hem Abdullah Aga, Bajram bej Dibra dhe Jonuz Zuhdiu, )myftiu i Dibrës).
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Porta e Lartë e Stambollit dërgoi në Dibër si dorë të fortë Kadri Pashën. Ai vendosi si mytesarif Sadik Pashë Hoxhollin, i cili kapi dhe internoi në Manastir disa nga paria e Dibrës së Madhe si Haxhi Camin, Osman (Mane) Camin, Ago Bej Jegenin, Mustafa Serdarin, Jusuf Lekën, Elmas Danin etj. Kjo e acaroi gjendjen. Populli rrëmbeu armët dhe e detyroi Kadri Pashën të largohej natën nga qyteti..















Comments