Sakip Cami: Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor 1880)
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 15, 2025
- 3 min read

Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor 1880): një mësim i çmuar historie
(Dalja me dy rezoluta nga dy grupimet politike solli përcarjen dhe zgjati kohën e sundimit osman)
Nga Sakip Cami
Më 24 tetor 1880 përfundoi punimet Kuvendi i Dibrës, që filloi më 20 tetor 1880, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, shoqëruar nga 5 mijë burra të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Ndërmjet delegatëve ishin Ali Pashë Gucia, Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj.Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme
Drejtimi i këtij kuvendi u bë nga Iljas Pashë Dibra, Abdyl Frashëri dhe Ali Pashë Gucia. Në këtë kongres morën 300 delegatë, të shoqëruar nga 5000 veta të armatosur. Shumica e delegatëve ishin përfaqëues të Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Dibrës. Nga Dibra shquhej pjesëmarrja e Iljas pashë Dibrës, Sadik pashë Hoxhollit dhe Abdulla pashë Dahoshoshtit. Nga Mati merrte pjesë Xhemal pashë Mati. Ky kongres kërkonte krijimin e një vilajeti autonom shqiptar, zgjidhjen e cështjes së Ulqinit dhe formimin e një qeverie të përkohëshme shqiptare.
Në fund të punimeve me 24 tetor, Kongresi miratoi dy rezoluta, njëra me kërkesa radikale dhe tjetra me kërkesa më të moderuar , që të dyja ju dërguan Portës së Lartë në Stamboll.Rezolutën me kërkesa radikale do ta dërgonte në Stamboll djali i Iljas pashë Dibrës, Xhemal bej Qoku. Pas Kuvendit të Dibrës, të tetorit të vitit 1880, Abdyl Frashëri në rrugën për në Shqipërinë e Jugut kalon në Vicisht, Zerqan dhe Okshtun. Bisedat me Abdyl Frashërin dhe bisedat e tjera ku shkonte ai në familjet dibrane shtuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar luftën kundër armikut osman.
Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme.Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij.Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë.
Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota.
Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Vijalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Vijaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar.Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre.
Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll.
Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. E kujtojmë sot këtë ngjarje të largët, sepse ishte një mësim i çmuar historie, të cilin shqiptarët nuk mundën e nuk deshën ta nxënë.









Comments