Sakip Cami: Kanga e Jovan Nokës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 27, 2025
- 5 min read

Jovan Noka,
Komandanti legjendar që ra heroikisht në masakrën e Çidhnës 1466
(Sipas kangës së kënduar dhe trashëguar në 6 shekuj)
Nga Sakip Cami
Kanga e Jovan Nokës[1]
Tu ra dielli n’at shpat mali
N’at Fush’ Ban na u baka nami
Jovan Noka nji burr’ zakoni
Njer në Shehër ka vot haberi
Jovan Noka s’jep asqeri;
S’jep asqeri, s’jep vergji,
Kërkon mbreti tokë n’Shqipni,
Mbushi lugun e shkall’s me ushtri
N’at Stamboll po knon masbata
Knon masbata e fermani,
N’vesh i ka hi atij sulltani.
Sulltan Mehmeti n’kam u çue,
Mexhlisit nji selam ka lshue:
Traj ordi me m’i hazrue,
Se për Dibër du me i çue,
Se kjo Dibra m’ka tradhtue,
Tok Shqipnin’ m’ka kërkue;
Jovan Nokën me dorzue,
Me xhith cull e me xhith grue,
Se për Jemen du me i çue,
Pesmbdhet vjet me i robnue
Traj ordit’ na jan hazrue
E për Dibër kan’ shkue
E ç’at Çidhnën e kan rrethekue.
Ene Cidhna po ban mexhlis:
Çfar t’i bajm ksaj ushtris ?
Jovan Noka asht çue n’ kam
Ene ksaj Cidhnës i ka ba selam:
Cull e gra n’Sheh t’that t’i shtajm
E për traj vjet bukë t’u çojm,
Ksaj ushtrie pushkën t’ia fillojm’
Krisi pushka e merr gjam’ deti,
Merr gjam’ deti e u shemka kepi,
plot me xhak u mbushka Seta[2].
Krisi pushka e merr gjam’ deti,
Merr gjam’ deti ene batafi
traj ordit’ Çidhna i pihati.[3]
Krahina e Cidhnes ndodhet në Dibrën e Poshtme. Çidhna e Epërme dhe Çidhna e Poshtme shtrihen në luginën që formon në perëndim Faqesa dhe Guri i Kuq. Në lindje mali i Tërthores, në jug dy Sinjat, e Epërmja dhe e Poshtmja. Përballë saj, në juglindje, është Gryka e qytetit, në hyrje të saj kur del nga Çidhna është Varri i Jovan Nok Tëshallës, 500 m më poshtë ndodhet Kepi i Skënderbeut.
Në veri Çidhna e Epërme kufizohet me Pratin, që e ndan përgjysmë me Dardhën.
Cidhna qëndron krenare midis atyre dy maleve me emrin e saj të pandryshuar që në kohën e ilirëve, ndërsa Çidhna e Epërme ka ndryshuar emrin dy herë, një herë në kujtim dhe përjetësim të masakrës së Çidhnës që bëri sulltani kundër shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut, ku u vranë mijëra luftëtarë, ndër to edhe kryekomandanti që komandoi rezistencën antiosmane, Jovan Nok Tërshalla nga Çidhna e Epërme.
Pikërisht për këtë masakër në Çidhën lindi dhe u këndua kënga e Fushë – Banit:
Hej, n’at Fush Ban po thrret nji za,/
Hej, gjith’ çidhnakët hoxhum[4] kan ba. /
Hej, n’Kep Xhitet po vikatka zani,/
Hej mblidhi burra, o ke Fushë-Bani!/
Hej, prej Qenoku po vjen ushtria,/
Hej, me djeg k’solla, ene shpia./
N’thik’ jan’ vu grat’ e f’mia./
Mazun [5] bahet Kep Xhiteti,/
Na përvloi sulltan Mehmeti./
Greu popull fukara/
Mçefni cull’ e mçefni gra!/
E t’i çojmë n’Sheh t’Thatë./
Kërcet topi shpat e m’shpat,/
Përcjell Seta ujë e gjak./ ….
Jovan Nok Tërshalla, komandanti legjendar që ra heroikisht në masakrën e Çidhnës është pinjoll i fisit të Nokajve të Domgjonit në Fan. Çidhna e Epërme është quajtur Gryka e Jovan Nokës. Toponimet janë aty në Çidhën e Epërme dhe në Çidhnën e Poshtme, kokëforta, të heshtura, që mbajnë mbi shpatulla shumë ngjarje të rëndësishme të historisë, gjurmët e të cilave ende nuk janë shkatërruar plotësisht[6]. Ka shumë rrënoja, që mbrojnë historinë tonë. Është edhe varri i Jovan Nok Tërshallës mbi kepin e Skënderbeut, afërsisht 500 m, që rrugës para se të futesh në Çidhnën e Poshtme, përballesh me varrin e tij.
Poshtë këtyre vendtoponimeve janë varrezat e Shën Gjonit. Varri i Gjon Çidhnës, që sipas historianëve të sipërpërmendur, thuhet se ai e ka lënë me amanet të varroset në pikën më të lartë, ku të shikojë varret e Sinjës së Epërme. Në Çidhnën e Epërme në lagjen e Pashnjarve ka një varrezë dhe një kishë shumë të vjetër historikisht. Varrezat ku është varrosur Gjon Çidhna u shejtëruan nga populli dhe banorët e gjithë krahinës i thirrën “Varrezat e Shëngjonit”.
Në rajonin që përfshin Sinjën e Epërme, Sinjën e Poshtme, Çidhnën e Poshtme dhe Çidhën e Epërme, gjenden toponimet e 11 kishave që kanë ekzistuar edhe në kohën e Skënderbeut, të cilat u shkatërruan pas pushtimit otoman. Kisha e Pashnjarëve dhe e Sinjës së Epërme ruajnë pozicione të qarta, për të orientuar kërkimet arkeologjike dhe shkencore edhe sot. Pikërisht këtu, tek ky varr, shikon rrafshinën e Çidhnës së Poshtme dhe rrugën që të çon më tej, për në Çidhnën e Epërme.
Gjon Çidhna nga Çidhna e Epërme thirrej ndryshe edhe Gjoni i shokëve ka qenë pjesëmarrës në disa kuvende shqiptare antiosmane, një nga krerët kryesorë për Çidhnën dhe Dibrën. Emri i tij është zhdukur gjithandej ku kanë pasur mundësi osmanllinjtë. Ky emër ka ngelur pa u shuar vetëm në Arkivin e Venedikut, si nënshkrues kryesor për Dibrën, në një letër që i çon Kuvendi i Dukagjinit me 15 shkurt 1602, si dëshmi e kohës.
Bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit të Folklorit, Hilmi Sadiku, në janar të vitit 1967 në fshatin Çidhna e Poshtme të rrethit të Peshkopisë, gjeti një këngë popullore që bën fjalë për luftërat e popullit shqiptar kundër turqve. “Këngën, thotë mbledhësi, e kam dëgjuar nga fshatari 80-vjeçar Ali Sufa, nga Çidhna e Poshtme, i cili pretendon se kjo këngë është shumë e vjetër”. Kënga është e afërt me faktin historik dhe flet për rezistencën kundër sulltan Mehmetit. Pas disfatave të vazhdueshme që kishin pësuar pashallarët turq, Sheremet Beu, renegati Ballaban Pasha dhe Jakup Arnauti, Sulltan Mehmeti II vendosi më në fund të vinte vetë në Shqipëri. Në qershor të vitit 1466, në krye të armatës prej rreth 150 mijë vetësh të jeniçerëve dhe të ushtrive të Anadollit e të Rumelisë, duke ardhur nga Manastiri, hyri në Shqipëri”.
Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethoi dhe pushtoi qytetin e Çidhnës, ku ishin strehuar rreth 10 mijë gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore dhe, pasi e shtiu në dorë, i masakroi barbarisht si hakmarrje për disfatën e turpshme.” Pra, kënga bën fjalë për ngjarjen e Çidhnës, krahinë e Dibrës në të dy anët e lumit Drin. Në krye të rezistencës së Çidhnës është Jovan Noka, që në këngë del si organizator dhe luftëtar popullor. Pas masakrës së Çidhnës, me 1 gusht 1466, rrjedhojë e dështimeve të Sulltan Mehmetit II për marrjen e Krujës, ushtria osmane i rrafshoi këto dy fshatra, pasi ishin vendbanim i Kastriotëve. Kjo është edhe arsyeja, pse këta dy fshatra nuk eksistojnë në defterin turk të vitit 1467.
[1] Prof. Agron Fico, këngët epike kushtuar Skënderbeut
[2] Lumi i Setës
[3] Pihati do të thotë i mundi, i bëri fërtele
[4] sulm
[5] Ngrysur
[6] R.Ndreka, Gazeta “Rruga e Arbrit” 2012









Comments