Sakip Cami: A u ngrit flamuri shqiptar më 28 nëntor 1912 në Dibër të Madhe ?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 9, 2025
- 3 min read

Histori
A u ngrit flamuri shqiptar më 28 nëntor 1912 në Dibër të Madhe ???
(Sipas historianëve okularë Haki Sharofi dhe Haki Stërmilli)
Nga Sakip Cami
Dibra u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë me dy delegate: Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) dhe Hafiz Sherif Langu. Me delegatët e Durrësit ishte Dom Nikoll Kacori nga Lura, i cili u zgjodh edhe nënkryetar i Qeverisë së Ismail Qemalit. Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Pleqësisë së Kuvendit, ndërsa Hafiz Sherif Langu nuk arriti për shkaqe të vështirësive të rrugës e të rendit të ishte i pranishëm me datën 28 nëntor, por arriti me datën 30 nëntor 1912.
Haki Stërmilli shkruan:”Njeni nga ata që kishin shkue në Vlonë me delegatët e Dibrës ishte edhe Hasan Dollneni. Ky u ngarkua prej delegatve të Dibrës dhe u porosit prej Ismail Qemalit që të kthehesh sa më parë në Dibër me misionin që të sillte flamurin e Shqipnisë dhe deklaratën që duhej me ia dorzue ushtrisë serbe nga ana e Dibrës. Hasani u nis nga Vlona, udhëtoi natë e ditë dhe arriti në Dibër në mbrëmjen e datës 27 nëntor 1912. Por për fatin e keq Dibrën e gjeti nën hijen e zezë të robnisë. Megjithë këtë ai ia dorzoi flamurin dhe deklaratën Parisë së Dibrës, e cila të nesërmen në mëngjes ia paraqiti komandantit serb, por ai nuk e mori parasysh dhe u egërsue tepër. [1]
Dibra, megjithë rezistencën e saj heroike , ishte pushtuar nga serbët në kuadrin e Luftës Ballkanike, ku Serbia i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane.
Në deklaratën e Ismail Qemalit drejtuar autoriteteve ushtarake serbe thuhej se Dibra ishte tokë shqiptare dhe nuk i përkiste as Serbisë dhe as Perandorisë Osmane, por shtetit shqiptar. Paria e Dibrës u mblodh te Teqja e Sheh Kadriut, nën drejtimin e Shyqyri Iljas Qokut, të birit të Iljas Pashë Dibrës. Në rolin e përkthyesit të serbishtes shërbeu Ismail Strazimiri dhe në rolin e përkthyesit të osmanishtes shërbeu Haki Sharofi.
Haki Sharofi kujton:
“Një mbrëmje, ishte ora 7-8 aty pari, troket dera. Gjë e papritur. Pyeta se kush ishte. -Jam unë, Shabani, m’u përgjigj. Ia hapa portën. Ishte Shaban Pepa, një veteran 60 vjecar. - Ka ardhur Hasan Dollnena prej Vlore, ka prurë një flamur dhe këtë shkresë. Janë mbledhur Paria e qytetit te Shaqir Begu dhe vendosën që këtë letër të adresuar nga Ismail Qemali ta përkthesh sonte që t’ia japim komandantit serb dhe të ngremë flamurin.
Nga gëzimi që ndjeva, shkruan H. Sharofi[2] , e harrova prurësin e letrës, ia rrëmbeva letrën dhe hyra me vrap brenda. Lajmërova babën dhe vëllain tim që ishin aty dhe ia nisa përkthimit shpejt e shpejt. Në këtë letër njoftohej komanda serbe se qysh atë ditë Shqipëria ka shpallur pavarësinë e saj dhe me krejt Shqipërinë edhe Dibra. Ua këndova përkthimin dhe ata po e dëgjonin duke derdhur lot gëzimi….
Në mëngjes , porsa gdhini dola në rrugë. Qytetin e kishte mbuluar një re e zezë. Komandanti serb u ishte përgjigjur:”Mos u ngutni për flamurin. Këtë shkresë po e dërgoj në Beligrad e të shohim se cfarë përgjigje na vjen.
Përgjigjja erdhi negative. Gëzimi i natës së mëparshme u kthye në vaj e lot, e dikur më vonë në luftra të përgjakshme….
[1] Haki Stërmilli “Dibra në prag të historisë” 2023 faqe 142-143
[2] Haki Sharofi, Gazeta :”Ushtima e Maleve” 28 nëntor 1973









Comments