top of page

Ruzhdi Jata: Vetmi moderrne


Vetmi moderrne

- Vëllim poetik nga Qazim Shehu -

          Ky vëllim i autorit Qazim Shehu, sapo ka dalë nga shtypi. Lexohet me një frymë, jo vetëm për tematiken e larmishme, për formen dhe stilin, por veçanërisht për mendimin e thellë poetik, ku lexuesi gjen vetveten përballë shqetësimeve të kohës moderrne. Poeti na inspiron me plot ngjyra jetësore por edhe na ndërgjegjëson për të kuptuar shumë të vërteta të tjera që na vrasin. Le t’a shpreh frymëzimin e dy lexuesve, dashamirës të krijimtarise letrare, për poezinë: “Mallkimi i biografise” përfshirë në këtë botim.

Jam me Besnik Riken, përkthyes e shkrimtar dhe Abedin Bajraktarin, njeri i letrave dhe piktor, në kafen “Liriks” në Hammersmith, Londër. Besniku më ka sjellë librin e Qazimit nga Shqipëria dhe lexon strofën e fundit të poezisë që përmendëm.

            Sot biografinë e shkruan vetë,

            Jeta me shkas të fton,

             Por prapë mbetesh njeri pa emër,

             Se rrallëkush e lexon…

“E mrekullueshme! Auuu!”- thotë Abedini. “Të gjen shpirtin! - thotë Besniku. E ka qarë. Na përket të gjithëve”. “Faleminderit Qazim për librin!”- them unë.

Duke lexuar “VETMINE MODERRNE” ndjehesh sikur po i prek e përjeton frymëzimet e poetit që përcjellin vlera e mendime të tilla të thella dhe imazhe. Autori të takon me Homerin, Buzukun, Migjenin e Kutelin, të shetit nëpër Tiranë e të çon në vendlindjen e tij; ai vjen edhe tek ne në emigracion me poezinë “Emigranti”, të fal dashuri me nota të zjarrta, të dhuron vizatime të tjera poetike. Përmallesh me “Trevargeshin” e tij, ku fjala poetike është përzgjedhur me mjeshtri e art.

Por plaga e vetmisë së kohës moderrne, që është edhe dhimbja e madhe e poetit e që libri mban edhe këtë titull, përvijohet në shumë poezi, jo vetëm në poezinë “Vetmia”. Dhe kjo përbën të veçantën e këtij vëllimi.

Të gëzon fakti që redaktor i librit është poeti i shquar Mujo Buçpapaj dhe recenzent profesor Bardhosh Gaçe.

Zotin Shehu unë e ndjek me interes edhe në prozë, për mjeshtrinë e tij në disa vëllime me tregime dhe e falenderoj edhe për shkrimet që bën për librat e shumë autorëve të tjerë në poezi e prozë në shtypin letrar të Tiranës. Padyshim zoti Shehu ka tanimë lexuesit e tij që e ndjekin në çdo botim e promovim. Natyrisht biografinë e tij e shkruan vetë Vepra e tij, përkrah poetëve e shkrimtarëve më të mirë të vendit tim. Lexo Kredo. Lexo…

Ruzhdi Jata,

Londër

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page