Ruzhdi Gole: GJEL I VOGËLTH
- 3 hours ago
- 3 min read

GJEL I VOGËLTH
Gjumi fle pafundësisht. Pagjumësia
gjurmon. Flak tej sklepat e gjumit.
Afër agut shkund tisin e ngrysur
të natës, qesh këtu e gjetiu.
Kur e shohim ajo hov paksa supet.
Shamata e fqinjëve heshti.
Shamatori mund të ketë
ndezur cigare, mund
të jetë në banjo,
tek e shumta
mund të jetë
duke bërë
edhe ...
Asgjë, asgjë,
gjithçka gjys'
përgjysmë.
Fqinji im është paksa torrollak.
Po edhe unë nuk jam
aq i ftilluar.
Torrollak ? Kush e tha?
E thashë unë ? Po me
leje të kujt e thashë?
Me leje të mjekut,
të kokëkrisjes
sime?
Tërhiqu, o i paftilluar ! -
i thashë vetes.
Torrollaku sipër ngrehinës sime,
(mbaje gjuhën, o i paftilluar),
pra, fqinji im, me trup atletik
e then arrën dy gishtash,
i mbush shkallët
e ngrehinës
ngjitzbrit
jo me vijë
melosi
por me
bërtima tralala
tralala bërtimash.
Thuamë, durohet kjo ?
Ti, o fqinji im, vërtite nga dritarja jote
edhe gjelit tënd zevzek
për qejfin tënd.
Mua, më duket tani sikur retë
kanë veshje puplash.
Më është bërë zakon sa zbres
shkallët e ngrehinës e dal
hapash në oborr t'i vë
të dyja pëllëmbët
e mia në kokë
mos më bien
t'shkundurat
e mëngjesit
prej qilimi.
Jo nga ty,...nga gruaja jote...
Nusja jote, o komshi,
ka qenë nxënëse
e gruas sime.
Rrallë e shoh, por çdo
mëngjes ia dëgjoj
cingërimën
e këpucëve
dhomave.
Afër mesnate, bubullon ... Ç'të jetë?
Herë më bëhet se dëgjoj
një motor zë shkalafitur,
herë sikur dëgjoj
(dal në dritare
përgjumsh)
e sikur shoh
një helikopter
që ndan fletushka
popullore për ç'rrënjosjen
e ideve çalamane dhe
mbjelljen e ideve
të reja.
As motor, as helikopter.
Lart lan rrobat
zonja e fqinjit.
Nata lan djersën e vet
të qymyrtë duke
e rrotulluar
aq fort
helikën
sa unë nga pagjumësia sërish
ngatërrohem me motor dhe
me helikopter pa pilot.
Sa për gaz, plas po deshe,...
Mbathur mirëbukur, sa dal n’oborr
një ditë më bëhet sikur një gulf uji
më derdhet mbi kokë, një ditë
tjetër sikur më vërsulet
një gjel të ma ngul
në kafkë sqepin e tij.
Ngre sytë përpjetë.
Rrofsh, o fqinji im!
Asnjë kokë nuk del.
Rrofsh, o fqinji im-
përsëdyti unë.
Asnjë fjalë.
As gulf uji, as gjel dita ime...
Një mashkull diç bukurosh
është pamje e dyshimtë.
Dyshimi është edhe
ndjellës edhe
fatkeq.
I bukur është komshiu im,
ndonjëherë më i bukur
se ç'duhet,
Duket sikur i ka marr
vetullat e kërcyera
gruas së vet.
Ky burrë është mashkull,
s'e di sa është mashkullor.
M'u thaftë gjuha, m'u thaftë!
Kund nuk lëviz asgjë ky njeri.
Kryq e tërthor sa në
një kafe në tjetrën.
Shan poshtëpërpjetë, turfullon
se nuk i dalin të hollat, është
i papunë, papunësia vet.
Rrokopjerthi gjithçka
tek komshiu im,
rrokopjetthi
shkolla,
ushtria,
fati.
U kujtofshin përjetë mëmat tona! -
më belbëzoi tek veshi komshiu
aq pa prit pa kujtu sa m'u sikur
dëgjova një të panjohur.
Ngriti n'ajër ca fletushka, i hodhi
përpjetë për marri të vet, qeshej
ngërdheshej me to a me veten.
-Ha,ha, hi, hi, hi,
u bëra i pasur, o komshi.
Ngorthtë varfëria, def pasuria. !
Arë në Hamallaj, ëmbëltore në qytet, jo
vetëm në letra prona, pronat e mia janë
këto, o komshi im, o komshi im i lapsit.
Mua m'u duk sikur firmat e vulat
e atyre fletëve po i shihja damka
në ballin e tij, në mjekër, në ...
në...(bythën nuk ia shihja,)
Mua m'u bë sikur ato firma e vula
përplasnin kokat me njeratjetrën,
po damkosnin muret, shkallaret
xhamllëkun krisur të dritareve
hekurat.. teksa po ngjiteshim
më këmbë ngaqë ashensori
sot ishte me leje
të zakonshme
ose tek e shumta
me raport mjekësor.
Edhe ne shumë i deshëm,
mëmat tona, ua mbushëm
jetën me drithma ankth - iu gjegja.
U kujtofshin baballarët tanë.!-
bërtiti fort më fort komshiu
si një i lajthitur.
-O, prindër, po vij t'ua ndez një qiri
tek kryet juve edhe paraardhësve
tuaj ! Sa shumë...ju kam dashur...
U ndamë sa mbërritëm
tek shkallarja ime.
Dëgjoja akoma turfullimat e këtij njeriu,
që po çmendej, të një njeriu
që kishte ngritur dorë
mbi prindërit e vet.
Prindër, o prindër
të mirë dhe fatkeqë,
a e dëgjuat birin tuaj ?
Biri juaj trashëgon
prej jush ...
Sa për virtytet tuaja
mbajini për vete
aty ku jeni.
Nuk ka më kohë
virtytesh...








Comments