top of page

Ruzhdi Gole: PAGËZUAR NGA FJALA

10 hours ago
4 min read

PAGËZUAR NGA FJALA

                         

-E di që nuk jeton, por e di që edhe jeton.

-Unë e kam njohur kur jepte mësim në Universitetin e Beershevasë. Në këtë qytet banoj unë. E urova kur botoj Librin "Të njohësh ...". Nuk jeton.

-Kështu thua ti? Unë e kam parë këto ditë. Të shtunën para meje ai zbriti nga treni. Sa zbriti në stacion pa qiellin. Pas pak hodhi sytë tek horizonti e eci tej. Kaq. Unë hipa në tren në linjën tjetër Beesherva -Tel -Aviv.

-E paske parë të shtunën ? Po më çudit. Ai ishte i sëmurë rëndë. U bë kohë që s'jepte mësim as në Universitet. Nuk jeton.

-Eh, çuditë nuk janë të rastësishme, Aron. Sa zbrita tek stacioni kryeqytetas kur Ai më del përpara i qullur nëpër shi. Përshëndeste sa andej-këndej, ndoshta u lutej paksa njerëzve t'i hapnin rrugën.

-Përse nxitonte? Për ku?

- Mund t'i ikte treni. Do nisej për diku. Treni ka orar. Për mashinistin njësoj janë të gjithë njerëzit, 

-Po, po, edhe ata që zbresin, edhe ata që hipin.

-Kam dëgjuar se para ca kohësh Profesori ka qenë në Tiranë. 

-Ka të njohur këtu.? 

Nuk janë shumë, por besoj do ta njohin edhe të tjerë.

-Në Tiranë.? Në një studio TV.? Ah, jo, jo lajm fluturak ky. 

- Një e njohura ime e ka takuar në Tel-Aviv dhe ai për mirësjellje e ftoi në shtëpinë e tij. Kështu është. 

-Profesori ka lindur në Jerusalem.? 

-Po atje ka lindur, një fëmijë lufte.

-Ç'do të thuash" një fëmijë lufte?", Aron. Prindërit e tij ishin ushtarakë ? Shërbenin sanitarë? 

-Ranë në dashuri në mes të luftës e u martuan në paqe, në gjysm' paqe.

-Si ta kuptoj?

-Ai vend nuk ka pasur asnjëherë prehje. Ka lindur në një ditë e orë të përpiktë si gjithë fëmijtë. 

-Në Shtëpinë e Lindjes afër luftës, në mes të saj. Duhet ta besoj.?

-Ta besosh.!

-Ne, Nard i dashur nuk lindëm në luftë.

-As në paqe.

-Por si fëmijë të pa përkëdhelur nga fati.

-E deshëm njeri-tjetrin. Po pse rrugën ku banoje ti, Aron e plot të tjerë ne e quanim rruga e çifutëve.?

-Nuk e di.

-Pa të keq. Gjithçka pa të keq.

-Mjeshtra rrobaqepës të gjithë burrat e asaj rruge. Nikoqire mëmat. Të bukura vajzat. Aty qëndiseshin fustane e paja nusërie.

-kostume dhëndërie.

-Sikur qendisej edhe ajri.

-Kaloi një jetë.

- Jo veç një...

Heshti zëri a heshtja s'ka zë? Pas pak ...

-Kam dëgjuar se vite më vonë rruga ku lindi Profesori mori emrin e tij.

-E ëma tij, e cila vdiq tragjikisht duke u vetvrarë, mori emrin e rrugës për të birin.

-Jeton ende në atë lagje fëminia e tij?    

-Po, jeton, fëmini e vetmuar. E gjen këtë fëmijë edhe nëpër fusha duke punuar.    

-Fëminia e tij jeton pak, fare pak aty. ?    

-Ende fëmijni e trazuar e parritur. 

-Ku e shohin? Si e shohin?

-E shohin në fushë. Në fushat e pambukut.

- Njëzet e pesë vjeçar profesori ka qenë tankist në luftë.

-Tankist? Po prindërit e tij i ikën luftës. Kaq shpejt u rrit fëmija i Jeruzalemit?

-Si gjithë fëmijtë. Jeruzalemi është i çdo fëmije. Lufta nuk është lojë për ta.  

-Nuk është as loja e tyre.

-Fëmija ka ikur herët q'andej. Shpesh vetmimtar.

-Edhe i plagosur.

-I plagosur ? Qysh fëmijë? Nga ndonjë cifël ndoshta? 

-Cifla e parë : mëma. Mëma dhe vetmia e tij e gjatë, e përhershme. Cifla e dytë : lufta. Lufta e rëndë dhe e pashtershme.

-Në fushat e pambukut, në tanks, në Universitet...Si ka ecur jeta e profesorit. Kaq shpejt, si ecën jeta... përpjetë, tatëpjetë.

-Si të gjithë. Dikush ecën më shpejt se të tjerët, dikush më ngadalë.

-Ç'do të thuash?

-Njeriu jeton shumë, më pak se vitet e tij.

-Profesori gjithmonë këmbëngulte në leksionet e filozofisë me studentët se e drejta nuk i takon vetëm një bindjeje, vetëm një krahu.

- E vërtetë dhe e guximshme kjo. E kanë quajtur "tradhtar". Ai qeshte, sikur mburrej me tradhëtinë e tij. 

- Ai nuk tradhëtoi askënd. 

- Paqja duhet tani. Pak a shumë kështu u drejtohej Profesori studentëve. 

- Patjetër. Nuk ka paqe gjysmake. Nuk duhet të ketë popuj të përçudnuar.

-Aron, më kujtohet kur jetonim bashkë afër. Ti tek rruga e çifutëve unë tek sheshi i Kateqit.

- Si s'u grindëm njëherë. Rrugicat tona ishin vet paqja. 

- Paqja e prindërve tanë na afroi ahere në si fëmijë.

-T'u bën vite që jeton në Beesherva, Aron.?

-Gjysma e jetës sime. Atje jetova gjysmën tjetër gjer tani. Nesër...

-Kur e nesërmja vjen ajo bëhet sot.

-E ke njohur profesorin sikur me the.

- Po, po, Ai jetonte në Arad, nja tridhjetë km. larg qytetit tim. Në të vërtetë, ai jetonte në shumë qytete.

Esetë e tij niseshin para tij në qytete të tjera ku ai do të ligjëronte.

-E vërtetë kjo, e vërtetë. Mbaj mend esenë e njohur të tij "Si të zbutësh një fanatik."

-Nuk është fanatik i zakonshëm. Është i pabindur, I ashpër, kryeneç.

- Fanatiku kryeneç është pjella e së keqes.

-Lufta lind nga fanatikët. Ide e madhe kjo e profesorit.

Tani edhe profesori e mbylli jetën. Javën e kaluat gazetat vunë një shirit të zi në faqen e tyre të parë.

-Shirit të zi ? Lajm fluturak edhe ky, o Aron.

-Po, po ... vunë një shirit të zi edhe blu.

-Atë mbrëmje, në mos atë mbrëmje, të nesërmen Profesorin e kishin parë në Panairin ndërkombëtar të Librit në Frankfurt.

-Të jetë e vërtetë?

-Kështu shkroi gazeta e Tel-Avivit.

- Thurr e shthurr gjithçka.

-Pas nja dy orësh një gazetë tjetër jep lajmin se Profesori ishte parë në aeroportin e Tiranës. Menjëherë dy TV. të kryeqytetit e prisnin tek salla qëndrore. U zhgënjyen të gjithë. 

- E di, e di. Kishte ardhur një delegacion izraelit për kulturën nga Universiteti i Beershevasë, jo Profesori. 

-Ai vet po bashkëbisedonte me gazetaren e Top channell në shtëpinë e tij në Tel-Aviv. Gjithçka u transmetua në tv. 

-Edhe kur Profesori i dhuroi gazetares Librin e tij për dritën dhe errësirën.

-Profesorin e duan të vetët, e duan edhe ata që s'e njohin.

-Si mund ta duash njeriun pa e njohur?

-Ngaqë Profesori i do njerëzit e të githa besimeve, e të gjitha feve. Ai ka kundërshtarë, por jo armiq.

-Ka pasur thuaj, jo ka kundërshtarë. Ai tani ka veç një gur varri mbi krye. I vdekshëm si gjithë të tjerët. 

-S'më beson akoma? Gjithandej flitet, gjithandej përhapet Fjala e tij akoma. E ftojnë në panaire, kongrese të kulturës, në përurime filmi. 

Ai është njeri i pagëzuar nga Fjala...

-Të të besoj ?!...

-E di që nuk jeton, por edhe...jeton.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page