top of page

Rreth Studimit të Vedat Shehut


Rreth Studimit të Vedat Shehut mbi Diktatorin Enver Hoxha

Mendime Nga Illo Foto, Studiues

Vedat Shehu inxhinier gjeolog, si njohës i detajeve dhe kyçeve të zhvillimit gjeologjik të trojeve të Shqipërisë në lidhje të natyrshme me ngjarjet gjeologjike të zhvillimit të Tokës; pasi arriti të përcaktojë se bërthama e Tokës është energjetike dhe funksionon si Diell në miniaturë brenda guaskës gurore dhe është model i formimit të yjeve dhe planetëve në Udhën e Qumështit; paska përpiluar një ese’, studim në fushën e filozofisë si shkencë përgjithësuese, kushtuar Sundimtarit të Shqipërisë Enver Hoxha, Diktatorit ters me famë botërore.


Këtë studim ma dërgoi miqësisht krahas procesit të botimit me shënimin “Lexoje për zbavitje” dhe më vonë shtoi “pa koment, sepse aktualisht opinioni i personaliteteve i shprehur në media mbart mentalitet mesjetar dhe ruso-bolshevik. Unë e publikoj për bibliotekat ta ruajnë për shekullin tjetër”. Tani që studimi me titull “Enver Hoxha i suksesshëm si agjent strategjik antinacionalist dhe antikomunist”, u botua, e rivështrova komentin tim në fund të studimit dhe, pasi më pëlqeu, vendosa t’a publikojë veçmas

Unë u habita sesi, po me atë intensitet mendimi dhe gjerësi e thellësi imagjinate që kishte interpretuar funksionimin e bërthamës së Tokës, kishte analizuar tërheqjen arbitrare dhe integrimin e Enver Hoxhës në degëzimin e Partisë Bolshevike Ruse në Shqipëri, në këtë deviacion të Komunizmit Perëndimor, që Lenini e kish vetëquajtur

“Internacionalja e Tretë Komuniste (KOMITERN)”.

Vedat Shehu, shoku im i vjetër që nga gjimnazi, një gjeolog i terrenit malor dhe i kamionëve të thella të lumenjve, bashkëpunëtor i jashtëm me katedrat dhe institucionet gjeologjike, me titull doktor dhe profesor, më entuziazmoi që, krahas mangësive personale të Enver Hoxhës është thelluar në falsitetin, jo vetëm të Leninizmit që, qysh me themelimin e shtetit ushtarak bolshevik Rus, pretendonte të arrinte dhe të tejkalonte Shtetet Demokratike më të industrializuara të Botës Perëndimore të Internacionales Komuniste, të idesë së broshurës “Manifesti Komunist” që kish formuluar

Revolucionin Proletar dhe Diktaturën e Proletariatit.

Unë nuk mund të futem aq thellë në e Esenë e Vedat Shehut që bazohet në materializmin dialektik si filozofi shkencore, me të cilën është maskuar dogma marksist-leniniste e PPSh-ës, deri edhe në përcaktimin që Enver Hoxha, një mohues i vetvetes si student dhe i mbetur pa profesion, ka qenë i lidhur më parë me një forum sekret, i cili ia ka rekomanduar Bolshevizmit, ta gjente dhe ta vente në shërbim të vet. Ia paska rekomanduar pikërisht në momentin që bolshevizmi komunist Ruso-Sovjetik, nga aleat anti-perëndimor me Nacional-Socializmin Gjerman, qe detyruar të bëhej aleat vetëm ushtarak me Perëndimin për asgjësimin e plot të Nazizmit Gjerman. Po ashtu, nuk mund të shprehem, po e pranojë si interpretim madhor shkencor që Enver Hoxha ka qenë i angazhuar prej atij forumi sekret, si informator i telekomanduar me mision anti-nacionalist dhe antikomunist, mision që demonstrohet në pajtim me pozicionin e Tij të fundit që poshtëroi të gjitha Partitë Komuniste të Botës në Konferencën e Moskèës. Unë mund të konfirmoj pasojat e veprimeve sadiste të Enver Hoxhës në mjedisin jetësor ku u rrita dhe u formova si kuadër i shtetit tim që iu përkushtova me devotshmëri, duke duruar ligësitë e Enverit si ligësi të tij personale, ende pa njohur ligësitë e Bolshevizmit Nacionalist Rus si gjoja Komunizëm; ligësi që vërtetohen në këtë studim të posaçëm.

I përkas brezit, që u lind në prag të okupimit Fashist dhe e ngrysi të tërë jetën shkollore dhe produktive, në shtetin shqiptar të uzurpuar nga Bolshevizmi Anti-Nazist, që nxori në pah Enver Hoxhën gjoja Krijuesin e Shqipërisë së Re.

Pra, po ndalem në mjedisin jetësor, siç kam jetuar unë, nën diktaturën personale të Enverit si dështak i brezit të vet, të veshur “me petkun bolshevik”, siç është përcaktuar në këtë Ese’ nga Profesor Vedat Shehu.

Cili ishte ky shqiptar i kohëve te reja, që krijoi një shtet pronar, vërtet të ri, me pronat e popullit të shpronësuar, qe e komandoi si feudal, për gati 50 vjet, një realitet rraskapitës qe meriton vëmendje, nga shtetasit e të tërë brezave.

Qysh në fillim të esesë shkencore, autori e ve ne dijeni lexuesin, për përmbajtjen e materialit të këtij studimi. Ja si e formulon këtë njoftim autori:

“Falë kostumit bolshevik, me ndonjë kombinacion, që e komanduan, Ai ( Enveri – IF) nëpërmjet marifetesh, intrigash, shantazhesh, arriti te konsolidohej në Komandën e Partisë dhe të Frontit të Çlirimit. U bë diktator i përjetshëm, vrasës shqiptarësh antifashistë të përzgjedhur si nga nacionalistët dhe nga komunistët. Si antikomunist u bë poshtërues i të gjitha PK te Botës. Nga Marksizmi, mori vetëm metodën e sundimit të Stalinit, në ngjashmëri, me metodën e sundimit mesjetar te perandorëve, me dogmën e Ungjillit dhe të Kuranit”. ( F 1 )

Dihet, shteti ynë, shqiptar, nuk ka pasur stabilitet, që kur formua nga shqiptari i madh Ismail Qemali. U formua në momentin kritikë, kur kryengritjet për Shkëputje nga Turqia të fillimit të shekullit të 20-të u paralizuan prej Shpalljes Luftë Ballkanike kundër Turqisë më 1911-1912. Atëherë ishte koha, që Shqipëria duhej të mbytej në gjak, për të krijuar shtet. Ismail Qemali, njëri prej tre deputetëve në Parlamentin e Xhon Turqve, doli në krye të luftës për shkëputje nga Turqia, tashmë me Sulltan parlamentar, dhe krijoi shtetin në vazhdën e Luftës Ballkanike në prag të shembjes së Perandorisë Otomane të Sulltanëve. Kështu nën parullën ballkanike Anti-turke, pa zbrazur më asnjë pushkë, por me hedhjen e firmës së pjesëmarrësve të lavdishëm të Kombit, përfaqësues të krahinave shqiptare me popull të etur për t’u zhvilluar në mëvetësi, u themelua Shqipëria e Pavarur, e mbetur e pa stabilizuar politikisht.

Si rregull, me filozofinë shkencore të historisë së prejardhjes së shtetit të tyre, shtetasit njihen gjatë viteve të shkollës deri në marrjen e Maturës së Pjekurisë, dokumentin e mbarimit të Shkollës së mesme. Edhe unë, si nxënës në shkollën e mesme, Gjirokastër, e kuptova Historinë e Shqipërisë, si të gjithë moshatarët e mi, nëpërmjet Luftës së Klasave të ushtruar nga Enveri,.

Mësuesi, që na jepte filozofinë e Historisë bashkëkohore ishte Drejtori i gjimnazit, gjirokastriti Eqerem Kallfa. Filozofia e kohës, që mësohej në bankat e shkollës, ishte “Historia e Partisë Bolshevike e Bashkimit Sovjetik”, si histori e një epoke historike të re. Mësuesi ynë, kërkonte, që përgjigjen, për mësimin, ta lidhnim me jetën praktike si bolshevikë të rinj të Luftës së Klasave. Ishte një kërkesë, jo vetëm, që na habiste, si nxënës, por na hante kohë, për përgatitje të mësimeve të tjera. Mësuesi cinik, ngazëllehej, kur dikush nga ne përtypej, për të treguar të kaluarën e familjes në Luftën e Klasave, veçanërisht e lidhur me Anti-Fashizmin, sidomos kur familjet e tyre ishin cilësuar pa kontribut në luftë.

Enver Hoxha kërkonte fakte për zbatimin e Luftës së Klasave në shkollat e mesme. Kështu, u arrestuan tre shokë që kishin një shoqëri të veçantë, si edhe ne të tjerët, shokë bashkënxënës me ne, me akuzën, për agjitacion e propagandë. Po i përmend emrat e tyre, për të krijuar idenë se ku përqendrohej objektivi i mësuesit, me shpirt të Luftës së Klasave, po thuaj i detyruar të siguronte profesionin që ia vëzhgonte “Partia me levat e saj”.

Ata ishin: Ilia Tereska në klasën e dytë nga Berati, i përkiste një familjeje klerike, me sa mbaj mend; Thanas Dhespa në klasën e tretë nga Zagoria e Gjirokastrës, i përkiste një familjeje të ndershme fshatare – kurbeti; Hasan Zymeri në klasën e tretë nga Shkodra, i përkiste një familjeje të varfër qytetare. Të tre ishin konviktorë, çka do të thotë, se kishin kaluar një test klasor të rëndësishëm. Te ashtuquajturit “me cen në biografi“, nuk mund të merrnin bursë, për të vazhduar shkollën në konvikt.

Gjyqi i tre gjimnazisteve – adoleshentë u zhvillua me dyer te mbyllura, për “rrezikshmëri shoqërore”. Siç mësuam me vonë, akuza ishte formuluar për veprimtari armiqësore. Kundër te akuzuarve – adoleshentë, u thirren edhe dëshmitarë nxënës, që nuk na thanë asnjë fjalë, nga zhvillimi i gjyqit. Opinioni në shkollë dhe në qytet, u mbars me lloj - lloj hamendjesh, që këta adoleshentë–armiq, kishin ndër mend të bënin aksione për rrëzimin e pushtetit popullor; aksion të parë kishin të vrisnin Sekretarin e Partisë së Gjimnazit që ishte në një klasë me Thanas Dhespën e shkëlqyer në mësime, por notat më të larta i merrte pa asnjë meritë Sekretari i Partisë. Kjo ishte, në fakt e padurueshme për Thanasin që vështrohesh shtrembër nga Sekretari.

Mësuesi ynë drejtor, nxirrte konkluzionin ekstrem klasor, se kundër pushtetit, mund të ndodhte të kishte edhe përfaqësues të shtresave te varfra, dhe ndërtimi i socializmit do të kalonte në një kalavar të përgjakshëm, që në këtë ese të Prof. Vedat Shehut argumentohet se ky kalavar i përgjakshëm aplikohej për sundimin e Enver Hoxhës të etiketuar shpëtimtari i Shqipërisë nga të këqijat.

Për ta zgjeruar këtë fakt do të mund te rikujtoj një citat të Leninit, që na i përsëriste shpesh mësuesi ynë i marksizmit. Citatin po e jap me afërsi, duke qenë i sigurte se nuk gaboj në përmbajtjen: “Diktatura e proletariatit është shteti pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu, i ndërtuar me dhunë e pa dhunë, me gjak dhe pa gjak, kundër borgjezisë dhe klasave të pasura, që ëndërrojnë me fuqi të shumëfishuara për të rimarr parajsën e humbur”.

Nga vetë citati, vërtetohet se Lenini nuk krijoi ndonjë filozofi botërore, për të mësuar fëmijët e shkollave, por parafytyroi dhe realizoi një komplot të reparteve ushtarake qeveritare të bolshevizuara në betejë të përgjakshme për marrjen shtetit nga Qeveria Borgjeze e Rusisë Cariste gjysmë feudale. Pas Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet Stalinit leninizmi u mbartë në shumicën e shteteve, ku pat shkelur Ushtria e Kuqe Sovjetike si çlirimtare e tyre dhe fitimtare mbi Nazizmin Hitlerian të Gjermanisë. Vendosja e bolshevizmit në këto shtete, sikurse në Shqipëri, ishte tolerancë e Shteteve Perëndimore për rolin a jashtëzakonshëm të aleatit ushtarak, Stalinit që realizoi angazhimet për asgjësimin e nazizmit gjerman rrezikun e madh për demokracinë Perëndimore.

Pra, Fitorja mbi Gjermaninë naziste, nuk ishte fitore e leninizmit, por e Demokracisë Perëndimore që angazhoi bolshevizmin për asgjësimin e nazizmit.

Vetëkuptohet, sikurse në vendet e tjera edhe në Shqipëri, vendosja e bolshevizmit ishte shpërblim ndaj fitimtarit Stalin. Shqipëria u Ia nën ndikimin e plotë të ushtrisë së kuqe të bolshevizmit Jugosllavë-Sovjetik që Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të frontit Kombëtar të Pezës, arriti ta uzurpojë, nëpërmjet angazhimit të Enver Hoxhës. Po ashtu në shtetet e varfra jo evropiane ushtritë çlirimtare u uzurpuan nga Partitë vendëse të tipit komunist bolshevik, u vendos Leninizmi i vrasjes së Njeriut nga Njeriu për sundimin e të cilësuarit “Udhëheqësi Shpëtimtar”.

Rezoluta e Pezës e Bashkimit Kombëtar në Front Antifashist, që u përforcua me Marrëveshjen e Mukjes, u zhvlerësua nga Partia e Enver Hoxhës. Me këtë akt, u shpall uzurpimi i Fronit Kombëtar të Çlirimit nga Bolshevizmi. Kështu, me dredhi sekrete, u uzurpua në mënyrë demonstrative forumi i Frontit dhe i komandës së Ushtrisë së Frontit nga bolshevizmi që, krahas Lutës për Çlirim, shkaktoi ushtrimin e Luftës së Klasave, veçanërisht të përgjakshme në Shqipërinë e prapambetur të asaj kohe. Nëpërmjet dinakërisë, me të cilën u formua Partia Komuniste nga bolshevizmi jugosllav Tito-Stalinist, me paramendim si forcë antifashiste dhe aleate ushtarake e Demokracive Perëndimore, ishte faktori që Enver Hoxha i shpalli partitë demokratike antifashiste nacionaliste properëndimore jo-bolshevike, armike gjoja sabotatore të Frontit dhe filloi luftën e armatosur kundër tyre si luftë kundër tradhtarëve të Shqiptarisë. Kështu Enver Hoxha, uzurpator i Frontit, u bë që gjatë Luftës edhe uzurpator i Shqipërisë dhe armik konsekuent i demokracive perëndimore, si aleatët Hitleri - Stalinin dikur. Mandej, populli i mashtruar kujtonte se, me shtetin e përsosur bolshevik, qe futur në udhën e mirëqenies, dhe lumturisë, model për proletariatin industrialist të shteteve më të zhvilluara perëndimore.

Enveri lindi në një familje bejlero-fetare në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Njerëzit, kur bisedonin teta-tetë, thoshin “ Pse nuk u përmbys ai djep, qe e rriti këtë përbindësh, që nuk pati të dytë, si kriminel në historinë botërore”.

Ideja mashtruese, se Enveri ishte Komandant Historik i Epokës së Shqipërisë së re Socialiste, shpëtimtar, i popullit nga tërë armiqtë dhe ligësitë e kapitalizmit që heq shpirt prej fitores së bolshevizmit mbi fashizëm-nazizmin, ishte një trullosje e nxënësve; tregoheshin sa më shumë bolshevik për të denoncuar çdo shenjë qëndrimi në mospajtim me Luftën e Klasave midis shokëve të tyre gjimnazistë, trupa e nxënësve, përçahej siç u përça i gjithë populli shqiptar. Nxënësit u vunë njëri kundër tjetrit. Sa më e ashpër Lufta e Klasave, aq më produktive, për shtresën sunduese kriminele. Me sa dukej, siç vijonte kjo luftë e shpallur nga shteti bolshevik, nuk do të kishte fitues, se anëtarët e Partisë bënin luftë klasash brenda organizatës bazë dhe në të gjitha nivelet e forumeve të Partisë.

Këtë gjendje dukej sikur nuk e kuptonte mësuesi i filozofisë leniniste te gjimnazit të famshëm, që përsëriste si refren që lufta për socializmin është lifte për të ardhmen e lulëzuar bolshevike të Shqipërisë dhe botës, ndaj duhet mprehim autokritikën dhe kritikën bolshevike në pajtim me Luftën e klasave.

Nxënësit, frekuentonin shkollën për të mësuar shkencat dhe filozofinë shkencore, jo luftën e pa princip të bolshevizmit ruso-sovjetik që zëvendësonte mësimin e mëparshëm të dogmave mesjetare fetare.

Nga kjo lufte absurde, po përmend dhe rraste të tjera të ndodhura në gjimnazin vigjilent të Gjirokastrës. Një nga ditët e punës vullnetare, ishte caktuar , për të pyllëzuar kodrën e Kërcullës. Punohej me vrull intensiv, nga nxënësit dhe mësuesit. Mbillnim lënde lisi. Pa mbaruar mire orari i caktuar, erdhi lajmi se do bëhej një mbledhje rrufe, për të demaskuar një punë armiqësore. U mblodhën të gjithë dhe prisnin deklarimin e Komandantit të Aksionit Kristo Dhima dhe Sekretarit te Komitetit të Partisë së Shkollës, nxënës i klasës tretë, Kujtim Bashari, nga Sasaj – Sarande.

Ata deklaruan se tre armiq, kanë sabotuar aksionin e pyllëzimit. Kanë lënë gropa pa fara dhe në disa gropa kanë vendosur më shumë fara se sa ishte udhëzimi. Për këta “armiq“, kolaudoi Sekretari, do t’i rekomandohet Këshillit Pedagogjik të përjashtohen nga shkolla dhe t’i jepen gjyqit. Midis tyre, mbaj mend njërin që quhej Foto Çami (dervicianioti), për te mos e ngatërruar me byroistin, do ta quaj Foto Derviçanioti. U ndoqën procedurat dhe djaloshi Foto Derviçanioti u përjashtua nga shkolla.

Fajtor nuk ka pse te jete Kujtim Bashari, pavarësisht se merrte nota më të larta sesa Thanas Dhespa që u burgos. Në fakt, Kujtimi mori bursë të pamerituar jashtë shtetit, nuk i dha dot provimet në gjuhë të huaj, u përjashtua edhe nga Partia, u kthye dhe fakultetin për kimi e mbaroi në Tiranë. Jeta që komunist adoleshent, e pat sjelle Kujtimin, ne atë pozicion, kish qenë partizan-korrier si pionier komunist, por sistemi ishte i tille, që e kishte privilegjuar si besnik të Partisë; ishte stërvitur nën tutelën e Partisë që i vinte njerëzit përballë njëri tjetrit, me grindje të përjetshme, për të qeverisur të vlerësuarit sipas meritave në luftën e klasave dhe dilnin në krye besnikët dhe të pa aftët të cilësuar besnik, të cilët nuk e kuptonin vetveten dhe bëheshin megalomanë të sistemit. Sistemi enverist ngriti spiunimin deri në të tëra qelizat e jetës. Një nga qelizat ishte Kujtim Bashari, që i ishte caktuar mision të dënonte mikun e afërt, shokun e klasës, nga minoriteti, Foto Derviçianiotin. Kujtimi e kishte te sigurt fitoren në këtë duel, sepse garantohej, nga Drakulla e Luftës së Klasave, që vigjilonte që nga Blloku i Tiranës.

Nuk mund të lë pa përmendur vitalitetin e Foto Dervicioniotit, që sistemi e përjashtoi nga shkolla, sepse kishte” njolla ne biografi”. Fotoja ishte një nga nxënësit më vital të gjimnazit, i hijshëm , i zgjuar, pak indiferent, me orë floriri ne dorë. Vishej si jo me mirë, krahasuar me moshatarët. Ishte bir kurbetlliu.

Në fund te viteve 50 te shekullit te kaluar punova në ish fermën Levan- Fier. Më thanë se më kërkonte një arsimtar. Ishte Foto Dervicianioti. Më shpjegoi se plotësoi arsimimin në Vlorë dhe u diplomua mësues. Jap mësim në Bishan, më shpjegoi, por ndruhem, se mos më spiunon ndonjë gjirokastrit. Mbas pesë vitesh u ndodha me punë në Libofshë – Fier. Aty gjeta Foton, të internuar. Punonte në kanalet e shkripëzimit. Puna më e rendë, që mund të përfytyrohej në atë botë. Njihja drejtorin e asaj ferme dhe Kryeagronomin. Nuk u thashë gjysmë fjale, për ta trajtuar ndryshe shokun tim të shkollës. Ekzistonte mundësia, që të ndërhyrja ime, të interpretohej zbutje e luftës klasore, që barazohej sikur prifti të shkelmonte ungjillin.

Koha e çon vetiu njeriun drejt vendit të vaut. Doktoresha e Libofshës , qe rridhte nga një familje e famshme enveriste, u dashurua marrëzisht dhe u martua, me Foton e Internuar. Te dy u bënë punëtorë të kanaleve të shkripëzimit. Tani, jetojnë te lumtur ne Pensilvania te USA. Shembulli i Foto Dervicianiotit dhe Kujtim Basharit tregon shkoqur se cili ishte dhe si funksiononte shteti, që krijoi Enver patologjiku karrierist, kriminel, dembel, arrogant dhe i pa shkolluar.

Po në gjimnaz ndodhi një ngjarje e ngjashme. Bashkënxënësja, nga qyteti, Vojsava Kallajxhi e klasës së dytë u përjashtua nga shkolla, bashkë me dy nxënëse të tjera gjirokastrite, me akuzën se qeshi, kur u dha lajmi se vdiq Stalini. Vajza, me zhdërvjelltësi të rrallë, e bukur dhe krenare, mbas një peripecie përndjekjesh, sepse qeshi, gjeti një shteg, për pasaportizim dhe krijoi familje në Tiranë. Vdekja e Stalinit u përjetua në mënyrën me komike, nga shpura enveriste; më vonë mora vesh se edhe në shkolla të tjera ishin përjashtuar nxënëse, se kishin qeshur kur qe dhënë i njëjti lajm. Ky akt ndër shkolla mbeti një shembull i shëmtuar i përforcimit të Luftës së Klasave të shtetit të mangët enverist.

Mbas mbarimit te Luftës së Frontit për Çlirim, Enveri mobilizoi ca kalemxhinj, për të shkruar historinë e luftës dhe te Shqipërisë, që nga themelimi i shtetit. E përmbledhur kjo histori, shprehet realisht me këtë fraze: “Shteti shqiptar filloi në boshllëk në 29 Nëntor 1944 “. U mohuan veprat e shume shtetarëve dhe dijetarëve të shquar. Ky mohim i historisë, fillonte me Mitat Frashrin dhe përfundonte me At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin dhe të tërë nacionalistët e viteve 30 te shekullit te kaluar. Kur Shqipëria rrethohej nga shtete me mbret dhe mentaliteti popullor e konsideronte mbretërinë domosdoshmëri, Kuvendi e shpalli Zogun Mbret dhe, me autoritetin e mbretit u krijua shteti ligjor sipas modelit të mbretërive të kohës.

Ai shtet me Mbret, ishte drejtuar nga Kryeministra me autoritet, por këtyre diturakëve bolshevikë, nuk mund t’u zije ne gojë as emrin, pa lere të përmendje veprat e tyre atdhetare. Secili ka te meta në punë dhe në jetë. Kjo nuk do të thotë t’i harrojë historia e kombit.

Autori i këtij studimi, Prof. Vedati, na sqaron se leninizmi , ne vetvete, nuk kishte pse bëhej teoria udhëheqëse e progresit perëndimor, sepse Evropa historikisht kishte udhëhequr progresin historik.

“Bolshevizmi kishte përmbysur perandorinë e prapambetur cariste, kundër pronës private dhe pretendonte se kishte zbatuar Marksizmin e Manifestit Komunist në mënyrë krijuese “ ( F25 ).

Pavarësisht ndërtimeve të shumta dhe të mëdha, në krahasim me të kaluarën, vdekja e Enverit nuk la ndonjë mirëqenie, përkundrazi populli u gjend në një ngushtësi ekonomie ekstreme dhe rinia në papunësi të padurueshme. Nga vetë-izolimi ekonomia nuk eci me ritmet e Evropës Perëndimore. Nga izolimi iu hoq Shqipërisë realizimi i metalurgjisë së kromit dhe hekur-nikelit (“Fusha Mbret“, ne Elbasan që Enveri e quajti “clirim i dyte“). Një fushë tjetër bujqësore po kaq produktive është zënë nga Kombinati i Auto-traktorëve, një ngarkesë ekonomike pa rentabilitet, që mund të quhet sabotim. Izolimi, ishte jashtë kohës që Shqipëria te zhvillonte industrinë e prodhimit te makinave dhe te traktorëve, me teknologji nën nivelin e teknologjisë botërore.

Në se Perëndimi, gjatë Luftës, do t’a kishte shkëputur Shqipërinë nga tutela Jugosllave dhe të stimulonte Partitë jo-bolshevike të demokracisë perëndimore të Frontit dhe, si pasojë në Front edhe në pushtet, Partia e Mitat Frashrit dhe vetë Mitat Frashri do të bëhej kryesore dhe në Shqipëri do të ishte ndërtuar një shtet, si shtetet e tjera jo-bolshevike ku partitë komuniste qëndruan parlamentare, përfshirë Italinë, që ishte fashiste në krahun e humbur nazist të Luftës Botërore. Mitat Frashri do të ishte në krye të Shqipërisë Demokratike jo-bolshevike dhe si personalitet ishte diametralisht i kundërt me Enverin, në prejardhje, në arsimim, në kulturë, në kontributin kombëtar dhe në karakterin njerëzor. Mohimi i historisë së kombit, kjo ishte historia, që shkroi Enveri me injorancën e tij dhe që e zbatoi me skrupulozitet prej rrëqebulli. Bashkë me aparatin spiun, shteti bolshevik vepronte, për interesa të ngushta te Enverit dhe të një shpure te kufizuar rreth tij. Kur them të kufizuar, numrat nuk i kalonin gishtat e dorës, sepse Enveri nuk dinte të punonte institucionalisht me vartës. I eliminonte me xhelozin e inferioritetit edhe bashkëpunëtorët me te afërt.

Në materialin e studimit të Profesor Vedatit, numërohen një për një viktimat kryesore të këtij vampiri, që veç të tjerëve, ishin pothuajse të gjithë ata që e pranuan Enverin si mish të huaj në themelimin e Partisë, që doli si përbindësh i pa ngopur me gjak shqiptari.

Një linjë thelbësore e Materialit Studimor që shtjellohet nga Prof. Shehu është analiza e platformës marksiste-leniniste, që përçfaqi Enveri në mbledhjen e 81 Partive të Botës që u mbajt ne Moske, në sallen Gjeorgjevkaja me orientim “Pranimin e Bashkë-ekzistencës Paqësore të vijës së Krushovit, në praninë e vetë Krushovit. Autori është ndalur, duke analizuar thellë, këtë ngjarje dhe nxjerrë në pah faktin se ishte e mundur të lexohej një leksion i tillë, që shprehte tendenciozitetin ndaj Krushovit dhe Partisë Bolshevike. Ne konkluzion , autori shprehet:

“Me këtë fjalim, që emërtohej i guximshëm, Enveri mohonte krimet e veta. Donte te paraqiste veten si lektor i atij auditori që përfaqësonte të ashtuquajturin Kamp Socialist “. (F51)

Mbledhja ndodhi dhe leksioni u lexua nga një pjesëmarrës me arsim te cunguar. Bëri bujë, në botë dhe veçanërisht në Shqipëri, por për këtë ngjarje me përmasë botërore, shtrohet pyetja, çfarë ndreqi Komuniteti Ndërkombëtar dhe çfarë përfitoi populli shqiptar? Përgjigja është e gjetur: Asgjë, krejt hiç. Ato perifraza ishin të kundërta të vet leninizmit. Gjithçka u bë për të konsoliduar pushtetin kriminal të E. Hoxhës dhe për të rritur autoritetin e tij në opinionin Anti Kampit Socialist në shkallë ndërkombëtare.

Një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, ka qenë Mehmet Shehu. Nëse duhej vrarë ky kriminel i lindur, arsyet ishin të gjetura me kohë dhe me vakt. Për këto krime të rënda u vlerësua me dekorata dhe tituj si Mehmeti edhe Enveri. Mehmetin, më vonë, e eliminoi se kishte fejuar djalin me vajzën, që duheshin. Arsyeja? Ishte qesharake, Lufta e Klasave e ngjarjeve që tregova për Shtetin pa shtylle kurrizore.

Në bisedat shoqërore, mbas vendosjes së demokracisë gjysmake, është shtruar pyetja: Nuk u gjend një shqiptar me mendje te ndritur dhe me zëmër luani, t’i priste vrullin këtij krimineli, bandit i politikës dhe i marrëdhënieve shoqërore?

Shqiptaret janë komb me histori. “Nuk e kanë ngrenë sapunin për djathë”. Janë pasardhës të Kastriotëve, dardaneve, suljoteve dhe trimave të tjerë të rrallë të penës dhe të pushkës, që nga heronjtë e Rilindjes dhe deri te çetat e Rezistencës Kundër Okupacionit Fashiste bërthamës së Liftës Çlirimtare.

Përpjekje janë bërë brenda Partisë, për ta shkurorëzuar këtë vampir, por kanë dështuar, sepse vete Enveri kishte fituar disa cilësi të kapedaneve shqiptarë, siç është rasti i Ali Pash Tepelenës. I eliminoi me metodën e terrorit te kuq tërë ata që i bënin hije në Pallat të quajtur Bllok.

Rasti me i organizuar ishte Konferenca e Tiranës. Ku i gjithë aktivi, që besohet se ishin mbi 200 kuadro të larta me përvojë pune dhe bashkëpunimi nxori në pah mangësitë e veprimeve të Enver Hoxhës. Konferenca e mposhti drejtuesin e Enverit, Beqir Ballukun, por shpejt e shpejt, Enveri vuri në lëvizje njësitë e terrorit dhe të mjeshtërisë së përçarjes. E shpartalloi drejtimin që kish marrë Konferenca dhe diskutuesit i syrgjynosi në vendet më të egra.

U shua ajo vatër patriotike brenda Partisë që do të kishte pasur mundësinë ta përmbyste një herë e mirë obskurantizmin enverist. Kjo përmbysje ndodhi shumë më vonë, 5 vjet pas vdekjes së Enverit, si kurorëzim i revoltës studentore në vitin 1990.

Duke lexuar interpretimin shkencor të Profesor Vedatit të mbështetur në materialin faktik përkatës, jam i sigurt se historianët do te ndihen te turpëruar për vlerësimin e pa vërtet të figurës politike dhe shtetërore të Enver Hoxhës. Nuk di sa ngushtë e ndjen veten njeriu, kur dëgjon historian që e ka etiketuar vetë me shprehjen stereotip: “Ka pasur gabime Enver Hoxha, por realizoi industrializimin, prodhimin e bukës në vend, u rrit popullsia dhe mosha mesatare … “.

Të tëra këto kanë ndodhur, por i ka bërë populli ynë, nën influencën e vrullit të vet revolucionar dhe jehonës nga revolucionet që kanë ndodhur në Europën e Rilindjes nga Mesjeta. Nuk diskutohet që luftën e bëri populli me ndjenjën e lartë të pavarësisë. Lufta kishte filluar në Shqipëri, kur Enveri i kthyer nga Franca, pa diplomë, ishte i punësuar me hatër mësues i jashtëm i Frëngjishtes, për klasat e ulëta të Liceut të Korçës, të nivelit mbi-fillore dhe sorollatej Korçës, si ish student i braktisur. Enveri, pa aftësi personale, arriti të uzurpojë udhëheqjen e luftës dhe të përvetësoje fitoret e saj, pa udhëhequr asnjë njësi të armatosur, bile, duke i eliminuar, jo vetëm kundërshtarët politikë, por dhe kuadrot ushtarake të luftës dhe që ishin kualifikuar apo shkolluar rishtas në regjimin e tij me ndjenjën e të qenies “Në “Shërbim të Popullit.

Është anormale, që një shqiptar përves, që i solli kaq andralla dhe viktima popullit tonë, e kemi sot të pa cenuar, me meritat, dekoratat dhe titullin “Hero i Popullit”, qe ia ka atribuuar vetvetes. Kjo është e pa falshme , për shkencën tonë historike dhe për Akademinë e shkencave, për funksionimin e Demokracisë.

U shua ajo vatër patriotike brenda Partisë që do të kishte pasur mundësinë ta përmbyste një herë e mirë obskurantizmin enverist. Kjo përmbysje ndodhi shumë më vonë, 5 vjet pas vdekjes së Enverit, si kurorëzim i revoltës studentore në vitin 1990.

Materiali i paraqitur nga Prof. Vedat Shehu është analiza më e thellë dhe më shkencore, që është shkruar, për enverizmin e futur brenda shqiptarisë, si farë e keqe, murtajë politike dhe ekonomike, qe sundoi me dore te hekurt për 45 vjet. Jam njohur dhe materialet e Prof. Uran Butkës. Janë materiale të vlerësuara , mbi një analizë objektive.

Në faqet 74 dhe 75, Prof Vedati, na jep nje statistike te njerëzve, qe ka eliminuar drejt per drejt Enveri. Janë shifra, që trondisin foshnjën në bark të mëmës.

“ Ky njeri i vetmuar, shkruan Profesor Vedati, u be udhëheqës I Partisë dhe I Komandës Ushtarake, pa asnjë meritë, pa komanduar asnjë betejë”, por pasi e vunë të huajt në krye të Konferencës së Pezës, u bë sundimtar i egër, duke vrarë shqiptarë djathtas e majtas të afërt dhe të largët.

Gjatë sundimit te tij janë ekzekutuar 6027 shqiptarë. Janë burgosur 17650 shqiptarë dhe janë internuar 20 mijë”. Analiza e këtyre shifrave tregon se shteti enverist, ishte një Gulash Stalinist i përgjakshëm.

Autori, jep edhe meritat e viktimave, sidomos veprimtaritë e tyre luftarake. Viktimat në listë janë brenda Udhëheqjes Personale të Enverit; fillojnë të demonstrohen me Koci Xoxen dhe vazhdojnë me Tuk Jakovën, Gjin Markun, Kristo Themelkon, Koço Tashkon dhe shumë të tjerë milatantë të luftës partizane deri tek Beqir Baluku, Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu. Autori na argumenton dhe vrasjen me spiunim të Qemal Stafes, Vojo Kushit dhe heronjve te tjerë të Luftës.

E vetmja vërejtje, që kam për autorin është fakti , se me urdhër direkt të Enverit, janë vrarë edhe partizanë të thjeshtë dhe drejtues të tjerë të luftës, një prej të cilëve është Lef Nosi, një dijetar i rrallë dhe firmëtar i Pavarësisë. Vetëm nga krahina ime e Lunxhërisë, janë pushkatuar, mbi 10 partizanë të orëve te para. Familjeve u është thënë se dezertuan. Në fshatin Erind, është kryer një masakër, që mori shumë viktima.

Revolucioni studentor realizoi pluralizmin politik dhe i hapi rrugë zhvillimit demokratik të Shqipërisë, por aparati shtetëror, kultura, arsimi dhe liritë demokratike, lenë për të dëshiruar. Ajo qe është e rëndësishme të theksohet është fakti, që enverizmi u përmbys, për të mos u dukur asnjë shenjë e tij. Shteti aktual duhet të zhvlerësojë totalisht Enver Hoxhën, me ideollogjinë e gënjeshtërt, me ç’do nuancë të qeverisjes, që i ngjan enverizmit; të zhvishet populli nga personaliteti i Enverit, duke ia hequr të gjitha dekoratat, titujt dhe atributet e ç’do ngjyre. Për sa i përket filmave dhe veprave letrare të mbeten ashtu siç janë krijuar, sepse ato pasqyrojnë një realitet të një shteti të veçantë, që ka ekzistuar i mbështetur në dhunë paralizuese të Kombit të vet.

I propozoj Autorit , qe veç botimit në shtyp, një kopje t’a dërgojë në Akademinë e shkencave të Shqipërisë. Demaskimi publik i Enverizmit i argumentuar, konsiderohet shume i vonuar, por aspak i tepërt. Këtë Vepër Studimore të Prof . Vedatit e konsideroj ndihmese te çmuar, për vlerësimin real të historisë kombëtare .

Illo Foto, Studiues NY – Janar 2023


 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page