top of page

BUJAR QESJA: Fest Deti 2025

Fest Deti 2025 – Kur arti, qyteti dhe historia vallëzojnë së bashku në Durrës


Sheshi qendror i Durrësit u mbush me tinguj, ngjyra dhe emocion, në një festë që u bë frymëmarrje kolektive e qytetit. Edicioni i 32-të i Fest Detit konfirmoi edhe një herë peshën qytetare, kulturore dhe emocionale që kjo veprimtari mban në kujtesën dhe shpirtin e banorëve të Durrësit. E nisur që në vitin 1992, kjo festë është ekskluzivitet i Qendrës së Artit dhe Kulturës Shqiptare, e cila mban të drejtën e vetme ligjore për organizimin e saj dhe e ka ruajtur ndër dekada

Muzika, vallëzimi, humori dhe arti, u shkrinë në një spektakël që dëshmoi edhe një herë se “Fest Deti” është më shumë se një event: është një rit qytetar, një traditë e rrënjosur thellë në ndërgjegjen kulturore të qytetit. Qytetarë të shumtë, vizitorë vendas dhe turistë të huaj mbushën hapësirat përreth skenës për të ndjekur një program të pasur që pasqyroi jo vetëm vlerat artistike kombëtare, por edhe shpirtin mikpritës dhe dinjitoz të Durrësit.

Yje të muzikës shqiptare në një skenë: Eranda, Irma, Kastrioti dhe Maja

Pjesëmarrja e motrave të mirënjohura Eranda dhe Irma Libohova ishte një ndër kulmet e mbrëmjes. Të dyja këngëtaret, të njohura për zërin melodioz, elegancën dhe stilin e pakrahasueshëm, sollën këngë të dashura për publikun, duke i dhënë skenës një ngjyrim të veçantë nostalgjie dhe freskie njëherësh.

Performanca e tyre i bëri qytetarët të këndonin në kor, ndërsa në fund të programit, të shoqëruara nga këngëtarja e njohur Fatbardha Aliçkaj-Maja, kërcyen mes publikut, duke krijuar një atmosferë të gjallë e të papërsëritshme që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve.

Këngëtari lirik Kastriot Tusha, një nga tenorët më të vlerësuar shqiptarë, solli në skenë një interpretim të shkëlqyer që kombinoi klasin vokal me elegancën e prezantimit. Ai mbushi sheshin me zë të ngrohtë dhe fisnikëri skenike.

Zija Saraçi ndez skenën e “Fest Deti 2025” me këngë e duartrokitje

Në mbrëmjen magjike të Fest Detit 2025, publiku durrsak pati kënaqësinë të duartrokasë një nga zërat më të dashur të qytetit: këngëtarin Zija Saraçi. Me një interpretim të ndjerë dhe profesional, Saraçi solli në skenë këngë të dashura që elektrizuan atmosferën dhe ngjallën emocione të veçanta te spektatorët e shumtë të mbledhur në sheshin qendror të Durrësit.

I njohur për vokalin e tij të ngrohtë dhe për stilin e tij të qëndrueshëm, Zija Saraçi konfirmoi edhe një herë se është një zë përfaqësues i muzikës durrsake, që ruan me krenari traditën e qytetit dhe e përcjell atë me dinjitet brez pas brezi. Me përzemërsi, thjeshtësi dhe elegancë skenike, ai u bë një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes, duke e bërë performancën e tij një kujtim të bukur për publikun.

Luljeta Strefi dhe Dhimitër Stefa – krenaria lokale që frymëzon

Luljeta Strefi dhe Dhimitër Stefa. Këta artistë, me një përvojë të gjatë dhe lidhje të fortë me publikun vendas, sollën këngë që përçonin shpirtin e Durrësit: gëzimin, brengën, dashurinë dhe forcën qytetare. Vlerësimi i publikut për ta ishte i menjëhershëm – duartrokitje të ngrohta dhe thirrje mirënjohjeje.

Humori i Vlorës ndez skenën: Agron Hamo dhe Afrim Agalliu

Një surprizë e këndshme e mbrëmjes ishte prania e Parodistëve të Vlorës, Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, dy figurat emblemë të humorit vlonjat. Me batutën therëse, mjeshtërinë e improvizimit dhe dashurinë për publikun, ata sollën një frymë të ngrohtë e plot buzëqeshje në mes të programit muzikor. Humori i tyre, i pastër dhe brilant, u duartrokit fort dhe dëshmoi edhe njëherë se arti i vërtetë kalon kufijtë gjeografikë dhe afron zemrat.

Fëmijët, ngjyra e gjallë e spektaklit

Një nga momentet më të veçanta të spektaklit ishte pjesëmarrja e grupit të valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit, nën drejtimin e koreografit të mirënjohur Arian Plaku. Të vegjlit performuan me dashuri dhe profesionalizëm vallet popullore shqiptare, ndërthurur me një kërcim spanjoll të realizuar mjeshtërisht. Fëmijët i dhanë festës pastërti, shpresë dhe vitalitet, duke dëshmuar se arti edukon dhe frymëzon që në fëmijëri.

Ministria, Bashkia dhe Qendra e Artit – një treshe suksesi

Kjo veprimtari nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe bashkëpunimin institucional të tre shtyllave kryesore: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si sponsor gjeneral; Bashkia e Durrësit, nën kujdesin e veçantë të kryetares Emiriana Sako; dhe Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare, organizatori ligjor dhe themelor i “Fest Detit”. Këto institucione funksionuan si një trupë e vetme për të garantuar suksesin dhe për të ruajtur standardin e lartë të kësaj ngjarjeje.

Një rol të veçantë pati edhe Qendra Kulturore Durrës dhe drejtoresha e saj Etleva Myshketa, që me angazhimin e saj konkret ndihmoi në ndërtimin logjistik dhe përmbajtësor të programit.

Artistët pas kuintave

Regjia e spektaklit ishte në dorën e sigurt të Minella Kuretës, Drejtor i Qendrës së Artit dhe Kulturës Shqiptare, një figurë me përvojë të gjatë në fushën artistike. Koordinimi organizativ u bë nga avokati i mirënjohur Adem Ajdini, një emër që spikat për përkushtimin qytetar dhe profesional. Aktiviteti u moderua nga gazetari dhe intelektuali Bujar Qesja, i cili me fjalën e tij të qartë dhe emocionuese, shërbeu si urë lidhëse ndërmjet publikut, artistëve dhe historikut të kësaj feste.

Durrësi – qytet që e do artin dhe e trashëgon me krenari

Me më shumë se 120 minuta program, Fest Deti 2025 ishte një mbrëmje që nuk ofroi thjesht një shfaqje, por një përjetim të plotë shpirtëror. Nën dritat e skenës, të mbështjella me valë dhe frymë deti, publiku vallëzoi, këndoi, qeshi dhe u emocionua. Ishte një dëshmi e gjallë se Durrësi, qytet me histori mijëravjeçare, është edhe një vatër e pashtershme e kulturore Durrësi këndon e kërcen në Fest Deti 2025

Një festë që frymëzon brez pas brezi

Ky ishte edicioni i 32-të i “Fest Detit”, një traditë që prej vitit 1992 i takon me të drejtë ekskluzive Qendrës së Artit dhe Kulturës Shqiptare, që vijon të mbajë gjallë këtë festë të identitetit qytetar dhe shpirtit mesdhetar të Durrësit.

Prania masive në shesh e qytetarëve durrsakë, e familjeve me fëmijë dhe turistëve të huaj, tregoi se Durrësi jo vetëm që ka etje për artin, por di ta mirëpresë dhe ta jetojë atë me emocion, krenari dhe përkushtim.

Pamjet nga fotorepertori i njohur Denis Simaku.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page