Rrahman Dedaj dhe filozofia e tregimit të tij për fëmijë


Rrahman Dedaj dhe filozofia e tregimit të tij për fëmijë


Dr Fatmir Terziu


Shkrimtarin dhe poetin e shquar shqiptar, Rrahman Dedaj, ishim mësuar t’a quajmë poet. Poetin ndër ata poetë më në zë të Kosovës. Jemi mësuar ende t’a vlerësojmë për poezinë e tij. Kanë shkruar dhe e kanë cilësuar si të tillë mjaft studiues, kolegë e kritikë. Por, atij në fakt nuk i është dhënë kurrë e drejta, kurrë nuk i është thënë se vepra e tij për fëmijë e rendit si një shkrimtar të përkushtuar e të veçantë midis shkrimtarëve në majat e letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, pse jo edhe në një kënd të ndjeshëm të letërsisë kontemporane për fëmijë në Botë. Pse e themi këtë, me bindjen tonë duke lexuar dhe analizuar krijimtarinë e tij në përgjithësi e sidomos në këtë aspekt? Në analizën tonë do të argumentojmë me fakte dhe me detaje jo thjesht si një dalesë në krijimtarinë e tij, por dhe si një gjeofrymëzim për të krijuar letrësinë që na la si trashëgim e pavdekësi.


Rrrahman Dedaj udha për tek letrat shqipe



Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujevës, Kosovë. Shkollën fillore e kreu ne Podujevë, shkollën normale dhe fakultetin filozofik në Prishtinë. Me letërsi filloi te merret qysh ne bankat e shkollës. Ka botuar këto vepra: "Zogu dhe Kulla", "Me sy kënge", "Simfonia e fjalës", "Balada e fshehur", "Etje", "Fatkeqësia e urtisë", "Kryqëzim hijesh", (poezi per te rritur).

Më tutje Dedaj ka nxjerrë në dritë përmbledhjet e tregimeve "Fshehtësia" dhe "Medaljoni" si dhe përmbledhjen e vjershave me një nivel mjaft të konsiderueshëm e të vlerësuar për fëmijë "Dy liqej". Ai është autor i mjaft tregimeve potenciale për fëmijë. Me tregimin për fëmijë “Si lindi tregimi” ai ka kristalizuar edhe një të pathënë për krijimtarinë e tij, duke e rradhitur atë mes emrave të shquar, jo vetëm në mesin e poetëve shqiptarë, por e dhe në mesin e një mjeshtri të letërsisë për fëmijë.

Është parathënë në një nga studimet e Nehas Sopajt që e radhit atë në mesin e emrave të shhquar se “është vështirë të emërtohen të gjithë, por më të njohur janë M. Kuteli, R. Hoxha, O. Grillo, A. Islami, Rr. Dedaj, I. Kadriuetj, të cilët e kanë pasur horizontin e letërsisë shqipe me përrallat e ritreguara dhe fëmijët i lexojnë me kurreshtje” (Sopaj, 2007:70). (Lexo: Letërsia për fëmijë, Nehas Sopaj, 2007, botim i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit.)

Në një nga njoftimet tejet dashamirëse të stacionit televiziv RTK veç lajmit tejet pozitiv “U promovua kompleti i veprave letrare të Rrahman Dedajt” thuhet: “Rrahman Dedaj, e ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike, duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare, u tha sot në promovimin e kompletit të veprave letrare të Rrahman Dedajt, të botuara nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” dhe e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Shkrimtari Rrahman Dedaj krijimtarinë letrare e filloi herët, në kohën kur në Kosovë ishin të paktë njerëzit që merreshin me të. Të gjitha veprat me poezi për të rritur dhe për fëmijë, janë përfshirë në botimin e tashëm të veprës letrare në katër vëllime.”

Duke shtuar më tej Akademik Rexhep Qosja, është shprehur se “përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt, me një thellësi kuptimore dhe me një figurshmëri, pothuajse të paprovuar më parë në poezinë shqipe.” (po aty). Dhe më tej ndriçohet duke cituar, Qosen, që shprehet: “Rrahman Dedaj është poeti, i cili me thellësi dhe figurshmëri të veçantë e ka kënduar fatin e Kosovës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. E ka filluar vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe më në fund të gjitha trojeve shqiptare” (Qosja, po aty).


Letërsia për fëmijë si karakteristikë dhe tipologji


Në tërë këtë kuptohet qartë e harruara ose e anashkaluara e arritjeve dhe vlerave të Dedajt në fushën e krijimtarisë prozaike për fëmijë. Ky zhanër delikat dhe mjaft i domosdoshëm në këndin e vet, natyrisht ka qasjen e duhur dhe tërë talentin e dedajt. Po të marrim si shkas vetëm njërin nga tregimet e tij për fëmijë, pikërisht tregimin “Si lindi tregimi” shohim qartë se shkrimtari Rrahman Dedaj, nuk është vetëm poeti që këndon bukur dhe rrjedhshëm, por edhe shkrimtari që vë këngën e tij të mrekullueshme të fjalës shqipe në gjuhën e moshave të urritura për stilin e tij. Ja se si shkruan ai në këtë tregim: “Na ishte njëherë një përrallë, e në përrallë një princeshë e vogël. Princesha kishte në kokë një kurorë të argjendë e në gisht një unazë të artë. Thesari i saj më i madh ishte fjala. Fjala e saj ishte e ëmbël. Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të ketë kurorë të argjendë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël. Por, një ditë ngjau diçka e papritur. Fëmijët më nuk deshën të mendonin për përrallën. E harruan shumë shpejt. Kush ishte fajtor për këtë? A thua, fëmijët i hidhëroi princesha e bukur, apo këta ia kishin zili?! Jo as njëra as tjetra. Por ngjau dicka fare e cuditshme. Në përrallë hynë njerëzit e këqinj-kusarët. Ata deshën t’ian marrin princeshës kurorën e argjendë dhe unazën e artë. Atëherë princesha iku prej përrrallës. Në përrallë mbetën vetëm kusarët…”



Duke vazhduar sërrish me vlerësimin ndaj veprës së Rrahman Dedajt mund të themi hapur se ka sjellë Evropën në poezinë tonë shqipe. Ndërkaq, akademiku Sabri Hamiti, shprehet se në thelb krijimtaria e Rrahman Dedajt, e shkruar për një gjysmë shekulli, nuk ka ndërrime të mëdha.” Krijimtaria e tij plotësohet e zgjerohet nëpërmjet varianteve për të dëshmuar një origjinalitet. Ky identitet poetik përbëhet nga shprehja spontane, ndjeshmëria e figura e parë elementare. Nënvizojmë që krijimtaria e Dedajt nga fillimi deri në fund e ruan karakterin e vet themelor, flet qetë duke figuruar, thotë më thellë duke sugjeruar, kërkon afri e dashuri, e cila kalon nga niveli i mallit në nivelin e mallëngjimit. Por edhe pse nuk është lënë pa u përmendur edhe krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Dedaj, studiuesit janë mjaftuar të shprehen, se “Rrahman Dedaj është një nga shkrimtarët serioz të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, brez që bëri përpjekje që krijimtarinë tonë letrare për fëmijë ta barazojnë me atë të letërsive më të zhvilluara moderne për fëmijë.”

Dhe këtë nuk mund t’a themi thjesht si një përpjekje të Dedajt. Vepra e tij është arritje dhe vlerë. Ajo flet qartë. Tregimi i cituar në vazhdim përshkon pa dorashka këto vlera, këto arritje në zbukurimin e tij filozofik. Ai është mjeshtër në gatimin e filozofisë që flet bukur edhe për këtë moshë: “Kështu këtë përrallë e harruan fëmijët, por tregimi për princeshën nuk mori fund. Ajo doli në breg të detit dhe takoi peshkatarët. Ata ishin njerëz të mirë. Ia dhanë një barkë me margaritarë dhe i thanë të jetëojë në mesin e tyre dhe bashkë të shëtisnin në det.

“Ju jeni shumë të mirë. Puna juaj është e ëmbël, rrjetat tuaja janë të dashura, por mua më duhet të shkoj dhe të hyj në përrallën e bukur, që e duan fëmijët”, tha princesha. Atëherë e mori barkën me margaritarë dhe u nis nëpër detin e kaltër. Peshkatarët e përshëndetën prej bregut të detit me shamia të blerta dhe i uruan lundrim të këndshëm. Ajo largohej e prej së largu i shkëlqente kurora e argjendtë dhe unaza e artë. Rrezet që binin mbi të, shndërroheshin në ylbera. Para se të arrinte në bregun tjetër, princesha dëgjoi një këngë. Ajo ishte kënga e tre vocërrakëve të mirë dhe, të armatosur me harqe dhe me shigjeta. Kishin dalë për t’i vrarë kusarët dhe për të shpëtuar princeshën. Kur barka iu afrua bregut të detit dhe zbriti princesha e vogël, vovërrakët i këndonin dhe i buzëqeshnin. Ajo zu të shpërndajë margaritarë dhe t’u flasë me ëmbëlsi: “Do t’i thërrasim gjithë vocërrakët e botës!” (Dedaj).


Konkluzion


Nëse do të shkonim më në thellësi të krijimtarisë së Rrahman Dedajt natyrshëm do të shihnim me fakte dhe copëza të tjera fragmentare se përthithja lexuese e tregimeve të tij për fëmijë është e ëtra mjeshtëri dhe filozofi përshtatëse. Rrahman Dedaj dhe filozofia e tregimit të tij për fëmijë na japin një dritare më shumë në këtë kënd ku letrësia shqiptare është mjaft deficitare.

Kështu duke u ndikuar dhe mahnitur fuqimisht me leximin e Rrahman Dedajt në këtë fushë, natyrshëm fjala është për vendin e merituar të krijimtarisë së tij. Pra, vepra e tij, më saktë letërsia për fëmijë nuk duhet të jetë shkak për “etërit e letërsisë sonë didaktike”. Ne duhet jetojmë dhe të frymëzohemi me letërsinë e tij për fëmijë dhe më tej…


#rrahman #dedaj #terziu #fatmir

0 views

Shkrimet e fundit